Instituti
Mësimi 2: Nevoja Jonë për Shlyerjen


2

Nevoja Jonë për Shlyerjen

Hyrje

Shlyerja e Jezu Krishtit është në qendër të planit të Perëndisë për shpëtimin. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i përmbushi qëllimet e Atit të Tij duke na shëlbuar nga vdekja shpirtërore dhe fizike, duke i kënaqur kërkesat e drejtësisë dhe duke na pastruar nga mëkatet vetjake me kushtin e pendimit. Shpëtimtari gjithashtu na ngushëllon në pafuqitë tona, na jep forcë për të arritur gjëra që ne nuk do të ishim në gjendje t’i bënim vetë dhe na jep shpresë që ne të mund të kthehemi të jetojmë me Të dhe Atin Qiellor. Misionarët kohëplotë marrin pjesë në punën e shpëtimit duke i ndihmuar të tjerët të mësojnë se si të kenë të drejtën për bekimet e Shlyerjes nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, pendimit, pagëzimit, konfirmimit dhe durimit deri në fund.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Pse Na Nevojitet Shlyerja

Fillojeni duke i pyetur studentët për sa vijon:

  • Si arrijnë njerëzit ta kuptojnë se kanë nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit në jetën e tyre?

Pas kësaj, paraqiteni thënien vijuese:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Po ashtu si një njeri nuk dëshiron vërtet ushqim derisa të jetë i uritur, po ashtu ai nuk e dëshiron shpëtimin e Krishtit derisa ta dijë se përse ka nevojë për Krishtin.

Asnjë nuk e di mjaftueshëm dhe siç duhet se përse ka nevojë për Krishtin derisa të kuptojë e të pranojë doktrinën e Rënies dhe pasojat e saj mbi të gjithë njerëzimin” (President Ezra Taft Benson, A Witness and a Warning [1988], f. 33).

Më pas, pyetni:

  • Për çfarë e kemi fjalën kur flasim për Rënien e Adamit?

Paraqiteni citimin vijues dhe bëjeni një student t’ia lexojë klasës me zë të lartë:

“Ngaqë Adami dhe Eva … morën prej frytit të pemës së njohurisë të së mirës dhe së keqes, ata u dëbuan nga prania e Zotit (shih DeB 29:40–41). Me fjalë të tjera, ata përjetuan vdekjen shpirtërore. Gjithashtu ata u bënë të vdekshëm – të prekshëm nga vdekja fizike. Kjo vdekje shpirtërore dhe fizike quhet Rënie. …

Duke qenë pasardhës të Adamit dhe të Evës, ne trashëgojmë një gjendje të rënë gjatë vdekshmërisë (shih Alma 42:5–9, 14). Jemi të shkëputur nga prania e Zotit dhe i nënshtrohemi vdekjes fizike. Gjithashtu caktohemi në një sistem kundërshtues, në të cilën provohemi me anë të vështirësive të jetës dhe tundimeve të kundërshtarit (shih 2 Nefi 2:11–14; DeB 29:39; Moisiu 6:48–49)” (Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 142).

Ndihmojini studentët t’i përcaktojnë doktrinat e dhëna mësim në këtë citim duke i pyetur:

  • Si e prek Rënia e Adamit secilin prej nesh si pasardhës i Adamit dhe i Evës? (Ashtu si Adami dhe Eva, edhe ne i nënshtrohemi si vdekjes fizike, ashtu edhe asaj shpirtërore. Ne jetojmë në një botë të rënë dhe i nënshtrohemi vështirësive të jetës dhe tundimeve të kundërshtarit. Ne jemi dëbuar nga prania e Atit dhe na nevojitet ndihma e Shpëtimtarit në mënyrë që të kthehemi tek Ai.)

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe jepuni studentëve disa minuta për t’i studiuar ato:

Romakëve 3:23

2 Nefi 9:6–10

Alma 42:9–11, 14

Teksa studiojnë, nxitini studentët të kërkojnë mënyrën se si preket secili prej nesh nga Rënia e Adamit dhe Evës.

