2010
Anëtarët në Haiti Përparojnë, të Vendosur në Ungjill
Maj 2010


Anëtarët në Haiti Përparojnë, të Vendosur në Ungjill

Kur një tërmet goditi Haitin në janar të 2010-ës, Zhan-Elie Rene vrapoi për në shtëpi për t’u siguruar që familja e tij ishte jashtë rrezikut. Kur arriti, ai dalloi një nga tre djemtë e tij duke qarë në rrugë dhe mund të dëgjonte britmat e një tjetri nga poshtë rrënojave ku më parë ishte shtëpia e familjes së tij.

Babai 32-vjeçar ndoqi britmat dhe gërmoi nëpër rrënoja derisa gjeti djalin e tij pesëvjeçar dhe trupin e bashkëshortes së tij shtatzënë, ende duke mbrojtur foshnjën e tyre nëntëmuajsh nga çatia e rrëzuar e shtëpisë së tyre.

Vëllai Rene shërben si nëpunës lagjeje në Lagjen Logan, në Kunjin e Port-o-prens të Haitit. Edhe pse humbi bashkëshorten, fëmijën e tij të palindur dhe shtëpinë e tij, ai nuk ankohet apo zemërohet për gjendjen e tij. Shumicën e ditëve që pasuan tërmetin, Vëllai Rene mund të gjendej në shtëpinë e mbledhjeve, me fëmijën në prehër dhe dy bijtë e tij të tjerë përbri, duke ndihmuar peshkopin të bashkërendonte furnizimet për anëtarët e lagjes dhe të tjerë, që e bënë shtëpinë e mbledhjeve shtëpi të tyre të përkohshme.

Historia e Vëllait Rene është prekëse, por ajo nuk është e vetme. Anëtarë të Kishës kudo nëpër Haiti vuajtën shumë nga shkatërrimi i tërmetit me magnitudë 7,0 ballë, por katastrofa shërbeu për të zbuluar forcën e anëtarësisë në rritje të Haitit. Si Vëllai Rene, shumë anëtarë – si anëtarë prej brezash edhe anëtarë të brezit të parë – u ngritën përballë sfidave dhe gjetën paqe dhe ngushëllim në besnikëri dhe bindje.

Të Provuar në Vështirësi

Nëpër të gjitha vështirësitë, anëtarët e Kishës në Haiti kanë qëndruar të fortë në ungjill ndërsa vazhdojnë të kujdesen dhe të forcojnë njëri-tjetrin si dhe njerëzit në komunitetet e tyre.

“Është e vërtetë se gjithçka që kishim, madje zotërimet tona materiale dhe familjet tona u zhdukën. Por besimi ynë në Jezu Krisht nuk u shkatërrua”, tha Iv Pjerr-Lui, peshkop i Lagjes Logan. “Ishte një rast i mirë që ne të vlerësonim veten si dishepuj të Krishtit.”

Udhëheqësit e priftërisë vendore veçanërisht ishin një shembull i madh besimi dhe dëshmie ndërsa ngriheshin përballë sfidës, duke mësuar të plotësonin thirrjet e tyre në kohë të vështira dhe të ndihmonin të tjerët në nevojë, tha Plaku Francisko J. Vinjas i Të Shtatëdhjetëve, President i Zonës së Karaibeve.

“Ata përdorën çelësat e priftërisë së tyre për të bekuar jetën e anëtarëve dhe të jo anëtarëve”, tha ai. “Ata punuan në këshill dhe morën drejtim nga Shpirti për të përballuar sfidat e vështira ditë pas dite.”

Pasoja e shkatërrimit nga tërmeti krijoi një sfidë, veçanërisht për peshkopët në Haiti, tha Prosner Kolin, president i Kunjit të Port-o-prensit në Haiti. Peshkopët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin ngarkuar me përgjegjësi për t’u kujdesur dhe për të ndihmuar qindra anëtarë të lagjes, si dhe familjet e veta.

