Dhënia e Shërbesës
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Programit Eja, Më Ndiq
Parimet


“Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Programit Eja, Më Ndiq”, Liahona, Shtator 2020

dhënia e shërbesës

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Shtator 2020

Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Programit Eja, Më Ndiq

Si mund t’ju ndihmojë programi Eja, Më Ndiq që të sillni ndryshim në jetën e të tjerëve?

Qoftë nëse jeni me familjen tuaj, në një klasë të Shkollës të së Dielës si mësues ose anëtar i klasës, apo në shkollë, në punë ose kudo tjetër, studimi i shkrimeve të shenjta nëpërmjet programit Eja, Më Ndiq ofron mundësi të shumta për t’u dhënë shërbesë të tjerëve. Në fund të fundit, mësimdhënia “është më shumë se sa drejtimi i një diskutimi të dielën; ajo përfshin dhënien e shërbesës me dashuri dhe bekimin e të tjerëve me ungjillin”1.

Lidhja me Anëtarët e Klasës

Kur Ofelia Treho de Kardenas u thirr që t’u jepte mësim të rinjve dhe të rejave në moshë madhore në lagjen e saj në Meksiko-Siti, ajo e ndjeu se të pasurit e një marrëdhënieje të ngushtë me secilin prej anëtarëve të klasës së saj në Shkollën e së Dielës, do ta rriste aftësinë e saj për të dhënë mësim dhe për t’i forcuar ata.

“Nëse nuk kam një marrëdhënie të ngushtë me anëtarët e klasës sime dhe nëse nuk e ndiejnë dashurinë time, ata mund të mos më besojnë kur u jap mësim në klasë ose kur jap dëshminë time” – thotë ajo. “Mund të ndiejnë se jam thjesht një mësuese e Shkollës të së Dielës.”

Por si mund të zhvillonte Motra Kardenas një marrëdhënie të tillë nëse ajo jepte mësim vetëm një herë në çdo dy javë? E gjeti përgjigjen nëpërmjet teknologjisë. Duke përdorur programin e telefonit celular WhatsApp, ajo dhe anëtarët e klasës së saj shpejt po lidheshin çdo ditë nëpërmjet mesazheve sms dhe mesazheve zanore. Tani, çdo ditë përpara mësimit të ardhshëm në Shkollën e së Dielës, një vullnetar nga klasa u dërgon anëtarëve të tjerë të klasës një varg nga shkrimi i shenjtë prej mësimit të ardhshëm së bashku me një mendim vetjak që lidhet me të. Pasi e lexojnë vargun dhe mendimin, anëtarët e klasës përgjigjen me mendimet e veta.

“Kur e lexojnë shkrimin e shenjtë, ata dërgojnë një fytyrë të lumtur, prandaj unë e di se e kanë lexuar ose studiuar shkrimin e shenjtë dhe se kanë menduar për të” – thotë Motra Kardenas. Kur është koha për mësimin e ardhshëm të së dielës, anëtarët e klasës janë të përgatitur që të marrin pjesë.

Kjo lidhje e përditshme kohët e fundit e bekoi një të ri në moshë madhore prindërit e të cilit nuk janë aktivë në Kishë.

“Më pëlqen shumë kur e shoh të vijë në kishë, sepse e di që për të arritur atje, atij iu desh të kalonte përmes disa sfidave” – thotë Motra Kardenas. “Jam e sigurt që shkrimet e shenjta dhe mendimet që kanë dërguar anëtarët e klasës së tij dhe mendimet që ka dërguar ai kur ishte radha e tij, e kanë forcuar atë shumë.”

Motra Kardenas thotë se dhënia e shërbesës nëpërmjet shkrimeve të shenjta nuk mbaron me mësimin e saj të dielën dhe lidhjen e saj të përditshme me klasën nëpërmjet shkrimit të shenjtë.

“Përgatitja ime përfshin lutjen për anëtarët e klasës sime” – thotë ajo. “Mendoj për ta jo vetëm të dielën, por edhe çdo ditë të javës. Secili prej tyre ka nevoja të veçanta dhe të ndryshme. Secili është një fëmijë i Perëndisë. Mendoj për ta teksa i përgatit mësimet e mia.”

Dhe kur jep mësim, ajo i dëgjon – si anëtarët e klasës së saj ashtu edhe Frymën e Shenjtë.

“Mësuesi është Shpirti”, të cilin ajo shpesh e dëgjon në zërat e anëtarëve të klasës së saj. “Më duhet të kushtoj vëmendje, sepse ajo që thonë është zbulesa që Shpirti po ua jep atyre.”