  • Si e shpjegojnë këto shkrime të shenjta mënyrën se si preket secili prej nesh nga Rënia e Adamit dhe Evës? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Edhe pse përgjigjet e tyre mund të ndryshojnë, ato mund të jenë si ato në vijim: Ne të gjithë mëkatojmë dhe bëhemi të papastër në sytë e Perëndisë; ngaqë mëkatojmë, ne dëbohemi nga prania e Perëndisë, do të përjetojmë vdekje fizike; jetojmë në një botë të rënë dhe duhet ta mposhtim “njeriu[n e] natyrshëm” [Mosia 3:19].)

Pyetini studentët çfarë pyetjesh kanë për doktrinat dhe termat që përcaktuan. Lejoni që në diskutimin e klasës të zbulohen këto pyetje. Më pas, pyetni:

  • Si ndihmojnë këto shkrime të shenjta për ta shpjeguar arsyen pse të gjithë ne kemi nevojë për Jezu Krishtin? (Shlyerja e Jezu Krishtit na shëlbon nga Rënia e Adamit dhe e Evës dhe nga vetë veprimet tona të mosbindjes.

Shpjegoni se si pjesë e planit mëshirëplotë të Perëndisë, Shlyerja e Jezu Krishtit na lejon t’i shpëtojmë “përbindëshi[t]” të vdekjes dhe ferrit (shih 2 Nefi 9:10), që nënkupton vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ne të gjithë do të ringjallemi. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të lahemi duke u pastruar nga mëkatet tona teksa pendohemi. Pa Jezu Krishtin, ne jo vetëm që do të mbaronim, por do t’i nënshtroheshim djallit për gjithë përjetësinë.

Jepni një dëshmi të shkurtër për urtësinë dhe mëshirën e planit të Perëndisë. Sigurojuni studentëve se të gjitha rrjedhojat e Rënies mund të mposhten nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Rëndësia e Dhënies Mësim për Shlyerjen

ikona e materialit filmikMerreni parasysh ta lexoni apo ta shfaqni pjesën filmike të thënies vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vërini studentët të kërkojnë arsyen pse është e rëndësishme për ne që ta zgjerojmë të kuptuarin tonë për Shlyerjen.

Plaku Riçard G. Skot

“Ndërsa kujtoni Ringjalljen dhe çmimin e paguar, dhe dhuratën e dhënë nëpërmjet Shlyerjes, mendoni thellë atë çka na mësojnë shkrimet e shenjta për ato ngjarje të shenjta. Dëshmia juaj personale për vërtetësinë e tyre do të forcohet. Ato duhet të jenë më shumë se parime që ju i mbani mend. Ato duhet të thuren në vetë fijet e qenies tuaj si një mburojë e fuqishme kundër valës në ngritje të urrejtjes që infekton botën tonë. …

Pa Shlyerjen, plani i lumturisë i Atit në Qiell nuk do të mund të vihej plotësisht në jetë. Shlyerja u jep të gjithëve mundësinë të kapërcejnë pasojat e gabimeve të bëra në jetë. Kur ne i bindemi një ligji, ne marrim një bekim. Kur ne shkelim një ligj, nuk mbetet gjë nga bindja e mëparshme për kënaqjen e kërkesave të drejtësisë për atë ligj të thyer. Shlyerja e Shpëtimtarit na lejon të pendohemi për ndonjë mosbindje dhe kështu të shmangim ndëshkimet që drejtësia do të vendoste.

Nderimi dhe mirënjohja ime për Shlyerjen e të Shenjtit të Izraelit, Princit të Paqes dhe Shëlbuesit tonë, vazhdimisht rriten ndërsa përpiqem fort të kuptoj më shumë rreth saj. Unë e kuptoj se asnjë mendje tokësore nuk mund të perceptojë mjaftueshëm, as mundet një gjuhë njerëzore të shprehë siç duhet, domethënien e plotë të gjithçkaje që Jezu Krishti ka bërë për fëmijët e Atit tonë Qiellor nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Përsëri është jetike që secili nga ne të mësojë atë që mundet rreth saj. Shlyerja është ai element thelbësor i planit të lumturisë të Atit në Qiell pa të cil[i]n ai plan nuk do mund të ishte vënë në veprim. Kuptimi juaj për Shlyerjen dhe domethënia që ajo jep për jetën tuaj do të rrisin së tepërmi përdorimin tuaj produktiv të të gjitha njohurive, përvojave dhe aftësive që fitoni në jetën tuaj tokësore. …

