2010
Tregomë Historitë e Jezusit
Maj 2010


Tregomë Historitë e Jezusit

Një besim më i fortë vetjak në Jezu Krisht do t’i përgatisë [fëmijët tuaj] për sfidat me të cilat thuajse sigurisht që do të përballen.

Elder Neil L. Andersen

Kur je caktuar të flasësh në fund të një sesioni të fundit të Konferencës së Përgjithshme, ti dëgjon çdo fjalë, duke dashur të dish cilat pjesë të bisedës tënde do të jepen përpara se të vijë radha jote. Nuk ka tema që caktohen, as koordinim temash. Mënyra e Zotit, gjithsesi, është gjithnjë mënyra më e mirë. Ai merr përpjekjet individuale plot lutje të secilit folës dhe orkestron një simfoni shpirtërore, gjithë zbulesë dhe forcë. Tema që përsëriten, parime të mësuara që ngrihen mbi parime të tjera, paralajmërime profetike, premtime frymëzuese – harmonia hyjnore është një mrekulli! Unë dëshmoj se në këtë konferencë ne kemi dëgjuar dhe ndier mendjen dhe vullnetin e Zotit.

Presidenti Tomas S. Monson e ka përshkruar brezin e ri si “më të mirin e çdo kohe”1 dhe i ka thënë rinisë sonë: “Ju keni ardhur në këtë tokë në një kohë të lavdishme. Mundësitë që keni përpara janë thuajse të pakufizuara”2. Por gjithashtu ai paralajmëroi: “Ne u vendosëm mbi tokë në kohë të trazuara”3. “Është një kohë tolerimi, kur shoqëria në përgjithësi, nuk përfill dhe shkel në mënyrë të zakonshme ligjet e Perëndisë.”4 Ne jemi të rrethuar nga aq shumë gjëra të paracaktuara për të na larguar vëmendjen. “Kundërshtari po përdor çdo mjet të mundshëm për të na futur në grackë në rrjetën e tij të mashtrimit.”5

Ne mbajmë në duart tona brezin e ri. Ata vijnë në këtë tokë me përgjegjësi të rëndësishme dhe aftësi të mëdha shpirtërore. Ne nuk mund të jemi të shkujdesur në mënyrën se si i përgatisim ata. Sfida jonë si prindër dhe mësues nuk është të krijojmë një shpirtësi në shpirtin e tyre, por më shumë të gjallërojmë flakën në shpirtësinë e tyre tashmë të ndezur me zjarrin e besimit të tyre paratokësor.

Këtë pasdite unë dua të theksoj lutjen e një fëmije nga një këngë e Fillores:

Tregomë historitë e Jezusit, dua të dëgjoj.

Çka atij do t’i kërkoja të më tregonte, këtu po të ishte.6

Në botën tonë sot, çdo fëmijë, çdo i ri dhe e re ka nevojë për kthimin e tij apo të saj tek e vërteta. Cilido ka nevojë për dritën e vet, besimin e vet “të paepur dhe të palëvizshëm”7 në Zotin Jezu Krisht, të pavarur nga prindër, udhëheqës të rinisë dhe miq përkrahës.

Historitë e Jezusit mund të jenë si erë e vrullshme nëpër prushin e besimit në zemrat e fëmijëve tanë. Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”8. Historitë e Jezusit, që tregohen dhe ritregohen vazhdimisht, sjellin besim në Zotin Jezu Krisht dhe forcë për krijimin e dëshmisë. A mund të mendoni për një dhuratë më të çmuar për fëmijët tanë?

A janë jeta dhe mësimet e Jezu Krishtit të rrënjosura në mendjen dhe shpirtin e fëmijëve tanë? A mendojnë ata mbi jetën e Shpëtimtarit kur mendojnë çfarë të bëjnë në jetën e tyre? Kjo do të jetë gjithnjë dhe më e rëndësishme në vitet që vijnë.

A e kanë përfytyruar fëmijët tanë këshillin paratokësor9, ku Jezusi – më i madhi i të gjithëve – tha: “Ja ku jam, dërgomë mua”10? A e shohin ata gatishmërinë e tyre për të shërbyer si ndjekje e shembullit të Tij?

A mendojnë ata mbi lindjen e Tij të përulur11, Shpëtimtari i botës vendosur në një grazhd12? A u ndihmojnë rrethanat e Tij që ata të kuptojnë më mirë vendin e saktë të pasurive materiale?

