Dhënia e Shërbesës
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbledhjes së Sakramentit
Parimet


“Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbledhjes së Sakramentit”, Liahona, qershor 2020

dhënia e shërbesës

Ilustrimet nga Edward McGowan

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Qershor 2020

Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbledhjes së Sakramentit

Mbledhja e sakramentit siguron mundësi për t’u lidhur me të tjerët dhe për t’u dhënë shërbesë atyre.

Mbledhja e sakramentit është një kohë për ushqyerje shpirtërore dhe reflektim vetjak mbi Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij. Teksa marrim pjesë në sakrament çdo javë, ne lartësohemi së bashku (shih Doktrina e Besëlidhje 84:110). Por disa njerëz në lagjet dhe degët tona mbartin me vete barrë të rënda ose nuk vijnë fare në kishë.

Ja ku janë disa mundësi për mënyrën se si mund ta përdorim atë orë të shenjtë për t’u dhënë shërbesë të tjerëve dhe për të sjellë një ndryshim në jetën e tyre.

Ndihmoni për ta Bërë Mbledhjen e Sakramentit më të Mirë për Ata të Cilëve u Jepni Shërbesë

Hapi i parë për të mësuar se si të jepni shërbesë, është t’i njihni individët ose familjet dhe nevojat e tyre. Mund të ketë mënyra se si mund të ndihmoni për ta bërë më të mirë përvojën e tyre të adhurimit në sakrament, thjesht duke mësuar më shumë për ta.

Për Mindin, një nënë e re e dy vogëlusheve binjake, përpjekjet e thjeshta të motrës së saj shërbestare sollën një ndryshim të madh në përvojën e saj të mbledhjes së sakramentit çdo javë.

“Për shkak të orarit të punës së bashkëshortit tim, unë i çoj vetë vajzat tona binjake në kishë çdo javë”, shpjegon Mindi. “Është me të vërtetë rraskapitëse të përpiqesh t’ia dalësh mbanë gjatë gjithë mbledhjes së sakramentit me dy vogëlushe plot energji, por motra ime shërbestare ka marrë përsipër të më ndihmojë.

Ajo ulet me ne dhe më ndihmon që të kujdesem për vajzat e mia çdo javë. Thjesht ta kem atë pranë do të thotë kaq shumë për mua dhe me të vërtetë ma lehtëson ankthin në çastet kur ato kanë naze apo bëhen grindavece. Mendoj se ajo kurrë nuk do ta dijë se sa kanë ndikuar veprimet e saj tek unë në këtë kohë në jetën time. Ajo e pa nevojën time si një nënë e re, e mbushur me ankth dhe ndihmon që kisha të bëhet një vend plot paqe dhe i lumtur për të gjitha ne.”

Ide për të Ndihmuar Njerëzit që kanë Nevoja të Veçanta

  • Raportojuni udhëheqësve të kuorumit të pleqve dhe udhëheqëseve të Shoqatës së Ndihmës rreth nevojave të anëtarëve.

  • Udhëheqësit planifikojnë biseda për mbledhjen e sakramentit për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të anëtarëve. Nëse ata të cilëve u jepni shërbesë, do të përfitonin nga dëgjimi i një mesazhi të caktuar, tregojuani idenë udhëheqësve tuaj.

  • Nëse keni dijeni se dikush ka një aftësi të kufizuar ose alergji ndaj ushqimit, gjë e cila e pengon të gjejë kënaqësi te bekimet e sakramentit, pyeteni për hollësi dhe se çfarë përshtatjesh mund të bëhen për ta përmirësuar përvojën e tij/saj të adhurimit. Tregojuani këtë informacion udhëheqësve tuaj.

  • Nëse ndonjëri të cilit i jepni shërbesë apo për të cilin keni dijeni, është nga ata njerëz që nuk dalin dot nga shtëpia, qoftë në mënyrë të përhershme ose të përkohshme, pyeteni peshkopin tuaj a mund t’i jepet sakramenti atij/asaj në shtëpi. Ju madje mund të mbani shënime gjatë mbledhjes së sakramentit dhe t’ia thoni ato nëpërmjet telefonit, postës elektronike ose personalisht.

  • Nëse i jepni shërbesë dikujt që ka fëmijë të vegjël, ju mund të ofroni ta ndihmoni atë gjatë mbledhjes së sakramentit.

  • Nëse ata të cilëve u jepni shërbesë, nuk vijnë shpesh në mbledhjen e sakramentit, përpiquni t’i kuptoni dhe të merrni parasysh mënyrat se si mund t’i ndihmoni. Nëse ata kanë nevojë për transport, ju mund t’u ofroni që të vijnë me makinë me ju. Nëse ndihen të papërkrahur nga familja e tyre, ju mund t’i ftoni që të ulen me ju. Ju mund të bëni ftesa të veçanta për t’i ndihmuar ata që të ndihen të mirëpritur dhe se ne duam që ata të jenë në mbledhjen e sakramentit.

