I Ndihmoni Ata në Rrugën e Tyre për në Shtëpi
Ne i ndihmojmë më mirë fëmijët e Perëndisë duke siguruar mënyra për të ndërtuar besim në Jezu Krisht dhe në ungjillin e Tij të rivendosur kur ata janë të rinj.
Vëllezër dhe motra, Ati ynë Qiellor do dhe ka nevojë për ndihmën tonë për t’i kthyer fëmijët e Tij shpirtërorë përsëri në shtëpi tek Ai. Unë po flas sot për të rinjtë tashmë në Kishën të Tij të vërtetë dhe që janë nisur kështu në rrugën e ngushtë dhe të ngushtuar për t’u rikthyer në shtëpinë e tyre qiellore. Ai do që ata të fitojnë herët forcën shpirtërore për të qëndruar në shteg. Dhe ai ka nevojë për ndihmën tonë që t’i kthejë ata shpejt në shteg nëse fillojnë të enden.
Unë isha një peshkop i ri kur fillova të shoh qartë përse Zoti do që ne të forcojmë fëmijët kur ata janë të rinj dhe t’i shpëtojmë ata shpejt. Unë do t’ju tregoj një histori të një të reje që përfaqëson shumë prej atyre që jam përpjekur t’u ndihmoj ndër vite.
Ajo ishte ulur në anën tjetër të tryezës time të peshkopit. Ajo fliste me mua për jetën e saj. Ajo ishte pagëzuar dhe konfirmuar si anëtare e Kishës kur ishte tetë vjeç. Nuk kishte lotë në sytë e saj ndërsa tregonte hollësisht mbi më shumë se 20 vite që pasuan, por kishte dëshpërim në zërin e saj. Ajo tha se spiralja në rënie filloi me zgjedhjet për t’u shoqëruar me ata që ajo mendonte se ishin njerëz gjallërues. Ajo filloi të shkelte ato çka në fillim dukej të ishin urdhërime më pak të rëndësishme.
Ajo ndjeu fillimisht pak dëshpërim dhe një sëmbim faji. Por shoqërimet me miqtë e saj dhanë një ndjesi të re të të qenit e pëlqyer dhe kështu vendimet e saj të rastit për t’u penduar dukeshin gjithnjë dhe më pak të rëndësishme. Ndërsa rëndësia i urdhërimeve që ajo po shkelte rritej, ëndërra për një shtëpi të lumtur të përjetshme dukej që venitej.
Ajo qëndronte matanë meje, në atë çka ajo e quante mjerim. Ajo donte që ta shpëtoja nga kurthi i mëkatit ku ajo e gjeti veten të lidhur. Por e vetmja rrugëdalje për të ishte ushtrimi i besimit në Jezu Krisht, pasja e një zemre të thyer, pendimi dhe kështu të pastrohej, të ndryshonte dhe të forcohej nëpërmjet Shlyerjes së Zotit. Unë i dhashë dëshminë time që kjo të ishte ende e mundur. Dhe ishte, por shumë më e rëndë nga sa do të ishte po të ushtronte besim herët në jetën e saj në udhëtimin për në shtëpi te Perëndia dhe kur ajo filloi së pari të endej.
Kështu ne ndihmojmë fëmijët e Perëndisë më mirë duke siguruar mënyra për të ndërtuar besim në Jezu Krisht dhe në ungjillin e Tij të rivendosur kur ata janë të rinj. Dhe pastaj ne duhet të ndihmojmë të rindizet ai besim shpejt përpara se të zbehet kur ata enden jashtë shtegut.
Kështu ju dhe unë mund të presim mundësi thuajse të vazhdueshme për të ndihmuar udhëtarë ndër fëmijët e Perëndisë. Shpëtimtari na tregoi përse do të ishte kështu kur Ai përshkroi udhëtimin e rrezikshëm për në shtëpi për të gjithë fëmijët shpirtërorë të Perëndisë nëpër mjegullën që mëkati dhe Satani krijojnë:
“Hyni nëpërmjet portës së ngushtë; meqë e gjerë është porta dhe e gjerë është udha që të shpie në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të;
“Sepse e ngushtë është porta dhe e ngushtë është udha që të shpie në jetë dhe të paktë janë ata që e gjejnë”1.
