Të Gjitha Gjërat Bashkëveprojnë për të Mirë
Ne mund të mos ta dimë kurrë në këtë jetë përse i përjetojmë këto gjëra, por mund të ndiejmë besim në vetvete se mund të rritemi nga përvoja.
Kur isha i ri, mezi e prisja pranverën e vitit. Kur moti ngrohej, isha gati që të fillonte bejsbolli. Si shumica e djemve të vegjël, kisha dëshirë që të mund të bëhesha një lojtar i shkëlqyer bejsbolli. Më kujtohet ndodhia e një djali shumë të vogël me ëndrra të ngjashme. Me dëshirën që të bëhej lojtari i madh i radhës i bejsbollit, ai vendosi të dilte jashtë dhe të bënte praktikë. Ai e mbajti topin në një dorë e shkopin në tjetrën dhe e gjuajti topin në ajër. Me një dëshirë për ta qëlluar topin sa më larg që të mundej, mori një hov të madh, por topi ra në tokë madje pa e prekur drurin e shkopit. Që të mos prapësohej, ai e provoi përsëri. Kur sapo po e flakte topin në ajër, vendosmëria iu shtua kur mendimi për një goditje të fuqishme i erdhi në mendje. Por mjerisht, rezultatet qenë të njëjta. Topi qëndronte përtokë. Por, siç e di çdo lojtar i mirë bejsbolli, keni tre goditje përpara se të lini radhën e lojës. Ai u përqendrua edhe më shumë, e flaku topin në ajër dhe dha lëkundjen më të fuqishme që kishte provuar ndonjëherë. Kur topi përsëri ra përtokë, lotët filluan t’i gufojnë në sy. Pastaj, befas një buzëqeshje e madhe u shfaq dhe ai tha: “Çfarë gjuajtësi!”
Secili prej nesh do të përballet me sprova dhe vështirësi dhe, ashtu si në këtë shembull të thjeshtëzuar, është mënyra si reagojmë ndaj atyre vështirësive që do të përcaktojë suksesin dhe lumturinë tonë. Secili prej nesh do të përballet me mjerime, pavarësisht ku ndodhemi. Neve na mësohet në shkrimet e shenjta se “është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat”1. Secili prej nesh do të përjetojë kohë vështirësie dhe çështja nuk është se kur do t’i përjetojmë ato, por si do t’i përjetojmë ato.
Apostulli Pal dha një mësim interesant vetëm disa vite përpara se shenjtorët në Romë të përballeshin me disa prej përndjekjeve më të dhunshme të të gjithë epokave të krishtërimit. Pali u kujtoi shenjtorëve se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”2. Ati ynë Qiellor, që na do neve plotësisht dhe përsosmërisht, na lejon të kemi përvoja që do të na lejojnë të zhvillojmë tiparet dhe cilësitë që na duhen për t’u bërë gjithnjë e më shumë si Krishti. Sprovat tona vijnë në shumë forma, por secila do të na lejojë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari kur mësojmë të njohim të mirën që vjen nga secila përvojë. Kur e kuptojmë këtë doktrinë, ne marrim siguri më të madhe për dashurinë e Atit tonë. Ne mund të mos ta dimë kurrë në këtë jetë përse i përjetojmë këto gjëra, por mund të ndiejmë besim në vetvete se mund të rritemi nga përvoja.
Tani, e kuptoj se është shumë më e lehtë të vështrojmë pas kur sprova ka mbaruar dhe të shohim se çfarë kemi mësuar nga përvoja jonë, por sfida është ta fitojmë atë këndvështrim sipas përjetësisë kur jemi duke kaluar përmes sprovave. Disave, sprovat tona mund të mos u duken të mëdha, por për të gjithë ne që po kalojmë përmes këtyre përvojave, sprovat janë të vërteta dhe na kërkojnë të përulemi përpara Perëndisë e të mësojmë prej Tij.
Në këtë të diel Pashke, ne kujtojmë jetën e Shpëtimtarit tonë. Është Ai të cilin dëshirojmë ta kemi si shembull në të gjitha veprimet tona. Më lejoni të përmend pesë gjëra që mund t’i mësojmë nga ato orë të fundit të jetës së Shpëtimtarit në tokë që mund të na ndihmojnë të kapërcejmë vetë sprovat tona.
Së pari, Ai nuk kërkoi të bënte vullnetin e Tij, por vetëm vullnetin e Atit të Tij. Ai mbeti i angazhuar ndaj misionit të Tij të shenjtë edhe përmes sprovës. Kur ra përmbys në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai kërkoi: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti”3. Nganjëherë ne kalojmë përmes dhimbjes dhe hidhërimit që të mund të rritemi dhe të përgatitemi për sprova të mundshme në të ardhmen. Po ju bëj një pyetje juve nëna: “A do të bënit ndonjëherë diçka që do t’u shkaktonte dhimbje dhe do t’u sillte lot në sy fëmijëve tuaj, kur ata nuk kanë bërë asnjë gabim?” Sigurisht që do ta bënit! Kur nënat i çojnë fëmijët e vegjël tek mjeku për të bërë vaksina, thuajse çdo fëmijë largohet nga dhoma e mjekut në lot. Përse e bëni këtë? Sepse ju e dini se një dhimbje e vogël tani do t’i mbrojë ata nga dhimbja dhe vuajtja e mundshme në të ardhmen. Ati ynë në Qiell e di fundin që në fillim. Ne duhet të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe të kemi mirëbesim tek Ai.
