Përgatitja Sjell Bekime
Le të mbajmë parasysh thirrjet tona, le të mendojmë mbi përgjegjësitë tona dhe le të ndjekim Jezu Krishtin.
Vëllezër, ju që jeni këtu në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti formoni një pamje frymëzuese kur e sheh. Është mahnitëse të përfytyrosh që në mijëra kisha në mbarë botën, të tjerë prej jush – bashkëmbajtës të priftërisë së Perëndisë – po e ndjekin këtë program me anë të transmetimit satelitor. Kombësitë tuaja janë të ndryshme dhe gjuhët tuaja janë të shumta, por një fije unike na lidh së bashku. Neve na është besuar të mbajmë priftërinë dhe të veprojmë në emrin e Perëndisë. Ne jemi marrës të një besimi të shenjtë. Shumë pritet prej nesh.
Një nga kujtimet e mia më të gjalla është pjesëmarrja në mbledhjen e priftërisë si një dhjak i saposhuguruar dhe të kënduarit e himnit të hapjes “Come, All Ye Sons of God” [“Ejani, Ju të Gjithë Bij të Perëndisë”]. Sonte i bëj jehonë shpirtit të atij himni të veçantë dhe ju them: “Ejani, ju të gjithë bij të Perëndisë që keni marrë priftërinë”1. Le të mbajmë parasysh thirrjet tona, le të mendojmë mbi përgjegjësitë tona dhe le të ndjekim Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Njëzet vite më parë mora pjesë në një mbledhje sakramenti ku fëmijët folën për temën “Unë i përkas Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Këta djem e vajza provuan se po stërviteshin për shërbim ndaj Zotit dhe të tjerëve. Muzika qe e mrekullueshme, recitimet u dhanë shkathtësisht dhe Shpirti u dërgua nga qielli. Një nga nipërit e mi, që qe 11 vjeç në atë kohë, foli për Vegimin e Parë kur paraqiti pjesën e tij në program. Pastaj, kur ai erdhi tek prindërit dhe gjyshërit e tij, unë i thashë: “Tomi, mendoj se je thuajse gati për të qenë misionar”.
Ai u përgjigj: “Ende jo. Kam ende shumë për të mësuar”.
Gjatë viteve që pasuan, Tomi mësoi vërtet, në saje të prindërve të tij dhe të mësuesve, dhe të këshilluesve në kishë që qenë të përkushtuar dhe të përpiktë. Kur u rrit mjaftueshëm, atë e thirrën të shërbente një mision. Ai e bëri këtë në mënyrën më të nderuar.
Të rinj, ju këshilloj të përgatiteni për shërbim si misionarë. Ka shumë mjete për t’ju ndihmuar të merrni mësimet që do të jenë dobiprurëse për ju dhe që do t’ju ndihmojnë të jetoni jetën që ju duhet të jetoni për të qenë të denjë. Një mjet i tillë është broshura Për Forcën e Rinisë, botuar nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ajo paraqet standarde nga shkrimet e mësimet e udhëheqësve të Kishës dhe nga shkrimi i shenjtë, zbatimi i të cilave do t’i sjellë bekimet e Atit tonë Qiellor dhe udhëheqjen e Birit të Tij secilit prej nesh. Veç kësaj, ka manuale mësimesh, të përgatitur me kujdes pas mendimit plot lutje. Familjet kanë mbrëmjet familjare ku jepen mësim parime të ungjillit. Thuajse të gjithë juve keni mundësinë të merrni pjesë në mësime të seminarit, të zhvilluara nga mësues të kushtuar, që kanë shumë për të ndarë.
Filloni të përgatiteni për një martesë në tempull, si dhe për një mision. Takimet për njohje siç duhet janë pjesë e asaj përgatitjeje. Në kultura ku takimet për njohje janë të përshtatshme, mos bëni takime derisa të jeni 16 vjeç. “Jo të gjithë adoleshentët kanë nevojë për takime ose dëshirojnë të kenë… . Kur të filloni takimet, dilni në grupe ose në takime bashkë me çifte të tjera… . Siguroni që prindërit tuaj të takohen [dhe t’i njohin] ato me të cilat dilni në takime.” Meqë takimet për njohje janë përgatitje për martesë, “takohuni vetëm me ato që kanë standarde të larta”2.
