2010
Ji Trim[e]
Maj 2010


Ji Trim[e]

Udhëzime[t] nga libri i Jozueut do të bashkohen për të siguruar burimin më të fuqishëm të kurajës dhe forcës që gjendet: besim në Atin tonë Qiellor dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Ann M. Dibb

Shpesh herë, kur Autoritet e Përgjithshme u drejtohen vëllezërve të priftërisë në konferencën e përgjithshme, ata fillojnë duke thënë se ata ndihen sikur po i drejtohen një “ushtrie të fuqishme” udhëheqësish të fuqishëm të priftërisë. Sonte, ndihem sikur po qëndroj përpara një “ushtrie të fuqishme” bijash të zgjedhura të Perëndisë. Në këto ditë të mëvonshme, ju jeni zgjedhur të shkoni përpara në drejtësi, duke qëndruar pranë atyre mbajtësve trima të priftërisë. Ju jeni një pamje madhështore dhe e bukur.

Unë do të doja ta filloja këtë mbrëmje duke përsëritur shkurtimisht kuptimin historik të temës sonë, Jozueu 1:9: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.”

Moisiu ishte profeti i fuqishëm që i udhëhoqi fëmijët e Izraelit jashtë tokës së Egjiptit, ku ata kishin qenë skllevër dhe ishin ndikuar të adhuronin perëndi të rreme (shih Levitiku 18:1–3). Pas 40 vitesh vështirësish në shkretëtirë, ata ishin kaq shumë pranë shtëpisë së tyre të re, ku ata mund të ishin të lirë të adhuronin Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë. Pas vdekjes së Moisiut, Jozueu u thirr nga Perëndia që të ishte profeti i cili do të plotësonte këtë udhëtim të mrekullueshëm.

Jozueu ishte një udhëheqës me ndikim të madh. Bible Dictionary [Fjalori i Biblës] e quan atë “modelin më të lartë të luftëtarit besnik” dhe tregon se emri i tij do të thotë “Perëndia është ndihmë” (Bible Dictionary, “Joshua”[Jozueu]). Udhëheqja e tij e frymëzuar nevojitej së tepërmi sepse kishte ende shumë lumenj për t’u kapërcyer dhe beteja për t’u fituar përpara se të plotësohej e fitohej gjithçka që Zoti u kishte premtuar fëmijëve të Izraelit.

Zoti e dinte se profetit Jozueu dhe fëmijëve të Izraelit do t’u duhej kurajë e madhe gjatë kësaj kohe. Në kapitullin e parë të librit të Jozueut, Zoti i thotë disa herë atij që të “[jetë] i fortë dhe trim”, [plot kurajë]. Fjala kurajë përkufizohet si “forcë mendore ose morale për … të këmbëngulur dhe për të përballur rrezikun, frikën ose vështirësinë” (Merriam-Websters Collegiate Dictionary [Fjalori i Kolegjit Merriam-Uebster], bot. i 11-të [2003], “courage” [kurajë], është shtuar theksimi). Përmes kurajës dhe bindjes së tyre, Jozueu dhe fëmijët e Izraelit qenë në gjendje të hynin në tokën e premtuar dhe të gjenin gëzim në bekimet e Zotit.

Jozueu dhe fëmijët e Izraelit jetuan shumë kohë më parë. Por në kohën tonë, edhe ne po përpiqemi të hyjmë në një “tokë të premtuar”. Qëllimi ynë më i madh është të fitojmë jetën e përjetshme me Atin tonë Qiellor. Në kapitullin e parë të librit të Jozueut, ne gjejmë katër udhëzime të sigurta që na ndihmojnë të tejkalojmë pengesat tona, të plotësojmë udhëtimin tonë dhe të gëzojmë bekimet e Zotit në “tokën [tonë të] premtuar”.

Së pari, në vargun 5, Zoti i premton Jozueut: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.” Ne mund të gjejmë kurajë dhe forcë në këtë premtim, që Zoti do të jetë gjithmonë pranë nesh dhe nuk do të na lërë kurrë vetëm. Ne na është mësuar se Ati Qiellor e njeh dhe e do secilin prej fëmijëve të Tij. Si një prej bijave të Tij të çmuara, ju keni të drejtën e sigurimit prej Tij dhe udhëheqjes së Tij nëpërmjet fuqisë së lutjes. Në Doktrina e Besëlidhje, ne lexojmë: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10).

