2010
Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë
Maj 2010


Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë

Unë dëshmoj se ata që mbajnë urdhërimet e Tij do të rriten në besim dhe shpresë. Atyre do t’u jepet forcë për të kapërcyer të gjitha sprovat e jetës.

Elder Wilford W. Andersen

Vite më parë vizitova Navunë në Ilinois me familjen time. Atje, shenjtorët e hershëm kishin ardhur në kërkim të strehimit. Shumë kishin humbur shtëpitë dhe fermat e tyre dhe disa kishin humbur të dashurit e tyre për shkak të përndjekjes në rritje. Në Navu ata u mblodhën dhe ndërtuan një qytet të ri e të bukur. Por përndjekja qe e pamëshirshme dhe, nga viti 1846, ata u detyruan edhe një herë t’i linin shtëpitë e tyre – këtë herë në mes të dimrit. Ata i rreshtuan karrot e tyre në Parli Strit, duke pritur radhën që të kalonin ujërat e ngrira të lumit Misisipi drejt një së ardhmeje të panjohur.

Ndërsa qëndronim në Parli Strit, duke menduar thellë mbi kushtet e tyre të dëshpëruara, sytë m’i tërhoqi një varg tabelash të drunjta të mbërthyera në shtylla gardhi mbi të cilat ishin gdhendur citate nga ditaret e këtyre shenjtorëve të vuajtur. Ndërsa lexuam secilin citat, për habinë tonë ajo çka gjetëm në fjalët e tyre nuk ishte dëshpërim dhe shkurajim por mirëbesim dhe angazhim, madje dhe gëzim. Ata qenë mbushur me shpresë, shpresë që pasqyrohet nga ky citat prejditarit të Sara DeArmon Riçit, në shkurt 1846: “Të nisesh në një udhëtim të tillë në dimër … do të dukej si të ecje në gojë të vdekjes, por ne kemi besim … [dhe] ne ndiem të gëzonim se dita e çlirimit tonë kishte mbërritur.”1

Këta shenjtorë të hershëm vërtet qenë pa shtëpi, por nuk qenë pa shpresë. Zemrat u ishin copëtuar, por shpirtrat e tyre qenë të fortë. Ata kishin nxjerrë një mësim të thellë e të rëndësishëm. Ata kishin mësuar se shpresa, që shoqërohet nga bekimet e paqes dhe gëzimit, nuk varet nga rrethanat. Ata kishin zbuluar se burimi i vërtetë i shpresës është besimi – besim në Zotin Jezu Krisht dhe në Shlyerjen e Tij të pafundme, themeli i vetëm i sigurt mbi të cilin të ndërtojmë jetën tonë.

Sot një tjetër grup pionierësh është shembull i këtij parimi të rëndësishëm. Të martën, më 12 janar, një tërmet i rëndë goditi vendin e Haitit. Tërmeti e la kryeqytetin Port-o-Préns në gërmadha. Pasojat e tij qenë rrënuese – vlerësohet se 1.000.000 njerëz mbetën pa strehë dhe mbi 200.000 u raportuan të vdekur.

Ndërsa bota ndoqi përgjigjen e pashembullt ndërkombëtare, një tjetër përpjekje shpëtimi, e shquar dhe e frymëzuar, qe në zbatim në Port-o-Préns – kjo e drejtuar nga një komitet i përbërë nga udhëheqës vendas haitianë të Kishës, të organizuar sipas modelit të priftërisë dhe që vepronin sipas frymëzimit. Anëtarët e komitetit përfshinin, mes të tjerëve, dy presidentët e kunjeve e dy presidentet e Shoqatës së Ndihmës të kunjeve në Port-o-Préns dhe presidentin e misionit, i cili, në moshën 30 vjeçare, kryeson mbi 74 misionarë kohëplotë në misionin e Haitit, Port-o-Préns. Të gjithë misionarët e tij janë haitianë dhe, mrekullisht, asnjë prej tyre nuk u dëmtua në këtë tërmet shkretues.

Në duart e këtyre udhëheqësve vendas të frymëzuar u vendosën burimet e Kishës, burime që përfshijnë kontributet bujare nga shumë prej jush. Për këto kontribute, njerëzit e Haitit janë thellësisht mirënjohës. Nën drejtimin e komitetit, një numër i madh furnizimesh arritën nga Republika Domenikane thuajse menjëherë. Brenda pak ditëve pas tërmetit, arritën ngarkesa aeroplani me ushqime, sisteme pastrimi të ujit, tenda, batanije dhe furnizime mjekësore, bashkë me një grup mjekësh.

Nëntë godinat kishtare në dhe përreth Port-o-Prénsit qenë përgjithësisht të padëmtuara – një tjetër mrekulli e shquar. Gjatë javëve që pasuan tërmetin, ato u bënë strehë për mbi 5.000 haitianë dhe bazat prej nga u shpërndanë ushqim, ujë dhe kujdesje mjekësore. U plotësuan nevojat bazë dhe rendi filloi të shfaqet prej kaosit.

Edhe pse shenjtorët besnikë haitianë kanë vuajtur shumë, ata janë mbushur me shpresë për të ardhmen. Ashtu si pionierëve të hershëm në 1846, zemrat u janë copëtuar por shpirtrat e tyre janë të fortë. Ata gjithashtu po na mësojnë se shpresa dhe lumturia e gëzimi nuk janë rezultat i rrethanave por i besimit tek Zoti.

Profeti Mormoni, edhe vetë jo i pamësuar me rrethana të vështira, e kuptoi dhe e dha mësim qartë këtë doktrinë:

“Dhe përsëri, vëllezër të mi të dashur, unë dua t’ju flas në lidhje me shpresën …

… . Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit … dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit.

