Instituti
Mësimi 14: Dhënia Mësim e Ungjillit të Jezu Krishtit (Pjesa 2)


14

Dhënia Mësim e Ungjillit të Jezu Krishtit (Pjesa 2)

Hyrje

Ungjilli i Jezu Krishtit përmban doktrinat, parimet, ligjet, besëlidhjet dhe ordinancat e përjetshme të nevojshme për njerëzimin që të hyjë sërish në praninë e Perëndisë dhe të ekzaltohet në mbretërinë çelestiale. Parimet dhe ordinancat e para të ungjillit janë: besim në Jezu Krisht, pendim, pagëzim me anë të zhytjes dhe dhurata e Frymës së Shenjtë. Misionarët kanë detyrën e rëndësishme që t’i ftojnë të tjerët për t’u pagëzuar dhe për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Përveç këtyre, sapo fëmijët e Perëndisë bëhen anëtarë të Kishës, ata duhet të durojnë deri në fund duke i pranuar parimet dhe ordinancat e tjera dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Misionarët e ardhshëm duhet të kenë një kuptim të qartë të këtyre doktrinave dhe duhet të jenë të përgatitur për t’i shpjeguar ato në mënyrë të thjeshtë dhe për të dëshmuar për to me fuqi.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Pagëzimi, Besëlidhja Jonë e Parë

Që t’i përgatitni studentët për të përcaktuar parimet rreth pagëzimit, paraqitni një figurë të Gjonit duke pagëzuar Jezusin, dhe ftojini studentët të përmbledhin atë që ata dinë rreth pagëzimit të Jezu Krishtit.

Pamja
Gjoni dhe Jezusi në lumë

Gjoni duke pagëzuar Jezusin

Ju mund të zgjidhni ta shqyrtoni tregimin e pagëzimit të Shpëtimtarit duke e bërë një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 3:13–17. Më pas, ftojini studentët të kthehen nga dikush i ulur krah tyre dhe t’i përgjigjen kësaj pyetjeje:

  • Çfarë të vërtetash të rëndësishme janë dhënë mësim në këtë tregim të pagëzimit të Jezusit?

Shkruajini fjalët vijuese në tabelë:

Ordinancë   Besëlidhje

Kërkojini gjysmës së klasës të studiojë katër paragrafët e parë në pjesën “Pagëzimi, Besëlidhja Jonë e Parë” në faqen 63 të Predikoni Ungjillin Tim, duke kërkuar mënyrat për ta shpjeguar termin ordinancë. Bëjeni gjysmën tjetër të studiojë të njëjtën pjesë, duke kërkuar mënyrat për ta shpjeguar termin besëlidhje.

Sapo studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar, kërkoni vullnetarë që të përkufizojnë termat ordinancë dhe besëlidhje. Më pas, pyetni:

  • Si lidhen me pagëzimin termat ordinancë dhe besëlidhje? (Ndihmojini studentët ta përcaktojnë këtë të vërtetë: Nëpërmjet ordinancës së pagëzimit, ne bëjmë një besëlidhje të shenjtë me Perëndinë.)

Përqendrojeni vëmendjen e studentëve tuaj te paragrafi katër i pjesës “Pagëzimi, Besëlidhja Jonë e Parë” dhe pastaj pyetini:

  • Kur marrim ordinancën e pagëzimit, çfarë besëlidhim që të bëjmë? (Kur pagëzohemi, ne bëjmë një besëlidhje të shenjtë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, për ta kujtuar gjithmonë Atë dhe për t’i mbajtur urdhërimet e Tij. Nëse mendoni se studentët kanë nevojë për më tepër udhëzim për këtë ide, ju mund të merrni pak minuta me ta për të shqyrtuar Doktrinën e Besëlidhjet 20:37.)

