2010
Ju Jeni Duart e Mia
Maj 2010


“Ju Jeni Duart e Mia”

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne jemi thirrur të mbështesim e të shërojmë, më tepër se të dënojmë.

President Dieter F. Uchtdorf

Tregohet një histori që, gjatë bombardimit të një qyteti në Luftën II Botërore, u dëmtua keqas një statujë e madhe e Jezu Krishtit. Kur njerëzit e qytetit e gjetën statujën mes rrënojave, ata u pikëlluan, sepse kishte qenë një simbol i dashur i besimit të tyre dhe i pranisë së Perëndisë në jetën e tyre.

Ekspertët qenë në gjendje ta riparonin pjesën më të madhe të statujës, por duart e saj ishin dëmtuar kaq keq saqë nuk mund të riparoheshin. Disa sugjeruan që të punësonin një skulptor që të bënte duar të reja, por të tjerë dëshironin që ta linin siç ishte – një kujtues i përhershëm i tragjedisë së luftës. Së fundi, statuja mbeti pa duar. Megjithatë, njerëzit e qytetit vendosën tek bazamenti i statujës së Jezu Krishtit një tabelë me këto fjalë: “Ju jeni duart e mia”.

Ne Jemi Duart e Krishtit

Ka një mësim të thellë në këtë histori. Kur mendoj për Shpëtimtarin, shpesh e përfytyroj Atë me duar të shtrira, duke i zgjatur për të ngushëlluar, shëruar, bekuar dhe dashur. Dhe Ai gjithmonë foli me njerëzit, kurrë me përçmim [ndaj njerëzve]. Ai e deshi të përulurin e të butin dhe eci mes tyre, duke u shërbyer e duke u ofruar shpresë e shpëtim.

Kjo është ajo çka Ai bëri gjatë jetës së Tij në vdekshmëri; është ajo çka do të ishte duke bërë nëse do të jetonte mes nesh sot; dhe është ajo çka ne duhet të jemi duke bërë si dishepuj të Tij dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në këtë mëngjes të bukur Pashke, mendimet dhe zemrat tona tërhiqen tek Ai – Shpresa e Izraelit dhe Drita e Botës.

Kur ndjekim shembullin e Tij të përsosur, duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij.

Duart Tona Mund të Përqafojnë

Më ka lënë mbresë thellësisht mënyra se si anëtarët e Kishës sonë u shërbejnë të tjerëve. Kur dëgjojmë për sakrificën tuaj vetëmohuese dhe dhembshurinë tronditëse, zemrat tona gufojnë nga mirënjohja dhe lumturia. Ju jeni një dritë ndriçuese për botën dhe jeni të njohur për mirësinë dhe dhembshurinë tuaj rrotull gjithë globit.

Fatkeqësisht, herë pas here ne dëgjojmë gjithashtu për anëtarë të Kishës që shkurajohen dhe, si pasojë, nuk vijnë e nuk marrin pjesë në mbledhjet tona të Kishës, sepse mendojnë se nuk përshtaten.

Kur isha i ri, pas pasojave të Luftës II Botërore, Gjermania qe e shkatërruar dhe gërmadhë. Shumë njerëz qenë të uritur, të sëmurë dhe duke vdekur. Më kujtohen mirë dërgesat humanitare me ushqim e veshje që erdhën nga Kisha në Solt-Lejk-Siti. Deri më sot, ende mund të kujtoj erën e veshjeve dhe ende mund të shijoj ëmbëlsinë e pjeshkëve të konservuara.

Pati disa që u bashkuan me Kishën për shkak të gjërave të nevojshme që morën në atë kohë. Disa anëtarë i panë me përçmim këta të kthyer të rinj në besim. Ata madje i thirrën me një emër fyes: Büchsen Mormonen ose “Mormonë të Konservave”. Ata i kishin zët këta anëtarë të rinj sepse besonin që, pasi të plotësoheshin nevojat e tyre materiale, ata do të largoheshin.

