Breza të Lidhur me Dashuri
Malli ynë i lindur për lidhjet familjare, përmbushet kur bashkohemi me paraardhësit tanë përmes ordinancave të shenjta të tempullit.
Korrespondenca që marrim gjatë Pashkëve ose Krishtlindjeve sjell kujtime rifreskuese të miqve dhe të të afërmve të dashur. Disa prej këtyre mesazheve pasurohen me fotografi familjare të çmuara. Këtu kam një, që me të vërtetë, tërhoqi vëmendjen time.
Kjo është një prej stërmbesave tona. Do ta quaj “E Dashura Rubi”. Kjo fotografi më kujtoi nënën e saj, kur ishte përafërsisht në të njëjtën moshë. Nga dosjet e mia, tërhoqa këtë fotografi të nënës së të “Dashurës Rubi” – një prej mbesave tona.
E bëra këtë fotografi të nënës së të “Dashurës Rubi” rreth 29 vite më parë. Sytë e saj janë ende po aq blu.
Kujtime të dashura dolën nga një gjysmë shekulli më parë, kur gjyshja e të “Dashurës Rubi” – një prej bijave tona – ishte në atë kohë anëtarja më e re e familjes sonë. Kjo është një prej fotografive të saj si foshnjë. Tani, ajo është një gjyshe e dashur dhe unë jam stërgjyshi i të “Dashurës Rubi”. (Unë nuk do jua tregoj fotografinë time kur isha foshnjë. Nuk do të ndihmonte.) Këto fotografi të bëjnë të mendosh për dashurinë, që lidh së bashku katër brezat tanë.
Kur mendoj për dashurinë që ndiej për çdo anëtar të familjes sonë, unë ndiej, në një shkallë të vogël, dashurinë që Ati ynë Qiellor ka për fëmijët e Tij. Ndërsa, nëpër botë, familja është nën sulm, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shpall, përkrah dhe mbron të vërtetën se familja është qendrore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” dhe përpjekjet e gjëra për historinë tonë familjare janë vetëm dy prova, të asaj se si kjo Kishë sjell shpresë e ndihmë për institucionin e shenjtë të familjes.
Ne japim mësim se dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij është e pafundme. Pavarësisht racës, kombësisë apo gjinisë, Ai i do të gjithë ata1. Ai e ka bërë këtë që prej fillimit dhe do të vazhdojë po kështu. Ai i fton të gjithë të marrin ekzaltimin e përjetshëm për familjen e tyre. Vepra e Tij dhe lavdia e Tij është të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme – ekzaltimi – i fëmijëve të Tij2. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”3
Shlyerja e Birit të Tij të Dashur bëri të mundur, që të përmbusheshin të dy qëllimet e Atit. Pa Shlyerjen, nuk do të kishte pavdekësi. Pa Shlyerjen, nuk do të kishte kthim në praninë e Atit dhe as vazhdimësi të familjes përtej varrit.
Për shkak të Shlyerjes, këto bekime më të larta mund të fitohen nga secili prej fëmijëve të Perëndisë që i bindet ligjeve të Tij të përjetshme. Përgjatë kohërave, shumë prej fëmijëve të Tij e kanë pasur mundësinë për bekimet e ungjillit, por shumë më tepër nuk e kanë pasur. Përpara themelimit të botës, Ati ynë Qiellor krijoi ordinancën e pagëzimit për ata që vdesin pa një njohuri të ungjillit4. Ai i do këta fëmijë, gjithashtu.
Ai, gjithashtu, ofroi një rrugë për ata që të ishin pjesë e një familjeje të përjetshme. Çdo qenie njerëzore që vjen në këtë tokë është produkt i brezave të prindërve. Ne kemi një mall të natyrshëm që të lidhemi me paraardhësit tanë. Kjo dëshirë rron në zemrat tona, pavarësisht moshës.
Merrni parasysh lidhjet shpirtërore që krijohen, kur një e re ndihmon gjyshen e saj të përfshijë të dhëna familjare në kompjuter, ose kur një i ri sheh emrin e katragjyshit të tij në një pllakë monumenti mbi varr. Kur zemrat tona kthehen tek paraardhësit tanë, diçka ndryshon brenda nesh. Ne ndihemi pjesë e diçkaje më të madhe se vetvetja. Malli ynë i lindur për lidhjet familjare, përmbushet kur bashkohemi me paraardhësit tanë përmes ordinancave të shenjta të tempullit.