Ka një nevojë të domosdoshme për secilin prej nesh që të forcojmë kuptimin e domethënies së Shlyerjes së Jezu Krishtit, në mënyrë që ajo të bëhet një themel i patundur mbi të cilin të ndërtojmë jetën tonë. …

Meditimi i thellë personal mbi shkrimet e shenjta i shoqëruar me lutjen kërkuese të ndier me zemër do të forcojnë kuptimin dhe vlerësimin tuaj për Shlyerjen e Tij të paçmueshme” (“Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij!” Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 75–77).

Ndihmojini studentët ta analizojnë thënien e Plakut Skot duke u bërë pyetje si ato vijueset:

  • Cilat pjesë të fjalimit të Plakut Skot e theksuan rëndësinë e të kuptuarit të Shlyerjes? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë pohimet si ato në vijim: vuajtja e Shpëtimtarit “do të na prekë jo vetëm në këtë jetë por në të gjithë përjetësinë”; “Shlyerja e Tij e bëri plotësisht aktiv planin e lumturisë së Atit të Tij në Qiell”; “Jezusi administron për ne drejtpeshimin midis drejtësisë dhe mëshirës të kushtëzuara nga bindja jonë”; “Shlyerja u jep të gjithëve mundësinë të kapërcejnë pasojat e gabimeve të bëra në jetë”; dhe “kuptimi juaj për Shlyerjen dhe domethënia që ajo jep për jetën tuaj do të rrisin së tepërmi përdorimin tuaj produktiv të të gjitha njohurive, përvojave dhe aftësive që fitoni në jetën tuaj tokësore”.)

  • Plaku Skot pohoi se parimet e Shlyerjes “duhet të jenë më shumë se parime që ju i mbani mend. Ato duhet të thuren në vetë fijet e qenies tuaj”. Si mund ta bëjë të ndodhë kjo një misionar i ardhshëm?

Shumë të rinj nuk i kuptojnë bekimet, përveç faljes së mëkateve, që vijnë në jetën e tyre nëpërmjet Shlyerjes. Për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë të kuptuarin për këto bekime të tjera, jepini klasës pak minuta për t’i studiuar fragmentet e shkrimeve të shenjta vijuese, duke kërkuar bekimet që vijnë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit: Mosia 3:19; 4:3; 24:12–15; Alma 5:12–13; 7:11–13. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të shpjegojnë disa nga bekimet e shumta të Shlyerjes. Përmblidhini përgjigjet e tyre në tabelë.

Paraqiteni thënien vijuese dhe bëjeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Ndërsa të kuptuarit tuaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit rritet, do të rritet edhe dëshira juaj për ta ndarë ungjillin me të tjerët” (Predikoni Ungjillin Tim,f. 2).

Ndihmojini studentët tuaj ta kuptojnë më mirë këtë parim duke i pyetur:

  • Pse do të rritet dëshira e dikujt për ta ndarë ungjillin kur ai ose ajo e kupton Shlyerjen?

Caktojini studentët që të punojnë me një anëtar tjetër të klasës për të lexuar me radhë me zë të lartë 1 Nefi 8:10–12; Enosi 1:5–9 dhe Mosia 27:34–36 dhe 28:1–4. Bëjini të kërkojnë një model që gjendet në këto fragmente. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të shpjegojnë modelin që kanë gjetur. (Pasi Lehi, Enosi dhe bijtë e Mosias i kishin përjetuar bekimet e Shlyerjes, ata ndien një dëshirë për ta ndarë ungjillin dhe për t’i ndihmuar të tjerët të marrin të njëjtat bekime.)

Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë parimit që shkruat në tabelë, pyetini për sa vijon:

  • Nëse nuk janë shumë personale, çfarë përvojash keni pasur ju me Shlyerjen që ju japin shtysë ta ndani ungjillin me të tjerët?