Duke parashikuar nevojat e fëmijëve të Tij, një Atë Qiellor i dashur caktoi udhëzime dhe shpëtues përgjatë rrugës së tyre. Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, ta bënte udhëtimin e sigurt të mundur dhe të lehtë. Ai thirri si profet të Tij në këto kohë Presidentin Tomas S. Monson. Qysh në rininë e tij Presidenti Monson ka dhënë mësim jo vetëm si të qëndrohet në shteg, por edhe si të shpëtosh ata që janë udhëhequr tutje në pikëllim.
Ati Qiellor na ka caktuar neve në një mori stacionesh të mrekullueshme për të forcuar dhe, kur është e nevojshme, të drejtojmë udhëtarë te siguria. Detyrat tona më të rëndësishme dhe më të fuqishme janë në familje. Ato janë të rëndësishme, sepse familja ka mundësinë qysh në fillimin e jetës së një fëmije të vendosë fort këmbët në shtegun për në shtëpi. Prindërit, vëllezërit dhe motrat, gjyshërit, tezet, hallat, dajot dhe xhaxhallarët janë bërë udhëzues dhe shpëtues më të fuqishëm në sajë të lidhjeve të dashurisë që përcaktojnë tiparet e vërteta të familjes.
Familja ka një epërsi në tetë vitet e para të jetës së një fëmije. Në ato vite të mbrojtura, në saje të Shlyerjes së Jezu Krishtit, përdorimi nga Satani i mjegullave të errësirës për të fshehur shtegun e kthimit në shtëpi është i bllokuar. Në ato vite të çmuara Zoti ndihmon familjet duke thirrur punonjës të Fillores të ndihmojnë fëmijët të forcohen shpirtërisht. Ai gjithashtu siguron mbajtës të priftërisë Aarone të ofrojnë sakramentin. Në ato lutje të sakramentit fëmijët dëgjojnë premtimin se ata do të mund një ditë të marrin Frymën e Shenjtë si udhëheqës nëse janë të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Si rrjedhim, ata përforcohen që t’i rezistojë tundimit kur ndodh dhe pastaj, në një të ardhme, të shkojnë për të shpëtuar të tjerë.
Shumë peshkopë në Kishë frymëzohen të thërresin njerëzit më të fortë në lagje për t’u shërbyer fëmijëve të veçantë në Fillore. Ata kuptojnë se nëse fëmijët janë forcuar me besim dhe dëshmi, do të ketë më pak gjasa që të kenë nevojë të shpëtohen si adoleshentë. Ata kuptojnë se një themel shpirtëror i fortë mund të bëjë ndryshimin për gjithë jetën.
Ne të gjithë mund të ndihmojmë. Gjyshet, gjyshërit dhe çdo anëtar që njeh një fëmijë mund të ndihmojë. Ata nuk ka nevojë të kenë një thirrje formale në Fillore. Dhe as ka kufizim prej moshës. Një grua e tillë, si një person më i ri, ishte në bordin e përgjithshëm të Fillores që ndihmoi të krijohej motoja ZTD.
Ajo kurrë nuk u lodh duke u shërbyer fëmijëve. Ajo dha mësim në Filloren e lagjes së saj, me kërkesën e saj, deri sa u bë thuajse 90 vjeç. Fëmijët e vegjël mund ta ndienin dashurinë e saj për ta. Ata shihnin shembullin e saj. Ata mësonin nga parimet e saj të thjeshta të ungjillit të Jezu Krishtit. Dhe mbi të gjitha, në saje të shembullit të saj, ata mësonin të ndienin dhe të njihnin Frymën e Shenjtë. Dhe kur e arritën këtë, ata ishin mirë në rrugën e tyre të besimit për t’i rezistuar tundimit. Ata do të kishte më pak gjasa të kishin nevojë të shpëtoheshin dhe do të ishin të përgatitur të shkonin të shpëtonin të tjerët.