Kini kujdes të shkoni në vende ku ka mjedis të mirë, ku nuk do të përballeni me tundim.
Një baba i mençur i tha birit të tij: “Nëse e gjen veten ndonjëherë në një vend ku nuk duhet të jesh, largohu!” Këshillë e mirë për të gjithë ne.
Shërbyesit e Zotit na kanë këshilluar gjithmonë ne të vishemi siç duhet që të paraqesim respekt për Atin tonë Qiellor dhe për veten. Mënyra se si visheni u dërgon të tjerëve mesazhe mbi vetë ju dhe shpesh ndikon mënyrën se si veproni ju dhe të tjerët. Vishuni në mënyrë të tillë që të nxirrni në pah më të mirën tek vetja dhe të tjerët përreth. Shmangni ekstremet në veshje dhe paraqitje, përfshirë tatuazhet dhe shpimet (piërsing).
Gjithkush ka nevojë për miq të mirë. Rrethi juaj i miqve do të ndihmojë tepër mendimin dhe sjelljen tuaj, ashtu si dhe ju të tyret. Kur ndani vlera të përbashkëta me miqtë tuaj, ju mund të forconi e të nxisni njëri-tjetrin. Trajtoni gjithkënd me mirësi dhe dinjitet. Shumë joanëtarë kanë ardhur në Kishë nëpërmjet miqve që i kanë përfshirë në aktivitete të Kishës.
Fjala e urtë e përsëritur shpesh është gjithmonë e vërtetë: “Ndershmëria [është] politika më e mirë”3. Një i ri shenjtor i ditëve të mëvonshme jeton ashtu si jep mësim dhe si beson. Ai është i ndershëm me të tjerët. Ai është i ndershëm me veten. Ai është i ndershëm me Perëndinë. Ai është i ndershëm sipas zakonit dhe natyrshëm. Kur duhet të merret një vendim i vështirë, ai kurrë nuk e pyet veten: “Çfarë do të mendojnë të tjerët?” por përkundrazi: “Çfarë do të mendoj unë për veten?”
Për disa, do të vijë tundimi që të mos nderojnë një standard personal të ndershmërisë. Në kursin e ligjit të biznesit në universitet ku mora pjesë, më kujtohet që një shok klase i veçantë nuk përgatitej kurrë për diskutimet në klasë. Mendova me vete: “Si do ta kalojë ai provimin përfundimtar?”
E zbulova përgjigjen kur ai erdhi në klasë për provimin përfundimtar, në një ditë dimri, duke veshur në këmbët e zbathura vetëm një palë sandale. U çudita dhe e vështrova kur filloi ora mësimore. Të gjithë librat tanë ishin vendosur në dysheme, si për udhëzim. Ai i hoqi sandalet nga këmbët; dhe pastaj, me gishtat e këmbëve që i kishte stërvitur dhe përgatitur me glicerinë, shkathtësisht ktheu faqet e njërit prej librave që kishte vënë mbi dysheme, duke parë kështu përgjigjet për pyetjet e provimit.
Ai mori një nga notat më të larta në atë kurs mbi ligjin e biznesit. Por dita e llogarisë erdhi. Më vonë, kur u përgatit të jepte provimin e tij gjithëpërfshirës, për herë të parë shefi i katedrës së asaj lënde të veçantë tha: “Këtë vit do të largohem nga tradita dhe do të zhvilloj një test gojor në vend të atij me shkrim”. Eksperti ynë i preferuar i gishtave të shkathët pa se në atë rast u vu në siklet, sepse nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve dhe ngeli në provim.
Mënyra si flisni dhe fjalët që përdorni tregojnë shumë për imazhin që keni zgjedhur të portretizoni. Përdorni fjalët që të ngrini e lartësoni ata që janë rreth jush. Fjalori përlyes, i ulët ose i ashpër dhe shakatë pa vend ose të paturpshme janë fyese për Zotin. Mos e shpërdoroni kurrë emrin e Perëndisë ose të Jezu Krishtit. Zoti tha: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot”4.
Ati ynë Qiellor na ka këshilluar të kërkojmë gjithçka “të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar”5. Çfarëdo gjëje që lexoni, dëgjoni, apo shihni lë një gjurmë tek juve.
Pornografia është veçanërisht e rrezikshme, varësi formuese. Eksplorimi kureshtar i pornografisë mund të bëhet një zakon kontrollues, që të çon në material më të turpshëm dhe në shkelje seksuale. Shmangeni pornografinë me çdo kusht.
Mos kini frikë të dilni nga kinemaja, të fikni televizorin, apo të ndryshoni stacionin e radios nëse ajo që po paraqitet nuk i përmbush standardet e Atit tuaj Qiellor. Me pak fjalë, nëse keni ndonjë dyshim nëse një film i caktuar, libër, apo formë tjetër zbavitjeje është e përshtatshme ose jo, mos e shihni atë, mos e lexoni atë, mos merrni pjesë.
Apostulli Pal deklaroi: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? … Tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë”6. Vëllezër, është përgjegjësia jonë t’i mbajmë tempujt tanë të pastër e të dëlirë.
Drogat e forta, përdorimi i gabuar i ilaçeve të rekomanduara, produktet e alkoolit, kafesë, çajit dhe duhanit shkatërrojnë mirëqenien tuaj fizike, mendore dhe shpirtërore. Çfarëdo forme e alkoolit është e dëmshme për shpirtin dhe trupin tuaj. Duhani mund t’ju skllavërojë, t’ju dobësojë mushkëritë dhe t’ju shkurtojë jetën.
Muzika mund t’ju afrojë më pranë Atit tuaj Qiellor. Ajo mund të përdoret për të edukuar, lartësuar, frymëzuar dhe bashkuar. Megjithatë, muzika, me anë të ritmit, goditjes, intensitetit dhe vargjeve, mund të mpijë ndjeshmërinë tuaj shpirtërore. Efektet negative janë tepër të mëdha nëse e mbushni mendjen tuaj me muzikë të padenjë.
Meqë intimiteti seksual është kaq i shenjtë, Zoti kërkon vetëkontroll dhe dëlirësi përpara martesës, si dhe besnikëri të plotë pas martese. Gjatë takimeve, trajtojeni shoqen tuaj me respekt dhe prisni që shoqja juaj të tregojë të njëjtin respekt për juve. Lotët e ndjekin shkeljen pashmangshmërisht.
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, Presidenti i nëntë i Kishës, këshilloi: “Unë ju përgjërohem të keni mendime të pastra”. Ai pastaj bëri këtë deklarim kuptimplotë të vërtete: “Çdo veprim paraprihet nga një mendim. Nëse duam të kontrollojmë veprimet tona, ne duhet të kontrollojmë mendimin tonë.” Vëllezër, mbushini mendjet tuaja me mendime të mira dhe veprimet tuaja do të jenë të përshtatshme. Secili prej jush qoftë i aftë t’i bëjë jehonë në të vërtetë vargut nga Tenisoni që e thotë Sër Galahadi: “Forca ime është sa forca e dhjetë vetëve, sepse zemra ime është e dëlirë”7.
Jo shumë kohë më parë, autori i një kumtese mbi seksualitetin tek adoleshentët i përmblodhi kërkimet e tij duke thënë se shoqëria u dërgon adoleshentëve një mesazh të përzier: reklamat dhe mjetet e informimit përçojnë “mesazhe shumë të forta se aktiviteti seksual është i pranueshëm dhe i pritshëm”, shtytje që nganjëherë i mbysin paralajmërimet e ekspertëve dhe përgjërimet e prindërve. Zoti mban qëndrim ndaj gjithë mesazheve mediatike me gjuhë të qartë dhe të saktë kur na deklaron: “Pastrohuni”8.
Kurdoherë që vjen tundimi, kujtoni këshillën e urtë të Apostullit Pal, që deklaroi: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni”9.
Kur u konfirmuat anëtar i Kishës, ju morët të drejtën për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ai mund t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira. Kur sfidoheni ose tundoheni, s’ka nevojë të ndiheni vetëm. Kujtoni se lutja është pasaporta për fuqi shpirtërore.
Nëse ndokush është penguar në udhëtimin e tij, ka një mënyrë kthimi pas. Procesi quhet pendim. Shpëtimtari ynë vdiq që të na siguronte juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Edhe pse shtegu është i vështirë, premtimi është i vërtetë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”10.
