5
Cili Është Roli i Librit të Mormonit?
Hyrje
Libri i Mormonit është një fakt i fuqishëm i hyjnueshmërisë së Jezu Krishtit dhe një provë e Rivendosjes nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ai u jep përgjigje “pyetjeve të Shpirtit” (shih Predikoni Ungjillin Tim, f. 107) që shumë nga fëmijët e Atit Qiellor kanë rreth jetës së tyre. Një pjesë thelbësore e kthimit në besim është marrja e një dëshmie nga Fryma e Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Një misionar i ardhshëm duhet ta studiojë përditë Librin e Mormonit, të ketë një dëshmi vetjake për Librin e Mormonit dhe të fitojë përvojë duke ua dhënë atë dëshmi të tjerëve.
Përgatitja Paraprake
Studiojini 1 Nefin 10:14; 2 Nefin 3:12; 3 Nefin 16:4–5; 20:13.
Studiojeni bisedën “The Book of Mormon: A Witness with the Bible”, Ensign, tetor 2011, f. 24–27.
Studioni te Predikoni Ungjillin Tim, faqet 107–112.
Përgatituni të shfaqni materialin filmik “The Book of Mormon—a Book from God” [“Libri i Mormonit – Një Libër nga Perëndia”] (01:55; pjesë filmike nga biseda e Plakut Ted R. Callister, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 74–76, të mundësuar në lds.org/media-library.
Përgatituni të shfaqni materialin filmik “A Book of Mormon Story” [“Një Histori për Librin e Mormonit”] (05:15), të mundësuar në LDS.org.
Sugjerime për Mësimdhënien
Libri i Mormonit Është Fakt i Fuqishëm i Hyjnueshmërisë së Jezu Krishtit
Ftojini studentët t’i vështrojnë kopjet e tyre të Librit të Mormonit ose të mbajnë lart një kopje që ta shqyrtojë klasa. Më pas bëni pyetjet vijuese:
Po të mos dinit asgjë rreth Librit të Mormonit, çfarë do të mësonit thjesht nga leximi i nëntitullit (Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit)?
Çfarë do të prisnit të gjenit brenda librit?
Bëjini studentët të shkojnë te faqja e titullit të Librit të Mormonit dhe të lexojnë paragrafin e dytë, duke u kushtuar vëmendje atyre gjërave për të cilat shkruesit e Librit të Mormonit donin ta bindnin botën. Më pas, pyetni:
Për çfarë donin ta bindin botën shkruesit e Librit të Mormonit?
Shkruajeni sa vijon në tabelë: Një qëllim qendror i Librit të Mormonit është t’i bindë të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti.
Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë pjesën e titulluar “Libri i Mormonit Dëshmon Për Krishtin” në faqen 109 te Predikoni Ungjillin Tim ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar mënyrat në të cilat Libri i Mormonit shërben si një dëshmi për Jezu Krishtin.
Më pas, pyetini studentët:
Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit shërben si një dëshmi për Jezu Krishtin?
Si e ka forcuar Libri i Mormonit dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?
Ftojini anëtarët e klasës t’i japin dëshminë e tyre vetjake për Librin e Mormonit një anëtari tjetër të klasës, të tregojnë përvojat e tyre me leximin dhe lutjen rreth tij ose fragmentet e tyre të parapëlqyera rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij. Thuajuni studentëve se një nga gjërat më të rëndësishme që ata mund të bëjnë përpara se të hyjnë në QTM është ta lexojnë Librin e Mormonit në gjithë plotësinë e tij e të luten për vërtetësinë e tij. Nxitini studentët ta ndjekin këshillën e Presidentit Ezra Taft Benson drejtuar anëtarëve të Kishës që të lexojnë 30 minuta në ditë nga Libri i Mormonit.
Bibla dhe Libri i Mormonit e Mbështetin Njëri-Tjetrin
Bëjini studentët të shkojnë te faqja 110 te Predikoni Ungjillin Tim. Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga pjesa e titulluar “Bibla dhe Libri i Mormonit Mbështesin Njëri-Tjetrin”.
Më pas, pyetni:
Cilat janë disa nga mënyrat në të cilat Libri i Mormonit dhe Bibla e mbështetin njëri-tjetrin?
