Kujtohuni Se Cilat Jeni!
Nuk ka pamje më të bukur se një e re që ndrit me dritën e Shpirtit, që është e sigurt dhe kurajoze, sepse ajo është e virtytshme.
Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor. Ai na do neve dhe ne e duam Atë.1 Unë jam e përulur dhe mirënjohëse të jem në praninë tuaj. Zoti më ka bekuar me një kuptim shumë të qartë se cilat jeni ju dhe përse jeni këtu në tokë në këtë kohë. Zoti ju do juve dhe unë e di se ju e doni Atë. Kjo duket në pamjen tuaj, në modestinë tuaj, në dëshirën tuaj për të zgjedhur të drejtën dhe në angazhimin tuaj për të qëndruar të virtytshme dhe të dëlira.
Së bashku, ne kemi ndarë shumë çaste zgjedhjesh shpirtërore. Ne kemi sjellë dëshmi në kampe dhe në zjarre kampesh, në kisha dhe në biseda rreth vatrës. Ne jemi ngrohur nga zjarri i besimit tonë. Ne jemi ngjitur në male dhe kemi shpalosur flamuj të artë –nga Brazili në Bauntifull – duke treguar angazhimin thellë në zemrat tona për të qëndruar të virtytshme dhe gjithmonë të denja për të hyrë në tempull. Ne jemi lutur, kemi lexuar Librin e Mormonit e kemi buzëqeshur çdo ditë dhe, së bashku me nënat, gjyshet e udhëheqëset tona, po punojmë për Përparimin tonë Personal. Dhe ne vetëm sapo kemi filluar!
Kjo është një kohë e mrekullueshme për të qenë në tokë dhe për të qenë një e re. Vizioni ynë mbetet i njëjti. Ai është që të jemi të denja për të bërë e mbajtur besëlidhje hyjnore dhe që të marrim ordinancat e tempullit. Ky është qëllimi ynë më i lartë! Dhe kështu ne do të vazhdojmë të udhëheqim botën në një kthim te virtyti – një rikthim në dëlirësi dhe në pastërti morale. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për të ndihmuar njëra-tjetrën që “të [qëndrojë] në vende të shenjta”2 dhe të marrë, të njohë e të mbështetet te Fryma e Shenjtë.
Ne do të vazhdojmë të flasim për Krishtin, të gëzohemi në Krisht, që secila prej nesh të dijë te cili burim mund të shohim për një falje të mëkateve tona.3 Dhe po, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fort pavarësisht çfarë stuhish mund të egërsohen rreth nesh, sepse ne e dimë dhe dëshmojmë “se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, Biri i Perëndisë, që [ne] duhet të [ndërtojmë] themelin [tonë] … një bazë mbi të cilën në qoftë se … ndërtoj[m]ë, [ne] nuk mund të [biem]”4.
Këshilla e Zotit për Jozueun është këshilla e Tij për ju sot, “rinia e trashëgimisë fisnike”5. “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.” 6 Ju nuk jeni vetëm! Edhe pse mund të jeni e vetmja shenjtore e ditëve të mëvonshme në shkollën apo grupin tuaj të miqve, madje në familjen tuaj, ju nuk jeni vetëm. Ju mund të mbështeteni në forcën e Zotit. Siç u tha izraelitëve Jozeu: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush”7. Kjo ishte thirrja e Jozueut për një rikthim në virtyt dhe ajo është e njëjta thirrje për ne sot. Ne thjesht nuk mund ta bëjmë punën, që na është rezervuar dhe përgatitur të bëjmë, përveç nëse arrijmë fuqinë dhe besimin që vjen nga të jetuarit e një jete të virtytshme.
Ju jeni të reja me besim të madh. Ju e sollët me vete besimin tuaj kur erdhët në tokë. Alma na mëson se në mbretërinë paratokësore ju demonstruat “[besim] … të jashtëzakonshëm dhe [vepra] të mira”8. Ju luftuat me besimin dhe dëshminë tuaj për të mbrojtur planin që u paraqit nga Perëndia. Ju e dinit se plani ishte i mirë dhe ju e dinit se Shpëtimtari do të bënte dhe do të mund të bënte atë që Ai tha se Ai do të bënte – sepse ju e njihnit Atë! Ju qëndruat me Atë dhe ju ishit të etura për mundësinë tuaj për të ardhur në tokë. Ju e dinit çfarë do të kërkohej prej jush. Ju e dinit se do të ishte e vështirë dhe përsëri ju ishit të sigurta se ju jo vetëm do të mund ta përmbushnit misionin tuaj hyjnor, por se ju mund të sillni një ndryshim. Ju jeni “shpirtra të zgjedhur të cilët u ruajtën që të vinin në plotësinë e kohëve për të marrë pjesë në ngritjen e themeleve të veprës së madhe të ditëve të mëvonshme, duke përfshirë ndërtimin e tempujve dhe kryerjen e ordinancave në ta”9.
