2010
Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij!
Maj 2010


Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij!

Kuptimi dhe besimi ynë në Shlyerjen e Jezu Krishtit do të japë forcën dhe aftësinë e nevojshme për një jetë të suksesshme.

Elder Richard G. Scott

Është mëngjesi i pashkës, asaj dite të shenjtë të shënuar në gjithë botën e krishterë për të përkujtuar fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen. Ringjallja e Tij theu çka deri atëherë kishin qenë zinxhirët e përjetshëm të vdekjes. Ai hapi shtegun prej nga secili fëmijë i Atit Qiellor i lindur në tokë do të kishte mundësinë të ngrihej së vdekuri për të jetuar përsëri.

Sa duhet të jetë gëzuar Ati ynë në Qiell atë ditë të shenjtë kur Biri i Tij tërësisht i bindur, plotësisht i denjë shkatërroi zinxhirët e vdekjes. Çfarë qëllimi të përjetshëm do të kishte pasur plani i lumturisë i Atit tonë, përveç që të vihet në veprim nëpërmjet Shlyerjes së pafund dhe të përjetshme të Birit të Tij të bindur të lavdishëm? Çfarë qëllimi i përjetshëm do të vinte nga Krijimi i tokës, ku inteligjencat e veshura me shpirtra do të merrnin trup, nëse vdekja do të ishte fundi i ekzistencës dhe askush nuk do të ringjallej? Çfarë çasti i lavdishëm ishte atë mëngjes për të gjithë ata që kuptuan domethënien e tij.

Pashka është ajo kohë e shenjtë kur zemra e çdo të krishteri të përkushtuar drejtohet me mirënjohje plot përulësi nga Shpëtimtari ynë i dashur. Ajo është një stinë që duhet të sjellë paqe dhe gëzim tek të gjithë ata që e duan Atë dhe e shfaqin duke iu bindur urdhërimeve të Tij. Pashka sjell mendime për Jezusin, jetën e Tij, Shlyerjen e Tij, Ringjalljen e Tij, dashurinë e Tij. Ai u ngrit së vdekuri “me shërimin në krahët e tij”. (Malakia 4:2; 3 Nefi 25:2). Oh sa nevojë kemi të gjithë ne për atë shërim që Shëlbuesi mund ta ofrojë. Mesazhi im është për një shpresë të mbështetur në parimet që janë në mësimet e Mësuesit Mjeshtër, Jezu Krishtit.

Anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mund ta kuptojnë më plotësisht shtrirjen e shërimit që jep Shlyerja e Tij, sepse ne kemi plotësinë e doktrinës së Tij. Ne kuptojmë se ajo çka Ai ka bërë vullnetarisht me vuajtje dhe sakrificë pa kufi do të ndikojë tek ne jo vetëm në këtë jetë, por gjatë gjithë përjetësisë.

Këtë pashkë, ndërsa kujtoni Ringjalljen dhe çmimin e paguar, dhe dhuratën e dhënë nëpërmjet Shlyerjes, mendoni thellë atë çka na mësojnë shkrimet e shenjta për ato ngjarje të shenjta. Dëshmia juaj personale për vërtetësinë e tyre do të forcohet. Ato duhet të jenë më shumë se parime që ju i mbani mend. Ato duhet të thuren në vetë fijet e qenies tuaj si një mburojë e fuqishme kundër valës në ngritje të urrejtjes që infekton botën tonë.

Profeti Lehi shpalli një të vërtetë të thellë kur tha: “Kështu që, shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi. Vër re, ai ofron veten si sakrificë për mëkatin, për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit, për të gjithë ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar; dhe për askënd tjetër nuk mund të plotësohen kërkesat e ligjit.” (2 Nefi 2:6, 7). Sepse shkrimet e shenjta tregojnë se krenaria dhe mendjemadhësia janë sikur të mos qe bërë kurrë një Shlyerje.

Jezu Krishti jeton. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë. Ai është një qenie e lavdishme, e ringjallur. Ai ka aftësinë të komunikojë dashuri që është aq e fuqishme, aq tronditëse, saqë kapërcen aftësinë e gjuhës njerëzore për ta shprehur mjaftueshëm. Ai dha jetën e Tij për të thyer prangat e vdekjes. Shlyerja e Tij e bëri plotësisht aktiv planin e lumturisë të Atit të Tij në Qiell.

Jezusi administron për ne drejtpeshimin midis drejtësisë dhe mëshirës të kushtëzuara nga bindja jonë ndaj ungjillit të Tij. Ai është drita për të gjithë njerëzimin. Ai është burimi i gjithë së vërtetës. Ai i plotëson të gjitha premtimet e Tija. Të gjithë ata që u binden urdhërimeve të Tij do të fitojnë bekimet më të lavdishme të imagjinueshme.