Unë i besoj këto fjalë dhe ju premtoj se Ati Qiellor vërtet i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Por shpesh kërkohet durim kur jemi “[duke pritur] Zotin” (Isaia 40:31). Ndërsa presim, ne mund të fillojmë të besojmë se jemi braktisur ose që lutjet tona nuk janë dëgjuar, ose që ndoshta nuk jemi të denjë të marrim përgjigje për to. Kjo nuk është e vërtetë. I pëlqej fjalët ngushëlluese të mbretit David: “Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time” (Psalmi 40:1).

Pavarësisht se me çfarë mund të përballeni në udhëtimin tuaj vetjak, udhëzimi i parë që gjendet tek Jozueu na kujton të lutemi, të jemi të duruar dhe të kujtojmë premtimin e Perëndisë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5).

Udhëzimi i dytë gjendet në vargun 7, kur Zoti i thotë Jozueut: “[Përpiqu] të veprosh simbas tërë ligjit …; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.” Zoti po e udhëzon Jozueun që të jetë rreptësisht i bindur ndaj urdhërimeve dhe që të mos shmanget nga shtegu i Zotit. Presidenti Hauard W. Hanter na mësoi: “Jozueu e dinte se bindja e tij do të sillte sukses dhe megjithëse ai nuk e dinte tamam se si do t’ia dilte mbanë, ai tashmë kishte besim tek përfundimi… . Pa dyshim, përvojat e profetëve të mëdhenj [që gjenden në shkrimet e shenjta] janë shënuar [dhe ruajtur] për të na ndihmuar të kuptojmë rëndësinë e zgjedhjes së shtegut të bindjes së rreptë” (“Commitment to God,” Ensign, nëntor 1982, f. 57, 58).

Para një muaji, vizitova një grup të rejash. I pyeta vajzat më të mëdha se çfarë këshille do t’i jepnin një Koshereje të re për ta ndihmuar që të qëndronte besnike dhe e virtytshme në çdo rrethanë që mund të ndeshte. Një e re tha: “Kur ecni nëpër sallat e shkollës tuaj, ju mund të shihni, me cepin e syrit tuaj, diçka që ju tërheq vëmendjen, diçka që nuk duket plotësisht e drejtë. Ju mund të bëheni kureshtare dhe të doni të shikoni. Këshilla ime për ju është kjo: Mos shikoni. Ju premtoj se do të pendoheni nëse e bëni atë. Më besoni; shikoni vetëm drejt përpara.”

Ndërsa e dëgjova këtë të re, e dija se po dëgjoja këshillën e Zotit drejtuar Jozueut: “Mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas” (Jozueu 1:7), e zbatuar në një rrethanë të përditshme në këto ditë të mëvonshme. Të reja, shmangni tundimet që ju rrethojnë duke zbatuar rreptësisht urdhërimet. Shikoni përpara drejt qëllimit tuaj të përjetshëm. Udhëzimi i dytë na kujton se duke e bërë këtë, ju do të mbroheni dhe do të “[keni] mbarësi kudo që të shkoni” (Jozueu 1:7).

Në vargun 8, gjejmë udhëzimin tonë të tretë. Këtu, Zoti i referohet një “[libri të] ligjit” dhe i tregon Jozueut që të “[mendohet] për të ditë e natë, duke kërkuar të [veprojë] simbas të gjitha atyre që janë shkruar, … atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua.” Zoti po e udhëzon Jozueun dhe të gjithë ne që të lexojmë shkrimet e shenjta. Studimi përditë i shkrimeve të shenjta – veçanërisht leximi i Librit të Mormonit – ngre një themel të fortë për zhvillimin e dëshmisë tuaj për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Kjo e fton Shpirtin në jetën tuaj. Presidenti Harold B. Li këshilloi: “Nëse ne nuk po i lexojmë shkrimet e shenjta përditë, dëshmitë tona po dobësohen [dhe] shpirtshmëria jonë nuk po thellohet”. (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 66).

Brenda faqeve të shkrimeve të shenjta ka udhëzime, premtime, zgjidhje dhe kujtues të panumërt që do të na ndihmojnë në udhëtimin tonë drejt “tokës së premtuar”. Udhëzimi i tretë na drejton t’i lexojmë dhe meditojmë shkrimet e shenjta përditë, në mënyrë që të sigurojmë begati dhe sukses.