Megjithëse disa u larguan, shumë qëndruan – ata erdhën në kishë, shijuan ëmbëlsinë e ungjillit dhe ndien përqafimin e butë të vëllezërve e motrave dashamirëse. Ata zbuluan “shtëpinë”. Dhe tani, tre a katër breza më vonë, shumë familje e gjurmojnë pas anëtarësinë e tyre në Kishë, deri tek këta të kthyer në besim.

Shpresoj që ne të mirëpresim dhe të duam gjithë fëmijët e Perëndisë, përfshirë ata që mund të vishen, të kenë pamjen, të flasin, apo thjesht t’i bëjnë gjërat ndryshe. Nuk është mirë t’i bësh të tjerët të ndihen sikur janë të mangët. Le t’i ngremë moralisht ata që janë rreth nesh. Le të zgjasim një dorë mirëseardhjeje. Le t’u dhurojmë vëllezërve dhe motrave tona në Kishë një shkallë të veçantë humanizmi, dhembshurie dhe dashurie hyjnore që kështu ata të ndiejnë, më në fund, se përfundimisht kanë gjetur shtëpi.

Kur jemi të tunduar të gjykojmë, le të mendojmë për Shpëtimtarin, që “e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja… .

[Dhe] ai thotë: Ejani tek unë, ju të gjitha fundet e tokës … [sepse] të gjithë njerëzit gëzojnë të njëjtin privilegj si njëri, ashtu edhe tjetri dhe asnjëri nuk është i ndaluar.”1

Kur lexoj shkrimet e shenjta, duket se ata që marrin qortimin më të fortë të Shpëtimtarit janë shpesh ata që e vlerësojnë veten shumë për shkak të pasurisë, ndikimit ose drejtësisë së supozuar të tyre.

Në një rast Shpëtimtari dha mësim një shëmbëlltyrë të dy burrave që shkuan në tempull për t’u lutur. Njëri burrë, një farise i respektuar, u lut: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam.”

Burri tjetër, një tagrambledhës i urryer, rrinte “larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: ‘O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit’”.

Dhe Jezusi tha: “Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar”2.

Në të vërtetë, ne “të gjithë mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë”3. Të gjithë kemi nevojë për mëshirë. Në ditën e fundit, kur të thirremi tek shufra e gjykimit e Perëndisë, a nuk shpresojmë që papërsosmëritë tona të shumta të falen? A nuk jemi të etur të ndiejmë përqafimin e Shpëtimtarit?

Duket veçse e drejtë dhe me vend që t’u shtrijmë të tjerëve atë që dëshirojmë me kaq zell për vete.

Nuk po sugjeroj që të pranojmë mëkatin ose të mos vëmë re të ligën, në jetën tonë vetjake ose në botë. Megjithatë, në zellin tonë, nganjëherë ngatërrojmë mëkatin me mëkatarin dhe dënojmë tepër shpejt dhe me shumë pak dhembshuri. E dimë nga zbulesa moderne që “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”4. Nuk mund të përcaktojmë vlerën e një shpirti tjetër, më shumë sesa mund të matim hapësirën e universit. Çdo person që takojmë është VIP për Atin tonë Qiellor. Pasi ta kemi kuptuar këtë, mund të fillojmë të kuptojmë se si duhet t’i trajtojmë bashkënjerëzit tanë.

Një grua, që kishte kaluar vite mundimesh dhe hidhërimesh, tha mes lotëve të saj: “Kam arritur të kuptoj se jam si një kartëmonedhë e vjetër 20-dollarëshe – e zhubrosur, e grisur, e pistë, e shpërdoruar dhe me shenja. Por përsëri jam një kartëmonedhë 20-dollarëshe. Unë vlej diçka. Edhe pse mund të mos dukem dhe aq shumë dhe megjithëse më kanë dëmtuar e përdorur, përsëri unë vlej plot 20 dollarë.”