Ju mund t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë më mirë besëlidhjen e tyre të pagëzimit duke i paraqitur citimin e mëposhtëm nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe duke i kërkuar një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Gjatë pagëzimit ne bëjmë një besëlidhje me Atin tonë Qiellor që ne jemi të gatshëm të vijmë në mbretërinë e Tij dhe t’i mbajmë urdhërimet e Tij nga ajo kohë e tutje, edhe pse ende jetojmë në botë. Neve na kujtohet nga Libri i Mormonit se pagëzimi ynë është një besëlidhje për të ‘qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë [dhe të mbretërisë së Tij] në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme’ [Mosia 18:9; theksimi i shtuar].

Kur ne e kuptojmë besëlidhjen tonë të pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ajo do të ndryshojë jetën tonë dhe do të krijojë besnikërinë tonë të plotë ndaj mbretërisë së Perëndisë. Kur ndeshemi me tundime, nëse do të dëgjojmë, Fryma e Shenjtë do të na kujtojë se kemi premtuar ta kujtojmë Shpëtimtarin tonë dhe t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 7).

  • Çfarë mendoni se do të thotë “të krijojë besnikërinë tonë të plotë ndaj mbretërisë së Perëndisë”?

  • Në çfarë mënyrash pagëzimi mund të ndryshojë jetën e një personi?

Ftojini studentët të lexojnë paragrafët që kanë mbetur rreth pagëzimit te faqja 64 e Predikoni Ungjillin Tim. Kërkojuni atyre t’i gjejnë dhe shenjojnë anët shtesë të doktrinës së pagëzimit që do të ishin të rëndësishme për t’ua treguar kërkuesve. Jepuni atyre pak çaste për ta plotësuar këtë veprimtari, dhe më pas kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që kanë gjetur. Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të bëni pyetje shoqëruese si këto:

  • Përse do të ishte e rëndësishme për një kërkues që t’i kuptonte këto doktrina?

  • Cila është marrëdhënia midis besëlidhjes së pagëzimit dhe parimeve të besimit te Jezu Krishti dhe pendimit, të cilat u diskutuan në orën e kaluar mësimore?

  • Përse zhytja është një pjesë e rëndësishme e ordinancës së pagëzimit? (Ajo simbolizon vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ajo simbolizon edhe fundin e jetës sonë të vjetër dhe rilindjen tonë si një dishepull i Krishtit [shih Romakëve 6:3–6].)

Shpjegoni se është e rëndësishme që kërkuesit të përgatiten siç duhet për pagëzim. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:37. Më pas, bëjini studentët të kthehen nga pjesëtari tjetër i klasës dhe të diskutojnë për sa vijon:

  • Si mund t’ju ndihmojë ky varg të përcaktoni se kur është i përgatitur një kërkues për pagëzim? (Nëse studentët kanë vështirësi për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, referojini ata në kutinë e titulluar “Përpara Pagëzimit” në fund të faqes 64 te Predikoni Ungjillin Tim.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të “[vish] … me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”?

  • Si e tregon një person që ai me të vërtetë “ka marrë prej Shpirtit të Krishtit”?

Jepuni studentëve një çast për të shkruar në ditarët e tyre të studimit rreth mënyrave të posaçme që mbajtja e besëlidhjes së pagëzimit u ka sjellë bekime në jetën e tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni dy ose tre studentëve t’ia tregojnë atë që shkruan pjesës tjetër të klasës.

Shfaqni materialin filmik “Invitation to be Baptized: German” [“Ftesa për t’u Pagëzuar: Xhermani”] (02:43). Ndërkohë që studentët shohin materialin filmik, ftojini të kërkojnë mënyrën se si misionarët e mësuan Xhermanin rreth rëndësisë së pagëzimit.

  • Çfarë thanë misionarët për ta ndihmuar Xhermanin të kuptonte rëndësinë e pagëzimit?

  • Çfarë prove pati se Xhermani e ndjeu Frymën e Shenjtë dhe kishte dëshirë të pagëzohej?