Dhe tani ju jeni këtu për të bërë atë që ishit ruajtur dhe përgatitur për të bërë. Ndërsa hedh vështrimin tek juve sonte, pyes veten nëse kështu si ju duhet të kenë ngjasuar mikeshat e ushtarëve të rinj të Helamanit! Nuk është për t’u çuditur që Satani ka rritur intensitetin e sulmeve të tij mbi identitetin dhe virtytin tuaj. Nëse ju mund të trembeni, shkurajoheni, shpërqendroheni, vonoheni apo përjashtoheni nga denjësia për të marrë drejtimin nga Fryma e Shenjtë ose për të shkuar në tempullin e shenjtë të Zotit, ai fiton.
Të reja të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kujtohuni cilat jeni!. Ju jeni të zgjedhura. Ju jeni bija të Perëndisë. Ju nuk mund të jeni një brez të rejash që janë të kënaqura me një “përshtatje”. Ju duhet të keni kurajën të “dalloheni”, të “[ngriheni] e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet”10. Bota do t’ju bënte të besonit se nuk jeni të rëndësishme – se jeni jashtë mode dhe jashtë kontaktit me jetën. Bota ju bën thirrje me zëra të pamëshirshëm zhurmues “gëzojeni jetën”, “provoni gjithçka”, “provoni dhe jini të lumtura”. Në të kundërt, Fryma e Shenjtë pëshpërit dhe Zoti ju fton: “[Ecni] në shtigjet e virtytit …[lini] mënjanë gjërat e kësaj bote … dhe [kapuni] pas besëlidhjeve [tuaja]”11.
Mua gjithnjë më ka pëlqyer historia e djalit të Mbretit Luigji XVI të Francës sepse ai pati një dije të palëkundshme mbi identitetin e tij. Kur qe i ri, ai u rrëmbye nga njerëz të këqinj që kishin rrëzuar nga froni babanë e tij, mbretin. Këta njerëz e dinin se nëse do të mund ta shkatërronin moralisht, ai nuk do të ishte trashëgimtar i fronit. Për gjashtë muaj ata e detyruan atë të kalonte në çdo gjë të ulët që jeta do t’i ofronte dhe përsëri ai asnjë herë nuk iu dorëzua presionit. Kjo i hutoi rrëmbyesit e tij dhe pasi bënë çdo gjë që mund ta mendonin, ata e pyetën si e gjente një forcë të tillë të madhe morale. Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë. Ai tha: “Unë nuk mund të bëj atë që kërkoni ju, sepse kam lindur që të jem mbret”12.
Si djali i mbretit, secila nga ju ka një trashëgimi mbretërore. Secila nga ju ka një trashëgimi hyjnore. “Ju jeni vërtet bija mbretërore të Atit tonë në Qiell.”13 Secila nga ju është lindur të jetë një mbretëreshë.
Kur isha në Universitetin “Brigam Jang”, mësova çfarë do të thotë vërtet të jesh një mbretëreshë. Mua më ishte dhënë një mundësi unikale, bashkë me një grup të vogël studentesh të tjera, të takonim profetin, Presidentin Dejvid O. Mek-Kei. Mua më thanë të vishja fustanin më të mirë dhe të isha gati për udhëtim herët mëngjesin tjetër për në Hantsvil të Jutas, te shtëpia e profetit. Unë nuk do të harroj kurrë përjetimin që pata. Sapo u futëm në shtëpi, ndjeva shpirtin që mbushte atë shtëpi. Ne u ulëm në dhomën e ndenjjes së profetit, përreth tij. Presidenti Mek-Kei kishte veshur një kostum të bardhë dhe ulur pranë tij ishte bashkëshortja e tij. Ai i kërkoi secilës nga neve të shkonim përballë dhe t’i tregonim për veten. Kur shkova përballë, ai zgjati dorën e shtrëngoi timen dhe, kur i tregova për jetën dhe familjen time, ai vështroi thellë në sytë e mi.
Pasi mbaruam, ai u mbështet prapa në karrigen e tij, u zgjat te dora e bashkëshortes dhe tha: “Tani të reja, do të doja që ju të takoni mbretëreshën time”. Atje ulur pranë tij ishte bashkëshortja e tij, Ema Rej Mek-Kei. Edhe pse ajo nuk mbante një kurorë me diamante vezullues, as ishte ulur në një fron, unë e dija se ajo ishte një mbretëreshë e vërtetë. Flokët e saj të bardhë ishin kurora e saj dhe sytë e saj të pastër vezullonin si gurë të çmuar. Ndërsa Presidenti dhe Motra Mek-Kei folën për familjen dhe jetën e tyre së bashku, duart e tyre të gërshetuara flisnin sa volume të tëra mbi dashurinë e tyre. Gëzimi rrezatonte nga fytyrat e tyre. Bukuria e saj ishte nga ato që nuk mund të blihen. Ajo vinte nga vite kërkimi të dhuratave më të mira, duke u bërë e miredukuar, duke kërkuar me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit. Ajo vinte nga vite pune të rëndë, nga të duruarit besnikërisht të provave me optimizëm, nga besimi, forca dhe kuraja. Ajo vinte nga përkushtimi dhe besnikëria e saj e palëkundur ndaj bashkëshortit të saj, familjes së saj dhe Zotit.
