2010
Veproni Gjithë Zell
Maj 2010


Veproni Gjithë Zell

Ne duhet ta mësojmë detyrën tonë nga Zoti dhe pastaj duhet të veprojmë gjithë zell, pa qenë kurrë dembelë ose të ngathët.

President Henry B. Eyring

Vëllezër, jam mirënjohës që jam me ju sonte. Dhe jam i përulur nga ajo që di për shërbimin tuaj besnik të priftërisë. Unë po ju flas sonte për zellin në shërbimin e Zotit. Përvoja të kohëve të fundit më shtynë ta zgjedh këtë.

Njëra qe studimi i kujdesshëm nga unë i broshurës së re të mrekullueshme për Priftërinë Aarone, për të cilën foli Vëllai Dejvid L. Bek. Ajo titullohet Plotësoj Detyrën Time ndaj Perëndisë. Ndërsa lexova dhe mendova thellë se çfarë pritet aty që të bëjnë dhe të bëhen të rinjtë, e kuptova se përshkruhej ajo që i premtoi Presidenti Brigam Jang cilitdo mbajtësi të priftërisë që është i zellshëm gjatë gjithë jetës: “Një individ që mban Priftërinë dhe vazhdon besnikërisht në thirrjen e tij, që kënaqet vazhdimisht me kryerjen e gjërave që Perëndia kërkon prej tij dhe vazhdon gjatë jetës përmbushjen e çdo detyre, do t’i sigurojë vetes jo vetëm privilegjin e marrjes, por edhe dijen si t’i marrë gjërat e Perëndisë, që ai të mund ta dijë vazhdimisht mendjen e Perëndisë”1.

Vetëm disa javë më parë, pashë një dhjak të ri të nisej në atë shteg të zellit. Babai i tij më tregoi një skemë që kishte krijuar i biri, e cila paraqiste çdo radhë ndenjësesh në sallën e tyre të sakramentit, një numër për secilin dhjak që do t’i caktohej të shpërndante sakramentin dhe rrugën e tyre nëpër sallë për t’u shërbyer sakramentin anëtarëve. Babai dhe unë buzëqeshëm kur menduam se një djalë, pa iu kërkuar ta bënte, do të përgatiste një plan që të sigurohej se ai do t’ia dilte mbanë shërbimit të tij të priftërisë.

Njoha në zellin e tij modelin nga broshura e re Detyrë ndaj Perëndisë. Ai është: të mësosh atë që Zoti pret nga ti, të bësh një plan si ta kryesh atë, ta vësh në jetë planin me zell dhe pastaj t’u tregosh të tjerëve se si përvoja jote të ka ndryshuar ty dhe ka bekuar të tjerë.

Dhjaku e bëri atë skemë që të sigurohej se do të ishte i aftë të bënte atë që Zoti e kishte thirrur të bënte. Në nisjen e shërbimit të priftërisë, Zoti po i mësonte atij të kënaqej vazhdimisht “me kryerjen e gjërave që Perëndia kërkon prej tij”2.

Përvoja tjetër që më shtyu t’ju flas juve sonte për zellin, qe vëzhgimi i një burri pranë fundit të shërbimit të tij të priftërisë në këtë jetë. Ai kishte qenë dy herë peshkop. Thirrja e tij e parë si peshkop, vite përpara se ta takoja, kishte qenë kur ishte i ri. Tani ai ishte i moshuar, i liruar për herë të dytë nga thirrja si peshkop. Kufizimet e tij fizike që shtoheshin, e bënë shumë të vështirë çfarëdo shërbimi priftërie.

Por ai pati një plan që të vepronte me zell. Çdo të diel që mund të shkonte në kishë, ai ulej tek rreshti më i afërt me derën nga ku do të hynin shumica e njerëzve për mbledhjen e sakramentit. Ai shkonte atje herët që të sigurohej se kishte vend bosh për të. Çdo person që mbërrinte mund të shihte vështrimin e tij të dashurisë dhe mirëseardhjes, tamam ashtu si e kishin parë kur qëndronte në panel si peshkop i tyre. Ndikimi i tij na ngrohu dhe na ngriti moralin, sepse ne dinim diçka nga çmimi që ai pagoi për të shërbyer. Detyra e tij si peshkop kishte përfunduar; shërbimi i tij i priftërisë nuk mbaroi.

