Që Fëmijët Tanë të Mund të Shohin Fytyrën e Shpëtimtarit
Është përgjegjësia jonë e shenjtë si prindër e udhëheqës të këtij brezi të ri fëmijësh, për t’i sjellë ata tek Shpëtimtari.
Disa vite me parë po mësoja një grup udhëheqësesh të fillores për grup-moshën e çerdhes, se si t’u jepnin një mësim të shkurtër ungjilli fëmijëve shumë të vegjël. Njëra prej udhëheqëseve kishte birin e saj të vogël në prehër. Unë mbajta një fotografi të Shpëtimtarit në dorë dhe duke u treguar se si t’u flisnin fëmijëve të njomë, fillova të flisja rreth Jezusit. Vogëlushi rrëshqiti nga prehri i nënës së tij, u çapit drejt meje, pa me ngulm fotografinë dhe preku fytyrën. Në atë pikë të mësimit, unë bëra pyetjen: “Kush është ky?” Me një buzëqeshje në fytyrë, fëmija u përgjigj: “Jezusi.”
Ky fëmijë, në të vërtetë as nuk ishte rritur aq sa të thoshte emrin e vet, por ai e njohu figurën dhe e dinte emrin e Shpëtimtarit. Ndërsa vëzhgova këtë përgjigje të ëmbël, mendova për fjalët e Shpëtimtarit kur Ai tha: “Kërkoni fytyrën e Zotit gjithmonë, që me durim të mund të zotëroni shpirtrat tuaj, dhe ju do të keni jetë të përjetshme” (DeB 101:38).
Çfarë do të thotë të kërkosh fytyrën e Shpëtimtarit? Sigurisht që do të thotë më shumë sesa thjesht të njohësh fotografinë e Tij. Ftesa e Krishtit për ta kërkuar është një ftesë për të ditur se kush është Ai, se çfarë ka bërë Ai për ne dhe se çfarë na kërkon Ai që të bëjmë. Ardhja tek Krishti dhe përfundimisht të parit e fytyrës së Tij, ndodh vetëm kur ne i afrohemi Atij përmes besimit tonë dhe veprimeve tona. Vjen përmes një përpjekje gjatë gjithë jetës. Pra, si e kërkojmë ne Atë në këtë jetë, në mënyrë që të mund të shohim fytyrën e Tij në jetën tjetër?
Ne kemi tek 3 Nefi rrëfimin e një populli, të cilët me të vërtetë panë fytyrën e Shpëtimtarit në këtë jetë. Dhe ndonëse ne mund të mos e shohim Atë tani, ndoshta ne mund të mësojmë nga përvoja e tyre. Pas vdekjes së Shpëtimtarit, Ai iu shfaq këtij populli, i mësoi ata dhe i bekoi ata. Dhe pastaj, “Ndodhi që ai urdhëroi që të silleshin fëmijët e tyre të vegjël” (3 Nefi 17:11).
Është përgjegjësia jonë e shenjtë si prindër e udhëheqës të këtij brezi të ri fëmijësh, për t’i sjellë ata tek Shpëtimtari, në mënyrë që ata të mund të shohin fytyrën e Tij dhe gjithashtu fytyrën e Atit tonë në Qiell. Kur e bëjmë këtë, ne sjellim veten tonë gjithashtu.
Përsëri pyetja: ‘Si e bëjmë këtë, veçanërisht në një botë që është plot me shpërqendrime?’ Tek 3 Nefi, prindërit e donin Zotin. Ata ishin besimtarë. Ata kishin besim në mrekullitë që kreu Jezusi. Ata i donin fëmijët e tyre. Ata i mblodhën për të dëgjuar fjalët e Zotit dhe iu bindën urdhërimit të Tij për t’i sjellë fëmijët tek Ai.
Pasi i kishin sjellë fëmijët, Krishti i kërkoi prindërve të gjunjëzoheshin. Pastaj, Ai bëri për ata, atë që Ai ka bërë për të gjithë ne. Ai iu lut Atit për ta dhe ndërsa e bëri këtë, u tha se lutja e Tij ishte aq e “[madhe] dhe [e] mrekullueshme” sa fjalët nuk mund ta përshkruajnë atë (3 Nefi 17:16). Duke ardhur tek Shpëtimtari dhe duke pranuar Shlyerjen e Tij, këta prindër u forcuan për të bërë gjithçka që ishte e nevojshme për të “sjellë” fëmijët e tyre.
