2010
Në Ato Ditë do të Përhap Frymën Time Mbi Shërbëtoret
Maj 2010


“Në Ato Ditë do të Përhap Frymën Time Mbi Shërbëtoret”

Ne e dimë se jemi të suksesshme nëse jetojmë në mënyrë që të kualifikohemi, të marrim dhe të dimë si të ndjekim Shpirtin.

Julie B. Beck

Vitin e kaluar, kam takuar mijëra gra Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme në shumë vende. Lista e sfidave që këto motra hasin është e gjatë dhe e qartë. Ka shqetësime familjare, sprova ekonomike, fatkeqësi, aksidente dhe sëmundje. Ka tepër shpërqendrim dhe jo mjaftueshëm paqe e gëzim. Pavarësisht mesazheve popullore mediatike për të kundërtën, asnjë nuk është mjaftueshëm i pasur, mjaftueshëm i bukur apo mjaftueshëm i mençur për të shmangur vështirësitë e jetës së vdekshme.

Pyetjet që ngrenë motrat janë serioze dhe të mprehta. Ato shprehin shqetësimin për të ardhmen, brengën për shpresat e papërmbushura, disa pavendosmëri dhe ndjenja të zvogëluara të vetëvlerësimit. Ato gjithashtu reflektojnë një dëshirë të thellë për të bërë atë që është e drejtë.

Në mua është rritur një dëshmi e jashtëzakonshme për vlerën e bijave të Perëndisë. Kaq shumë varet nga ato. Në vizitat e mia me motrat, kam ndier se nuk ka pasur kurrë një nevojë më të madhe për besim dhe drejtësi personale të rritur. Nuk ka pasur kurrë një nevojë më të madhe për familje e shtëpi të forta. Nuk ka pasur kurrë një nevojë më të madhe për të vepruar në ndihmë të të tjerëve që janë në nevojë. Si i forcon familjet dhe siguron qetësim, një besim i rritur?1 Një grua në kohën tonë, si i gjen përgjigjet e vetë pyetjeve të saj dhe si qëndron e fortë dhe e palëvizshme kundrejt kundërshtimit e vështirësisë së jashtëzakonshme?

Zbulesa Vetjake

Një grua e mirë e di se ajo nuk ka kohë, energji ose mundësi të mjaftueshme që të përkujdeset për të gjithë njerëzit apo që të bëjë të gjitha gjërat e denja që zemra e saj digjet për t’i bërë. Jeta nuk është e qetë për shumicën e grave dhe çdo ditë duket se kërkon përmbushjen e një milion gjërave, shumica e të cilave janë të rëndësishme. Një grua e mirë duhet që vazhdimisht t’i bëjë ballë mesazheve tunduese dhe mashtruese nga shumë burime, që i thonë asaj se ka të drejtë për më shumë kohë larg përgjegjësive të saj dhe sa ajo meriton një jetë me rehati e pavarësi më të madhe. Por me anë të zbulesës vetjake, ajo mund të caktojë saktë përparësitë dhe ta drejtojë këtë jetë me vetëbesim.

Aftësia për t’u cilësuar, për të marrë dhe vepruar sipas zbulesës vetjake është zotësia e vetme më e rëndësishme që mund të fitohet në këtë jetë. Cilësimi për Shpirtin e Zotit fillon me një dëshirë për atë Shpirt dhe kërkon një nivel të caktuar denjësie. Mbajtja e urdhërimeve, pendimi dhe ripërtëritja e besëlidhjeve të bëra në pagëzim çojnë në bekimin e pasjes gjithmonë të Shpirtit të Zotit me ne2. Gjithashtu bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të tempullit i shton forcë e fuqi shpirtërore jetës së një gruaje. Shumë përgjigje të pyetjeve të vështira gjenden nga leximi i shkrimeve të shenjta, sepse shkrimet e shenjta janë një ndihmesë për zbulesën3. Thellësia që gjendet në shkrimet e shenjta grumbullohet me kalimin e kohës, prandaj është e rëndësishme që të kalojmë ca kohë me shkrimet e shenjta çdo ditë. Lutja përditë është gjithashtu thelbësore për të pasur Shpirtin e Zotit me vete4. Ata që kërkojnë me zell për ndihmë nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta shpesh kanë një letër dhe laps pranë për të shkruar pyetje dhe për të shënuar përshtypje dhe ide.