Ju keni parë shembuj të tillë të shërbyesve të mrekullueshëm të priftërisë. Sonte, do të përpiqem t’ju tregoj për atë që kam mësuar mbi ata. Kjo fillon me mësimin prej tyre që të dinë se kujt i shërbejnë dhe për çfarë qëllimi. Kur kjo zë rrënjë në zemrat e tyre, ajo sjell gjithë ndryshimin.

Së pari, do t’u flas drejtpërdrejt të rinjve të Priftërisë Aarone. Ju do të bëheni më të zellshëm kur të ndieni madhësinë e besimit që Perëndia ka vënë mbi ju. Ka një mesazh nga Presidenca e Parë për ju në atë broshurë Detyrë ndaj Perëndisë: “Ati Qiellor ka besim dhe siguri të madhe tek ju dhe ka një mision të rëndësishëm që të përmbushni. Ai do t’ju ndihmojë kur i drejtoheni Atij në lutje, dëgjoni për nxitjet e Shpirtit, u bindeni urdhërimeve dhe mbani besëlidhjet që keni bërë.”3

Gjon Pagëzori u kthye në tokë për të rivendosur priftërinë që ju të rinj mbani. Ai mbante çelësat e Priftërisë Aarone. Ishte Gjoni të cilit iu drejtua Jezusi për t’u pagëzuar. Gjoni e dinte se cili e kishte thirrur. Ai i tha Zotit: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje”4.

Gjoni e dinte se priftëria e Aaronit “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve”, kur Zoti e dërgoi atë të shuguronte Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin, më 15 maj 18295. Ai e dinte se cili e thirri atë dhe për çfarë qëllimi të lavdishëm u dërgua.

Priftëria juaj ju lejon t’u ofroni sakramentin e Darkës së Zotit anëtarëve të Kishës së Tij sot. Ky është i njëjti privilegj që Shpëtimtari u dha Dymbëdhjetë Apostujve në shërbesën e Tij në jetën e vdekshme. Ai e bëri përsëri këtë kur thirri dymbëdhjetë dishepuj pas Ringjalljes së Tij që të udhëhiqnin Kishën e Tij.

Vetë Zoti, siç përshkruhet në Librin e Mormonit, dha simbolet e sakrificës së Tij të pafund dhe ua administroi ato njerëzve. Mendoni për Të dhe se si Ai ju nderon juve kur kryeni shërbimin tuaj të priftërisë. Kur ju ta kujtoni Atë, ju do të jeni të vendosur ta kryeni atë shërbim të shenjtë sa më ngjashëm me Të që të mundeni, po aq mirë dhe besnikërisht sa e kreu Ai6.

Ajo mund të bëhet një model në jetën tuaj që do t’jua shtojë fuqinë për të qenë të zellshëm në çdo shërbim priftërie për të cilin po ju përgatit Zoti dhe në të cilin Ai do t’ju thërrasë. Ajo vendosmëri do t’ju ndihmojë të përgatiteni për të marrë Priftërinë Melkizedeke, që në lashtësi quhej “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë”7.

Tani, dëshiroj t’u flas atyre që janë thirrur dhe nderuar të shërbejnë në Priftërinë Melkizedeke. Ashtu si Priftëria Aarone, Priftëria Melkizedeke është më shumë se një mirëbesim për të bërë atë që Zoti do të bënte. Është një ftesë për t’u bërë si është Ai. Këtu është premtimi i Tij:

“Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre.

Ata bëhen bijtë e Moisiut dhe të Aaronit dhe fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë.

Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti;

Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;

Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;

Dhe ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati ka, do t’i jepet atij.”8

Ka një model sipas të cilit të gjithë mbajtësve të priftërisë u jepet ai bekim i lavdishëm. Një vend në shkrimin e shenjtë, ku Zoti jep modelin për ne, është në seksionin e 107-të të Doktrinës e Besëlidhjeve:

“Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell.

Ai që është i ngathët nuk do të llogaritet i denjë për të qëndruar dhe ai që nuk e mëson detyrën e tij dhe tregon se nuk e miraton, nuk do të llogaritet i denjë për të qëndruar. Madje kështu. Amen.”9

Ne duhet ta mësojmë detyrën tonë nga Zoti dhe pastaj duhet të veprojmë gjithë zell, pa qenë kurrë dembelë ose të ngathët. Modeli është i thjeshtë por jo i lehtë për ta ndjekur. Ne hutohemi kaq lehtë. Studimi i lajmeve të përditshme mund të duket më interesant se i manualit të mësimeve të priftërisë. Të ulesh për të pushuar, mund të jetë më tërheqëse se caktimi i takimeve për të vizituar ata që kanë nevojë për shërbimin tonë të priftërisë.