Pse misionarët duhet t’i përdorin edhe Librin e Mormonit edhe Biblën teksa i ndihmojnë të tjerët që ta mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetën që vijon: Libri i Mormonit dhe Bibla punojnë së bashku si dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe mësimeve të Tij.)
Për ta ndihmuar klasën ta kuptojë këtë koncept, kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë 2 Nefin 3:12. Bëjeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë Ezekielin 37:15–17. Thuajini klasës të shikojë për të gjetur frazat që e kanë fjalën për Biblën dhe frazat që e kanë fjalën për Librin e Mormonit. Pas leximit të këtyre fragmenteve, pyeteni klasën:
Si e mbështetin këto shkrime të shenjta idenë e dy dëshmitarëve?
Çfarë bekimesh u premtuan si rrjedhojë e bashkimit të Librit të Mormonit dhe Biblës?
Për ta ilustruar më tej mënyrën se si Libri i Mormonit dhe Bibla së bashku shërbejnë si dëshmitarë të Jezu Krishtit, bëjeni një student ta lexojë atë që vijon nga Plaku Ted R. Kelister, i Të Shtatëdhjetëve, ose shfaqeni pjesën filmike të citimit.
“Përse Libri i Mormonit është kaq thelbësor kur ne e kemi tashmë Biblën për të na mësuar rreth Jezu Krishtit? A e keni pyetur ndonjëherë veten pse ka kaq shumë fe të krishtera në botë sot kur ato e marrin doktrinën e tyre kryesisht nga e njëjta Bibël? Kjo ndodh sepse ato e interpretojnë Biblën në mënyra të ndryshme. Nëse ato do ta interpretonin njësoj, ato do të ishin e njëjta kishë. Kjo nuk është gjendja që Zoti dëshiron, pasi apostulli Pal shpalli se ‘është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm’ (Efesianëve 4:5). Për të ndihmuar që të ndodhë ky unitet, Zoti vendosi një ligj hyjnor dëshmitarësh. Pali dha mësim: ‘Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve’ (2 Korintasve 13:1).
Bibla është njëri dëshmitar i Jezu Krishtit; Libri i Mormonit është tjetri. Përse ky dëshmitar i dytë është kaq vendimtar? Shembulli i mëposhtëm pamor mund të ndihmojë: Sa vija të drejta mund të vizatoni duke u nisur nga një pikë e vetme në një letër? Përgjigjja është një numër të pafund. Mendoni për një çast se pika e vetme përfaqëson Biblën dhe ato qindra vija të drejta të vizatuara nga ajo pikë përfaqësojnë interpretimet e ndryshme të Biblës dhe se secili nga ato interpretime përfaqëson një fe të ndryshme.
Mirëpo çfarë ndodh, nëse në atë letër, ka një pikë të dytë që përfaqëson Librin e Mormonit? Sa vija të drejta mund të vizatoni midis këtyre pikave të referimit: Biblës dhe Librit të Mormonit? Vetëm një. Vetëm një interpretim i doktrinave të Krishtit mund të ekzistojë me dëshminë e këtyre dy dëshmitarëve.
Libri i Mormonit vepron vazhdimisht si një dëshmitar vërtetues, qartësues e bashkues i doktrinave që jepen mësim në Bibël, në mënyrë që të jetë ‘një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm’” (“Libri i Mormonit – një Libër nga Perëndia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 75).
Pasi ta shfaqni materialin filmik ose ta lexoni citimin, pyetni:
Cila është vlera e pasjes së dy dëshmitarëve të Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta?
Çfarë mësoni nga biseda e Plakut Kelister që mund t’ju ndihmonte t’i mësonit të tjerët rreth mënyrës se si Libri i Mormonit dhe Bibla veprojnë së bashku?
Roli i Libri i Mormonit në Mbledhjen e Izraelit
Për të siguruar kontekstin teksa e jepni mësim parimin e ardhshëm, mund t’i bëni studentët ta rilexojnë paragrafin e dytë te faqja e titullit të Librit të Mormonit e të nënvizojnë ose theksojnë me ngjyrë premtim që lexuesit të mund t’i “dinë besëlidhjet e Zotit, që ata nuk janë braktisur përgjithmonë”. Shpjegoni se ky paragraf e hedh fjalën te fakti që fëmijët e Perëndisë në shtëpinë e shpërndarë të Izraelit duhet të mblidhen. Kujtojuni studentëve se Perëndia bëri besëlidhjet me fëmijët e Tij në lashtësi. Sidoqoftë, Zoti i shpërndau pjesëtarët e shtëpisë së Izraelit nëpër tokë si rrjedhojë e padrejtësisë dhe kryengritjes së tyre.