A e dinë ata se Jezusi shpesh mësoi: “Kërkoni dhe do t’ju jepet” 13? A kalojnë në mendjen e fëmijëve tanë lutjet e Tij falënderuese14 dhe lutjet e Tij kërkuese drejtuar Atit të Tij15, kur ata gjunjëzohen në lutje për shqetësimet e veta?

A u kemi treguar atyre për dashurinë që Jezusi ka për fëmijët, se si Ai i mbajti në krahët e Tij, u lut për ta dhe qau16? A e dinë fëmijët tanë se Jezusi qëndron gati “me krahëhapur për t’[i] pranuar”17?

A marrin forcë ata nga historitë e Jezusit agjërues18 – kur u mësojmë ligjin e agjërimit?

A e njohin fëmijët tanë vetminë që Shpëtimtari ndiente kur miqtë e Tij e braktisën dhe kur Ai i pyeti Apostujt e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?”19

A e kanë ndier fëmijët tanë fuqinë e mrekullive të Shpëtimtarit? Jezusi shëroi lebrozin20, i dha dritë të verbërit21. Ai ushqeu 5000 vetë22, qetësoi detin23 dhe ngriti Llazarin nga vdekja24. A besojnë fëmijët tanë se “është nëpërmjet besimit që mrekullitë bëhen”25 dhe a luten ata për mrekullira për vetë jetën tyre?

A kanë marrë fëmijët tanë kurajë nga fjalët e Shpëtimtarit drejtuar kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim”?26

A dinë fëmijët tanë mbi jetën e Tij të përsosur27, shërbesën e Tij vetmohuese, tradhëtimin dhe Kryqëzimin e Tij të egër28? A u kemi dëshmuar atyre për sigurinë e Ringjalljes29 së Tij, të vizitës së Tij te Nefitët në Amerikë30, për shfaqjen e Tij Profetit Jozef Smith në Korijen e Shenjtë31?

A e presin ata rikthimin e Tij madhështor, kur gjithçka do të vendoset drejt dhe çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jezusi është Krishti32?

A thonë fëmijët tanë: “Tregomë historitë e Jezusit, dua të dëgjoj?”33

Të rinjve dhe fëmijëve: Jetoni denjësisht për përgjegjësitë e rëndësishme dhe aftësitë e mëdha shpirtërore që keni. Përpiquni të mësoni më shumë mbi Jezusin, hapni shkrimet e shenjta. Një ide do të ishte ta lexoni përsëri librin e Gjonit dhe pastaj ta diskutoni me prindërit, mësuesit dhe me njëri-tjetrin.

Për baballarët dhe nënat, gjyshërit dhe gjyshet dhe ata pa fëmijë të vetët, që edukojnë me dashuri fëmijë dhe të rinj, këshilla ime është të flasin gjithnjë e më shpesh mbi Jezu Krishtin. Në emrin e Tij të shenjtë ka fuqi të madhe shpirtërore. “Nuk [ka] asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit”34.

Nëna që po i rrisni fëmijët pa baba në shtëpi, unë ju premtoj se kur do të flisni për Jezu Krishtin, ju do të ndieni fuqinë e qiellit që ju bekon.

Pasi bashkëshorti i saj vdiq, Motra Stela Ouks i rriti tre fëmijët e saj të vegjël (përfshi Plakun Dallin H. Ouks35) e vetme si nënë. Një herë ajo tha: “M’u bë e mundur ta dija se Zoti më donte dhe se do të isha e aftë për misionin tim. Ndjeva një dashuri që më rrethonte … [dhe e dija] Ai [do të na mbështeste] përmes vështirësive që [do të] dilnin”36.

Unë u bëj një thirrje të veçantë baballarëve: Lutem bëhuni pjesë e rëndësishme duke u folur fëmijëve tuaj mbi Shpëtimtarin. Ata kanë nevojë për shprehje vërtetuese të besimit tuaj bashkë me ato të nënave të tyre.

Edhe pse mund të ketë raste kur fëmija nuk e dëgjon një zemër besuese, dëshmia juaj për Jezusin do të mbetet në mendjen dhe shpirtin e tij apo të saj. A e mbani mend historinë e Almës që pati zgjedhur rrugën e gabuar? Duke u kthyer ai tha:

“M’u kujtua … [ati im duke folur] … në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, … për të shlyer mëkatet e botës.

Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua”37.

Nëse një fëmijë nuk po dëgjon, mos u dëshpëroni. Koha dhe e vërteta janë në anën tuaj. Në momentin e duhur, fjalët tuaja do të rikthehen si të ishte nga vetë qielli. Dëshmia juaj nuk do t’i braktisë kurrë fëmijët tuaj.