Prandaj, në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë.”2

Shpresa vjen nga besimi tek Jezu Krishti. Ai tashmë e ka mposhtur botën dhe ka premtuar se do t’i thajë sytë tanë vetëm nëse ne do të kthehemi tek Ai dhe besojmë dhe e pasojmë3.

Disa që pikërisht në këtë çast ndihen të dëshpëruar apo të shkurajuar mund të vrasin mendjen se si ka mundësi të rifitojnë shpresë. Nëse jeni një prej atyre, kujtoni se shpresa vjen si rezultat i besimit. Që të ndërtojmë shpresën tonë, ne duhet të ndërtojmë besimin tonë.

Besimi tek Shpëtimtari kërkon më shumë sesa thjesht bindje. Apostulli Jakob na mësoi se edhe demonët besojnë e dridhen4. Por besimi i vërtetë kërkon punë. Ndryshimi mes demonëve dhe anëtarëve besnikë të kësaj Kishe nuk është besimi por puna. Besimi rritet duke mbajtur urdhërimet. Ne duhet të punojmë për mbajtjen e urdhërimeve. Nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ne lexojmë se “mrekullitë nuk prodhojnë besim, por besimi i fortë zhvillohet nëpërmjet bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Me fjalë të tjera, besimi vjen nëpërmjet drejtësisë”5.

Kur orvatemi të mbajmë urdhërimet e Perëndisë, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke premtuar përpjekjet tona më të mira për të ndjekur Shpëtimtarin, ne fillojmë të rritemi në besim tek vetja dhe, përmes Shlyerjes, gjithçka do të jetë në rregull. Ato ndjenja konfirmohen nga Fryma e Shenjtë që i heq nga ne ato çfarë nënat dhe etërit tanë pionierë i quajtën “shqetësimet tona”. Me gjithë sprovat tona, ne mbushemi me një ndjesi mirëqenieje dhe ndiejmë të këndojmë me ta se vërtet “gjithçka mir’ do të jet’”6.

Nuk dëshiroj të zvogëloj realitetin e depresionit klinik. Për disa, zgjidhjet për depresionin dhe ankthet do të gjenden përmes këshillimit me profesionistë kompetentë. Por për shumicën prej nesh, trishtimi dhe frika fillojnë të shkrihen tej dhe zëvendësohen nga lumturia e paqja kur ne e vendosim mirëbesimin tonë tek Autori i planit të lumturisë dhe kur zhvillojmë besim tek Princi i Paqes.

Kohët e fundit, një miku im i shtrenjtë ndërroi jetë nga kanceri. Ai dhe familja e tij janë njerëz me besim të madh. Është frymëzuese të shohësh se si besimi i tyre i mbarti mes kësaj kohe shumë të vështirë. Ata u mbushën me një paqe të brendshme, që i mbështeti dhe i forcoi ata. Me lejen e tyre do të dëshiroja të lexoja nga letra e një pjesëtareje të familjes, e shkruar vetëm disa ditë para se ati i saj të ndërronte jetë:

“Pak ditët e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira… . Natën e shkuar, kur u mblodhëm pranë shtratit të Babit, Shpirti i Zotit ishte i dukshëm dhe vërtet veproi si një ngushëllues për ne. Ne jemi në paqe… . Ka qenë gjëja më e vështirë që ka përjetuar cilido prej nesh, por ne ndiejmë paqe në dijen se … Ati ynë në Qiell ka premtuar se ne do të jetojmë së bashku si një familje përsëri. Pasi mjeku i tha Babit në spital se nuk mbetej asgjë për t’u bërë, ai na pa të gjithëve me besim të përsosur dhe pyeti me guxim: ‘Ndonjëri në këtë dhomë a ka ndonjë problem me planin e shpëtimit?’ Ne nuk kemi dhe jemi mirënjohës për një atë dhe nënë që na kanë mësuar të kemi mirëbesim të përsosur tek plani.”

Unë u flas të gjithëve që vuajnë, të gjithëve që mbajnë zi, të gjithëve që tani po përballen ose do të përballin ende sprova e sfida në këtë jetë. Mesazhi im është për të gjithë që janë të shqetësuar, ose të frikësuar, ose të shkurajuar. Mesazhi im është veçse një jehonë, një kujtues i këshillës së përhershme ngushëlluese nga një Atë i dashur për fëmijët e Tij, që kur bota zuri fill.

“Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien.”7

Unë dëshmoj për Të, se Ai e ka mposhtur botën, se Ai kurrë nuk do të na harrojë ose braktisë ne, sepse Ai na ka gdhendur në pëllëmbët e duarve të Tij8. Unë dëshmoj se ata që mbajnë urdhërimet e Tij do të rriten në besim dhe shpresë. Atyre do t’u jepet forcë për të kapërcyer të gjitha sprovat e jetës. Ata do të provojnë paqe që ia tejkalon çdo zgjuarsie9. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Sarah DeArmon Rich, në Carol Cornwall Madsen, Journey to Zion: Voices from the Mormon Trail (1997), f. 173–174; është modernizuar drejtshkrimi.

  2. Moroni 7:40–42.

  3. Shih Zbulesa 7:14–17.

  4. Shih Jakobi (Bibël) 2:19.

  5. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, përkufizimi për ‘Besim’, f. 5.

  6. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2.

  7. Helamani 5:12.

  8. Shih 1 Nefi 21:16.

  9. Shih Filipianëve 4:7.