Pa Shlyerjen, plani i lumturisë i Atit në Qiell nuk do të mund të vihej plotësisht në jetë. Shlyerja u jep të gjithëve mundësinë të kapërcejnë pasojat e gabimeve të bëra në jetë. Kur ne i bindemi një ligji, ne marrim një bekim. Kur ne shkelim një ligj, nuk mbetet gjë nga bindja e mëparshme për kënaqjen e kërkesave të drejtësisë për atë ligj të thyer. Shlyerja e Shpëtimtarit na lejon të pendohemi për ndonjë mosbindje dhe kështu të shmangim ndëshkimet që drejtësia do të vendoste.

Nderimi dhe mirënjohja ime për Shlyerjen e të Shenjtit të Izraelit, Princit të Paqes dhe Shëlbuesit tonë, vazhdimisht rriten ndërsa përpiqem fort të kuptoj më shumë rreth saj. Unë e kuptoj se asnjë mendje tokësore nuk mund të perceptojë mjaftueshëm, as mundet një gjuhë njerëzore të shprehë siç duhet, domethënien e plotë të gjithçkaje që Jezu Krishti ka bërë për fëmijët e Atit tonë Qiellor nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Përsëri është jetike që secili nga ne të mësojë atë që mundet rreth saj. Shlyerja është ai element thelbësor i planit të lumturisë të Atit në Qiell pa të cilën ai plan nuk do mund ishte vënë në veprim. Kuptimi juaj për Shlyerjen dhe domethënia që ajo jep për jetën tuaj do të rrisin së tepërmi përdorimin tuaj produktiv të të gjitha njohurive, përvojave dhe aftësive që fitoni në jetën tuaj tokësore.

Unë besoj se është e dobishme të përpiqesh të përfytyrosh çfarë kërkonte Shlyerja nga të dy nga Ati dhe Biri i Tij i gatshëm. Tri nga sfidat që përballoi Shpëtimtari ishin:

E para, një ndjesi pafund përgjegjësie, sepse Ai kuptoi se po të mos bëhej përsosmërisht, asnjë nga fëmijët e Atit të Tij nuk do të mund të kthehej tek Ai. Ata do të ishin të dëbuar përgjithmonë nga prania e Tij, gjersa nuk do të kishte asnjë mënyrë për pendim për ligjet e shkelura dhe asgjë e papastër nuk mund të jetojë në prani të Perëndisë. Plani i Atit të Tij do të kishte dështuar dhe çdo fëmijë shpirtëror do të kishte qenë nën kontrollin dhe torturën e përjetshme të Satanit.

E dyta, mendja dhe zemra e Tij absolutisht të pastra, duhej të ndienin personalisht pasojat e gjithçkaje që njerëzimi do të ndeshte ndonjëherë, madje edhe mëkatet më të urryera dhe më të neveritshme.

E treta, Ai duhej të duronte sulmin e egër të morisë së ndjekësve të Satanit ndërsa fizikisht dhe shpirtërisht vihej në kufijtë e durimit. Pastaj, për shkaqe që ne nuk i dimë plotësisht, ndërsa qe në skaj të mundësive të Tij, në kohën që Shpëtimtari kishte më shumë nevojë për ndihmë, Ati i Tij e lejoi Atë të merrte përsipër barrën shtypëse vetëm me forcën dhe aftësinë e Tij.

Unë përpiqem të përfytyroj çfarë çasti therës duhet të ketë qenë për Atin tonë në Qiell kur Shpëtimtari thirri nga kryqi: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46; Marku 15:34). Unë nuk besoj se Ati në Qiell e braktisi Birin e Tij në kryq. Unë besoj se thirrja u shkaktua kur ai Bir ndjeu heqjen e ndihmës mbështetëse që Ai kishte gëzuar gjithmonë prej Atit të Tij. Ati i Tij e kuptoi se ishte e nevojshme që Shpëtimtari ta përmbushte Shlyerjen plotësisht dhe tërësisht Vetë, pa mbështetje të jashtme. Ati nuk e braktisi Birin e Tij. Ai bëri të mundur që Biri i Tij i përsosur të fitojë frytet e përjetshme të Shlyerjes.

Asnjë nga ne nuk mundet kurrë të vlerësojë si duhet në vdekshmëri rrjedhimet e plota e të dobishme të Shlyerjes.

