Kurrë, Kurrë, Kurrë Mos u Dorëzoni!
Çfarë dëshiron Zoti që të bëni ju? Ai dëshiron që ju të jeni një bijë trime dhe e virtytshme e Perëndisë, e përkushtuar që të jetoni çdo ditë në atë mënyrë që të mund të jeni e denjë për të marrë bekimet e tempullit.
Gushtin e shkuar çuam disa prej mbesave tona tek Timpanogos Cave National Monument [Monumenti Kombëtar i Shpellës së Timpanogos], një nga vendet më të njohura të Jutas. Duhet të ecni 2,4 km në një shteg shumë të vështirë për të arritur tek shpella, por ia vlen krejt mundimi për të dëshmuar formacionet e mrekullueshme si spirale të shpellës. Isha e sigurt se nëntëvjeçarja Ruthi do të kishte pak vështirësi, por vrisja mendjen nëse gjashtëvjeçarja Karolina do të kishte forcën dhe qëndrueshmërinë që ta kryente gjithë rrugëtimin.
Qemë të gjitha shumë të ngazëlluara që filluam ecjen dhe fillimisht, ecëm shpejt përgjatë shtegut të shtruar. Çereku i rrugës u arrit shpejt, por na u desh më shumë kohë që të arrinim gjysmën. Karolina filloi të shkurajohej. Ruthi po shkonte mirë dhe e nxiti Karolinën që të vazhdonte. Ne ngadalësuam që Karolina të mund të ecte si ne. Pastaj u duk sikur gjithçka shkoi keq. U ngritën erëra të forta dhe pluhuri prej tyre e vështirësoi shikimin. Ishte pak e frikshme dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, ne u ndeshëm me një tabelë drejtuese ku lexohej: “Habitat Gjarpri me Zile. Qëndroni në Shteg. Qëndroni në Siguri”.
Ngadalë ne ecëm me mundim, në treçerek të rrugës deri tek synimi ynë, por ende kishim për të ngjitur pjesën më të rrëpirët. E lodhur, e frikësuar dhe duke dyshuar tek aftësitë e veta, Karolina u ul dhe e përlotur deklaroi: “Unë dorëzohem! Nuk mund të shkoj më tej!”
U ulëm dhe folëm se çfarë duhet të bënim. Ne bëmë një plan. Vendosëm të numëronim hapat dhe të shihnim se si do të ndiheshim pas 100 hapash. Ruthi dhe unë e siguruam Karolinën se do ta ndihmonim. Ne duhet të kërkonim diçka që të na gëzonte përgjatë rrugës dhe të ndanim zbulimet tona. Ne madje kënduam disa këngë të Fillores.
Gjërat ndryshuan. Karolina zgjodhi ta ndiqte planin. Njëqind hapa bënë që një detyrë e pamundur të dukej se mund të kryhej. Karolina e dinte se ne do ta ndihmonim dhe kur kërkuam gjërat e mirat që ishin rreth nesh dhe kënduam këngë, ne u ndiem më të gëzuara.
A jeni ndier ndonjëherë të frikësuara e të shkurajuara kur jeni përballur me një sfidë që dukej shumë përtej aftësisë suaj? A keni dashur ndonjëherë të dorëzoheni?
Përfytyroni se si duhet të jetë ndier Jozueu, pasuesi i profetit të madh Moisi, duke e ditur se ai duhej të udhëhiqte bijtë e Izraelit për në tokën e premtuar. Nganjëherë, jam e sigurt, ai donte të dorëzohej. Por Zoti e ngushëlloi atë duke ia kujtuar tri herë të ishte i fortë dhe me kurajë (shih Jozueu 1:6–9). Me besimin se Perëndia do të ishte me ta, fëmijët e Izraelit u zotuan: “Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron” (Jozueu 1:16).
Shkrimet e shenjta janë plot me rrëfime për burra e gra që treguan kurajë të madhe për të bërë çfarëdo që Zoti i urdhëroi, edhe kur detyrat dukeshin të pamundura, edhe kur ata mund të kenë dashur të dorëzoheshin.
Çfarë dëshiron Zoti që të bëni ju? Ai dëshiron që ju të jeni një bijë trime dhe e virtytshme e Perëndisë, e përkushtuar që të jetoni çdo ditë në atë mënyrë që të mund të jeni e denjë për të marrë bekimet e tempullit dhe për t’u kthyer tek Ai. Në botën e sotme kjo kërkon kurajë. Ju keni planin e shpëtimit që e bën të mundur ta kryeni këtë. Liria morale e zgjedhjes, aftësia për të zgjedhur, është një pjesë thelbësore e këtij plani. Ju keni bërë tashmë disa zgjedhje të mira. Përpara se të lindeshit, ju bëtë zgjedhjen që të vinit në tokë për të marrë një trup dhe për të provuar veten. Ju bëtë zgjedhjen që të pagëzoheshit, që është ordinanca e parë e kërkuar në shtegun drejt jetës së përjetshme. Ju tani po provoni jetën në vdekshmëri, ku mund të vazhdoni të bëni zgjedhje, të mësoni dhe të rriteni. Bërja e besëlidhjeve të shenjta dhe marrja e ordinancave të tempullit është një tjetër hap i rëndësishëm në plan.