“[Peshkopët] vazhdojnë të ndihmojnë”, tha Presidenti Kolin. “Ata kuptojnë se ata humbën shumë gjëra, por ata kanë ungjillin. Ata nxisin [anëtarët] të vazhdojnë për të jetuar denjësisht.”

Peshkopi Pjerr-Lui u bë një udhëheqës komuniteti pas tërmetit. Gjatë javëve dhe muajve pas shkatërrimit në Haiti, ai ia përkushtoi jetën e vet shërbimit për anëtarët dhe jo anëtarët në Logan – duke u kujdesur për nevojat e qindra vetëve.

“Ai është shërbëtori më i mahnitshëm, më i përulur që do të takonit ndonjëherë”, tha Çad Piterson, një mjek nga Arizona që kaloi kohë me Peshkopin Pjerr-Lui si vullnetar pas tërmetit.

Besim për të Tashmen dhe të Ardhmen

Shumë ngjarje janë treguar për anëtarët kudo nëpër Haiti, aftësia ripërtëritëse dhe besimi i të cilëve te Zoti i çoi ata në kapërcimin e sprovave të tyre.

“Edhe pse shenjtorët besnikë haitianë kanë vuajtur shumë, ata janë mbushur me shpresë për të ardhmen”, tha Plaku Uilford W. Andersen, i Të Shtatëdhjetëve, në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme të prillit 2010. “Ashtu si pionierëve të hershëm në 1846, zemrat u janë coptuar por shpirtrat e tyre janë të fortë. Ata gjithashtu po na mësojnë se shpresa dhe lumturia e gëzimi nuk janë rezultat i rrethanave por i besimit tek Zoti.”

Një demonstrim i një bindjeje dhe besimi të tillë u pa kur, menjëherë pas tërmetit, mbledhjet e Kishës vazhduan pa ndërprerje.

Pavarësisht nga shkatërrimi i vendit të tyre, anëtarët në Haiti erdhën në Kishë të veshur me rrobat e tyre më të mira të së dielës, me buzëqeshje në fytyrë. Ungjilli ishte litari i shpëtimit ku mbështeteshin shumë për t’i nxjerrë nga dhimbja dhe dëshpërimi.

“Megjithë humbjen e shtëpive, punëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre, njerëzit janë aq të dashur, besues dhe shpirtmirë. Ata kanë besim mahnitës”, tha Vëllai Piterson.

Sot, Kisha vazhdon të lulëzojë në Haiti. Pjesëmarrja në mbledhjen e sakramentit është rritur, tha Presidenti Kolin dhe njerëzit në Haiti vazhdojnë të punojnë për të rindërtuar komunitetet e tyre.

“Anëtarët po bëjnë një punë të mirë për t’u shërbyer të tjerëve”, tha ai. “Ata i vizitojnë; ata kërkojnë mundësi pune për vete dhe për të tjerët.”

Bertoni Teodor, një haitian vendas dhe drejtor i ndihmave të Kishës në Haiti, thotë se ai dhe udhëheqës të tjerë të tanishëm dhe të ardhshëm të Kishës në Haiti fituan përvojë të çmueshme si rezultat i shkatërrimit.

“Ne kemi rastin t’u shërbejmë të tjerëve, duke u treguar edhe një herë se sa shumë i duam”, tha ai. “Ne mësuam edhe një herë se nuk jemi vetëm në botë, se ne jemi anëtarë të popullit të Zotit.”

Vëllai Teodor tha se tërmeti – apo çfarëdo shkatërrimi tjetër – nuk mund t’ua largojë paqen apo gëzimin anëtarëve në Haiti.

“Është dëshmia ime se Zoti kurrë nuk i harron fëmijët e Tij”, tha ai. “Ai e di ku jam unë, gjendjen time. Ai kurrë nuk do të më lërë vetëm.”