Ndajeni klasën në dyshe, dhe ftojeni secilën dyshe të përdorë materialin në faqet 63–64 te Predikoni Ungjillin Tim dhe një ose dy shkrime të shenjta nga kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 65 për të përgatitur një mësim katër deri në pesë minuta të përqendruar te prezantimi i pagëzimit të një kërkuesi. Studentët mund të përdorin gjithashtu materialin në faqen 8 të broshurës për misionarët Ungjilli i Jezu Krishtit.

Pasi të lejoni kohë të mjaftueshme për studentët që të përgatiten, organizojeni klasën në grupe të vogla me nga katër studentë, me dy dyshe në secilin grup. Kërkojini njërës dyshe në secilin grup që t’i japë mësim dyshes tjetër rreth pagëzimit për katër deri në pesë minuta. Nxitini studentët që po veprojnë si misionarë të kalojnë te fragmentet e tyre të përzgjedhura të shkrimeve të shenjta dhe t’i lexojnë ato me zë të lartë si pjesë e mësimdhënies së tyre. Ndërkohë që studentët e mbyllin përvojën e tyre të mësimdhënies, vërini grupet e vogla të diskutojnë midis tyre për sa vijon: Çfarë shkoi mirë? Si i ndihmoi mësimi ata që po merrnin mësim ta kuptonin rëndësinë e pagëzimit? Çfarë mund të kishin ndryshuar mësuesit për ta bërë më të efektshme mësimdhënien e tyre?

Më pas, ndërrojini rolet dhe lejojeni dyshen e studentëve të cilët morën mësim që t’i japin mësim dyshes tjetër. Sigurohuni që të ketë kohë për dyshen e dytë që të marrë përshtypje. Gjatë kësaj veprimtarie, ecni nëpër klasë për t’i vërejtur studentët që japin mësim dhe lavdërojini dhe jepuni sugjerime mbi mënyrën se si të mund të përmirësohen.

Kur të gjithë studentët të kenë pasur mundësi për të dhënë mësim, merrni pak minuta për të diskutuar për përvojën së bashku si një klasë. Për ta filluar diskutimin, bëni pyetje si të mëposhtmet:

  • Cilat janë disa gjëra që mësuat nga mësimdhënia e kësaj doktrine?

  • Përse është e rëndësishme që ju të përgatiteni tani për t’ua dhënë mësim të tjerëve këto parime, të vërteta dhe doktrina?

  • Cila është ajo gjë që mund të bëni tani për t’u përgatitur më mirë për të dhënë mësim rreth ungjillit të Jezu Krishtit në misionin tuaj?

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Për t’i përgatitur studentët për këtë pjesë të mësimit, pyeteni klasën se çfarë ordinance kryhet pak pasi një person pagëzohet (konfirmimi, nëpërmjet të cilit individët bëhen anëtarë të Kishës dhe marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë). Kërkojuni studentëve të marrin tridhjetë sekonda për të përsiatur për arsyen përse njerëzit konfirmohen pak pasi pagëzohen. Përpara se studentët të përgjigjen, merrni parasysh t’ua lexoni atyre këtë citim nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Pyetni:

  • Përse pagëzimi mund të konsiderohet “gjysmë pagëzim” nëse nuk shoqërohet nga “pagëzimi i Frymës së Shenjtë”? (Pas disa përgjigjesh, ju mund t’i nxitni studentët të dëgjojnë për të gjetur përgjigje të mëtejshme për këtë pyetje ndërsa mësimi përparon.)

Shpjegojuni studentëve se një udhëheqës judeas i quajtur Nikodemi erdhi fshehtas me natë për t’i bërë pyetje Jezusit të Nazaretit. Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 3:3, dhe pyetni:

  • Çfarë përfshijnë fjalët e Shpëtimtarit te Gjoni 3:3 rreth asaj që nevojitet për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë?

Lexojani klasës Gjonin 3:4–6 dhe pyetni:

  • Për çfarë pyeti Nikodemi që sugjeron se ai nuk e kuptoi mësimin e Shpëtimtarit në vargun 3?