Duart Tona Mund të Ngushëllojnë

Me këtë në mendje, zemrat dhe duart tona le të shtrihen me dhembshuri drejt të tjerëve, sepse gjithkush po ecën në vetë shtegun e vet të vështirë. Si dishepuj të Jezu Krishtit, Mësuesit tonë, ne jemi thirrur të mbështesim e të shërojmë, më tepër se të dënojmë. Ne jemi urdhëruar “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë” dhe “të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”5.

Është e padenjë për ne si të krishterë që të mendojmë se ata që vuajnë e meritojnë vuajtjen e tyre. E Diela e Pashkës është një ditë e mirë që të kujtojmë se Shpëtimtari ynë, me gatishmëri, e mori mbi Vete dhembjen dhe sëmundjen, dhe vuajtjen e neve të gjithëve; edhe të atyre prej nesh që duket se e meritojnë vuajtjen6.

Në librin e Fjalëve të Urta lexojmë se “miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira”7. Le të duam në të gjitha kohët. Dhe veçanërisht le t’u jemi pranë vëllezërve e motrave tona në kohë vështirësie.

Duart Tona Mund të Shërbejnë

Një legjendë e vjetër çifute na tregon për dy vëllezër, Abramin dhe Zimrin, që zotëronin një arë dhe e punonin së bashku. Ata ranë dakord t’i ndanin barabar si punën edhe të korrat. Një natë, kur të korrat po përfundonin, Zimri nuk mund të flinte, sepse nuk i dukej e drejtë që Abrami, i cili kishte gruan dhe shtatë bij për të ushqyer, të merrte vetëm gjysmën e të korrave, ndërsa ai, që duhet të mbante vetëm veten, të kishte kaq shumë.

Kështu që Zimri u vesh dhe shkoi heshturazi në arë, ku mori një të tretën e të korrave të tij dhe i vendosi në grumbullin e të vëllait. Ai pastaj u kthye tek shtrati i tij, i kënaqur që kishte bërë gjënë e drejtë.

Ndërkohë, as Abrami nuk mund të flinte. Ai mendoi për vëllain e tij të varfër, Zimrin, që ishte krejt vetëm dhe nuk kishte bij që ta ndihmonin për punën. Nuk i dukej e drejtë që Zimri, që kishte punuar vetë kaq fort, të merrte vetëm gjysmën e të korrave. Sigurisht, kjo nuk ishte e kënaqshme për Perëndinë. Dhe kështu Abrami shkoi heshturazi në arë, ku mori një të tretën e të korrave të tij dhe i vendosi në grumbullin e vëllait të tij të dashur.

Mëngjesin tjetër, vëllezërit shkuan në arë dhe të dy u habitën se grumbujt përsëri dukeshin në të njëjtën madhësi. Atë natë, të dy vëllezërit dolën vjedhurazi nga shtëpitë e tyre për të përsëritur orvatjet e natës së mëparshme. Por këtë herë e zbuluan njëri-tjetrin dhe, kur u panë, ata qanë dhe u përqafuan. Asnjëri nuk mund të fliste, sepse zemrat e tyre ishin pushtuar nga dashuria dhe mirënjohja.8

Ky është shpirti i dhembshurisë: që ne t’i duam të tjerët porsi vetveten9, kërkojmë lumturinë e tyre dhe u bëjmë atyre atë që shpresojmë që ata të na bëjnë ne10.

Dashuria e Vërtetë Kërkon Veprim

Dashuria e vërtetë kërkon veprim. Ne mund të flasim për dashurinë gjithë ditën – mund të shkruajmë shënime ose vjersha që e shpallin atë, të këndojmë këngë që e lëvdojnë atë dhe të themi predikime që e nxisin atë – por derisa ta shfaqim atë dashuri në veprim, fjalët tona nuk janë veçse “një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon”11.

Krishti jo vetëm që foli për dashurinë; Ai e tregoi atë çdo ditë të jetës së Tij. Ai nuk e largoi Veten nga turma. Duke qenë mes njerëzve, Jezusi ndihmoi njërin. Ai shpëtoi të humburin. Ai nuk dha thjesht një mësim për të ndihmuar me dashuri dhe pastaj t’ua ngarkonte punën faktike të tjerëve. Ai jo vetëm dha mësim, por edhe na tregoi neve se si të “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”12.