Një nga gjërat e tjera, që Krishti u kërkoi këtyre prindërve për të bërë, gjendet tek 3 Nefi 22:13: “Të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu.”
Dhe kështu, në vijim të vetë përvojave të tyre me Shpëtimtarin, këta prindër nefitë i mësuan fëmijët e tyre rreth Tij. Ata u mësuan atyre që ta donin Zotin. Ata u mësuan atyre ungjillin e Tij. Ata u mësuan atyre se si të jetonin sipas tij. Ata i mësuan aq mirë sa pati drejtësi dhe paqe në tokë për 200 vjet (shih 4 Nefi 1:1–22).
Tani, unë do të doja t’ju kërkoja të shikoni përreth jush, ata që i doni. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi – familja jonë. Jam e sigurt se më shumë se çdo gjë, ju doni që kjo familje të jetë e juaja përjetësisht. Rrëfimi tek 3 Nefi, mund të na ndihmojë të sjellim fëmijët tanë tek Ai, sepse na jep një model për t’u ndjekur. Së pari, ne duhet ta duam Zotin me gjithë zemrën tonë dhe duhet të duam fëmijët tanë. Së dyti, ne duhet të bëhemi një shembull i denjë për ta, duke kërkuar vazhdimisht Zotin dhe duke u përpjekur të jetojmë sipas ungjillit. Së treti, ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë ungjillin dhe se si të jetojnë sipas mësimeve të tij.
Ndjekja e këtij modeli, për të sjellë fëmijët tanë tek Shpëtimtari, është një proces. Le ta shikojmë përsëri modelin. Së pari, ne duhet të mësojmë se si ta duam Zotin dhe familjet tona. Kjo kërkon kohë, përvojë dhe besim. Kërkon shërbim vetëmohues. Pastaj, ndërsa mbushemi me dashurinë e Zotit, ne mund të duam. Ne mund të vajtojmë për atë që bëjmë, por Ai na do dhe është gjithmonë pranë për të na ndihmuar. Kjo është mënyra se si ne duhet të mësojmë të duam fëmijët tanë.
Së dyti, ne duhet të bëhemi shembuj të denjë. Edhe ky është një proces. Nëse duam që fëmijët tanë të vijnë tek Krishti, në mënyrë që të mund të shohin fytyrën e Tij, është e rëndësishme, që edhe ne të synojmë ta shohim atë. Ne duhet ta njohim rrugën për t’ua treguar atyre. Ne duhet të vendosim në rregull vetë jetët tona në mënyrë që fëmijët të mund të na shohin dhe ndjekin. Ne mund të pyesim: “Çfarë shohin fëmijët e mi kur më shikojnë në fytyrë? A shohin shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen time për shkak të mënyrës si e jetoj jetën?”
Tani kujtoni, asnjë prej nesh nuk do të jetë shembull i përsosur për fëmijët tanë, por ne të gjithë mund të bëhemi prindër e udhëheqës të denjë. Përpjekja jonë për të qenë të denjë, është një shembull në vetvete. Ne mund të ndiejmë nganjëherë sikur po dështojmë, por ne mund të vazhdojmë të përpiqemi. Me Zotin dhe nëpërmjet Tij, ne mund të forcohemi për të qenë ata që duhet të jemi. Ne mund të bëjmë atë, që duhet të bëjmë.
