2010
Një Fjalë në Mbyllje
Maj 2010


Një Fjalë në Mbyllje

Fari i Zotit dërgon sinjale që dallohen lehtë dhe nuk dështojnë kurrë.

President Thomas S. Monson

Ky ka qenë një sesion mbylljeje i mrekullueshëm. Rrallë kam dëgjuar predikime kaq të shkëlqyera të dhëna mësim në kaq pak fjalë sa kemi përjetuar sot. Ne jemi të gjithë këtu sepse e duam Zotin. Ne duam t’i shërbejmë Atij. Ati ynë Qiellor kujtohet për ne. Për këtë unë dëshmoj. Unë pranoj dorën e Tij në të gjitha gjërat.

Një shkrim i shenjtë i shkurtër:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”1

Kjo ka qenë historia e jetës sime.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, vijmë tani në përfundimin e një konference lartësuese dhe frymëzuese së tepërmi. Pasi kemi dëgjuar këshillat dhe dëshmitë e atyre që na kanë folur, besoj se jemi bekuar mjaft dhe të gjithë jemi më të vendosur që të jetojmë parimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ishte mirë për ne që ndenjëm këtu. I shprehim mirënjohjen tonë secilit që na ka folur, si dhe atyre që kanë bërë lutjet.

Muzika ka qenë madhështore. Më kujtohet shkrimi i shenjtë që gjendet tek Doktrina e Besëlidhje: “Sepse shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre”2.

Kujtoni se mesazhet që kemi dëgjuar gjatë kësaj konference do të shtypen në numrat e majit të revistave Ensign dhe Liahona. Unë ju nxis t’i studioni mesazhet, t’i mendoni thellë mësimet e tyre dhe pastaj t’i zbatoni në jetën tuaj.

E di se bashkoheni me mua për t’u shprehur mirënjohje atyre vëllezërve dhe motrave që janë liruar gjatë kësaj konference. Ata kanë shërbyer mirë dhe kanë kontribuar rëndësishëm në punën e Zotit. Angazhimi i tyre ka qenë i plotë. Ne i falënderojmë ata me gjithë zemër.

Tani, ne kemi mbështetur gjithashtu, duke ngritur duart, vëllezër dhe motra që janë thirrur në detyra të reja gjatë kësaj konference. Dëshirojmë që ata ta dinë se mezi po presim të punojmë me ta në kauzën e Mjeshtrit.

Vëllezërit dhe motrat e mia, sot, ndërsa shohim botën rreth nesh, përballemi me probleme që janë serioze dhe që na shqetësojnë shumë. Duket sikur bota është zgjidhur nga moli i sigurisë dhe është zhvendosur nga limani i paqes.

Lejimi, imoraliteti, pornografia, pandershmëria dhe një mori të ligash të tjera bëjnë që shumë vetë të tronditen në një det mëkati dhe të dërrmohen në shkëmbijtë e thepisur nënujorë të mundësive të humbura, bekimeve të çuara dëm dhe ëndrrave të shkatërruara.

Këshilla ime për të gjithë ne është të shohim tek fari i Zotit. Nuk ka mjegull aq të dendur, natë aq të errët, tufan aq të fortë, marinar aq të humbur, saqë drita e tij sinjalizuese të mos mund ta shpëtojë. Ajo na sinjalizon përmes stuhive të jetës. Fari i Zotit dërgon sinjale që dallohen lehtë dhe nuk dështojnë kurrë.

Unë i dua fjalët që gjenden tek Psalmi: “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, … Unë i kërkoj ndihmë Zotit, … dhe kështu [do të] shpëtoj nga armiqtë e mi”3.

Zoti na do ne, vëllezërit dhe motrat e mia, dhe do të na bekojë kur i përgjërohemi Atij.

Sa mirënjohës që jemi për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe për gjithë të mirat që ai sjell në jetën tonë. Zoti ka derdhur bekimet e Tij mbi ne si popull. Unë ju jap dëshminë time se kjo vepër është e vërtetë, se Shpëtimtari ynë jeton dhe se Ai udhëheq e drejton Kishën e Tij këtu mbi tokë.

Tani, ndërsa vijmë në çastet e fundit të kësaj konference, zemra ime është plot emocion dhe ndjenjat e mia, prekëse. Unë ju shpreh juve dashurinë dhe mirënjohjen time. Ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim dhe në emrin e gjithë Autoriteteve të Përgjithshme të Kishës. Zoti i dëgjon lutjet tuaja dhe na bekon e na drejton në punët e mbretërisë së Tij këtu mbi tokë. Për këtë ne jemi thellësisht mirënjohës.

Ndërsa largohemi nga kjo konferencë, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. Ndërsa ktheheni nëpër shtëpitë tuaja nëpër botë, lutem që Ati ynë Qiellor t’ju bekojë juve dhe familjet tuaja. Mesazhet dhe shpirti i kësaj konference gjetëshin zbatim në gjithçka bëni – në shtëpitë tuaja, në punën tuaj, në mbledhjet tuaja dhe në të gjitha aktivitetet tuaja.

Unë ju dua. Unë lutem për ju. Perëndia ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Fjalët e Urta 3:5–6.

  2. Doktrina e Besëlidhje 25:12.

  3. Psalmi 18:2–3.