Kur e gjej veten të larguar nga detyrat e mia të priftërisë nga interesa të tjera dhe, kur trupi im lyp pushim, e nxis veten me këto fjalë: “Kujto Atë”. Zoti është shembulli ynë i përkryer i zellit në shërbimin e priftërisë. Ai është kapiteni ynë. Ai na thirri. Ai shkon para nesh. Ai na zgjodhi ta ndjekim Atë dhe të sjellim të tjerë bashkë me ne.

Këtë mbrëmje unë e kujtoj Atë dhe kjo më trondit zemrën. Kjo është nata e së shtunës përpara së dielës së Pashkës, kur ne kujtojmë Ringjalljen e Tij. Kujtoj shembullin e Tij në ditët përpara.

Nga dashuria për Atin e Tij dhe për ne, Ai e la Veten të vuante përtej aftësisë së njeriut të vdekshëm. Ai na tregoi diçka nga ajo që kërkoi prej Tij ajo sakrificë e pafund.

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt—dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem—

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.”10

Nga kryqi në Kalvar, Shpëtimtari shpalli: “U krye!”11 Pastaj shpirti i Tij u largua nga Trupi i Tij dhe Trupi i Tij i vdekshëm u vendos me dashuri në një varr. Ai na dha një mësim me atë që bëri në tri ditë në botën e shpirtrave, përpara Ringjalljes së Tij, të cilin e kujtoj kurdoherë që joshem të ndiej se kam përfunduar ndonjë detyrë të vështirë në shërbim të Tij dhe meritoj një pushim.

Shembulli i Shpëtimtarit më jep kurajë që të vazhdoj më tej. Punët e tij në jetën e vdekshme përfunduan, por Ai hyri në botën e shpirtrave i vendosur të vazhdonte punën e Tij të lavdishme për të shpëtuar shpirtra. Ai organizoi punën e shpirtrave besnikë për të shpëtuar ata që ende mund të bëheshin pjesëmarrës të mëshirës që u bë e mundur nga sakrifica e Tij shlyese. Kujtoni fjalët nga seksioni i 138-të i Doktrinës e Besëlidhjeve:

“Por vini re, mes të drejtëve, ai organizoi forcat e tij dhe caktoi lajmëtarë, të veshur me fuqi e autoritet, dhe i urdhëroi ata të shkonin dhe ta çonin dritën e ungjillit tek ata që ishin në errësirë, madje të gjithë shpirtrave të njerëzve; dhe kështu iu predikua ungjilli të vdekurve.

Dhe lajmëtarët e zgjedhur shkuan për të shpallur ditën e pranueshme të Zotit dhe për t’u shpallur liri të robëruarve që ishin të lidhur, madje gjithë atyre që do të pendoheshin për mëkatet e tyre dhe do ta pranonin ungjillin.”12

Kurdoherë që e kujtojmë Atë, bëhet më e lehtë për t’i bërë ballë ngasjes që të dëshirojmë një pushim prej punëve tona të priftërisë. Ne duhet ta kemi kujtuar Atë sot, sepse jemi këtu për të mësuar detyrat tona, të vendosur të bëjmë atë që jemi nën besëlidhje për të bërë, gjithë zell. Dhe për shkak të shembullit të Tij ne do të durojmë deri në fund të detyrave që Ai na jep në këtë jetë dhe do të zotohemi të bëjmë vullnetin e Atit të Tij përgjithmonë, ashtu si Ai qe dhe është i zotuar.

Kjo është Kisha e Zotit. Ai na thirri dhe na besoi edhe pse kemi dobësi, që Ai e dinte që i kemi. Ai i dinte sprovat me të cilat do të përballeshim. Me shërbim besnik dhe përmes Shlyerjes së Tij, ne mund të mësojmë të duam gjërat që Ai do dhe të bëhemi njerëzit e duhur për të bekuar ata të cilëve u shërbejmë në emër të Tij. Ndërsa i shërbejmë Atij për një kohë të mjaftueshme dhe me zell, ne do të ndryshojmë. Ne do të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai.

Kam parë provën e asaj mrekullie në jetën e shërbyesve të Tij. E pashë atë disa javë më parë në dhomën e ndenjjes të një mbajtësi besnik të priftërisë.

E kisha njohur atë si dhjak, baba, peshkop dhe pjesëtar të presidencës së një kunji. Kisha vërejtur për dekada zellin e tij gjatë shërbimit për fëmijët e Perëndisë me priftërinë e tij.