Pasi Zoti përfundon së foluri me Jozueun, Jozueu u drejtohet fëmijëve të Izraelit. Në përfundim të fjalimit të tij, në vargun 16, fëmijët e Izraelit u përgjigjen fjalëve të tij dhe na japin udhëzimin tonë të katërt. Ata përgjigjen: “Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh”.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi mundësinë që të bëjmë po këtë zotim për të ndjekur profetin tonë, Presidentin Tomas S. Monson, i cili është këtu me ne sonte. Nëpërmjet lutjes dhe konfirmimit të Shpirtit, secili prej nesh mund të marrë dëshminë e vet personale për profetin e gjallë. Kjo dëshmi rritet kur ne i dëgjojmë, i studiojmë dhe kemi kurajën t’i zbatojmë mësimet e tij në jetën tonë të përditshme.

Dëgjimi dhe bindja ndaj këshillës së profetit tonë na mundëson të kemi të drejtën për bekime të veçanta. Dëgjoni disa nga premtimet profetike që Presidenti Monson na shprehu neve në konferencën tonë të përgjithshme të fundit: “Perëndia ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani e përgjithmonë” (“Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2009, f. 110). “Premtime të mëdha na presin, nëse jemi të vërtetë dhe besnikë” (“O Vëllai Im, Disiplino Ndjenjat e Tua”, Liahona, nëntor 2009, f. 69) “I kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush” (Liahona, nëntor 2009, f. 110).

Unë ju ftoj të dëgjoni udhëzimet dhe premtimet e dhëna nga profeti ynë dhe apostujt, javën tjetër, në konferencën e përgjithshme. Pastaj, zbatoni udhëzimin e katërt duke u zotuar që do të zbatoni këshillën e profetit dhe duke ripohuar se “ne do të bëjmë të gjitha që [ai] na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na [çojë]” (Jozueu 1:16).

Për momentin, këto katër udhëzime – lutja, bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë, studimi përditë i shkrimeve të shenjta dhe një zotim për të ndjekur profetin e gjallë – mund të duken si gjëra të vogla dhe të thjeshta. Më lejoni t’ju kujtoj për shkrimin e shenjtë që gjendet tek Alma: “Vër re, unë të them ty se nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6). Kur zbatohen në jetën tonë të përditshme, këto katër udhëzime “të vogla dhe të thjeshta” nga libri i Jozueut do të bashkohen për të siguruar burimin më të fuqishëm të kurajës dhe forcës që gjendet: besim në Atin tonë Qiellor dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Ati Qiellor e di se udhëtimet tona vetjake nuk janë të lehta. Ne përballemi çdo ditë me rrethana që kërkojnë kurajë dhe forcë. Një histori e kohëve të fundit në Church News [Lajmet e Kishës] e pohon këtë të vërtetë:

“Një mësuese në një shkollë të mesme, pak muaj më parë, e filloi mësimin e saj duke i kërkuar studentëve, të cilët mbështesnin një çështje politike, të qëndronin në një anë të dhomës, kurse ata që e kundërshtonin atë, u porositën të qëndronin në anën tjetër.

Pasi studentët kishin formuar krahët e tyre, mësuesja zuri pozicionin e saj në anën kundërshtuese. Duke zgjedhur një të re në anën e mbështetësve, mësuesja filloi një sulm mbi të dhe shokët e tjerë të klasës për pikëpamjet e tyre.

E reja, e cila ishte një Trëndafil [Mia Meid] në lagjen e saj, e gëlltiti sulmin që kritikonte pikëpamjet e saj fetare.

[Ajo qëndroi] e qetë përballë një sulmi të hapur, të udhëhequr nga dikush me autoritet“ (”What youth need,“ Church News, 6 mars 2010, f. 16).

Kjo e re tregoi kurajë të mrekullueshme në fushë-betejën e saj vetjake, që në atë ditë qëlloi të ishte klasa e saj e shkollës. Kudo qofshi dhe çfarëdo përballofshi, unë shpresoj se ju do të përfitoni nga udhëzimet që gjenden në librin e Jozueut, që të mund të keni besim në premtimin e Zotit: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9).

Unë dëshiroj t’ju lë dëshminë time se Ati Qiellor e njeh dhe e do secilën prej jush. Nëse i drejtoheni Atij, Ai nuk do t’ju lërë! Ai do t’ju bekojë me forcën dhe kurajën që do t’ju duhet për të plotësuar kthimin tuaj tek Ai. Jam mirënjohëse për shkrimet e shenjta dhe për shembujt e fuqishëm si profeti Jozueu. Jam mirënjohëse për Presidentin Monson, i cili përpiqet që të na udhëheqë me siguri përsëri tek Ati Qiellor. Unë lutem që, si fëmijët e Izraelit, ne të gjithë do të hyjmë në “tokën [tonë të] premtuar” dhe të gjejmë prehje në bekimet e Zotit. I them këto gjëra në emër të Jezu Krishtit, amen.