Ka një nevojë të domosdoshme për secilin prej nesh që të forcojmë kuptimin e domethënies së Shlyerjes së Jezu Krishtit, në mënyrë që ajo të bëhet një themel i patundur mbi të cilin të ndërtojmë jetën tonë. Ndërsa bota bëhet gjithnjë më e mangët në standarde themelore, ndërsa nderi, virtyti dhe dëlirësia lihen mënjanë gjithnjë e më shumë në ndjekje të dëshirave e kënaqësive fizike ose emocionale, kuptimi dhe besimi ynë për Shlyerjen e Jezu Krishtit do të na japin forcën dhe aftësinë e duhur për një jetë të suksesshme. Ato do të na japin gjithashtu vetëbesim në kohë prove dhe paqe në çaste trazimi.

Unë ju nxis energjikisht që të hartoni një plan personal studimi për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë rrjedhimet e pakrahasueshme, të përjetshme dhe të pafundme të përmbushjes së përsosur të Jezu Krishtit të thirrjes së Tij të caktuar hyjnisht si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Meditimi i thellë personal mbi shkrimet e shenjta i shoqëruar me lutjen kërkuese të ndier me zemër do të forcojnë kuptimin dhe vlerësimin tuaj për Shlyerjen e Tij të paçmueshme. Një mënyrë tjetër e fuqishme për të mësuar për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij është nëpërmjet shkuarjes rregullisht në tempull.

Rifreskofshim secili prej nesh vendosmërinë tonë për të dhënë mësim parime të vërteta brenda shenjtërisë së shtëpive tona. Duke bërë këtë, ne do të sigurojmë mundësinë më të madhe për lumturi për shpirtrat që i janë besuar kujdesit tonë. Përdoreni Kishën si mjetin e drejtë për të forcuar shtëpinë, por dijeni se si prindër, ne kemi përgjegjësinë dhe privilegjin themelor të drejtohemi nga Zoti në rritjen e fëmijëve shpirtërorë, që Ai ia ka besuar kujdesit tonë.

Rëndësia jetike e mësimdhënies së të vërtetës në shtëpi është themelore. Kisha është e rëndësishme, por është në shtëpi ku prindërit japin kuptimin dhe drejtimin e kërkuar për fëmijët. Vërtet është thënë se thirrjet më të rëndësishme për kohën dhe përjetësinë janë ato të babait dhe të nënës. Me kohë ne do të lirohemi nga të gjitha detyrat e tjera që marrim por jo nga ato të babait dhe të nënës.

Kur ju mendoni thellë – jo thjesht lexoni, por mendoni dhe meditoni – në pjesë të shkrimeve të shenjta, fuqia e Frymës së Shenjtë do të pikojë të vërteta në mendjen dhe zemrën tuaj si një themel i sigurt në këtë kohë pasigurie në të cilën jetojmë. Si prindër, përgatitini fëmijët tuaj për sfidat që do të ndeshin. U mësoni atyre të vërtetën, i nxisni ta jetojnë atë dhe ata do të jenë në rregull pavarësisht sa ashpërsisht është tronditur bota.

Këtë Pashkë, vendosni ta bëni Zotin Jezu Krisht qendrën e gjallë të shtëpi së suaj. Sigurohuni që çdo vendim që merrni, qoftë i një natyre shpirtërore apo fizike, të udhëhiqet nga mendimi: “Çfarë do të donte Zoti Jezu Krisht që unë të bëj?” Kur Shpëtimtari është qendra e shtëpisë suaj, ajo është e mbushur me paqe dhe kthejlltësi. Atje ka një shpirt sigurie të qetë, që mbush shtëpinë, që ndihet nga fëmijët dhe të rriturit po ashtu.

Mënyra më e mirë për të bërë një ndryshim të përhershëm për mirë është ta bëni Jezu Krishtin modelin tuaj dhe mësimet e Tij udhëzuesin tuaj të jetës.

Nëse keni qenë të pabindur ndaj urdhërimeve të Tij dhe ndiheni të padenjë, dijeni se kjo është pse Zoti, Jezusi Krishti, dha jetën e Tij. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij Ai ka hapur përgjithmonë mundësinë të kapërceni gabime të tilla, të pendoheni për zgjedhje të papërshtatshme dhe të mposhtni efektet negative të një jete në kundërshtim me mësimet e Tij.

Shpëtimtari na do secilin prej nesh dhe do të bëjë të mundur që çdo nevojë që kemi të plotësohet kur ne kualifikohemi nëpërmjet bindjes për të gjitha bekimet që Ai do që të kemi në këtë tokë. Unë e dua dhe e adhuroj Atë. Si shërbëtor i autorizuar i Tij unë dëshmoj solemnisht me çdo aftësi të qenies time se Ai jeton, në emrin e Jezu Krishtit, amen.