Zbulesa mund të vijë në çdo orë dhe në çdo çast kur ne bëjmë gjërat e duhura. Kur gratë edukojnë ashtu si Krishti edukoi, një fuqi dhe paqe mund të zbresë për të udhëhequr kur nevojitet ndihmë. Për shembull, nënat mund të ndiejnë ndihmën e Shpirtit edhe kur janë të lodhura, kur fëmijë të zhurmshëm gërthasin për përkujdesje, por ato mund të largohen nga Shpirti nëse ato humbasin qetësinë e tyre me fëmijët. Të qëndruarit në vendet e duhura na mundëson të marrim udhëheqje. Kërkohet një përpjekje e ndërgjegjshme për të zvogëluar shpërqendrimet, por të paturit e Shpirtit të zbulesës e bën të mundur fitimin mbi kundërshtimin dhe këmbënguljen në besim përgjatë ditëve të vështira dhe punëve thelbësore të zakonshme. Zbulesa vetjake na jep kuptimin e se çfarë të bëjmë çdo ditë për të rritur besimin dhe drejtësinë vetjake, për forcimin e familjeve dhe shtëpive dhe për t’u përpjekur për ata që u nevojitet ndihma jonë. Meqenëse zbulesa vetjake është një burim i vazhdueshëm e i ripërtëritshëm force, është e mundur që të ndihesh i zhytur në ndihmë edhe gjatë kohëve të trazuara.

Na është thënë ta vëmë mirëbesimin tonë tek ai Shpirt që na çon “për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi, për të gjykuar me drejtësi”5. Na është thënë gjithashtu se ky Shpirt do të ndriçojë mendjet tona, do të mbushë shpirtrat tanë më gëzim dhe do na ndihmojë të dimë gjithë gjërat që duhet të bëjmë6. Zbulesa vetjake e premtuar, vjen kur ne e kërkojmë atë, përgatitemi për atë dhe ecim përpara me besim, duke pasur mirëbesimin që do të na jepet.

Shoqata e Ndihmës – Mësimdhënie, Frymëzim dhe Forcim

Përveç kësaj, Zoti në urtësinë e Tij na ka siguruar një Shoqatë të Ndihmës për të ndihmuar bijat e Tij në këto ditë të fundit. Kur Shoqata e Ndihmës funksionon në një mënyrë të frymëzuar, i ngre gratë lart dhe jashtë një bote të trazuar dhe në një mënyrë jetese që i përgatit ato për bekimet e jetës së përjetshme. Kjo shoqatë ka tamam në zemër të vet, përgjegjësinë për të ndihmuar motrat që të rrisin besimin dhe drejtësinë vetjake, të forcojnë familjet e shtëpitë dhe të kërkojnë e ndihmojnë të tjerët që janë në nevojë. Nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës, motrat mund të marrin përgjigje për pyetjet e tyre dhe të bekohen përmes forcës shpirtërore të bashkuar të të gjitha motrave. Shoqata e Ndihmës vlerëson natyrën e vërtetë dhe të përjetshme të bijave të Perëndisë. Është një mirëbesim i shenjtë, një dritë udhëzuese dhe një sistem përkujdesjeje që i mëson dhe i frymëzon gratë të jenë të forta dhe të patundshme. Motoja e saj: “Dashuria nuk ligshtohet kurrë”7, personifikohet në gjithë gratë e mira.

Kur një vajzë përparon për në Shoqatën e Ndihmës ose kur një grua pagëzohet në Kishë, ajo bëhet pjesë e një bashkësie motrash që e përforcon atë në përgatitjen e saj për jetën e përjetshme. Hyrja në Shoqatën e Ndihmës nënkupton se tek një grua mund të kemi mirëbesim dhe gjejmë mbështetje se do të japë një ndihmë thelbësore në Kishë. Ajo vazhdon të përparojë si individ pa marrë shumë nderim dhe lavdërim publik.

Presidentja e dytë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Eliza R. Snou, u tha këtë motrave: “Duam të jemi zonja tamam me vepra, jo sipas kuptimit të fjalës siç e gjykon bota, por bashkudhëtare të përshtatshme të Perëndive dhe të Të Shenjtëve. Nga një pozitë e organizuar, ne mund ta ndihmojmë njëra-tjetrën jo vetëm në bërjen mirë por në përmirësimin e vetes sonë, edhe nëse pak ose shumë vijnë përpara e ndihmojnë në kryerjen e kësaj vepre të madhe, këto do të jenë ato që do të zënë pozicione të nderuara në Mbretërinë e Perëndisë… . Gratë duhet të jenë gra dhe jo fëmijë që kanë nevojë për vëmendje dhe korrigjim gjithë kohën. E di se na pëlqen të vlerësohemi por nëse ne nuk marrim gjithë vlerësimin që ne mendojmë se na takon, ç’rëndësi ka? E dimë se Zoti ka caktuar përgjegjësi të larta për ne dhe nuk ka asnjë lutje apo dëshirë që Zoti ka mbjellë në zemrat tona me drejtësi që nuk do të përmbushet; dhe se mirësia më e madhe që mund t’i bëjmë vetes dhe njëra-tjetrës është që të përmirësojmë dhe zhvillojmë veten tonë në çdo gjë që është e mirë dhe fisnike, që na kualifikon për ato përgjegjësi”8.