  • Si ju japin shtysë njohuri dhe ndjenjat tuaja rreth Shlyerjes për t’i sjellë të tjerët më pranë Jezu Krishtit?

Jepuni studentëve një çast për t’u përsiatur nëse kuptueshmëria e tyre për Shlyerjen e Jezu Krishtit është pjesë e shtysës së tyre për të shërbyer në një mision dhe çfarë mund të bëjnë për ta rritur nivelin e mirënjohjes së tyre për atë që Jezu Krishti ka bërë për ata.

Dhënia e Ndihmës ndaj Kërkuesve që t’i Marrin Bekimet e Shlyerjes

Thuajuni studentëve tuaj se asnjë doktrinë që ata do të japin mësim si misionarë nuk është më e rëndësishme për t’u kuptuar e pranuar si nga kërkuesit ashtu edhe nga misionarët sesa Shlyerja e Jezu Krishtit.

Bëjini studentët ta studiojnë 2 Nefin 2:6–8 dhe të kërkojnë atë që Lehi dha mësim se ne duhet të bëjmë me njohurinë tonë për Shlyerjen. Pasi të jenë përgjigjur disa studentë, ndihmojini ata ta kuptojnë nevojën e kërkuesve për ta kuptuar dhe pranuar Shlyerjen duke e paraqitur dhe duke e lexuar pohimin e mëposhtëm nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Në konferencat e zonës, të cilat janë disa nga çastet më të shkëlqyera të mësimdhënies që ne si Autoritete të Përgjithshme kemi me këta vëllezër e motra të reja, i kam pyetur misionarët se çfarë është ajo që ata duan që kërkuesit të bëjnë si rrjedhojë e diskutimeve të tyre me ta.

“Të pagëzohen!” thërritet në një kor të përgjithshëm.

‘Po’, u them, ‘ne vërtet duam që ata të pagëzohen, por çfarë duhet t’i paraprijë asaj?’ …

… Thuajse asnjëherë misionarët nuk i afrohen përcaktimit të dy gjërave më themelore që ne duam që kërkuesit të bëjnë përpara pagëzimit: të kenë besim në Zotin Jezu Krisht dhe të pendohen për mëkatet e tyre. Prapëseprapë, ‘ne besojmë se parimet dhe ordinancat e para të Ungjillit janë: së pari, Besimi në Zotin Jezu Krisht; së dyti, Pendimi; [pastaj] së treti, Pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; së katërti, Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë’ (Nenet e Besimit 1:4; theksimi i shtuar).

Jeta e një të sapokthyeri në besim duhet të ndërtohet mbi besimin në Zotin Jezu Krisht dhe mbi sakrificën e Tij shëlbuese – një bindje që Ai është vërtet Biri i Perëndisë, që Ai jeton pikërisht në këtë çast, që Ai është vërtetë dera e vathës, që vetëm Ai i mban çelësat e shpëtimit dhe ekzaltimit tonë. Ajo bindje duhet të ndiqet nga pendimi i vërtetë, pendim që tregon dëshiron tonë për të qenë të pastër, të përtëritur e të shëndetshëm, pendim që na lejon të kemi pretendim për bekimet e plota të Shlyerjes” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 10–11).

Më pas, pyetni:

  • Çfarë duhet të bëjë një kërkues që të ketë pretendim për bekimet e plota të Shlyerjes? (Të ketë besim te Jezu Krishti, të pendohet dhe të pagëzohet.)

Shpjegojuni studentëve se Doktrina e Besëlidhje 20:37 përshkruan kërkesat për pagëzim. Bëjini studentët ta lexojnë vargun e të kërkojnë atë që duhet të bëjnë kërkuesit përpara se të pagëzohen. Pyetni:

  • Cilat janë disa gjëra që duhet t’i bëjnë kërkuesit që tregojnë se ata po e zhvillojnë besimin te Jezu Krishti? (Ata do të përulen, do të pendohen për mëkatet e tyre, do të manifestojnë vepra të mira e kështu me radhë.)

  • Çfarë roli luajnë misionarët te ndihma ndaj kërkuesve që t’i përmbushin kërkesat për pagëzim? Si lidhet kjo me qëllimin tuaj si misionar? (Po të jetë e nevojshme, kujtojuani studentëve parimet nga mësimi i fundit.)