Caktojini studentët që të lexojnë një prej fragmenteve vijuese të shkrimeve të shenjta dhe të kërkojnë mënyrën se si mblidhen fëmijët e Perëndisë: 1 Nefi 10:14; 3 Nefi 16:4–5 ose 3 Nefi 20:13. Pastaj bëni pyetje si ato vijuese për t’i ndihmuar ata ta përcaktojnë doktrinën e dhënë mësim në këto fragmente të shkrimeve të shenjta:
Sipas këtyre fragmenteve, çfarë duhet të ndodhë që individët të mbledhjen si pjesë e shtëpisë së Izraelit? (Ata duhet të sillen te njohuria për Jezu Krishtin.)
Cili është roli i Librit të Mormonit në këtë proces? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Libri i Mormonit shërben si mjet për të ndihmuar të mblidhen fëmijët e Perëndisë duke i ndihmuar ata të vijnë te një njohuri për Jezu Krishtin.)
Lexojeni thënien vijuese në të cilën Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, flet mbi rolin e Librit të Mormonit në mbledhjen e Izraelit.
“Për sa i përket mbledhjes së Izraelit, Libri i Mormonit është libri më i rëndësishëm që është shkruar apo do të shkruhet ndonjëherë. Ai është libri që e mbledh Izraelin dhe që e zbulon, në qartësi e përsosuri, doktrinën e mbledhjes. … Është Libri i Mormonit që shkakton që njerëzit ta besojnë ungjillin dhe të bashkohen me Kishën dhe, sikurse e kemi parë deri tani, është fuqia që bën të ndodhë mbledhja e Izraelit” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 554).
Pastaj bëni pyetje si të mëposhtmet:
Si marrin pjesë misionarët në mbledhjen e shtëpisë së Izraelit? (Duke i ndihmuar të tjerët ta studiojnë e kuptojnë Librin e Mormonit në mënyrë që ata të mund të vijnë te Krishti nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit, konfirmimit dhe durimit deri në fund.)
Pse është jetike që misionarët ta përdorin Librin e Mormonit teksa i ndihmojnë të tjerët të vijnë te Krishti?
Marrja e një Dëshmie për Librin e Mormonit Është një Pjesë Thelbësore e Kthimit në Besim
Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë tregimin vijues nga autobiografia e Apostulli Parli P. Prat (1807–1857), në të cilin ai përshkruan përvojën e tij kur e lexoi Librin e Mormonit për herë të parë:
“E hapa me padurim dhe lexova faqen e titullit të tij. Pastaj lexova dëshminë e disa dëshmitarëve lidhur me mënyrën se si u gjet dhe u përkthye ai. Pas kësaj fillova me përmbajtjen e tij me radhë. Lexova gjithë ditën; të haja ishte një barrë, nuk kisha dëshirë për ushqim; kur nata erdhi, gjumi ishte një barrë, sepse parapëlqeva të lexoja sesa të flija.
Ndërsa lexoja, shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe e dija dhe e kuptova se libri ishte i vërtetë, po aq qartë dhe haptazi sa një njeri kupton dhe e di se ai ekziston” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1874], f. 38).
Si ndikoi Shpirti i Zotit te Parli P. Pratin ndërsa ai e lexonte Librin e Mormonit?
A mund të tregoni për një kohë kur Shpirti ju preku ndërsa keni lexuar një shkrim të shenjtë ose një fragment të caktuar nga Libri i Mormonit?
Ftojini studentët ta nënvizojnë ose ta theksojnë me ngjyrë fjalinë vijuese te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 108: “Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin, është burimi juaj më i fuqishëm në procesin e kthimit në besim”. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, bëjini ata të lexojnë pjesën “Libri i Mormonit i Afron Njerëzit më Pranë Perëndisë” në faqe 112 të Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:
Sipas kësaj pjese te Predikoni Ungjillin Tim, cilat janë disa nga gjërat konkrete që mund të ndodhin kur një njeri fillon studimin e Librit të Mormonit?
Përse ndihma ndaj kërkuesve për ta studiuar e për të fituar një dëshmi për Librin e Mormonit është një prej objektivave më të rëndësishme të një misionari?
