Plaku Jairo Mazagardi
Nga të Shtatëdhjetët
Plaku Jairo Mazagardi e di se, ç’do të thotë të bësh sakrifica në shërbim të Zotit. Në vitin 1990, Plaku Mazagardi, mori një telefonatë nga Presidenti Tomas S. Monson, kur ishte këshilltar në Presidencën e Parë, që i telefonoi për të kryesuar Misionin Brazilian të Salvadorit.
“Asnjëherë nuk kisha ëndërruar, që do të isha president misioni,” thotë Plaku Mazagardi. “Kisha qenë president kunji për më pak se pesë vjet. Punët në biznesin tonë qenë të shumta – dhe ecën mirë. Të pranoje këtë thirrje nënkuptonte të lije gjithçka pas.”
Në fund të bisedës telefonike, Presidenti Monson, i dha kohë Plakut Mazagardi që të mendohej për thirrjen. Por Plaku Mazagardi dhe bashkëshortja e tij e kishin vendosur, që vite më parë, se jeta e tyre do t’i përkushtohej Zotit, kështu që, ai e pranoi menjëherë thirrjen. “Çfarëdo që Zoti kërkon nga ne, jemi të gatshëm ta bëjmë,” thotë ai.
Para thirrjes së tij në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve, Plaku Mazagardi shërbeu si këshilltar i peshkopit, këshilltar i lartë, këshilltar në një presidencë kunji, president kunji, përfaqësues rajonal, i Shtatëdhjetë Zone, këshilltar në presidencën e Tempullit të Kampinas në Brazil dhe president i Tempullit të Sàn-Paulos në Brazil.
Plaku Mazagardi, një sipërmarrës, kaloi pjesë të karrierës së tij në industrinë e mishit dhe më vonë zotëroi një kompani pronësish të patundshme. Ai shërbeu gjithashtu, në ushtrinë braziliane si rreshter artilerie nga viti 1965 deri më 1966-n. Ai u lind në prill 1947, në Itu të Brazilit, nga Antonio dhe Margarida Mazagardi. Ai u rrit atje dhe në Jundiaí të Brazilit. Ai dhe gruaja e tij, Elisabeta Iene, u takuan që fëmijë dhe u martuan në Hoboken të Nju Xhersit, në korrik të vitit 1970.
Megjithëse për vite, nuk qenë të interesuar për Kishën, pasi familja Mazagardi u kthye në Brazil, një mik i ftoi të ndiqnin shtëpinë e hapur të Tempullit të Sàn-Paulos në Brazil. Aty, që të dy, patën përvoja të fuqishme shpirtërore. Ata u pagëzuan në 31 tetor 1978 dhe u vulosën si familje në nëntor 1979. Çifti Mazagardi ka tre fëmijë.