Të reja, ndërkohë që po rriteni, shtegu bëhet më i rrëpirtë dhe ju mund të dëshironi të dorëzoheni. Jeta është më sfiduese, e mbushur me vendime dhe tundime në çdo kthesë. Satani do të fryjë erërat e çoroditjes që mund t’ju bëjnë të pyesni nëse ky është shtegu ku doni të ecni. Ju mund të tundoheni të provoni një drejtim tjetër, edhe kur janë vendosur tabela rreziku. Ju mund të vini në dyshim aftësitë tuaja dhe mund të vrisni mendjen, ashtu si bëri një e re: “A është vërtet e mundur të mbetesh e virtytshme në botën e sotme?” Përgjigjja, mikeshat e mia të reja, është: “Po!” Dhe këshilla ime për ju është e ngjashme me atë që dha Uinston Çërçill gjatë Luftës II Botërore: “Kurrë, kurrë, kurrë mos u dorëzoni!” (shih “Never Give In”, [speech, Harrow School, London, England, 29 tetor 1941]).
Kjo do të kërkojë kurajë të madhe, por ju keni planin e Tij! Çfarë do t’ju ndihmojë të ndiqni planin dhe të jeni një bijë trime dhe e virtytshme e Perëndisë? Së pari, fitoni një dëshmi të fortë, hap pas hapi. Së dyti, kërkoni ndihmën e Atit Qiellor, Jezu Krishtit, familjes suaj dhe të tjerëve që do t’ju ndihmojnë në vendimet tuaja për të ndjekur planin. Dhe së fundi, jetoni që të jeni të denja për shoqërimin e Frymës së Shenjtë.
Për rëndësinë e sigurimit të një dëshmie të fortë, Presidenti Tomas S. Monson u premtoi të rejave: “Dëshmia juaj, kur ushqehet vazhdimisht, do t’ju mbajë të siguruara” (“Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 126).
Dëshmia juaj forcohet “gradualisht përmes përvojave tuaja. Askush nuk merr një dëshmi të plotë të gjithë përnjëherësh” (True to the Faith: A Gospel Reference [2004], f. 179). Ju e kujtoni se, që të ngjisnim pjesën më të rrëpirtë të malit, ne iu qasëm hap pas hapi. Për të fituar një dëshmi, ju duhet ta ushqeni atë hap pas hapi. “[Dëshmia juaj] do të rritet kur merrni vendime që të mbani urdhërimet. Kur ngrini dhe forconi moralisht të tjerë, do ta shihni se dëshmia juaj vazhdon të zhvillohet. Kur ju [krijoni zakone vetjake të lutjes, studimit të shkrimit të shenjtë, bindjes ndaj urdhërimeve dhe shërbimit ndaj të tjerëve], ju do të bekoheni me çaste frymëzimi që do të [forcojnë] dëshminë tuaj” (shih True to the Faith, [“Të Vërtetë ndaj Besimit”] f. 179–180).
Përparimi Personal siguron një mënyrë të mrekullueshme për ju që ta ushqeni dëshminë tuaj hap pas hapi. Përvojat dhe projektet për vlerat janë hapa të vegjël që do ta ushqejnë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin ndërsa mësoni mësimet e Tij dhe i zbatoni ato rregullisht në jetën tuaj. Ky ushqim i vazhdueshëm do t’ju mbajë të sigurta në shteg.
Së dyti, kërkoni ndihmën e të tjerëve që t’ju japin forcë dhe mbështetje shtesë. Drejtojuni së pari Atit tuaj Qiellor përmes lutjes. Ju jeni bijat e Tij. Ai ju njeh dhe ju do. Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tuaja. Na është mësuar herë të panumërta në shkrimet e shenjta që të “lutemi gjithmonë” (shih për shembull DeB 90:24). Kur luteni, Zoti do të jetë me juve, tamam si Zoti qe me Jozueun.
Secila prej nesh ka nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit që të ndjekim planin dhe të kthehemi tek Ati ynë në Qiell. Ndoshta ju keni bërë disa gabime apo jeni nisur përgjatë një shtegu tjetër. “Për shkak se Shpëtimtari ju do dhe e ka dhënë jetën e Tij për juve, ju mund të pendoheni… . Sakrifica shlyese e Shpëtimtarit e ka bërë të mundur që juve t’ju falen mëkatet tuaja” (Përparimi Personal i Të Rejave [broshurë, 2009], f. 71). “Sa më shpejt të pendoheni, aq më shpejt do të zbuloni bekimet që vijnë nga falja” (Për Forcën e Rinisë [pamflet, 2001], f. 30).
Vendosni tani të bëni atë që kërkohet që të pendoheni. “Merrni denjësisht sakramentin çdo javë dhe [mbusheni] jetën tuaj me aktivitete të virtytshme që do të sjellin fuqi shpirtërore. Kur ta bëni këtë, ju do të bëheni më e fortë në aftësinë tuaj për t’i bërë ballë tundimit, për të mbajtur urdhërimet dhe për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti” (Përparimi Personal i Të Rejave, f. 71).
