Ata u Folën të Rinjve
Mësoni, Veproni dhe Tregoni: Kryerja e Detyrës Suaj ndaj Perëndisë
Neve na është besuar të mbajmë priftërinë dhe të veprojmë në emrin e Perëndisë. Ne jemi marrës të një besimi të shenjtë. Shumë pritet prej nesh… . Le të mbajmë parasysh thirrjet tona, le të mendojmë mbi përgjegjësitë tona dhe le të ndjekim Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Presidenti Tomas S. Monson, “Përgatitja Sjell Bekime”, f. 64.
Vetëm disa javë më parë, pashë një dhjak të ri të nisej në atë shteg të zellit. Babai i tij më tregoi një skemë që kishte krijuar i biri, e cila paraqiste çdo radhë ndenjësesh në sallën e tyre të sakramentit, një numër për secilin dhjak që do t’i caktohej të shpërndante sakramentin dhe rrugën e tyre nëpër sallë për t’u shërbyer sakramentin anëtarëve. Babai dhe unë buzëqeshëm kur menduam se një djalë, pa iu kërkuar ta bënte, do të përgatiste një plan që të sigurohej se ai do t’ia dilte mbanë shërbimit të tij të priftërisë.
Njoha në zellin e tij modelin nga broshura e re Detyrë ndaj Perëndisë. Ai është: të mësosh atë që Zoti pret nga ti, të bësh një plan si ta kryesh atë, ta vësh në jetë planin me zell dhe pastaj t’u tregosh të tjerëve se si përvoja jote të ka ndryshuar ty dhe ka bekuar të tjerë.
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë, “Veproni Gjithë Zell”, f. 60.
Anëtarët e rritur të Kishës duhet të kuptojnë se kërkesat e Përparimit Personal dhe Detyrës ndaj Perëndisë nuk janë thjesht një listë e gjatë pikash për t’u plotësuar. Ato janë qëllime vetjake që vendosen nga çdo i ri dhe e re, për t’i ndihmuar ata që të bëhen të denjë për të marrë ordinanca të tempullit, për të shërbyer misione, për të hyrë në martesën e përjetshme dhe për të gëzuar përjetësinë. Por le të bëhet e qartë, do të ishte një humbje dhe tragjedi e madhe që të rinjtë e të rejat të përpiqeshin t’i përmbushnin këto qëllime vetëm!
Etër, nëna dhe udhëheqës të rinisë, ne ju nxisim të merrni pjesë në Përparimin Personal dhe Detyrën ndaj Perëndisë me fëmijët tuaj dhe me të rinjtë tuaj. Nuk do të rriten vetëm ata, ju do të rriteni gjithashtu. Dhe po kaq e rëndësishme, ju do të rriteni së bashku në një lidhje besimi e miqësie që do t’ju mundësojë të forconi njëri-tjetrin dhe të qëndroni përgjithmonë në shtegun e ungjillit.
Plaku Robert D. Hejls nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, “Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri”, f. 95.
Mundësia është për ju, djemtë e mi të dashur të Priftërisë Aarone. A jeni gati dhe të gatshëm të luani rolin tuaj? Zotit i duhet që çdo i ri i aftë, të përgatitet dhe rizotohet, duke filluar sonte, për të qenë i denjë për një thirrje prej profetit të Perëndisë për të shërbyer në një mision.
Plaku Ronald A. Rasband nga Të Shtatëdhjetët, “Thirrja e Shenjtë e një Misionari”, f. 51.
Si dhjak, mësues dhe prift, do të merrni pjesë në veprimtari që do t’ju ndihmojnë të zhvilloni forcë shpirtërore e të mësoni dhe të përmbushni detyrat tuaja të priftërisë. Secila veprimtari ndjek këtë model të thjeshtë:
Së pari, ju mësoni lidhur me një parim të ungjillit ose një detyrë të priftërisë. Ju zbuloni se çfarë dëshiron Ati Qiellor që të bëni dhe ju përpiqeni të fitoni një dëshmi shpirtërore se përse është ajo e rëndësishme.
Pas kësaj ju ndërtoni plane për të vepruar mbi atë që keni mësuar. Nxiteni që t’i bazoni planet tuaja mbi nevojat, rrethanat dhe mundësitë tuaja vetjake për t’u shërbyer të tjerëve. Ky është një rast i mrekullueshëm që ju të merrni përgjegjësinë për rritje vetjake dhe të zhvilloni vetëmbështetje shpirtërore.