Misionarët Urdhërohen ta Japin Mësim Pendimin

Në tabelë, shkruajeni pyetjen vijuese:

Cila është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë misionarët për të ndihmuar në sjelljen e fëmijëve të Perëndisë te Krishti?

Bëjini studentët të lexojnë Doktrina e Besëlidhjet 18:11–14 e të kërkojnë përgjigje për pyetjen në tabelë. Diskutojini përgjigjet e studentëve për pyetjen, pastaj pyetni:

  • Pse pendimi është e vetmja mënyrë në të cilën fëmijët e Perëndisë mund të fitojnë të drejtën për bekimet e plota të Shlyerjes? (Shih Mosia 16:13; Alma 11:37; dhe Helamani 14:13.)

Në tabelë, shkruajeni përgjigjen vijuese për pyetjen që është e paraqitur tashmë:

Misionarët urdhërohen ta japin mësim pendimin që ata të cilëve u japin mësim të mund të kenë qasje te bekimet e plota të Shlyerjes dhe të nisin një jetë të re në Krishtin.

Ndajeni klasën përgjysmë. Bëjeni gjysmën e klasës të studiojë pjesën e titulluar “Shlyerja” në faqet 51–52 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni gjysmën tjetër të klasës të studiojë pjesën e titulluar “Me Anë të Krishtit Ne Mund Të Pastrohemi nga Mëkati” në faqet 60–61 te Predikoni Ungjillin Tim. Jepuni studentëve disa minuta për të lexuar dhe për t’u përgatitur të japin një vështrim të përgjithshëm dyminutësh të materialit që lexuan. Si pjesë e vështrimit të tyre të përgjithshëm, nxitini studentët 1) të përcaktojnë dhe shpjegojnë pikat thelbësore të doktrinës, 2) të tregojnë një përvojë vetjake ose nga shkrimi i shenjtë që e mbështet doktrinën dhe 3) të japin dëshmi rreth asaj që japin mësim. Përmblidhini këta tre hapa në tabelë.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, mund t’i bëni studentët nga grupi i parë të bëhen dyshe me dikë nga grupi tjetër e t’i japin mësim njëri-tjetrit me radhë. Pasi çdo student të ketë pasur mundësi t’i japë mësim një anëtari tjetër të klasës, mund ta ftoni një student të dalë vullnetar për të ardhur përpara klasës e për t’ia dhënë mësim asaj vështrimin e vet të përgjithshëm. Pasi të përfundojë paraqitja, përgëzojeni studentin që e bëri dhe kërkojini klasës ndonjë përshtypje mbi përvojën. Shihni a kanë ndonjë pyetje dhe pastaj pyetni:

  • Si u ndiet kur dhatë mësim dhe dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit?

  • Cilat janë disa gjëra që zbuluat që mund t’ju ndihmojnë kur t’u jepni mësim kërkuesve rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit?

  • Pse po prisni me padurim për t’ua dhënë mësim të tjerëve Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Përdorimi i Shkrimeve të Shenjta

Shpjegojuni studentëve se si misionarë, ata mund të japin mësim me fuqi më të madhe kur i përdorin shkrimet e shenjta. Bëjeni gjysmën e klasës të kërkojë fragmentet e shkrimeve të shenjta te pjesa “Shlyerja” te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 52 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni gjysmën tjetër të klasës të kërkojë fragmentet e shkrimeve të shenjta te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 61 te Predikoni Ungjillin Tim. Nxitini studentët të përzgjedhin një fragment rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit që ata e kuptojnë dhe për të cilin do të jepnin dëshmi pa siklet. Pasi t’iu lini kohë të mjaftueshme studentëve për të treguar, pyetini:

  • Si mund ta përdorni shkrimin e shenjtë që përzgjodhët për ta ndihmuar dikë ta kuptojë më mirë Shlyerjen e Jezu Krishtit? (Nxitini disa studentë që të përgjigjen.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që misionarët t’i përdorin shkrimet e shenjta kur japin mësim?