Mbani Mend, Gjeste të Vogla Sjellin Ndryshime të Mëdha

Duke folur për dhënien e shërbesës, Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Nganjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore dhe heroike që të ‘llogaritet’ si shërbim ndaj të afërmve tanë. Sidoqoftë, veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët – si edhe te ne vetë”1.

Në një lagje të vogël të Kishës në Belgjikë, Evita shpesh ofron që të përkthejë për vizitorët dhe anëtarët spanjishtfolës gjatë mbledhjeve të Kishës. Një herë, Evita u njoh me dikë nga Republika Dominikane që po mësonte për Kishën. Ai dinte pak anglisht, por spanjishtja ishte gjuha e tij amtare. Kështu që Evita ofroi të përkthente me zë të ulët për të në mbledhjen e sakramentit, që ai të ndihej më rehat.

“Përkthimi ndonjëherë mund të bëjë që Shabati im të jetë me pak më shumë tension”, thotë Evita. “Por ndjekja e nxitjeve për t’i pyetur të tjerët nëse kanë nevojë për një interpretues, pa dyshim që më jep një ndjenjë gëzimi dhe ngrohtësie, kur e di se jam në gjendje t’i ndihmoj ata që ta ndiejnë Shpirtin dhe të kënaqen në mbledhjet e tyre.”

Ide për të Ndihmuar nëpërmjet Gjesteve të Thjeshta

  • Bisedoni me udhëheqësit tuaj për të parë se kush mund të ketë nevojë për pak më shumë shërbim gjatë mbledhjes së sakramentit. Ose nëse keni dijeni për dikë që ka nevojë, sigurohuni që udhëheqësit tuaj të jenë të informuar për ta.

  • Uluni qetësisht teksa prisni që të fillojë mbledhja. Kjo do t’i ndihmojë “zemra[t e] tjera të thyera dhe shpirtra[t e] tjerë të brengosur që na rrethojnë”2, të cilët kanë nevojë për paqen që mund të vijë nëpërmjet nderimit në një vend të shenjtë.

  • Të dielën e agjërimit, mendoni që t’ia kushtoni agjërimin dhe lutjet tuaja dikujt të cilit i jepni shërbesë, që mund t’i nevojitet më tepër ngushëllim.

  • Lutuni që të dini nëse ka ndonjë njeri që mund të përfitojë kur i uleni në krah ose pranë gjatë mbledhjes së sakramentit, apo nëse ka ndonjë mënyrë tjetër se si mund të ndihmoni.

Mbledhja e Sakramentit Mund të jetë një Vend Mikpritës për të Gjithë

Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972) dha mësim: “Mbledhja e sakramentit është mbledhja më e shenjtëruar, më e shenjta, e të gjitha mbledhjeve të Kishës”3. Për shkak të kësaj, është e rëndësishme të sigurohemi se të gjithë ata që marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit, ndihen të mirëpritur dhe të ushqyer shpirtërisht – veçanërisht anëtarët e rinj ose anëtarët që nuk kanë marrë pjesë për njëfarë kohe.

Merania nga Uellsi i Ri Jugor në Australi, u miqësua me një grua e cila po mësonte për Kishën në lagjen e saj. “Ajo është bërë një nga mikeshat e mia të dashura tani”, thotë Merania. “Më pëlqen shumë të ulem me të në mbledhjen e sakramentit çdo javë dhe gjithmonë pyes se si po ia kalon dhe nëse ka ndonjë gjë që mund të bëj për ta ndihmuar atë.” Pas njëfarë kohe, mikesha e Meranias u pagëzua. Përpjekjet e anëtarëve të lagjes së Kishës, si dhe atmosfera mikpritëse në mbledhjen e sakramentit, luajtën një rol të madh në vendimin e saj.

Ide për Dhënien e Shërbesës për Anëtarët që po Kthehen Sërish, ose Anëtarët e Rinj

  • Kur e dini që do të flisni në mbledhjen e sakramentit, mund t’i ftoni miqtë, familjen dhe të tjerët që të vijnë për ta dëgjuar mesazhin tuaj.

  • Mund t’i kërkoni dhe t’i mirëpritni ata që janë vetëm ose që mund të kenë nevojë për ndihmë. Pyetini nëse mund të uleni pranë tyre ose ftojini që të ulen me ju.

  • Kur mbledhja të mbarojë, ju mund t’i ftoni ata të cilëve u jepni shërbesë dhe të tjerët në veprimtaritë e ardhshme të Kishës, në tempull apo në një ngjarje shoqërore.

  • Nëse dikush të cilit i jepni shërbesë, merr pjesë në mbledhjen e sakramentit por nuk ka qenë për njëfarë kohe, ju mund ta pyetni nëse kishte ndonjë pyetje rreth asaj që u dha mësim. Thuaji se është gjithmonë i/e mirëpritur t’ju drejtohet juve nëse do të kishte një fjalë, histori apo pjesë doktrine që nuk e kupton. Ju mund t’i kërkoni përgjigjet bashkë nëse është e nevojshme.

Shënime

  1. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104.

  2. Xhefri R. Holland, “Ja, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 46.

  3. Joseph Fielding Smith, në Conference Report, tetor 1929, f. 60–61.