2010
Gjëra që Lidhen me Drejtësinë
Maj 2010


Gjëra që Lidhen me Drejtësinë

Si prindër dhe udhëheqës, ne kemi nevojë të mbikëqyrim anëtarët dhe familjet tona, duke i ndihmuar që të qëndrojnë larg gjërave që mund t’i çojnë në vdekje shpirtërore.

Elder Francisco J. Viñas

Neve na tregohet në Doktrina dhe Besëlidhje se, pas dëshmisë së shërbëtorëve të Perëndisë, dëshmia e tërmeteve dhe dëshmia për ngjarje të tjera do të pasojnë. “Dhe gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë; dhe, sigurisht, zemrat e njerëzve do të mpaken; sepse frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit” (DeB 88:91; shih gjithashtu vargjet 88–90).

Si anëtar i Presidencës së Zonës së Karaibeve, unë isha personalisht dëshmitar i shenjtorëve besnikë që e zëvendësuan frikën me besim. Mësimet që u morën në Haiti mund të ngjasojnë me ilustrimet e Librit të Mormonit.

Përshtypja nga ai shkatërrim i tmerrshëm më solli ndër mend fjalët në kapitullin e 28-të të Almës: “Kjo qe një kohë zie e madhe dhe vajtimi që dëgjohej në të gjithë vendin” (Alma 28:4).

Dyzet e dy anëtarë humbën jetën. Ndërsa familjet dhe miqtë e tyre “vajtojnë humbjen e farefisit të tyre, [përsëri] gëzohen dhe ngazëllehen në shpresë dhe madje e dinë, sipas premtimeve të Zotit, që ata do të ngrihen për të banuar në krahun e djathtë të Perëndisë, në një gjendje lumturie që nuk mbaron kurrë” (Alma 28:12).

Ndihma e menjëhershme u dërgua nga Kisha për anëtarët e jo anëtarët dhe u shpërnda nën drejtimin e priftërisë lokale dhe të udhëheqëseve të Shoqatës së Ndihmës. Ata jo vetëm morën ndihmë mjekësore, ushqime, ujë dhe furnizime të tjera bazë, por ata morën edhe këshillë, drejtim dhe ngushëllim nga udhëheqësit e tyre lokalë. Ata kanë mbështetjen e anëtarëve të Kishës në të gjithë botën të cilët “[vajtojnë] me ata që vajtojnë; po, dhe [ngushëllojnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9).

Profetë të ndryshëm në kohë të ndryshme na paralajmëruan për një tragjedi tjetër që është më pak e dukshme, por jo më pak e rëndësishme dhe kjo është “vdekje e tmerrshme [që] vjen mbi të ligjtë; pasi ata vdesin sipas gjërave që u përkasin gjërave të drejtësisë, pasi ata janë të papastër dhe asnjë gjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë” (Alma 40:26).

Nefi ua mësoi këtë parim vëllezërve të tij duke u thënë se ata që “[vdesin] në ligësinë e tyre … duhet të flaken jashtë gjithashtu, sipas gjërave që janë shpirtërore, të cilat i përkasin drejtësisë” (1 Nefi 15:33).

Samueli, profeti lamanit, na mësoi se “kushdo që pendohet ai nuk kositet dhe nuk hidhet në zjarr; por kushdo që nuk pendohet, kositet dhe hidhet në zjarr dhe aty pëson një vdekje tjetër shpirtërore, po, një vdekje të dytë, pasi ata janë përjashtuar përsëri sipas gjërave që i takojnë drejtësisë” (Helamani 14:18).

Tragjedia e vdekjes për gjëra që janë shpirtërore ka një efekt më të madh për ata që “[janë] ndriçuar një herë nga Shpirti i Perëndisë dhe [kanë] pasur njohuri të madhe të gjërave që kanë lidhje me drejtësinë dhe pastaj [bien] në mëkat dhe në shkelje, [ajo] bëhet më [e] ashpër dhe kështu gjendja e [tyre] bëhet më e keqe, sesa po të mos i [kishin] njohur kurrë këto gjëra” (Alma 24:30).

Si prindër dhe udhëheqës, ne kemi nevojë të mbikëqyrim anëtarët dhe familjet tona, duke i ndihmuar që të qëndrojnë larg gjërave që mund t’i çojnë në vdekje shpirtërore. Ne gjithashtu përpiqemi të shpëtojmë ata që janë të vdekur tani për gjërat që janë shpirtërore dhe t’u ndihmojmë atyre “të lindin rishtas; po, të lindin nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij” (Mosia 27:25).

Shërimi shpirtëror i atyre që kanë vdekur për gjëra që lidhen me drejtësinë bëhet nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, kthimit tek e vërteta dhe zbatimit të parimeve të drejtësisë.

Mësimi i anëtarëve dhe i familjeve tona për gjërat që lidhen me drejtësinë është thelbësor në procesin e arritjes së një kthimi të qëndrueshëm, gjersa ai të mund t’i udhëheqë ata në arritjen e njohjes së saktë të urdhërimeve të Zotit, të parimeve e të doktrinave të ungjillit, si dhe të kërkesave e ordinancave, që duhet t’i respektojmë me qëllim që të arrijmë shpëtimin në mbretërinë e Zotit.