Shpjegojani klasës se ata mund t’i ndihmojnë kërkuesit ta ndiejnë fuqinë e kthimit në besim të Librit të Mormonit duke i ndihmuar kërkuesit të gjejnë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës brenda faqeve të tij. Bëjini disa studentët t’i lexojnë me radhë me zë të lartë paragrafët dhe pyetjet që gjendet në faqen 111 të Predikoni Ungjillin Tim. Thuajini klasës të kërkojë domethënien e frazës “pyetjeve të shpirtit”. Më pas diskutoni për sa vijon:
Çfarë do të thotë për ju fraza “pyetjeve të Shpirtit”?
Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë:
Diskutoni për sa vijon me studentët:
Si do ta përdornit Librin e Mormonit për të gjetur përgjigje për pyetjet tuaja të shpirtit?
Për çfarë pyetjesh të shpirtit keni gjetur përgjigje në Librin e Mormonit?
Merrni parasysh të bëni një paraqitje të shkurtër në praktikë për klasën mbi mënyrën se si ta përdorin Librin e Mormonit për të gjetur përgjigje për pyetjet e shpirtit. Përzgjidhni një nga pyetjet e listës në faqen 111 te Predikoni Ungjillin Tim. Duke i përdorur fragmentet e Librit të Mormonit të renditura me pyetjen, tregojeni në praktikë se si i përgjigjet Libri i Mormonit pyetjes që përzgjodhët. Merreni parasysh të tregoni në praktikë edhe si ta përdorin Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], Bible Dictionary [Fjalorin Biblik], ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për të gjetur përgjigje për pyetjet. Shprehjani ndjenjat tuaja klasës rreth mënyrës se si Libri i Mormonit mund t’i ndihmojë ata si dhe kërkuesit e tyre për të gjetur përgjigjet për pyetjet e veta.
Pasi ua jepni këtë model studentëve, ftojini ata të ndjekin të njëjtin proces. Kërkojuni atyre të zgjedhin një prej pyetjeve nga lista e më pas ta shqyrtojnë fragmentin shoqërues në Librin e Mormonit për të gjetur doktrina ose parime që i përgjigjen pyetjes. Pasi t’iu keni dhënë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, ftojini studentët që t’i tregojnë shkurtimisht një studenti tjetër atë që gjetën. Pasi ta kenë mbaruar, diskutoni për sa vijon:
Si mund ta përdorin misionarët Librin e Mormonit për t’i ndihmuar kërkuesit të gjejnë përgjigje për pyetjet e shpirtit?
Për ta ilustruar më tej se si Libri i Mormonit u përgjigjet pyetjeve të shpirtit, shfaqni materialin filmik “Një Histori për Librin e Mormonit”. Kërkojuni studentëve të shikojnë mënyrën se si Libri i Mormonit iu përgjigj disa prej pyetjeve të vëllait Kuk përpara se të bashkohej me Kishën.
Pas materialit filmik, mund të pyetni:
Cilat qenë disa prej pyetjeve të rëndësishme që morën përgjigje për vëllanë Kuk kur ai e lexoi Librin e Mormonit?
Si e preku atë gjetja e këtyre përgjigjeve?
Ftojini studentët të marrin parasysh një pyetje të rëndësishme të lidhur me ungjillit për të cilën ata ose një mik dëshiron një përgjigje. Dëshmoni se Zoti do të ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjes së tyre nëpërmjet studimit të Librit të Mormonit prej tyre.
Libri i Mormonit e Pohon të Vërtetën e Rivendosjes
Ftojini studentët ta lexojnë me zë të lartë pjesën te Predikoni Ungjillin Tim të titulluar “Libri i Mormonit Është Guri Kyç i Besimit Tonë”, që fillon në faqen 107 dhe vazhdon deri te tabela në faqen 108. Teksa lexojnë, kërkojuni të reflektojnë mbi pohimin e Jozef Smithit rreth rëndësisë së Librit të Mormonit. Më pas, pyetni:
Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit është “themeli i dëshmisë”?
Si mendoni ju, pse i kundërvihet kundërshtari Librit të Mormonit dhe kërkon t’i pengojë njerëzit që të mos e lexojnë? (Sepse ai është guri kyç i besimit tonë.)
