Dhënia e Shërbesës
Përhapja e Dritës së Shpëtimtarit gjatë Krishtlindjes
Parimet


“Përhapja e Dritës së Shpëtimtarit gjatë Krishtlindjes”, Liahona, Dhjetor 2020

dhënia e shërbesës

Fotografi e paraqitjes së lindjes së Krishtit nga Niltza Beatriz Santijan Kastijo, fotografi e dhuratës nga Getty Images

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Dhjetor 2020

Përhapja e Dritës së Shpëtimtarit gjatë Krishtlindjes

Merrini parasysh njerëzit të cilëve u jepni shërbesë. Si mund t’i ndihmoni ata që të afrohen më shumë te Krishti këtë Krishtlindje?

Ndërsa e kujtojmë Shpëtimtarin Jezu Krisht gjatë gjithë vitit, Krishtlindja është periudha kur kremtojmë dhuratën më të madhërishme që është dhënë ndonjëherë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Teksa japim shërbesë gjatë Krishtlindjes, edhe ne mund të japim dhurata që i ndihmojnë të tjerët të vijnë më pranë Shpëtimtarit. Është e mrekullueshme të mendojmë për veten se po e pasqyrojmë dhuratën që na është dhënë nga Ati Qiellor.

Ende e Çmoj Dhuratën

Suzan Hardi, Kaliforni, SHBA

Kur isha 11 vjeçe, mësuesi im i Shkollës të së Dielës, Vëllai Dits, na tha në klasë se nëse ne do t’i mësonim përmendsh Nenet e Besimit dhe t’ia shpjegonim atij se ç’domethënie kishin, ai do të na blinte ne kompletin vetjak të shkrimeve të shenjta.

Vëllai dhe Motra Dits ishin çift i ri, sapo e kishin nisur jetën së bashku. Nuk isha e sigurt nëse Vëllait Dits ia mbante xhepi për të blerë një dhuratë për gjithsecilin. Por vendosa se nëse ai mendonte se Nenet e Besimit ishin aq të rëndësishme sa për t’i mësuar përmendsh, do ta pranoja sfidën.

Pasi i përfundova të 13-ta nenet, koha kaloi dhe e harrova premtimin e tij.

Pastaj, ditën e Krishtlindjes, mora një pako me emrin tim mbi të. E hapa dhe gjeta një komplet të shkrimeve të shenjta veç për mua, me një kartë që më nxiste t’i lexoja ato rregullisht. Kjo ndodhi në vitin 1972 dhe deri më sot unë i kam ende ato shkrime të shenjta. Ato janë të vyera për mua.

Nuk ishte çmimi i dhuratës, por mirësia që ai tregoi ndaj meje dhe sakrifica që ai qe i gatshëm të bënte për mua, që më lanë një dëshirë të thellë për ta studiuar fjalën e Perëndisë. Unë përpiqem ta ndjek shembullin e dhënies së shërbesës të Vëllait Dits, duke u bërë dhurata kuptimplota njerëzve rrotull meje, duke shpresuar se mund ta bekoj jetën e të tjerëve, ashtu siç ai e ka bekuar jetën time.

Një Ftesë për të Luajtur një Pjesë

Riçard M. Romni, Jutë, SHBA

Kur ata që po planifikonin aktivitetin e lagjes sonë për Krishtlindje, më kërkuan të vizitoja një anëtar të caktuar më pak aktiv dhe ta ftoja që të merrte pjesë në program, më duhet ta pranoj se isha në ankth. E kisha takuar Derenin vetëm një herë më parë, kur mori pjesë në një aktivitet të mëparshëm të lagjes. Kishte vënë një rrip koke motoçiklistësh te balli. Flokët e gjatë e të bardhë i kishte lidhur bisht kali, kishte një mjekër të dendur të bardhë dhe krahët të mbushura me tatuazhe.

Tani, i shoqëruar nga një anëtar i komitetit, po qëndroja para derës së Derenit, duke e vrarë mendjen se ç’mund të thoshte ai. Ai na kërkoi të hynim brenda dhe i treguam se përse kishim ardhur. Ai tha: “Oh, do të më pëlqente shumë!”