Bëjini studentët të drejtohen te pjesa e titulluar “Përdorni Shkrimet e Shenjta” në faqen 186 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni një student ta lexojë paragrafin e parë, përfshirë katër pikat e renditura dhe më pas kërkojuni anëtarëve të klasës që të marrin parasysh mënyrën se si idetë e tyre rreth rëndësisë së përdorimit të shkrimeve të shenjta përkojnë me thënien te Predikoni Ungjillin Tim.

Thuajini klasës suaj se pas pak minutash ata do t’i japin mësim një studenti tjetër, duke përdorur shkrimin e shenjtë mbi Shlyerjen që ata e përzgjodhën më herët. Shpjegoni se ka parime tePredikoni Ungjillin Tim që do t’i ndihmojnë ata ndërsa japin mësim. Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë nënpjesën e titulluar “Prezantoni shkrimin e shenjtë” në faqen 187 te Predikoni Ungjillin Tim. Pyetni a kanë studentët ndonjë pyetje rreth këtij hapi dhe jepuni atyre një çast për ta marrë parasysh se si do ta prezantonin shkrimin e shenjtë që përzgjodhën.

Pas kësaj, bëjeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë nënpjesën e titulluar “Lexoni fragmentin” në faqen 187 te Predikoni Ungjillin Tim. Jepuni studentëve një çast për ta lexuar në heshtje fragmentin e tyre të përzgjedhur të shkrimit të shenjtë dhe për të përcaktuar ndonjë fjalë apo frazë që mund të duhet t’ua shpjegojnë një kërkuesi. Pastaj, bëjeni një student të tretë ta lexojë me zë të lartë nënpjesën e titulluar “Zbatoni shkrimin e shenjtë” në faqen 187. Përsëri, pyetini studentët a kanë ndonjë pyetje.

Për t’i ndihmuar studentët të jenë të suksesshëm në mësimdhënien nga shkrimet e shenjta, duhet të bëheni model i zotësisë për ta. Merreni parasysh të zgjidhni një varg ose dy nga Mosia 3:7–11 dhe 16–19 për t’i dhënë mësim që të mos përdorni një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta që përzgjodhën studentët. Jini të thjeshtë dhe përmblidhini gjërat teksa i tregoni në praktikë tre hapat: prezantojeni, lexojeni dhe zbatojeni fragmentin e shkrimit të shenjtë. Kjo paraqitje në praktikë do t’i ndihmojë studentët të mos ndihen të mbingarkuar nga ajo që pritet prej tyre. Kur të mbaroni, pyetini studentët a kanë ndonjë pyetje.

Jepuni studentëve pak minuta që të përgatiten për ta dhënë mësim fragmentin e tyre të përzgjedhur të shkrimit të shenjtë duke përdorur tre hapat që gjenden te Predikoni Ungjillin Tim. Pastaj bashkojeni çdo student në dyshe me një anëtar tjetër të klasës dhe bëjini t’i japin mësim njëri-tjetrit. Kur studentët të kenë përfunduar mësimdhënien, sigurojini ata se teksa i studiojnë shkrimet e shenjta dhe manualin Predikoni Ungjillin Tim, aftësia dhe siguria e tyre për mësimdhënien e ungjillit do të rriten.

Për ta mbyllur mësimin e sotëm, pyetini studentët tuaj nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente të shprehte ndjenjat e veta rreth Jezu Krishtit, veçanërisht rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Ftesa për të Vepruar

Ftojini studentët tuaj të bëjnë një ose më shumë nga sa vijon për t’i ndihmuar ta kuptojnë më mirë Shlyerjen e Jezu Krishtit:

  • Gjatë studimit tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta, shenjojini ose theksojini me ngjyrë fragmentet që ju ndihmojnë ta kuptoni Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

  • Jepeni dëshminë tuaj për Shlyerjen me dikë në shtëpi, kishë apo në internet.

  • Si ta lejojnë rrethanat, jepni dëshmi për Shlyerjen gjatë një takimi mësimdhënieje me misionarët kohëplotë.

  • Gjeni kohë çdo ditë për ta studiuar Shlyerjen e Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta.