2010
Plaku Gerrit W. Gong
Maj 2010


Plaku Gerrit W. Gong

Nga të Shtatëdhjetët

Elder Gerrit W. Gong

Plaku Gerrit Valter Gong e njeh fuqinë e lutjes dhe se Ati Qiellor ka një plan për fëmijët e Tij. Kur Plaku Gong ishte i ri, nëna e tij një herë u sëmur rëndë. Ai mban mend që u lut “me fjalë dhe ndjenja të një djali të vogël” që ajo duhej të rronte.

“Lutjeve u jepet përgjigje në mënyra dhe kohë të ndryshme në jetën tonë, por në atë rast, me mirënjohje, unë ndjeva dhe dija se ajo do të ishte më mirë”, thotë Plaku Gong. “Unë nuk kam dyshuar kurrë që nga ajo kohë se Ati Qiellor i dëgjon lutjet tona dhe, me urtësinë dhe mënyrat e Tij, u përgjigjet atyre.”

Plaku Gong ka përjetuar qysh atëherë atë komunikim të butë me një Atë të dashur në mënyrë të përsëritur, përfshi, thotë ai, në martesën me bashkëshorten e tij, formimin e familjes, marrjen e vendimeve për arsimim e karrierë dhe shërbim në Kishë.

Përpara thirrjes së tij në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve, Plaku Gong shërbeu si këshilltar i lartë, udhëheqës grupi priftërinjsh të lartë, këshilltar në presidencën e Shkollës të së Dielës në kunj, mësues seminari, peshkop, president misioni në kunj, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zone.

Profesionalisht, Plaku Gong ka shërbyer si Ndihmës i Posaçëm i Nënsekretarit të Shtetit në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe si Ndihmës i Posaçëm i Ambasadorit të SHBA në Pekin të Kinës. Ai gjithashtu ka mbajtur poste në Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare (QSSN) në Uashington, D.C., SHBA. Në kohën e thirrjes së tij, ai po punonte si ndihmës i rektorit të Universitetit “Brigam Jang” me përgjegjësinë e planifikimit dhe vlerësimit.

Plaku Gong u lind nga Uollter dhe Xhin Gong në dhjetor 1953 dhe u rrit në Palo Alto në Kaliforni. Ai mori diplomën universitare nga Universiteti “Brigam Jang” në studime të përgjithshme dhe aziatike. Ai më vonë fitoi gradën e masterit dhe të doktorit në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit, ku ishte me bursë Rodes.

Ai shërbeu në Misionin e Tajvanit dhe më vonë u martua me Sjuzën Lindsei në Tempullin e Solt-Lejkut në janar 1980. Gongët kanë katër djem.