Unë e mësova forcën e besimit të thjeshtë në lutje dhe në Frymën e Shenjtë kur fëmijët tanë ishin të vegjël. Djali ynë më i madh nuk ishte pagëzuar ende. Prindërit e tij, mësues të Fillores dhe shërbyes nga priftëria ishin përpjekur ta ndihmonin të ndiente dhe të njihte Shpirtin dhe të dinte si të merrte ndihmën e Tij.
Një mbrëmje bashkëshortja ime e kishte çuar te shtëpia e një gruaje që e mësonte të lexonte. Plani ynë ishte që unë ta merrja gjatë kthimit tim nga puna për në shtëpi.
Mësimi i tij mbaroi më shpejt nga sa prisnim. Ai u ndje i sigurt që e dinte rrugën për në shtëpi. Kështu filloi të ecte. Ai tha pastaj se kishte besim të plotë dhe se i pëlqente ideja e të qenit vetëm në udhëtim. Pasi ishte larguar rreth një gjysmë milje (0.8km), filloi të errej. Ai filloi të ndiejë se ishte ende shumë larg shtëpisë.
Ai ende mund të kujtojë që dritat e makinave ndërsa i kalonin ishin të mjegulluara nga lotët e tij. Ai u ndje si fëmijë i vogël, jo si djali i sigurtë që kishte filluar të ecte i vetëm për në shtëpi. Ai kuptoi se kishte nevojë për ndihmë. Pastaj diçka i erdhi në kujtesë. Ai e dinte se duhej të lutej. Dhe kështu u largua nga rruga dhe u drejtua për te disa pemë që mezi i shihte në errësirë. Ai gjeti një vend për t’u gjunjëzuar.
Përmes kaçubeve ai mund të dëgjonte zëra që vinin drejt tij. Dy të rinj e kishin dëgjuar të qante. Duke u afruar, ata thanë: “A mund të të ndihmojmë?” Mes lotëve ai u tregoi se kishte humbur dhe se donte të shkonte në shtëpi. Ata e pyetën nëse e dinte numrin e telefonit të shtëpisë apo adresën. Ai nuk i dinte. Ata pyetën nëse e dinte emrin e vet. Ai e dinte atë. Ata e morën në vendin pranë ku banonin. Ata e gjetën emrin e familjes tonë në numëratorin telefonik.
Kur më telefonuan, unë u sula tek shpëtuesi, mirënjohës që njerëz bujarë ishin vendosur përgjatë rrugës së tij për në shtëpi. Dhe unë kam qenë gjithnjë mirënjohës që atij i ishte mësuar të lutej me besim që ndihma do të shkonte kur ai të kishte humbur. Ai besim e ka udhëhequr atë në siguri dhe i solli atij shpëtues në më shumë raste nga sa mund t’i numërojë.
Zoti ka krijuar një model shpëtimi dhe shpëtuesish në mbretërinë e Tij. Me urtësinë e Tij Zoti ka frymëzuar shërbëtorët e Tij të vendosin një nga mënyrat më të fuqishme për të na forcuar neve dhe të vendosen në vend shpëtuesit më të mirë, ndërsa kalojmë vitet e adoleshencës.
Ju keni dijeni për dy programe të fuqishme të siguruara nga Zoti. Një, për të rejat quhet: “Përparimi Personal”. Tjetri, për mbajtësit e Priftërisë Aarone, quhet: “Detyrë ndaj Perëndisë”. Ne nxisim rininë në brezin që rritet të shohë potencialin e vet për të ngritur forcë të madhe shpirtërore. Dhe ne lutemi me ata që kujdesen për këtë rini të rritet që të bëjnë atë që Zoti na kërkon të bëjmë për t’i ndihmuar. Dhe gjersa e ardhmja e Kishës varet nga ata, të gjithë ne kujdesemi.