  • Si iu përgjigj Jezusi pyetjeve të Nikodemit? (Ai i mësoi Nikodemit një doktrinë bazë të ungjillit: Ne duhet të lindim nga uji dhe nga Fryma për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Ai dha mësim se të “rilind[ësh]” i referohet rilindjes shpirtërore, jo asaj fizike.)

Shkruani në tabelë:

I Rilindur

I lindur nga uji

I lindur nga Fryma

Më pas, pyetni:

  • Çfarë do të thotë të “lind[ësh] nga uji”? (Do të thotë të pagëzohesh me anë të zhytjes.)

  • Çfarë do të thotë të “lind[ësh] … nga Fryma”? (Do të thotë të marrësh dhuratën e Frymës së Shenjtë. Shpjegojuni studentëve se një poshtëshënim në variantin SHDM të Biblës qartëson se kjo i referohet pagëzimit me Frymën e Shenjtë .)

  • Si mendoni ju, përse përdoret fjala “lindur” për të përshkruar atë që duhet të na ndodhë ne shpirtërisht? Cilat anë të lindjes fizike janë të krahasueshme me rilindjen tonë shpirtërore? (Nëse nevojitet, merrni parasysh leximin e Moisiut 6:58–59 për të ndihmuar me përgjigjen e kësaj pyetjeje.)

Kërkojuni disa studentëve t’i lexojnë sipas radhës me zë të lartë paragrafët në pjesën “Dhurata e Frymës së Shenjtë” në faqen 65 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekë, duke kërkuar bekimet që e shoqërojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Pyeteni klasën:

  • Cilat janë disa nga bekimet që e shoqërojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë? (Një nga doktrinat që studentët duhet të përcaktojnë është kjo: Dhurata e Frymës së Shenjtë mund të sjellë pasoja shenjtëruese dhe pastruese ndaj atyre që e marrin atë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë doktrinën, kërkojuni atyre të studiojnë një ose dy nga shkrimet e shenjta nën kreun “Bekimet dhe Ndikimi nga Fryma e Shenjtë” te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 66 te Predikoni Ungjillin Tim. Ndërsa studiojnë, ftojini t’i theksojnë me ngjyrë në shkrimet e tyre të shenjta disa nga bekimet që vijnë nga marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë. Më pas, pyetni:

  • Përse është e rëndësishme për një person që të marrë Frymën e Shenjtë pasi pagëzohet?

Bëjeni pyetjen e mëposhtme, por përpara se të përgjigjen studentët, lejojuni një çast për t’i përsiatur në heshtje përgjigjet e tyre. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini disa studentë të përgjigjen dhe t’ia tregojnë klasës vetë përvojat e tyre.

  • Çfarë bekimesh keni marrë ju nga dhurata e Frymës së Shenjtë?

Ndajeni klasën në dyshe. Kërkojuni studentëve të përdorin informacionin nga Predikoni Ungjillin Tim (ose pjesën e titulluar “Përse Kam Nevojë të Marr Frymën e Shenjtë” në faqet 8–10 të broshurës për misionarët Ungjilli i Jezu Krishtit) dhe përgatitni një mësim katër deri në pesë minuta mbi dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kujtojuni atyre që të përfshijnë në mësimin e tyre një ose dy shkrime të shenjta nga kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në krye të faqes 66 te Predikoni Ungjillin Tim.

Pasi të lejoni kohë të mjaftueshme që të përgatiten, organizojeni klasën në grupe të vogla me nga katër studentë, me dy dyshe në secilin grup. Bëjeni njërën dyshe të studentëve t’i japë mësim dyshes tjetër. Ndërkohë që studentët japin mësim, ecni nëpër klasë për t’i vërejtur, duke i lavdëruar dhe duke u dhënë sugjerime mbi mënyrën se si të mund të përmirësohen. Ndërkohë që studentët e mbyllin përvojën e tyre të mësimdhënies, vërini grupet e vogla të diskutojnë midis tyre për sa vijon: Çfarë shkoi mirë? Çfarë mund të kishin bërë mësuesit ndryshe për ta bërë më të efektshme mësimdhënien e tyre? Si i ndihmoi mësimi i tyre ata që po merrnin mësim ta kuptonin dhuratën e Frymës së Shenjtë?