Ka shumë shembuj në shkrimet e shenjta që vërtetojnë rëndësinë e mësimit të “gjërave që lidhen me drejtësinë” për të na ndihmuar në arritjen e një kthimi të qëndrueshëm. Në tregimin që jepet për Amonin dhe vëllezërit e tij duke predikuar ungjillin midis lamanitëve, ne lexojmë: “Dhe Amoni i predikoi popullit të mbretit Lamoni; dhe ndodhi që ai u mësoi të gjitha gjërat në lidhje me gjërat që kishin të bënin me drejtësinë” (Alma 21:23).

Ne mund të shohim rezultatet e dhënies me zell të mësimit të të gjitha gjërave lidhur me drejtësinë kur vazhdojmë leximin e tregimit në kapitullin 23, ku thuhet: “Të gjithë ata që besonin, ose të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës … u kthyen në besim te Zoti [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6).

Kur Alma i Madhi themeloi Kishën, ai përkushtoi burra të denjë si priftërinj të tyre dhe mësues që “u kujdesën për njerëzit e tyre dhe i ushqyen me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë” (Mosia 23:18).

Prindërit luajnë një rol thelbësor për të ndihmuar fëmijët e tyre të kuptojnë gjërat që lidhen me drejtësinë. Në Librin e Mormonit ne gjejmë që Alma i Riu, duke qenë i brengosur për shkak të padrejtësisë, luftrave dhe grindjeve që ekzistonin dhe i shqetësuar nga zemërgurësia e popullit të tij, “bëri që djemtë e tij të mblidheshin tok së bashku, që ai të mund t’u jepte veç e veç secilit detyrën e tij, në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me drejtësinë” (Alma 35:16; korsivet shtuar).

Është interesante të vëresh se ai u mësoi dhe u dha detyrën e tyre fëmijëve të tij veças, duke i përshtatur udhëzimet për secilin bir, sipas nevojave të secilit. Ai u dha dëshmi dhe u mësoi atyre doktrinën dhe parimet, duke i përgatitur të predikojnë po ato parime tek të tjerët.

Një një kohë kur familja është nën sulm nga forcat e ligësisë dhe kur kushtet në të cilat jetojmë nuk janë aq të ndryshme nga ato që përjetoi Alma, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve kanë paraqitur tek “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” që “prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” (Liahona, tetor 2004, f. 49).

Kjo përfshin edukimin, mbështetjen dhe mësimin e fëmijëve në të gjitha gjërat që lidhen me drejtësinë në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë të fortë, “duke patur në ije brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes” (DeB 27:16).

Pikërisht si në kohët e Almës, udhëheqësit tanë gjithashtu i mbrojnë anëtarët e Kishës dhe i ushqejnë ata me gjërat që lidhen me drejtësinë. Ato gjëra do të na ndihmojnë të arrijmë një kthim të qëndrueshëm. Në dokumentin “Leadership Training Emphasis” [“Theksim për Trajnimin e Udhëheqjes”], rishikuar më 10 dhjetor 2009, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve kërkojnë që edhe udhëheqësit e priftërisë, edhe ata të organizatave ndihmëse “të nxisin çdo anëtar familjeje, prind dhe fëmijë të studiojë shkrimet e shenjta, të lutet rregullisht dhe të jetojë sipas ungjillit të Jezu Krishtit” (Letër e Presidencës së Parë, 15 dhjetor 2009).

Studimi i shkrimeve të shenjta, lutja rregullisht dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit janë punë të drejtësisë dhe Zoti ka zbuluar këtë premtim të mrekullueshëm: “Ai që bën veprat e drejtësisë, duhet ta marrë shpërblimin e tij, madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (DeB 59:23).

Me qëllim që të japim mësim më efektivisht për gjërat që lidhen me drejtësinë, është e rëndësishme të kuptojmë se, përveç dhënies së informacionit, ne duhet të lehtësojmë zbulesën. Kështu, personi të cilit i jepet mësim mund të ndiejë dëshirën t’i mësojë vetë këto parime.

Zoti i zbuloi Hajrëm Smithit nëpërmjet vëllait të tij Profetit Jozef Smith:

“Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim.

Dhe atëherë ti do të dish … gjithë gjërat, cilatdo që dëshiron prej meje, të cilat çojnë në gjërat e drejtësisë, me besim, duke besuar në mua se do të marrësh” (DeB 11:13–14).

Në përfundim, shkrimet e shenjta na paralajmërojnë për rrezikun e vdekjes për gjërat që lidhen me drejtësinë dhe për pasojat serioze që ka kjo për ata, të cilët duke qenë të ndriçuar nga Shpirti i Perëndisë, bien në mëkat dhe në shkelje.

Dhënia e mësimit për gjërat lidhur me drejtësinë është një element i rëndësishëm për t’i ndihmuar njerëzit të arrijnë në njohjen e së vërtetës, të kthehen dhe të qëndrojnë të vendosur te besimi në Krisht deri në fund.

Prindërit kanë detyrën e shenjtë t’u mësojnë fëmijëve të tyre për gjërat që lidhen me drejtësinë. Udhëheqësit dhe mësuesit mund të mbrojnë dhe të edukojnë anëtarët që kanë nën kujdesin e tyre, duke u mësuar atyre me zell të gjitha gjërat që lidhen me drejtësinë.

Kjo mund të arrihet më me efekt nëse zbulesa lehtësohet gjatë procesit të mësimit, duke krijuar kështu tek njerëzit dëshirën që të ndriçohen nga Shpirti i Perëndisë. Pastaj, ndërsa ata ushtrojnë besim, Shpirti mund t’u bëjë atyre të njohura gjërat që lidhen me drejtësinë. Për këto gjëra unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.