Së dyti, kur përballemi me sprova, duhet të mësojmë të mos ankohemi apo murmurijmë. Nefi, pas një vegimi të shkëlqyer për sakrificën shlyese të Shpëtimtarit na tha: “Prandaj ata e fshikullojnë atë dhe ai e duron atë, dhe ata e godasin atë dhe ai e duron atë. Po, ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë, për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve.”4 Ne gjithmonë duhet të përpiqemi ta ndreqim problemin dhe të kapërcejmë sprovën, por në vend që të pyesim “Përse mua?” ose “Çfarë bëra që ta meritoj këtë?” ndoshta pyetja duhet të jetë: “Çfarë duhet të bëj? Çfarë mund të mësoj nga kjo përvojë? Çfarë duhet të ndryshoj?”
Disa vite më parë, kur bashkëshortja ime dhe unë po shërbenim në Venezuelë, biri ynë më i vogël la rehatinë e shkollës së tij të mesme për t’u bashkuar me ne. Ai nuk u ankua, por qe e dallueshme se ai po mundohej ndërsa shkoi në këtë vend ku çdo gjë ishte e re për të; por, për një zhvillim të paparashikuar e të habitshëm të ngjarjeve, përvoja shkoi nga ajo e një sprove tek një bekim gjigand në jetën e tij. Ai e kreu këtë duke e ndryshuar vetë qëndrimin e tij dhe duke zhvilluar një vendosmëri për të pasur sukses.
Së treti, kur përballemi me sfidat tona, duhet të kërkojmë ndihmë më të madhe nga Perëndia. Madje Shpëtimtari i ne të gjithëve gjeti një nevojë për t’u lutur “edhe më fort” kur qe në Kopshtin e Gjetsemanit5. Ne mund të mësojmë të fitojmë besim të madh nëse e bëjmë këtë. Ne duhet të kujtojmë se shpesh përgjigjet nga Ati ynë Qiellor nuk e mënjanojnë sprovën prej nesh, por, në vend të kësaj, Ai ndihmon të na forcojë kur kalojmë përmes përvojës. Ashtu si bëri për pasuesit e Almës, Zoti mund “t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndieni në shpinat tuaja”6. Në sprovat tona, le të mos bëhemi të hidhëruar apo të paangazhuar, por le të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit që të bëhemi më të zellshëm, më të sinqertë dhe më besnikë.
Së katërti, të mësojmë të shërbejmë dhe të mendojmë për të tjerët edhe në kohët tona të sprovës. Krishti qe shembulli më i lartë i shërbimit. Jeta e Tij qe e mbushur me shembuj të ndihmës dhe shërbimit ndaj të tjerëve dhe dhurata e Tij më e madhe nga të gjitha qe ajo çka bëri për ne. Siç tha Ai: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen.”7 Ne duhet të pendohemi dhe pastaj të ndjekim shembullin e Tij të shërbimit. Kur u shërbejmë të tjerëve, ne harrojmë vetë problemet tona dhe kur punojmë që të lehtësojmë dhimbjen ose sikletin e të tjerëve, ne forcojmë veten.
Në konferencën tonë të përgjithshme të fundit, profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, deklaroi: “Unë besoj se Shpëtimtari po na thotë që, nëse nuk e humbasim veten në shërbim për të tjerët, ka pak qëllim për vetë jetën tonë. Ata që jetojnë vetëm për vete vyshken dhe në mënyrë figurative e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim për të tjerët rriten e lulëzojnë – dhe në fakt e shpëtojnë jetën e tyre.”8
Së pesti, falini të tjerët dhe mos kërkoni t’ua vini atyre fajin për gjendjen tonë. Nganjëherë na pëlqen të themi: “Nëse ata nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë unë s’do të kisha reaguar ashtu.” Ka një tendencë për njeriun e natyrshëm që t’ia vërë fajin dikujt tjetër që të mos të jetë i përgjegjshëm për vetë veprimet e tij ose të saj. Shpëtimtari i vështroi ata që e kishin gozhduar në kryq dhe iu përgjërua Atit të Tij në Qiell: “Fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”9. A mundet ne të mos falim më tepër se aktualisht?
Ndërsa kalojmë përmes sprovave të jetës, le të mbajmë një këndvështrim sipas përjetësisë, le të mos ankohemi, le të bëhemi më të rregullt në lutje, le t’u shërbejmë të tjerëve dhe le ta falim njëri-tjetrin. Kur e bëjmë këtë, “të gjitha gjërat [do të] bashkëveprojnë për të mirë për [ne] që e dua[m] Perëndinë”10. Unë jap një dëshmi solemne dhe të sigurt se Ati ynë na do dhe Ai dërgoi Birin e Tij për të na treguar dhe shtruar udhën. Ai vuajti, Ai vdiq dhe Ai u ringjall që ne të mund të jetojmë dhe Ai dëshiron që ne “të mund të [kemi] gëzim”11, edhe në sprovat tona të jetës. E them këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.