Ora Jonë Mësimore Është “si Mbrëmja e Shtëpisë”

Karla Gutierrez Ortega Kordova ndihet e bekuar që është anëtare e klasës së Motrës Kardenas në Shkollën e së Dielës për shkak të mjedisit ushqyes shpirtërisht dhe të dhënies së shërbesës atje. Karla ua atribuon atë mjedis disa faktorëve, ku përfshihen:

  • Përgatitja: Të treguarit e shkrimeve të shenjta dhe mendimeve i ndihmon anëtarët e klasës të përgatiten për orën e ardhshme mësimore. “Shkrimet e shenjta të përditshme na ushqejnë shpirtërisht dhe e zgjerojnë njohurinë tonë” – shpjegon ajo.

  • Pjesëmarrja: “Ne të gjithë flasim. Kjo më lejon t’i njoh anëtarët e klasës sime më thellësisht, si shokë e shoqe dhe si vëllezër e motra.”

  • Dashuria: “Motra Kardenas të merr për dore. Në orën tonë mësimore ndihemi sikur jemi në mbrëmjen e shtëpisë, me disa vëllezër e motra. Është shumë e veçantë.”

  • Fryma e Shenjtë: “Ne kemi një shpirt të këndshëm, plot harmoni në orën tonë mësimore, sepse jemi të gjithë në të njëjtin nivel me Shpirtin”.

  • Dëshmia: Programi “Eja, Më Ndiq më ka ndihmuar të jem gati për ta dhënë dëshminë time. Kam njohuri më të thellë për Librin e Mormonit dhe Biblën. Kjo më lejon t’ua tregoj atë që po mësoj, anëtarëve të klasës sime në shkollë dhe njerëzve në punë.”

Dhënia e Shërbesës ndaj Nevojave Shpirtërore

Kur Greg dhe Niki Kristenseni nga Kentaki në SHBA lexuan rreth besëlidhjes së Abrahamit në shkrimet e shenjta me tre djemtë e tyre, ata e patën të vështirë t’ua shpjegonin. Vendosën si familje që secili prej tyre do ta studionte besëlidhjen e Abrahamit vetë dhe më pas do të tregonin atë që gjetën.

“Patëm ca komente interesante” – thotë Gregu. “Djali ynë tetëvjeçar mësoi se emri i Abrahamit ishte dikur Abram. Emri i tij ndryshoi në Abraham ngaqë ai i bëri një premtim Zotit që të largohej nga mëkati dhe të jetonte një jetë të drejtë. U habita vërtet që ai ishte në gjendje ta jepte atë përgjigje.”

Ata të gjithë mësuan diçka të re dhe patën një diskutim të mirë rreth asaj që është besëlidhja e Abrahamit dhe çfarë domethënie ka për shenjtorët e ditëve të mëvonshme sot.

“Ne dikur lexonim me radhë vargje nga shkrimet e shenjta për studimin tonë familjar të shkrimeve të shenjta” – thotë Niki. “Programi Eja, Më Ndiq është më i përqendruar drejt mësimdhënies me anë të Shpirtit. Tani kur studiojmë së bashku, ndiej shtytje të vogla prej Shpirtit për ta çuar diskutimin tonë në një drejtim të ndryshëm bazuar në nevojat e familjes sonë.”

Përdorimi i programit Eja, Më Ndiq jo vetëm që e ka ndihmuar familjen e tyre që të jetë më e përfshirë dhe më e interesuar në studimin familjar të ungjillit, por i ka ndihmuar gjithashtu Gregun dhe Nikin që të japin shërbesë për nevojat shpirtërore të fëmijëve të tyre.

“Programi Eja, Më Ndiq më ndihmon t’i mësoj fëmijët e mi” – thotë Niki. “Gjithashtu më ndihmon t’ua dal mbanë sfidave të ndryshme që nganjëherë i kam me fëmijët e mi. Ndihem më në harmoni me Shpirtin, dëgjoj më me kujdes dhe kam marrë nxitje se si mund ta ndihmoj secilin fëmijë.”

Gregut i pëlqejnë diskutimet më të gjata për ungjillin që programi Eja, Më Ndiq ndihmon për t’i krijuar në familje. “Djemtë tanë janë të gjithë në nivele të ndryshme lidhur me njohurinë e tyre për ungjillin” – thotë ai. (“Programi Eja, Më Ndiq ka siguruar një mënyrë që ne ta ndihmojmë secilin prej tyre bazuar në nevojat e tyre. T’i shohim ata të rriten në dashurinë e tyre për ungjillin dhe t’i vështrojmë ata të kuptojnë se si mund ta zbatojnë njohurinë e ungjillit në jetën e tyre, ka qenë një bekim i mrekullueshëm.”

Shënim

  1. Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2019), f. 19.