Për shkak të rëndësisë së kësaj pune, Kisha ka ndërtuar tempuj më afër njerëzve5 dhe kërkimi për historinë familjare, po lehtësohet si kurrë më parë. Edhe metodat për të gjetur e përgatitur emrat për ordinancat e tempullit po përmirësohen. Në konferencën e tetorit 2005, Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli një hap emocionues përpara për historinë familjare dhe punën e tempullit. Ai tha: “Një nga aspektet më shqetësuese të aktivitetit tonë në tempull është se, [ndërsa] ndërtojmë sa vjen e më shumë tempuj … në mbarë botën, përpjekjet për punën mëkëmbëse në tempull, ripërsëriten për të njëjtin person… . Për këtë arsye, jemi angazhuar prej disa kohësh në një ndërmarrje shumë të vështirë… . Zgjidhja qëndron në teknologjinë e ndërlikuar kompjuterike.”6
Që atëherë, jo vetëm që ripërsëritja është pakësuar, por procedurat janë thjeshtuar në mënyrë që praktikisht çdo anëtar i Kishës mund të marrë pjesën në punën në tempull dhe të historisë familjare. Kanë ikur ditët kur kjo punë e shenjtë bëhej vetëm prej specialistëve. Pavarësisht rrethanave tuaja, ju mund ta bëni historinë familjare pjesë të jetës suaj pikërisht tani. Si fillim, fëmijët mund të vizatojnë një pemë familjare. Rinia mund të marrë pjesë në pagëzime mëkëmbëse. Ata gjithashtu, mund të ndihmojnë brezin më të vjetër që të punojnë me kompjuterët. Prindërit mund t’u tregojnë pasardhësve të tyre histori të jetës së tyre. Anëtarët e rritur të denjë mund të mbajnë një rekomandim tempulli dhe të kryejnë ordinancat e tempullit për vetë të afërmit e tyre.
Profeti Jozef Smith tha: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne, është që të kërkojmë të vdekurit tanë”7. Teknologjia e re e bën më të lehtë se kurrë, përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Tashmë, puna e tempullit dhe e historisë familjare është lehtësuar nga një sistem që njihet si “new FamilySearch”8. Ky sistem i bazuar në internet, i ndihmon anëtarët të identifikojnë paraardhësit e tyre, të përcaktojnë se çfarë pune ordinance duhet bërë për ta dhe të përgatisin emrat e tyre për tempullin. Mund të hysh në të nga shtëpia, një qendër e historisë familjare9, ose kudo ku interneti është i disponueshëm. Hapat janë të lehtë për t’u ndjekur10.
Së pari, identifikoni individët për të cilët dëshironi të bëni punën në tempull.
Pastaj printoni një Kërkesë për Ordinancë Familjare. Ky dokument ofron të dhënat që duhen në tempull dhe eliminon nevojën për të marrë disqe kompjuteri me vete.
Në tempull, nga Kërkesa për Ordinancë Familjare printohen skedat e ordinancës. Pasi një ordinancë është kryer, ajo regjistrohet dhe futet po atë ditë në new FamilySearch.
Tani, po për ata prej jush që nuk kanë kompjuter në dispozicion apo që nuk u parapëlqen ta përdorin këtë teknologji? Mos u shqetësoni! Bëjini hapat një nga një. Filloni në shtëpi. Filloni me një kuti kartoni bosh, siç ka sugjeruar Presidenti Bojd K. Paker11. Vendosni në atë kuti, të dhëna të rëndësishme për veten dhe familjen tuaj. Shtoni të dhëna që kanë mbledhur anëtarë të tjerë të familjes suaj. Pastaj kërkoni ndihmë për veten nga këshilltari për historinë familjare i lagjes ose degës suaj. Sistemi i new FamilySearch mundëson, që një këshilltar, të kryejë të gjitha punët e nevojshme kompjuterike për ju, përfshirë përgatitjen e emrave për tempullin. Rreth 60.000 këshilltarë shërbejnë nëpër botë. Një i tillë në lagjen ose degën tuaj, mund t’ju ndihmojë së tepërmi.
Sistemi i new FamilySearch e ndryshon rrjedhën e punës së historisë familjare duke lehtësuar krijimim e një diagrame të përbashkët. Në të shkuarën, një individ punonte veçmas, duke i mbajtur vetë të dhënat familjare të tijat, ose të sajat. Dikush shpesh punonte, pa e ditur se çfarë po bënin anëtarë të tjerë të familjes. Tani, çdo individ mund të ofrojë të dhëna duke bashkërenduar me të tjerët në formimin e pemës së tyre familjare.
