Shpallet Programi i Ri Detyrë Ndaj Perëndisë
Siç u shpall gjatë konferencës së përgjithshme, një program i ri Detyrë ndaj Perëndisë është krijuar nën drejtimin e profetëve të gjallë për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë forcë shpirtërore dhe të plotësojnë detyrat e tyre të priftërisë.
“[Programi i ri Detyrë ndaj Perëndisë] është një mjet i fuqishëm”, tha Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, gjatë sesionit të së shtunës në mëngjes. “Ai do të forcojë dëshmitë e të rinjve dhe marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Ai do t’i ndihmojë ata të mësojnë dhe të duan të plotësojnë detyrat e tyre të priftërisë. Ai do të forcojë marrëdhëniet e tyre me prindërit e tyre, midis anëtarëve të kuorumit dhe me udhëheqësit e tyre.”
Programi i ri Detyrë ndaj Perëndisë është thjeshtuar dhe përqendruar. Kërkesat për të tri grup-moshat, bashkë me udhëzimet për prindërit dhe udhëheqësit, përfshihen në një libër. Libri dhe materialet shoqëruese do të bëhen të disponueshme në 27 gjuhë mes qershorit dhe gushtit 2010. Përkthime të tjera të materialeve do të vazhdojnë të bëhen të disponueshme gjatë gjithë vitit.
Aktivitetet janë organizuar që t’u lejojnë të rinjve të mësojnë për një parim ungjilli ose detyrë priftërie, të veprojnë sipas asaj që kanë mësuar dhe të ndajnë mendimet e ndjenjat e tyre me prindërit, udhëheqësit e Kishës, ose kuorumin e tyre.
“Si dhjak, mësues dhe prift, do të merrni pjesë në veprimtari që do t’ju ndihmojnë të zhvilloni forcë shpirtërore e të mësoni dhe të përmbushni detyrat tuaja të priftërisë”, tha Dejvid L. Bek, president i përgjithshëm i Të Rinjve, gjatë sesionit të priftërisë të konferencës së përgjithshme. “Programi i ri Detyrë ndaj Perëndisë do t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj për të plotësuar detyrën para Perëndisë e për të zbuluar madhështinë e Priftërisë Aarone.”
Programi është hartuar që të nxisë të rinjtë të marrin përgjegjësi për vetë rritjen e tyre, por ai gjithashtu siguron mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes të rinjve dhe prindërve të tyre, udhëheqësve dhe anëtarëve të kuorumit. Shumë prej aktiviteteve mund të harmonizohen lehtë në mbrëmjen familjare dhe mbledhjet e aktivitetet e kuorumit.
“Prindërit, udhëheqësit dhe anëtarët e kuorumit luajnë një rol të rëndësishëm në programin Detyrë ndaj Perëndisë”, tha Vëllai Bek për revistat e Kishës. “Mbledhjet e kuorumit të dielave do të sigurojnë mundësi të rregullta për të mësuar, vepruar dhe ndarë.”
Të rinjtë nxiten të vazhdojnë të punojnë me programin ekzistues derisa programi i ri të vihet në zbatim në lagjen ose degën e tyre. Pasi të vihet në zbatim programi i ri, çdo i ri duhet të fillojë të punojë në seksionin që i korrespondon detyrës së tij aktuale në priftëri. Nëse ai është pranë përfundimit të kërkesave për certifikatë ose medalje që zbatohet për detyrën e tij sipas programit të mëparshëm, ai mund t’i plotësojë ato kërkesa ndërsa fillon të punojë për programin e ri.
“Çdo aktivitet në Plotësoj Detyrën Time ndaj Perëndisë ndjek një model që do t’ju ndihmojë të bëheni mbajtësi i priftërisë që Zoti dëshiron që të bëheni”, tha Vëllai Bek.
Informacion dhe materiale të tjera do të bëhen të disponueshme në internet në adresën DutyToGod.lds.org.