Mos e rrezikoni jetën tuaj të përjetshme. Mbani urdhërimet e Perëndisë. Nëse keni mëkatuar, sa më shpejt të bëni rrugën e kthimit, aq më shpejt do të gjeni paqen dhe gëzimin e ëmbël që vijnë me mrekullinë e faljes. Lumturia vjen nga jetesa sipas mënyrës si dëshiron Zoti që ju të jetoni dhe nga shërbimi për Perëndinë dhe të tjerët.
Forca shpirtërore shpesh vjen përmes shërbimit vetëmohues. Disa vite më parë vizitova atë që atëherë quhej Misioni i Kalifornisë, ku intervistova një misionar të ri nga Xhorxhia. Më kujtohet që i thashë: “A u dërgon letër në shtëpi prindërve të tu çdo javë?”
Ai u përgjigj: “Po, Vëllai Monson”.
Pastaj unë pyeta: “A kënaqesh duke marrë letra nga shtëpia?”
Ai nuk u përgjigj. Pas një pauze të gjatë, pyeta: “Kur ka qenë hera e fundit që ke marrë letër nga shtëpia?”
Me një zë të dridhur, ai u përgjigj: “S’kam marrë kurrë letër nga shtëpia. Babai është veçse dhjak dhe Mami nuk është anëtare e Kishës. Ata m’u përgjëruan që të mos vija. Ata më thanë që, nëse do të largohesha për mision, ata nuk do të më shkruanin. Çfarë duhet të bëj, Vëllai Monson?”
I bëra një lutje në heshtje Atit tim Qiellor: “Çfarë duhet t’i them këtij shërbëtori Tënd të ri që ka sakrifikuar gjithçka për të të shërbyer Ty?” Dhe frymëzimi erdhi. I thashë: “Eldër, dërgoi letër në shtëpi nënës dhe babait tënd çdo javë të misionit. Tregoju atyre se çfarë po bën. Tregoju atyre se sa shumë i do dhe pastaj jepu atyre dëshminë tënde.”
Ai pyeti: “A do të më shkruajnë ata pastaj?”
U përgjigja: “Pastaj ata do të të shkruajnë”.
U ndamë dhe unë shkova në udhën time. Muaj më vonë po merrja pjesë në një konferencë kunji në Kaliforninë e Jugut kur një misionar i ri erdhi tek unë dhe tha: “Vëllai Monson, a të kujtohem unë? Unë jam misionari që nuk kisha marrë letër nga nëna ose babai im gjatë nëntë muajve të parë të mi në fushën e misionit. Ti më the: ‘Dërgo një letër në shtëpi çdo javë, Eldër, dhe prindërit e tu do të të shkruajnë’”. Pastaj pyeti: “A të kujtohet ai premtim, Eldër Monson?”
Unë u kujtova. E pyeta: “A ke marrë lajm nga prindërit?”
Ai zgjati dorën tek xhepi i tij dhe nxori një tufë letrash me një llastik rreth tyre, mori një letër nga maja e grumbullit dhe tha: “A kam marrë lajm nga prindërit! Dëgjoje këtë letër nga nëna ime: ‘Bir, na kënaqin kaq shumë letrat e tua. Jemi krenarë për ty, misionari ynë. A e gjen dot? Babi është shuguruar prift. Ai po përgatitet të më pagëzojë mua. Unë po takohem me misionarët; dhe pas një viti dëshirojmë të vijmë në Kaliforni, kur të përfundosh misionin tënd, sepse ne, bashkë me ty, dëshirojmë të bëhemi një familje e përjetshme duke hyrë në tempullin e Zotit.’” Ky misionar i ri pyeti: “Vëlla Monson, a u përgjigjet gjithmonë lutjeve Ati Qiellor dhe a i përmbush premtimet e Apostujve?”
U përgjigja: “Kur dikush ka besim siç tregove ti, Ati ynë Qiellor i dëgjon lutje të tilla dhe u përgjigjet sipas mënyrës së Tij”.
Duar të pafajshme, një zemër e pastër dhe një mendje e gatshme kishin prekur qiellin. Një bekim, i dërguar nga qielli, i kishte dhënë përgjigje lutjes së zjarrtë të një zemre të përulur misionari.
Vëllezër, është lutja ime që ne të mund të jetojmë në atë mënyrë që ne gjithashtu, të mund të prekemi nga qielli dhe të bekohemi në mënyrë të ngjashme, secili dhe kushdo, në emrin e Dhënësit të të gjitha bekimeve, madje Jezu Krishtit, amen.