Ai bëri një punë të mrekullueshme, duke ndihmuar që ta bënte aktivitetin kuptimplotë për shumë veta. Pak kohë më pas, shoqëruesit tim shërbestar dhe mua na u kërkua ta vizitonim Derenin rregullisht. Ai gjithnjë duket i gëzuar kur na sheh dhe kemi bërë disa bashkëbisedime të këndshme. Jam mirënjohës që frymëzimi për ta ftuar atë që të merrte pjesë te programi i një aktiviteti të lagjes, çoi në një marrëdhënie të çmuar.

Dhënia e Shërbesës ndaj të Tjerëve gjatë Krishtlindjes

Këtu janë disa gjëra që mund të bëni për t’u siguruar që njerëzit të cilëve u jepni shërbesë, ta dinë se po mendoni për ta, veçanërisht në këtë periudhë të vitit.

  1. Nganjëherë një telefonatë ose një mesazh në celular bën mrekulli. Nisja e një bashkëbisedimi me një frazë të thjeshtë “Ç’kemi, si po kalon?” mund të sjellë një ndryshim.

  2. Bashkohuni me kremtimet e tyre kur të jetë e përshtatshme. Krishtlindja mund të jetë një periudhë e shkëlqyer për të mësuar rreth bindjeve fetare që i kemi të përbashkëta. Kur i shprehni bindjet tuaja fetare e i dëgjoni të tjerët, ju ia hapni derën një kuptueshmërie më të madhe.

  3. Lutuni për ta me emër. Kërkojini Atit Qiellor t’ju ndihmojë që të mendoni për mënyra se si t’i sillni më pranë Birit të Tij.

  4. Dhuratat e thjeshta shpesh mbahen mend më mirë. Dhuratat nuk kanë përse të jenë të përgatitura imtësisht për t’u pëlqyer. Dhurata e kohës, dhurata e dëgjimit, shpërndarja e një fotografie apo një kujtimi – të gjitha këto mund të jenë dhurata nga zemra.

  5. Jepni dhuratën e dëshmisë. Kërkojuni që ata ta shprehin dashurinë e tyre për Shpëtimtarin me ju dhe shpreheni dashurinë tuaj për Të me ta.

  6. Ftojini të tjerët të frekuentojnë një shërbesë për Krishtlindje. Disa njerëz duan të adhurojnë por nuk dinë se ku të shkojnë. Ftojini ata të vijnë e të adhurojnë me ju.

  7. Mbusheni shtëpinë e tyre me paqe. Bëjuani të ditur se misionarët kanë një mesazh të veçantë Krishtlindjeje që mund ta japin, një mesazh që do të sjellë shpresë dhe dashuri në zemrat e tyre.

Dhënia e Shërbesës ndaj të Gjithë Njerëzve si Bashkësi

Nevojat e secilës bashkësi janë unike. Disa bashkësi gjejnë të mira nga organizimi i një aktiviteti më të madh. Bashkësi të tjera mund të gjejnë të mira nga diçka e vogël dhe e thjeshtë. Ata që përfshihen në planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve, e marrin parasysh plot lutje se si t’i plotësojnë nevojat që ekzistojnë.

  • Anëtarët nga të tre kunjet e Parisit në Francë, ndihmuan në përkrahjen e një mbrëmjeje me titull “Ndriçoje Botën” që përfshiu një shfaqje talentesh dhe mode. Ata përgatitën artikuj që iu dhanë refugjatëve dhe njerëzve që ishin të pastrehë.

  • Kunji Qendror i Sharlotës në Karolinën e Veriut zhvilloi një ngjarje për komunitetin me titull “Krishtlindja Anekënd Botës” me një program për të kremtuar Krishtin nëpërmjet ushqimit, shfaqjeve tradicionale ndërkombëtare për Krishtlindjen, muzikës, projekteve të shërbimit dhe një skene të lindjes së Krishtit me fëmijë.

  • Anëtarët e Kunjit Vero Beach në Florida, u bashkuan me një aktivitet të komunitetit, duke kujtuar arsyen pse ne e kremtojmë Krishtlindjen. Organizatave bamirëse në komunitet iu dhuruan lodra. Interpretoi një kor i fëmijëve të Fillores dhe shumë kisha kishin ngritur stenda ku paraqitnin informacione.

  • Kunji i Xheksonvillit Jugor në Florida paraqiti për komunitetin shfaqjen Shpëtimtari i Botës.