Më pas, vërini dyshet në secilin grup t’i ndërrojnë rolet, duke i lejuar dyshes së studentëve që po merrte mësim t’i japë mësim dyshes tjetër. Sigurohuni që të ketë kohë për dyshen e dytë që të marrë përshtypje.

Kur çdo dyshe e studentëve ka pasur mundësinë për të dhënë mësim, merrni pak minuta për ta vlerësuar përvojën duke i bërë pyetje si të mëposhtmet:

  • Cilat janë disa gjëra që mësuat nga dhënia mësim e kësaj doktrine?

  • Bazuar në këtë përvojë, cila është një gjë që mund të bënit për ta përmirësuar mësimdhënien tuaj si një misionar?

Durimi deri në Fund

Në tabelë, vizatoni një figurë të një porte me një shteg prapa tij:

Pamja
portë dhe shteg

Kërkojini një studenti në klasë të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:17. Më pas, pyeteni klasën:

  • Çfarë përcaktoi Nefi si portë që të çon drejt jetës sonë të përjetshme?

Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 31:18–20 ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar atë që ne duhet të bëjmë pasi pagëzohemi.

  • Çfarë tha Nefi se shtrihej përtej portës? (Shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme.)

  • Sipas Nefit, çfarë duhet të bëjë një person pasi pagëzohet me qëllim që të marrë jetë të përjetshme?

  • Si lidhet durimi deri në fund me ndjekjen e shembullit të Shpëtimtarit?

Kërkojuni studentëve të lexojnë nga pjesa e titulluar “Durimi Deri në Fund” që faqen 66 te Predikoni Ungjillin Tim. Nxitini ata të kërkojnë atë që ne mund të bëjmë për të duruar deri në fund. Më pas, pyetni:

  • Pse është e rëndësishme për ne që të durojmë deri në fund? (Studentët duhet të përcaktojnë këtë parim: Ndërsa orvatemi me zell që të durojmë deri në fund, ne do të kualifikohemi për jetë të përjetshme.)

  • Si do t’ju ndihmojë ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit të duroni deri në fund?

Mbylleni duke dhënë vetë dëshminë tuaj për rëndësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, sidomos pagëzimit, dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund.

Ftesa për të Vepruar

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të thellojnë kuptimin e tyre për ungjillin e Jezu Krishtit duke bërë një ose më shumë nga veprimtaritë e mëposhtme gjatë javës së ardhshme:

  • Ushtrojeni shpjegimin e kërkesave për pagëzim siç gjenden te Doktrina e Besëlidhjet 20:37. Shkruani disa fjali në ditarin tuaj të studimit që përshkruajnë atë që po bëni tani për të jetuar sipas besëlidhjes së pagëzimit të përvijuar në këtë varg.

  • Lexoni fragmentet rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë që gjenden te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 66 të Predikoni Ungjillin Tim. Gjithashtu lexoni hyrjen “Frymë e Shenjtë”, f. 51 tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta ose shkruani në ditarin tuaj të studimit vargjet që do të donit të përdornit kur i jepni mësim dikujt rreth dhuratës së Frymës së Shenjë.

  • Jepini mësim parimet e “Mësimi 3: Ungjilli i Jezu Krishtit” një pjesëtari të familjes ose një miku (parapëlqehet dikujt që nuk është një anëtar i Kishës, ose një personi që është pak aktiv), drejtpërdrejt ose në internet. Jepeni vetë dëshminë tuaj për këto parime ndërsa i jepni mësim.

Shtyp në Letër