Kur ju flisni me nderim mbi Shpëtimtarin – në makinë, në autobus, në tryezën e drekës, kur ju gjunjëzoheni në lutje, gjatë studimit të shkrimeve të shenjta apo në biseda vonë natën – Shpirti i Zotit do të shoqërojë fjalët tuaja38.

Kur bëni më të mirën, dëshmia për Jezusin do të vijë butësisht dhe pak nga pak në zemrat e fëmijëve tuaj. Ata do të shkojnë tek Ati i tyre Qiellor me lutje të përulur dhe do të ndiejnë ndikimin e tyre nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Një besim më i fortë vetjak në Jezu Krisht do t’i përgatisë ata për sfidat me të cilat thuajse sigurisht që do të përballen39.

Unë u takova me Bill Forrest dhe Debi Hatçings kur ishim studentë në Universitetin “Brigam Jang”. Billi ishte kthyer nga misioni i tij. Ai dhe Debi ranë në dashuri dhe ishin martuar në Tempullin e Oklendit në Kaliforni. Ata krijuan shtëpinë e tyre ne Mesa të Arizonës dhe ishin bekuar me pesë djem dhe dy vajza. Billi dhe Debi u mësuan fëmijëve të tyre ta donin Zotin Jezu Krisht ashtu siç i donte Ai. Biri i tyre, Plaku Daniel Forrest, tani duke shërbyer në Misionin e Meksikës, Oaksaka, tha: “Çdo mëngjes pa munguar asnjëherë, ne gjendeshim atje në tryezë, përpara se të shkonim në shkollë, duke lexuar dhe diskutuar shkrimet e shenjta”.

Bija e tyre Kara, tani e martuar me dy fëmijë të saj, ende kujton gjallërisht babanë e saj që e çonte atë me makinë në aktivitetet e shkollës së mesme herët në mëngjes. Ajo tha: “Babit i pëlqente të mësonte përmendësh citate, shkrime të shenjta dhe poema [dhe gjatë atyre rrugëve herët në mëngjes me makinë] ne praktikonim recitimin e tyre.” Një nga shkrimet e shenjta të parapëlqyera të tij ishte: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, … [ai] nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë [në humnerë] … , për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar”40.

Një të premte përpara së dielës së Pashkës në vitin 2000, saktësisht 10 vite përpara, Bill Forrest shërbente si peshkop në lagjen e Estejt Grouvs, në Arizona. Gjatë rrugës me makinë për në punë, vetëm një milje (1,6 km) larg nga shtëpia, makina e tij u godit nga një kamion zhavorri. Debi dhe fëmijët u larguan nga shtëpia pak pas Billit dhe papritur u gjendën përpara skenës tragjike. Billi nuk i pati mbijetuar aksidentit. Shpirti i pavdekshëm i këtij bashkëshorti dhe babai të dashur befas ishte marrë në shtëpi tek Ai që mposhti vdekjen, Biri i Perëndisë, Ringjalljen e lavdishme të të cilit ata do ta festonin së bashku në atë të diel Pashke.

Si e gjetën Debi dhe shtatë fëmijët e saj (më i vogli vetëm pesë vjeç) forcën që u duhej? Kara, 15 vjeç në kohën e aksidentit të babait të saj, më tregoi kohët e fundit: “Unë u jam mirënjohëse [mamasë dhe babait] për mënyrat se si më mësuan [mbi Shpëtimtarin]. Ata i hapnin shkrimet e shenjta me mua, luteshin me mua dhe ishin shembuj të dashamirësisë, dashurisë dhe durimit [të Shpëtimtarit] … Pashka [është] një kohë me ndjeshmëri në jetën time çdo vit, kur mendoj për jetën, misionin dhe ringjalljen e Shpëtimtarit dhe kujtohem për jetën e babait tim tokësor.”

Plaku Daniel Forrest tha: “Unë isha 10 vjeç kur babai im ndërroi jetë. Ishte kohë e vështirë … Nëna ime ka qenë gjithnjë shembull i mësimeve të Shpëtimtarit. Unë mbaj me vete distinktivin me emrin e babait nga misioni i tij në Spanjë. [Dy] citatet e mia të parapëlqyera nga babai im [janë]: ‘Dy burra mund të bëjnë çdo gjë për sa kohë njëri prej tyre është Zoti’ dhe ‘Shpëtimtari duhet të jetë themeli ynë. Pa atë ne ngecim.’”