Edhe pse new FamilySearch është një hap gjigand para, përsëri është thjesht një hap. Ka akoma punë përpara. Meqenëse sistemi e lehtëson hyrjen në të dhënat që i janë paraqitur Kishës që prej shumë dekadash, nga shumë burime, new FamilySearch mund të shfaqë hyrje të të dhënave dy herë, apo gabime që nuk janë njohur më parë. Kjo karakteristikë vlen veçanërisht, për ata me origjinë nga pionerët e hershëm. Ripërsëritjet apo gabimet kanë nevojë për korrigjim dhe asnjë nuk mund ta bëjë më mirë, sesa çdo individ për vetë familjen e tij ose të saj.
Mund të irritoheni kur të punoni përmes këtyre sfidave. Ju lutem jini të sigurt që shqetësimet tuaja kuptohen më së miri. Kisha, nën udhëheqjen e frymëzuar të Presidentit Tomas S. Monson, po punon me zell që t’ju ndihmojë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Së bashku, po përpiqemi të organizojmë pemën familjare për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Kjo është një përpjekje e jashtëzakonshme, me shpërblime të pamasa.
Kjo është punë e gëzueshme. Shikoni këtë fotografi të të kthyerve të rinj në besim duke bërë punën në tempull, për vetë të afërmit e tyre. Këta shenjtorë të dashur janë nga Kunji Ilopango i El Salvadorit në San Salvadorit dhe po frekuentojnë për herë të parë Tempullin e Gatemala-Sitit. Ata po mbajnë skedat e tyre të tempullit, secila me emrin e një të afërmi të vdekur për të cilët kanë kryer një pagëzim mëkëmbës.
Në mënyrë që përpjekjet e Kishës për historinë familjare të kenë sukses, udhëzimi i priftërisë dhe udhëheqja janë thelbësore. Udhëheqësit japin mësim dhe dëshmojnë për doktrinën, që është baza e kësaj pune të shenjtë12. Ata japin thirrje dhe kujdesen që udhëzimi të jetë i disponueshëm13. Ata e shohin aktivitetin në tempull dhe atë për historinë familjare, si një mënyrë për të ngritur shpirtin e lagjes së tyre, për të forcuar rrënjët shpirtërore të të kthyerve të rinj në besim dhe për të bekuar jetën e të gjithë anëtarëve.
Megjithëse puna në tempull dhe e historisë familjare ka fuqinë të bekojë ata përtej velit, ajo ka po atë fuqi për të bekuar të gjallët. Ka një ndikim pastrues mbi ata që përfshihen në të. Ata vërtet po ndihmojnë në ekzaltimin e familjeve të tyre.
Ne do jemi të ekzaltuar kur të mund të jetojmë së bashku me familjet e të afërmve tanë në prani të Perëndisë së Plotfuqishëm. Profeti Jozef Smith e parashikoi detyrën tonë: “Dita e madhe e Zotit është pranë … ”, tha ai. “Si rrjedhim, ne, si një kishë e si një popull dhe Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, le t’i ofrojmë Zotit një blatim me drejtësi; dhe le të paraqesim në tempullin e tij të shenjtë … një libër që përmban analet e të vdekurve tanë, të cilët do të jenë të denjë për t’u pranuar plotësisht.”14
Përgatitja e këtij anali është përgjegjësia jonë vetjake dhe e përbashkët. Ndërsa punojmë së bashku, ne mund ta bëjmë atë të denjë për t’u pranuar plotësisht nga Zoti. Ky anal mundëson që ordinancat të kryhen për paraardhësit tanë të vdekur dhe të pranohen nga ata, sipas zgjedhjes së tyre. Këto ordinanca mund të sjellin liri për të robëruarit në anën tjetër të velit15.
Fëmijët, nipërit e mbesat tona, të “Dashurat Rubi” tona dhe të gjithë stërnipërit e stërmbesat tona lidhen me dashuri. Ata gjithashtu lidhen në dashuri me paraardhësit. Këto lidhje, të bashkëngjitura përmes ordinancave të shenjta, çojnë në ekzaltimin e familjeve tona16. Që ky qëllim i shenjtë të mund të plotësohet për secilin prej nesh, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.