Dy programet kanë qenë përmirësuar por propozimi i tyre mbetet i pandryshuar. Presidenti Monson e shtron në këtë mënyrë: ne duhet “të mësojmë atë që duhet të mësojmë, të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe të jemi çka duhet të jemi”2.
Broshura e Përparimit Personal për të rejat e bën të qartë qëllimin për to: “Programi i Përparimit Personal përdor tetë vlera të Të Rejave për t’ju ndihmuar të kuptoni në mënyrë më të plotë cilat jeni, përse jeni këtu në tokë dhe çfarë duhet të bëni si bijë e Perëndisë për t’u përgatitur për ditën e shkuarjes në tempull për të bërë besëlidhjet e shenjta”.
Ajo vazhdon duke thënë se të rejat do të: “[marrin] zotime, [do] t’i [kryejnë] ato dhe [do] t’ia raporto [jnë] përparimin [e tyre] një prindi ose udhëheqëseje”. Ajo gjithashtu premton se: “Modelet që krijoni kur punoni për Përparimin Personal – të tilla si lutja, studimi i shkrimit të shenjtë, shërbimi dhe mbajtja e ditarit – do të bëhen zakone personale të përditshme. Këto zakone do ta forcojnë dëshminë tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të mësoni e të përmirësoheni gjatë tërë jetës”3.
Programi Detyrë ndaj Perëndisë për të rinjtë në Priftërinë Aarone është forcuar dhe përqendruar. Ai do të përfshihet në një libër të thjeshtë për të tri detyrat e Priftërisë Aarone. Të Rinjtë dhe udhëheqësit e tyre do të marrin një kopje të këtij libri të ri. Ai është një mjet i fuqishëm. Ai do të forcojë dëshmitë e të rinjve dhe marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Ai do t’i ndihmojë ata të mësojnë dhe të duan të plotësojnë detyrat e tyre të priftërisë. Ai do të forcojë marrëdhëniet e tyre me prindërit e tyre, midis anëtarëve të kuorumit dhe me udhëheqësit e tyre.
Të dy këto programe i japin një përgjegjësi të madhe vetë përpjekjeve të të rinjve. Ata janë ftuar të mësojnë dhe të bëjnë gjëra që do të ishin sfiduese për këdo. Duke menduar për rininë time, unë nuk mbaj mend të jem sfiduar në këtë mënyrë. Oh, në disa raste jam ftuar të arrij gjëra të tilla të vështira, por vetëm aty këtu. Këto programe kërkojnë qëndrueshmëri, përpjekje të madhe dhe akumulim mësimi dhe përjetimesh shpirtërore ndër vite.
Duke menduar kuptova se përmbajtja e këtyre broshurave ishte një paraqitje fizike e besimit të Zotit te brezi i ri dhe tek të gjithë ne që e duam atë. Dhe unë kam parë fakte se besimi është dhënë aty ku duhet.
Gjatë vizitave unë kam vërejtur kuorumet e Priftërisë Aarone në veprim. Unë kam parë të rinj që ndjekin modele të mësuari, të bëjnë plane për të bërë atë që Perëndia kërkon prej tyre, pastaj dalje jashtë për të bërë atë që ata janë zotuar dhe për t’u treguar të tjerëve mënyrën se si kanë ndryshuar shpirtërisht. Dhe duke vështruar e dëgjuar, u bë e qartë se baballarë, nëna, udhëheqës, miq dhe madje fqinj në një kongregacion, ishin prekur nga Shpirti kur dëgjonin të rinjtë të dëshmonin se si kishin qenë forcuar. Rinia lartësohej ndërsa jepte dëshmi dhe po ashtu ata që ishin përpjekur ta ndihmonin të rritej.
Programi i Të Rejave ka brenda po atë model të fuqishëm për të zhvilluar forcë shpirtërore tek të rejat dhe për të na dhënë neve mundësinë që të ndihmojmë. Përparimi Personal i ndihmon të rejat të përgatiten të marrin ordinancat e tempullit. Ato ndihmohen nga shembulli i nënave, gjysheve dhe i çdo gruaje të drejtë rreth tyre në Kishë. Unë kam parë se si prindër ndihmojnë një bijë të arrijë objektivat dhe ëndrrat e saj duke theksuar dhe vlerësuar të gjitha gjërat e mira që ajo bën.