Më pas ju u tregoni të tjerëve ato që mësoni dhe që përjetoni. Ndërsa veproni ashtu, do të forconi dëshminë tuaj e do të zhvilloni besimin e të tjerëve përreth. Do të rrisni aftësinë tuaj për të folur me të tjerët për ungjillin… .
… Unë dëshmoj se shërbimi juaj besnik në Priftërinë Aarone do të ndryshojë jetën e atyre që u shërbeni. Ka njerëz të cilëve u nevojitet shërbimi i priftërisë suaj. Familja juaj ka nevojë për ju. Kuorumi juaj ka nevojë për ju. Kisha ka nevojë për ju. Bota ka nevojë për ju.
Dejvid L. Bek, president i përgjithshëm i Të Rinjve, “E Madhërishmja Priftëri Aarone”, f. 54.
Informacion mbi programin e ri Detyrë ndaj Perëndisë është i disponueshëm në shumë gjuhë në internet tek DutyToGod.lds.org.
Të Qëndrojmë për Virtytin: Përparimi Personal
Në faqen e parë të librit tuaj të Përparimit Personal të Të Rejave, ju do të gjeni këto fjalë: “Ju jeni një bijë e dashur e Atit Qiellor, e përgatitur të vini në tokë në këtë kohë të veçantë për një qëllim të shenjtë dhe të lavdishëm.”
Motra, këto fjalë janë të vërteta! Ato nuk janë krijuar në një përrallë! A nuk është e mrekullueshme të dini se Ati ynë i përjetshëm Qiellor ju njeh, ju dëgjon, ju mbron dhe ju do me një dashuri të pafundme? Në fakt, dashuria e Tij për ju është kaq e madhe sa Ai ju dhuroi këtë jetë në tokë si një dhuratë e çmuar e “na ishte njëherë”, të plotësuar me vetë historinë tuaj të vërtetë të aventurës, sprovës dhe mundësive për madhështi, fisnikëri, kurajë dhe dashuri. Dhe, më e lavdishmja nga të gjitha, Ai ju ofron një dhuratë përtej çmimit dhe të kuptuarit. Ati Qiellor ju ofron dhuratën më të madhen e të gjithave, jetën e përjetshme, dhe mundësinë e bekimin e pafund të të qenit ju vetë “të lumtura përherë e përgjithmonë”.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, “Ju, të Lumtura Përherë e Përgjithmonë”, f. 124.
Të reja të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kujtohuni cilat jeni! Ju jeni të zgjedhura. Ju jeni bija të Perëndisë. Ju nuk mund të jeni një brez të rejash që janë të kënaqura me një “përshtatje”. Ju duhet të keni kurajën të “dalloheni”, të “[ngriheni] e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet” (DeB 115:5). Bota do t’ju bënte të besonit se nuk jeni të rëndësishme – se jeni jashtë mode dhe jashtë kontaktit me jetën. Bota ju bën thirrje me zëra të pamëshirshëm zhurmues “gëzojeni jetën”, “provoni gjithçka”, “provoni dhe jini të lumtura”. Në të kundërt, Fryma e Shenjtë pëshpërit dhe Zoti ju fton: “[Ecni] në shtigjet e virtytit”, “[lini] mënjanë gjërat e kësaj bote” “dhe [kapuni] pas besëlidhjeve [tuaja]” (DeB 25:2, 10, 13).
Motra Elen S. Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave. “Kujtohuni Se Cilat Jeni!” f. 120.
Përparimi Personal siguron një mënyrë të mrekullueshme për ju që ta ushqeni dëshminë tuaj hap pas hapi. Përvojat dhe projektet për vlerat janë hapa të vegjël që do ta ushqejnë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin ndërsa mësoni mësimet e Tij dhe i zbatoni ato rregullisht në jetën tuaj. Ky ushqim i vazhdueshëm do t’ju mbajë të sigurta në shteg.
Meri N. Kuk, këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, “Kurrë, Kurrë, Kurrë Mos u Dorëzoni!” f. 117.
Zoti do të jetë gjithmonë pranë nesh dhe nuk do të na lërë kurrë vetëm. Ne na është mësuar se Ati Qiellor e njeh dhe e do secilin prej fëmijëve të Tij. Si një prej bijave të Tij të çmuara, ju keni të drejtën e sigurimit prej Tij dhe udhëheqjes së Tij nëpërmjet fuqisë së lutjes.
En M. Dib, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, “Ji Trim[e]”, f. 114.
Për më shumë informacion mbi Përparimin Personal, shkoni tek PersonalProgress.lds.org.