Profetët e ditëve të mëvonshme janë në tokë që t’ju ndihmojnë po ashtu. Profetët flasin për të sotmen. Mbahuni tek fjalët e tyre. Ata do t’ju japin tabelat drejtuese që do t’ju paralajmërojnë për rrezikun dhe do t’ju mbajnë të sigurta në shteg. Tabelat drejtuese të veçanta për ju gjenden tek broshura Për Forcën e Rinisë. “Ndiq profetin; ai e di rrugën” (Children’s Songbook, “Follow the Prophet”, f. 110–111).
Një nga bekimet e mëdha të planit është se jemi të organizuara në familje. Ju keni prindër, urtësia dhe përvoja më e madhe e të cilëve do t’ju ndihmojnë të arrini potencialin tuaj hyjnor. Mirëbesojuni atyre. Ata duan më të mirën për ju.
Mësoni nga nëna juaj, gjyshja juaj dhe gra të tjera të drejta me dëshmi të forta. Roli i një nëne në plan është të jetë edukuese. Nëna, askush nuk e do bijën tuaj ashtu si ju. Ju jeni udhëheqësja, këshilluesja dhe shembulli më i mirë për të. Shpresojmë se ju do ta pranoni ftesën për të punuar për Përparimin Personal bashkë me bijën tuaj. Ashtu siç mësova edhe unë nga puna për vlerën e virtytit me nënën time, marrëdhënia juaj do të forcohet dhe ju të dyja do të bekoheni nga dashuria, mbështetja dhe inkurajimi juaj reciprok.
Të reja, zgjidhni mike të mira që do t’ju mbështesin në vendimet tuaja të drejta për të ndjekur planin. Ashtu si Ruthi, që i dha kurajë Karolinës, ne e dimë se shumë prej jush mund të bëni shumë për të forcuar njëra-tjetrën. Pasi të merrni Njohjen tuaj të Të Rejave, është radha juaj të jeni “motra e madhe”. Fitimi i Bletës suaj të Nderit do t’ju japë mundësi të forconi një tjetër të re me shembullin e drejtë dhe dëshminë tuaj ndërsa e këshilloni për Përparimin e saj Personal.
Së fundi, jetoni që të jeni të denja për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Kur ne e ndihmuam Karolinën, kërkuam të mirat rreth nesh dhe madje kënduam këngë të Fillores, ne e ftuam Shpirtin. Ne ndiem dashuri, gëzim dhe paqe, që janë fryte të Frymës (shih Galatasve 5:22). Ju do ta ndieni atë paqe dhe siguri kur Satani përpiqet t’ju ngatërrojë me erërat e dyshimit, kur jeni e tunduar të shkoni në një shteg tjetër, apo kur të tjerët janë të pasjellshëm ose ju tallin për besimet tuaja.
Më lejoni të ndaj me juve përvojën e Xhulit, një të reje që qe në gjendje të përballonte një sfidë duke ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë. Një ditë ajo po studionte Dhiatën e Vjetër kur mendimi i erdhi në mendje: “Lexo Mateu 5. Lexo Mateu 5”. Ajo mendoi: “Përse duhet të më vijë mendimi që të lexoj Dhiatën e Re?” Ajo veproi sipas asaj nxitjeje dhe lexoi tek Mateu: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mateu 5:44).
Ditën tjetër, ajo pati disa vështirësi me mikeshat e saj që qenë të pasjellshme dhe e tradhtuan. Së pari, ajo qe shumë e mërzitur dhe pastaj mendoi: “Unë isha e përgatitur për këtë. Shpirti më nxiti të lexoj Mateun dhe unë duhet t’i dua e të lutem për mikeshat e mia”. Hapi i vogël i leximit të shkrimeve të shenjta e përgatiti atë të përgjigjej në një mënyrë si të Krishtit. Nga ajo përvojë, ajo u sigurua se Zoti e njeh dhe përmes nxitjeve të Frymës së Shenjtë, ajo e dinte se çfarë duhej të bënte.
Të rejat e mia të dashura, kam takuar shumë prej jush të cilat, ashtu si Xhuli, nuk janë dorëzuar kur janë përballur me rrethana të vështira, por kanë zgjedhur të ndjekin planin. Unë lutem që hap pas hapi ju do të vazhdoni të forconi dëshminë tuaj. Kërkoni ndihmën e Atit tonë Qiellor, Jezu Krishtit, profetëve dhe të të tjerëve që do t’ju ndihmojnë në vendimin tuaj për të ndjekur planin. Jetoni një jetë të virtytshme kështu që ju të mund të keni shoqërimin e Frymës së Shenjtë që t’ju udhëheqë pa rrezik. Unë dëshmoj që, nëse do t’i bëni këto gjëra, Zoti do të jetë me ju dhe ju do të jeni në gjendje të qëndroni në shtegun që çon tek tempulli dhe jeta e përjetshme. “Ji[ni të] fort[a] dhe trim[e]” (Jozueu 1:9) dhe kurrë, kurrë, kurrë mos u dorëzoni! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.