Dhe së treti, ne kemi procesin e sjelljes së fëmijëve tanë tek Shpëtimtari duke u mësuar atyre të vërtetat e ungjillit nga shkrimet e shenjta e profetët dhe duke i ndihmuar ata të ndiejnë e dallojnë Shpirtin. Edhe fëmijët shumë të vegjël mund t’i kuptojnë e pranojnë gjërat e një natyre të përjetshme. Ata i duan shkrimet e shenjta dhe ata e duan profetin. Ata natyrshëm duan që të jenë të mirë. Na takon neve që t’i ndihmojmë ata për ta mbajur të hapur këtë lidhje me qiellin. Na takon ne t’i mbrojmë ata nga ndikimet që heqin Shpirtin. Ne mund të gjejmë ndihmë dhe drejtim tek shkrimet e shenjta. Pastaj ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë t’i gjejnë po aty vetë përgjigjet e tyre. Ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë parime të drejta dhe t’i ndihmojmë që t’i zbatojnë ato parime në jetën e tyre. Ne mund t’i udhëheqim ata drejt Shpirtit, në mënyrë që ata të mund të marrin vetë dëshmitë e tyre për të vërtetat që po mësojnë. Ne mund t’i ndihmojmë ata që të gjejnë gëzim në të jetuarin e ungjillit. Kjo do të ndërtojë një themel të fortë besimi dhe bindjeje në jetën e tyre, që do t’i forcojë ata.
Tani, e gjitha kjo nuk ndodh lehtësisht. Rrëfimi mbi nefitët, thotë se ato familje patën 200 vite paqe. Por sigurisht, u kërkoi shumë përpjekje. Kërkon shumë punë të palodhur dhe durim e besim, por nuk ka asgjë më të rëndësishme apo shpërblyese. Dhe Zoti do të na ndihmojë, sepse Ai i do këta fëmijë, madje më shumë se ne. Ai i do ata dhe Ai do t’i bekojë ata.
Ju kujtoni se Ai i bekoi fëmijët nefitë një e nga një dhe duke u lutur për ta (shih 3 Nefi 17:14–17, 21). Pastaj “i foli turmës dhe u tha atyre: Vini re të vegjlit tuaj.
Dhe si u kthyen të shikonin, ata hodhën sytë drejt qiellit dhe panë qiejt të hapen; dhe panë engjëj që po zbritnin nga qielli sikur të ishin në mes të një zjarri; dhe ata zbritën dhe rrethuan të vegjlit e tyre, dhe ata qenë të rrethuar nga zjarri; dhe engjëjt u shërbyen atyre” (3 Nefi 17:23–24).
Si mund të përjetojnë fëmijët tanë bekime si këto sot? Plaku M. Rasëll Ballard ka thënë: “Sigurisht, atyre prej nesh që u janë besuar fëmijë të çmuar, u është dhënë një kujdestari e shenjtë dhe fisnike, sepse ne jemi ata që Perëndia i ka caktuar t’i rrethojnë fëmijët e sotëm me dashuri dhe zjarrin e besimit dhe një kuptim se cilët janë ata” (“Behold Your Little Ones,” Tambuli, tetor 1994, f. 40).
Vëllezër dhe motra, ne jemi engjëjt që Ati Qiellor i ka dërguar sot, për të bekuar fëmijët dhe ne mund t’i ndihmojmë ata që një ditë të shohin fytyrën e Shpëtimtarit ndërsa japim mësim parimet e ungjillit dhe i mbushim shtëpitë tona me gëzimin e të jetuarit të tyre. Së bashku, ne mund të arrijmë ta njohim Atë. Ne mund të ndiejmë nga dashuria e Tij dhe bekimet e Tij. Dhe përmes Tij, ne mund të kthehemi në prani të Atit. Ne e bëjmë këtë kur jemi të gatshëm që të jemi të bindur, besnik e të zellshëm në ndjekjen e mësimeve të Tij.
“Në të vërtetë, kështu thotë Zoti: Do të ndodhë që çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam” (DeB 93:1).
Vëllezër dhe motra, unë e di që Perëndia jeton, Jezu Krishti është Biri i Tij, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai na ka ftuar të vijmë tek Ai dhe na ka urdhëruar të sjellim fëmijët tanë që ne, së bashku, të mund të shohim fytyrën e Tij dhe të jetojmë përjetësisht me Të dhe me Atin tonë në Qiell. Lutja ime është që ne të gjithë të mund të punojmë për të marrë këtë bekim të madh, në emrin e Jezu Krishtit, amen.