Në atë ditë vjeshte në Hantsvil të Jutas, mua më erdhi ndër mend identiteti im hyjnor dhe mësova mbi atë që sot e quaj “bukuri e thellë” – ajo bukuri që shkëlqen nga brendësia. Është ajo lloj bukurie që nuk mund të pikturohet, të krijohet me operacion apo të blihet. Është ajo lloj bukurie që nuk mund të shplahet. Është forca tërheqëse shpirtërore. Bukuria e thellë buron nga virtyti. Ajo është bukuria e të qenit e dëlirë dhe moralisht e pastër. Është lloji i bukurisë që e shihni në sytë e grave të virtytshme si nëna dhe gjyshja juaj. Është bukuria që fitohet nëpërmjet besimit, pendimit dhe respektimit të besëlidhjeve.
Bota i jep aq shumë rëndësi forcës tërheqëse fizike dhe do që ju të besoni se duhet të dukeni si modelet e pakuptueshme në një kapak reviste. Zoti do t’ju tregojë se ju jeni secila e bukur në mënyrë të papërsëritshme. Kur jeni të virtytshme, të dëlira dhe moralisht të pastra, bukuria juaj e brendshme shkëlqen në sytë dhe në fytyrën tuaj. Gjyshi im e kishte zakon të thoshte: “Nëse jetoni pranë Perëndisë dhe hirit të Tij të pafund – juve nuk do t’ju duhet ta tregoni, ajo do të duket në fytyrën tuaj”14. Kur jeni të denja për shoqërinë e Frymës së Shenjtë, ju jeni të sigurta dhe bukuria juaj e brendshme ndrit me shkëlqim. Kështu, “… virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë … [dhe] Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm”15.
Neve na është mësuar se “dhurata e Frymës së Shenjtë … nxit të gjitha aftësitë intelektuale, rrit, zmadhon, shtrin dhe pastron të gjitha pasionet dhe dashuritë… . Ajo frymëzon virtyt, bujari, mirësi, ndjeshmëri, butësi dhe dhembshuri. Ajo zhvillon bukurinë e personit, formon dhe karakterizon”16. Tani, ky është një sekret i madh i bukurisë! Ajo është bukuria që vërejta në shtëpinë e një profeti. Atë ditë unë mësova se bukuria që pashë te Motra Mek-Kei ishte e vetmja bukuri që vërtet ka rëndësi dhe i vetmi lloj bukurie që vazhdon.
Alma bën një pyetje serioze për secilën prej nesh që ta mbajmë parasysh: “A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj?”17
Kohët e fundit, një grup të rejash vizituan zyrën time. Në fund të vizitës, një e re me lotë në sy tha me mirëbesim: “Unë nuk e kisha menduar kurrë veten si të bukur. Unë gjithnjë ndihesha shumë e zakonshme. Por sot, kur kalova te pasqyra në zyrën tuaj, hodha një shikim dhe isha e bukur!” Ajo qe e bukur sepse fytyra e saj shkëlqente me Shpirt. Ajo e pa veten ashtu siç Ati ynë Qiellor e sheh atë. Ajo kishte marrë shëmbëlltyrën e Tij në pamjen e saj. Ajo është bukuri e brendshme.
Të reja, shihni në pasqyrën e përjetësisë. Kujtohuni se cilat jeni! Shikojeni veten siç Ati ynë Qiellor ju sheh. Ju jeni të zgjedhura. Ju jeni me një lindje fisnike. Mos e dëmtoni trashëgiminë tuaj hyjnore. Ju lindët që të jeni mbretëreshë. Jetoni në mënyrë të tillë që të jeni të denja të shkoni në tempull dhe atje të merrni “gjithçka që Ati … ka”18. Zhvilloni bukuri të brendshme. Nuk ka pamje më të bukur se një e re që ndrit me dritën e Shpirtit, që është e sigurt dhe kurajoze, sepse ajo është e virtytshme.
Kujtohuni, ju jeni bija të Atit tonë Qiellor. Ai ju do juve aq shumë saqë Ai dërgoi Birin e Tij për t’ju treguar juve mënyrën se si të jetoni që të mund të riktheheni një ditë tek Ai. Unë dëshmoj se ndërsa ju i afroheni Shpëtimtarit, Shlyerja e Tij e pafund e bën të mundur për ju që të pendoheni, të ndryshoni, të jeni të pastra dhe t’i ngjani Atij me pamjen tuaj. Shlyerja e Tij do t’ju mundësojë të jeni të forta dhe kurajoze kur vazhdoni të ngrini flamurin tuaj për virtyt. Ju jeni të arta. Ju jeni flamuri!
Dhe kështu unë përfundoj me fjalët e Zotit drejtuar secilës prej nesh, bija të Tij të çmuara: “Vër re, … ti je një zonjë e zgjedhur, të cilën unë e kam thirrur”19. “[Ec] në shtigjet e virtytit … [lëri] mënjanë gjërat e [botës] … kapu pas besëlidhjeve që ke bërë … Zbato urdhërimet e mia vazhdimisht dhe një kurorë drejtësie do të marrësh.”20 Për këtë unë dëshmoj në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.