Krishti e di se si t’u shërbejë të tjerëve përsosmërisht. Kur Shpëtimtari zgjat duart e Tij, si rezultat, ata që Ai prek, ngrihen shpirtërisht dhe bëhen njerëz më fisnikë, më të fortë dhe më të mirë.

Nëse ne jemi duart e Tij, a nuk duhet të bëjmë të njëjtën gjë?

Ne Mund të Duam Ashtu si Ai Do

Shpëtimtari zbuloi përparësitë e përsosura për jetën tonë, shtëpitë tona, lagjet tona, komunitetet tona dhe kombet tona kur foli për dashurinë si urdhërimin e madh mbi të cilin “varet i tërë ligji dhe profetët”13. Ne mund t’i kalojmë ditët tona në ankth për hollësitë më të vogla të jetës, të ligjit dhe listat e gjata të gjërave që duhen bërë; por nëse shpërfillim urdhërimet e mëdha, ne po humbasim thelbin dhe jemi re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat, dhe drurë pa fruta14.

Pa këtë dashuri për Perëndinë, Atin, dhe bashkënjerëzit, ne jemi vetëm forma e Kishës së Tij – pa përmbajtje. Çfarë të mire ka mësimdhënia jonë pa dashuri? Çfarë të mire ka puna misionare, në tempull, ose për mirëqenie pa dashuri?

Dashuria është ajo që e frymëzoi Atin tonë Qiellor që të krijonte shpirtrat tanë; është ajo që udhëhoqi Shpëtimtarin tonë në Kopshtin e Gjetsemanit që ta bënte veten shpërblesë për mëkatet tona. Dashuria është motivi kryesor i planit të shpëtimit; është burimi i lumturisë, pranvera gjithmonë përtëritëse e shërimit, burimi i çmuar i shpresës.

Kur i zgjasim duart dhe zemrat tona drejt të tjerëve, me dashuri si të Krishtit, diçka e mrekullueshme na ndodh. Vetë shpirtrat tanë shërohen, bëhen më të pastruar e më të fortë. Ne bëhemi më të lumtur, më të qetë dhe më të kapshëm ndaj pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë.

Me të gjithë zemrën dhe shpirtin tim i jap falënderime Atit tonë Qiellor për dashurinë e Tij për ne, për dhuratën e Birit të Tij, për jetën dhe shembullin e Jezusit, Krishtit, dhe për sakrificën e Tij të pamëkatë e vetmohuese. Unë gëzoj në faktin që Krishti nuk është i vdekur, por është ngritur nga varri! Ai jeton dhe është kthyer në tokë për t’i rivendosur njeriut autoritetin dhe ungjillin e Tij. Ai na ka dhënë shembullin e përkryer të atij lloj burri dhe gruaje që duhet të jemi.

Në këtë të Diel Pashke dhe çdo ditë, ndërsa meditojmë me nderim dhe habi se si Shpëtimtari na përqafon, na ngushëllon dhe na shëron, le të zotohemi të bëhemi duart e Tij, që të tjerë përmes nesh të mund të ndiejnë përqafimin e Tij të dashur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. 2 Nefi 26:24–25, 28; theksimi i shtuar.

  2. Shih Lluka 18:9–14.

  3. Romakëve 3:23.

  4. Doktrina e Besëlidhje 18:10.

  5. Mosia 18:9.

  6. Shih Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 19:16.

  7. Fjalët e Urta 17:17.

  8. Shih Clarence Cook, “Abram and Zimri”, në Poems by Clarence Cook (1902), f. 6–9.

  9. Shih Mateu 22:39.

  10. Shih Mateu 7:12.

  11. 1 Korintasve 13:1.

  12. Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  13. Mateu 22:40.

  14. Shih Juda 1:12.