Matja e Suksesit

Gratë e mira kanë gjithmonë një dëshirë që të dinë nëse janë duke pasur sukses. Në një botë ku matësit e suksesit shpesh shtrembërohen, është e rëndësishme të kërkosh vlerësimin dhe konfirmimin nga burimet e duhura. Në përmbledhje të një liste që gjendet tek Predikoni Ungjillin Tim, ne jemi duke vepruar mirë kur zhvillojmë cilësi si të Krishtit dhe përpiqemi t’i bindemi plotësisht ungjillit të Tij. Ne jemi duke vepruar mirë kur përpiqemi të përmirësojmë veten dhe të bëjmë më të mirën nga ana jonë. Ne jemi duke vepruar mirë kur ne rrisim besimin dhe drejtësinë vetjake, forcojmë familjet e shtëpitë dhe kërkojmë e ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë. Ne e dimë se jemi të suksesshme nëse jetojmë në mënyrë që të kualifikohemi, të marrim dhe të dimë si të ndjekim Shpirtin. Kur kemi dhënë maksimumin tonë, mund të përjetojmë përsëri zhgënjime, por nuk do të zhgënjehemi nga vetja. Ne mund të ndihemi të sigurt se Zoti është i kënaqur kur ne e ndiejmë Shpirtin të punojë përmes nesh.9 Paqja, gëzimi dhe shpresa janë të disponueshme për ata që e matin suksesin si duhet.

Një zbulesë në librin e Joelit pohon se në ditët e fundit, bijtë dhe bijat e Perëndisë do të profetizojnë dhe Zoti do të përhap Frymën e Tij mbi shërbëtorët e Tij dhe shërbëtoret e Tij.10 Presidenti Spenser W. Kimball i bëri jehonë kësaj profecie kur tha:

“Shumica e rritjes madhore, që do i ndodhë Kishës në ditët e fundit, do të vijë sepse shumë prej grave të mira të botës (brenda të cilave shpesh gjendet një ndjenjë e brendshme shpritshmërie) do të tërhiqen nga Kisha në sasi të mëdha. Kjo do të ndodhë në atë masë që gratë e Kishës do pasqyrojnë drejtësi e aftësi shprehëse në jetën e tyre dhe në masën që gratë e Kishës do duken të dallueshme e të ndryshme – në mënyra të lumtura – nga gratë e botës… .

Pra do të ndodhë që shembujt e grave të Kishës do të jenë një forcë thelbësore si në rritjen në numër edhe atë shpirtërore të Kishës në ditët e fundit.“11

Unë jap dëshminë time se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. Zoti pret nga bijat e Tij që të bëjnë pjesën e tyre në forcimin e shtëpive të Sionit dhe ndërtimin e mbretërisë së Tij në tokë. Kur kërkojnë dhe përgatiten për zbulesë vetjake, Zoti do të përhapë Frymën e Tij mbi shërbëtoret e Tij në këto ditë të mëvonshme. Në emër të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Jakobi 2:17, Mosia 4:26, Doktrina e Besëlidhje 38:35, 44:6.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  3. Shih 2 Nefi 32:3.

  4. Shih 3 Nefi 19:24–33.

  5. Doktrina e Besëlidhje 11:12.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 11:13–14.

  7. 1 Korintasve 13:8.

  8. Eliza R. Snou, fjalim në Shoqatën e Ndihmës të Lagjes Lehi, 27 tetor 1869, Lagjja Lehi, Kunji Alpin (Juta), në Relief Society, Minute Book, 1868–1879, Church History Library, Solt-Leik-Siti, f. 26–27.

  9. Shih Predikoni Ungjillin Tim (2005), f. 10–11.

  10. Shih Joeli 2: 28–29

  11. Spenser W. Kimball, “The Role of Righteous Women,” Ensign, nëntor 1979, f. 103–104.