Vetëm pak ditë përpara unë pashë një nënë të ngrihej me bijën e saj të re kur morën të dyja çmimin Njohja e të Rejave. Dhe ndërsa ato më tregonin se ç’kuptim kishte kjo për to, unë ndjeva miratimin e Zotit dhe inkurajimin për të gjitha neve.
Nga e gjithë ndihma që mund t’i japim kësaj rinie, me e madhja do të jetë që t’a lëmë të ndiejë besimin tonë se ajo është në shtegun për në shtëpi te Perëndia dhe se ajo mund t’ia dalë. Dhe ne bëjmë më të mirën duke shkuar me ta. Sepse shtegu është i pjerrët dhe ndonjëherë shkëmbor, ata herë-herë do të ndihen të shkurajuar dhe madje të penguar. Ata mund ndonjëherë të ngatërrohen mbi destinacionin e tyre dhe të enden pas objektivash më pak të rëndësishme për përjetësinë. Këto programe të frymëzuara i zvogëlojnë gjasat për këtë, sepse ato do ta udhëheqin të riun të përftojë dhe të marrë shoqërimin e Frymës së Shenjtë.
Këshilla më e mirë që duhet t’u japim të rinjve është që ata të mund të arrijnë të kthehen tek Ati Qiellor vetëm kur ata udhëhiqen dhe korrigjohen nga Shpirti i Perëndisë. Kështu, nëse jemi të urtë, ne do të nxisim, çmojmë dhe bëjmë shembull çdo gjë që fton shoqërimin nga Fryma e Shenjtë. Kur ata na tregojnë atë që po bëjnë dhe ndiejnë, ne duhet vetë të jemi të denjë për Shpirtin. Pastaj ata do të ndiejnë te lavdërimi ynë dhe te buzëqeshjet tona miratimin e Perëndisë. Dhe nëse ne ndiejmë nevojën të japim një këshillë korrigjuese, ata do ta ndiejnë dashurinë tonë dhe dashurinë e Perëndisë në të, jo kundërshtimin dhe mospranimin që mund t’a lejojë Satanin t’i çojë ata edhe më larg.
Shembulli që ata kanë më shumë nevojë nga ne është të bëjmë atë që ata duhet të bëjnë. Ne duhet të lutemi për dhuratat e Shpirtit. Ne duhet të mendojmë thellë për shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Ne duhet të bëjmë plane që janë jo vetëm dëshira por besëlidhje. Dhe pastaj duhet t’i mbajmë premtimet që i kemi bërë Zotit. Dhe ne duhet të ngremë të tjerët duke ndarë me ta bekimet e Shlyerjes që kanë ardhur në jetën tonë.
Dhe ne duhet të bëjmë shembull në jetën tonë besnikërinë e qëndrueshme dhe të vazhdueshme që Zoti pret prej tyre. Duke bërë këtë, ne do t’i ndihmojmë ata të ndiejnë nga Shpirti një siguri se nëse do të këmbëngulin ata do të dëgjojnë fjalët nga një Shpëtimtar dhe Atë Qiellor i dashur: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”4. Dhe ne që i ndihmojmë ata përgjatë rrugës do t’i dëgjojmë ato fjalë me gëzim.
Unë dëshmoj se Zoti ju do juve dhe secilin fëmijë të Perëndisë. Kjo është mbretëria e Tij, e rivendosur me çelësat e priftërisë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Tomas S. Monson është profeti i Zotit sot. Unë i premtoj secilit prej jush, se duke ndjekur drejtimin e frymëzuar në këtë, Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit, rinia jonë dhe ne që e ndihmojmë dhe e duam atë mund të arrijmë të sigurtë në shtëpinë tonë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin që të jetojmë në familje dhe gëzim përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.