Familja ishte mbledhur rreth tij në dhomën e ndenjjes. Ai po buzëqeshte, i veshur me këmishë të bardhë, kostum dhe kravatë. U befasova, meqë isha atje sepse më kishin thënë që ai qe mes trajtimesh të dhimbshme mjekësore, të cilat ende nuk e kishin shëruar.

Përsëri, ai më përshëndeti siç duhet të kishte përshëndetur qindra vizitorë të tjerë gjatë një jete të tërë shërbimi të priftërisë, duke buzëqeshur. Kisha ardhur ta ndihmoja atë në sprovat që po përballonte, por siç ndodh aq shpesh në shërbimin e priftërisë, isha unë që mora ndihmë dhe mësova.

Ne u ulëm dhe biseduam përzemërsisht. Ai më tregoi se si babai i tij ishte kujdesur për nënën time ndërsa ajo po i afrohej vdekjes. Nuk e kisha ditur këtë. E kuptova atëherë se ai kishte mësuar në djalëri nga ati i tij i zellshëm me priftëri se si të jepte ndihmë. Ai mendim më bëri mirënjohës për ato kohë kur kisha marrë me vete djemtë e mi të vegjël në vizitat e priftërisë për të dhënë ngushëllim dhe bekime.

Pas disa minutash, ai pyeti qetë: “A do të ishte me vend të të kërkoja nëse do të mund të më jepje një bekim?” Ish-presidenti i kunjit të tij, me të cilin kishte shërbyer për vite, ia vajosi kokën me vaj të përkushtuar me fuqinë e Priftërisë Melkizedeke.

Ndërsa vulosa bekimin, mësova nga Fryma e Shenjtë të paktën një pjesë të asaj që Zoti kishte bërë tashmë për këtë mbajtës besnik të priftërisë. Ai qe i pastër, mëkatet e tij ishin hequr. Karakteri i tij kishte ndryshuar që të dëshironte gjërat që dëshiron Shpëtimtari. Ai nuk kishte frikë nga vdekja. Dëshira e zemrës së tij ishte të jetonte që t’i jepte shërbim familjes së tij dhe të tjerë fëmijëve të Atit Qiellor që kishin nevojë për të.

Unë dola që andej natën, mirënjohës që kisha dëshmuar mirësinë e Zotit ndaj atyre shërbëtorëve të Tij të priftërisë të zellshëm pandryshueshmërisht. Ai i ndryshon zemrat e tyre që të duan gjërat që Ai do dhe të veprojnë ashtu si Ai do të vepronte.

E mbyll tani me këtë këshillë për shërbyesit e priftërisë së Zotit. Mendoni thellësisht dhe me zell për shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Këmbëngulni në lutje që Fryma e Shenjtë t’ju zbulojë natyrën e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur. Përgjërohuni që Shpirti t’ju tregojë atë që Zoti dëshiron që të bëni. Planifikoni që ta bëni këtë. Premtojini Atij se do të bindeni. Veproni me vendosmëri derisa të keni bërë atë që Ai kërkoi. Dhe pastaj lutuni që të falënderoni për mundësinë për të shërbyer dhe për të ditur se çfarë mund të bëni pastaj.

Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti jetojnë. Ata janë qenie të ringjallura dhe të përlëvduara që na duan dhe na ruajnë. Çelësat e priftërisë iu rivendosën Profetit Jozef Smith nëpërmjet lajmëtarëve qiellorë. Ata i kanë kaluar në një linjë të pakëputur Presidentit Tomas S. Monson. Ata çelësa mbahen nga secili prej Apostujve të gjallë.

Unë ju lë bekimin tim që ju të mund të ndieni me anë të Shpirtit madhësinë e besimit dhe të premtimeve që keni marrë si shërbyes të shuguruar të priftërisë në Kishën e vërtetë të Zotit, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 128.

  2. Teachings: Brigham Young, f. 128.

  3. Plotësoj Detyrën Time ndaj Perëndisë: Për Mbajtësit e Priftërisë Aarone (broshurë, 2010), f. 5.

  4. Mateu 3:14.

  5. Shih Doktrina e Besëlidhje 13.

  6. Shih 3 Nefi 20:3–9.

  7. Doktrina e Besëlidhje 107:3; shih edhe Alma 13:1–9.

  8. Doktrina e Besëlidhje 84:33–38.

  9. Doktrina e Besëlidhje 107:99–100.

  10. Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.

  11. Gjoni 19:30.

  12. Doktrina e Besëlidhje 138:30–31.