Besimi në Jezu Krisht ka mbushur zemrat e fëmijëve të Forrestit. Në këtë fundjave Pashke, 10 vite që nga vdekja e babait të tyre, ata e ndiejnë thellë mungesën e tij, por therja e vdekjes “është gëlltitur në Krishtin”41. Ata e dinë, në saje të dhuratës së pallogaritshme të Shpëtimtarit, se mund të jenë me babanë e tyre tokësor dhe me Atin e tyre Qiellor përsëri.

Tregomë historitë e Jezusit.

Pas një momenti ne do të dëgjojmë nga Profeti i Perëndisë. Duke folur për profetin e Tij, Zoti tha: “Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime”42. Unë dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson është zëdhënësi i Zotit në tokë.

Unë dëshmoj se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit. Jeta e Tij, Shlyerja e Tij, Ringjallja e Tij, rikthimi i Tij janë po aq të sigurt sa edhe dielli që lind. Emri i Tij qoftë i lavdëruar përherë dhe gjithmonë43. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Tomas S. Monson, “Të Vërteta të Përhershme për Kohë që Ndryshojnë”, Liahona, maj 2005, f. 19.

  2. Tomas S. Monson, “Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 123.

  3. Tomas S. Monson, “Shembuj Drejtësie”, Liahona, maj 2008, f. 65.

  4. Tomas S. Monson, “Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2009, f. 109.

  5. Tomas S. Monson, “Gjersa të Takohemi Përsëri”, Liahona, maj 2009, f. 113.

  6. “Tell Me the Stories of Jesus”, Children’s Songbook, f. 57.

  7. Alma 1:25.

  8. Gjoni 14:6.

  9. Shih Abrahami 3:2–28.

  10. Abrahami 3:27.

  11. Shih Lluka 2.

  12. Shih Lluka 2:7.

  13. 3 Nefi 27:29.

  14. Shih Lluka 10:21.

  15. Shih Lluka 11:2–4.

  16. Shih 3 Nefi 17:11–24.

  17. Mormoni 6:17.

  18. Shih Lluka 4:1–13.

  19. Gjoni 6:67. Duke i folur rinisë vitin e kaluar, Presidenti Monson tha: “Ju … do të thirreni për të mbrojtur atë që ju besoni. Po qe se rrënjët e dëshmisë tuaj nuk janë mbjellë me vendosmëri, do të jetë e vështirë për ju të përballoni talljet e atyre që vënë në dyshim besimin tuaj” (Liahona, maj 2009, f. 126).

  20. Shih Marku 1:40–42.

  21. Shih Lluka 18:35–43.

  22. Shih Marku 6:34–44.

  23. Shih Marku 4:35–41.

  24. Gjoni 11:8–53.

  25. Moroni 7:37.

  26. Marku 5:36.

  27. Shih 1 Pjetri 2:21–25.

  28. Shih Lluka 22:47–48; 23:32–46.

  29. Shih Gjoni 20:11–23.

  30. Shih 3 Nefi 11–26.

  31. Shih Joseph Smith – Historia 1:17.

  32. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:104.

  33. “Tell Me the Stories of Jezus.”

  34. Mosia 3:17.

  35. Plaku Dallin H. Ouks komentoi një herë: “Kur isha djalë, kaloja shumicën e mbrëmjeve duke lexuar libra. Një nga librat e mia të parapëlqyer ishte Hurlbut’s Story of the Bible … , [një] libër [me] 168 tregime nga Bibla. Mua më pëlqenin këto tregime dhe i lexoja shumë herë” (“Bible Stories and Personal Protection”, Ensign, nëntor 1992, f. 37).

  36. Stella Oaks, “Thy Will Be Done”, në Leon R. Hartshorn, përmb., Remarkable Stories from the Lives of Latter-day Saint Women, vëllimi i 2-të (1973–1975), 2:184.

  37. Alma 36:17–18.

  38. Në botën tonë sot ne kemi më shumë se kurrë nevojë për fjalët e Enosit mbi babanë e tij që të jenë fjalët e fëmijëve tanë për ne: “Fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme … më hynë thellë në zemrën time. Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim” (Enosi 1:3–4).

  39. Presidenti Monson i premtoi rinisë: “Kur mbillet me vendosmëri, dëshmia juaj për ungjillin, për Shpëtimtarin dhe për Atin tonë Qiellor do të ndikojë gjithçka bëni gjatë gjithë jetës tuaj… . Dëshmia juaj, kur ushqehet vazhdimisht, do t’ju mbajë të siguruar” (Liahona, maj 2009, f. 126).

  40. Helamani 5:12.

  41. Mosia 16:8.

  42. Doktrina e Besëlidhje 21:5.

  43. Shih Alma 26:12.