Shpjegoni se ka shumë njerëz në botë që kanë vështirësi për ta besuar tregimin e Jozef Smithit dhe origjinën e Librit të Mormonit. Misionarët duhet të jenë të përgatitur për të trajtuar dyshimet e kërkuesve rreth origjinës hyjnore të Librit të Mormonit.
Lexojeni së bashku si klasë pjesën e titulluar “Përdoreni Librin e Mormonit për t’iu Përgjigjur Kundërshtimeve” që gjendet te Predikoni Ungjillin Tim, në faqet 112–113. Vërini studentët të kërkojnë këshilla që do t’i ndihmonin ata ta forconin besimin e kërkuesve që kanë shqetësime apo dyshime. Bëni bëni pyetje si ato vijuese për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një parim që gjendet gjatë leximit të tyre:
Sipas Presidentit Benson, pse është e rëndësishme që një njeri me shqetësime rreth bindjeve tona ta dijë a është i vërtetë Libri i Mormonit?
Në çfarë mënyrash mund ta ndihmojë Libri i Mormonit dikë që t’i zgjidhë shqetësimet dhe dyshimet shpirtërore?
Për t’i përmbledhur parimet që përcaktojnë studentët, mund ta shkruani këtë parim në tabelë: Marrja e një dëshmie që Libri i Mormonit është i vërtetë mund t’i ndihmojë kërkuesit që t’i mposhtin shqetësimet dhe dyshimet shpirtërore.
Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe bëjini disa studentë të lexojnë një ose dy paragrafë me zë të lartë:
“Sa herë që i nxitim të tjerët ta lexojnë Librin e Mormonit, ne u bëjmë atyre një nder. Po ta lexojnë me lutje dhe me një dëshirë të sinqertë për ta ditur të vërtetën, ata do ta dinë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se libri është i vërtetë.
Nga ajo njohuri do të rrjedhë një bindje për të vërtetën e shumë gjërave të tjera. Pasi nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Perëndia jeton. …
Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Jezusi është vërtet Shëlbuesi ynë, Shpëtimtari i botës. Qëllimi i madh i ruajtjes dhe daljes së tij, sipas vetë deklaratës së tij është ‘për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve’. (Faqja e titullit e Librit të Mormonit.) …
Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, Jozef Smithi ishte një Profet i Perëndisë, pasi ai ishte mjeti në duart e Perëndisë për nxjerrjen në dritë të kësaj dëshmie për hyjnueshmërinë e Zotit tonë. …
Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, Kisha është e vërtetë, pasi i njëjti autoritet nën të cilin doli në dritë ky anal i shenjtë është i pranishëm dhe shpaloset mes nesh sot. Ajo është një rivendosje e Kishës e ngritur nga Shpëtimtari në Palestinë. Është një rivendosje e Kishës e ngritur nga Shpëtimtari kur ai e vizitoi këtë kontinent ashtu siç parashtrohej në këtë anal të shenjtë” (“The Power of the Book of Mormon”, Ensign, qershor 1988, f. 6).
Merreni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:
Përse është e kaq rëndësishme për kërkuesit, misionarët dhe anëtarët që të marrin një dëshmi për Librin e Mormonit?
Si e pohon vërtetësia e Librit të Mormonit që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë? (shih Mateu 7:13–15).
Si ka ndihmuar dëshmia juaj për Librin e Mormon për ta pohuar në zemrën tuaj rëndësinë e përjetshme të Rivendosjes?
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj vetjake që Libri i Mormonit është provë e vërtetësisë së Rivendosjes. Mbylleni mësimin tuaj duke i ftuar disa studentë të japin dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit e të shpjegojnë përse janë të emocionuar që t’i ndihmojnë të tjerët ta lexojnë Librin e Mormonit dhe të luten për të.
Ftesa për të Vepruar
Kujtojuni misionarëve të ardhshëm se mënyra më e mirë për t’u përgatitur për një mision kohëplotë është të fillojnë të bëjnë punë misionare tani. Ftojini anëtarët e klasës që të vendosin synime vetjake për të bërë sa vijon:
Ta lexojnë të tërë Librin e Mormonit dhe të luten për të ditur për vërtetësinë e tij, edhe nëse e kanë bërë këtë në të shkuarën.
Vendosni një zakon leximi të përditshëm nga Libri i Mormonit.
Prezantojeni dikë me Librin e Mormonit gjatë javës së ardhshme (qoftë nga afër ose nëpërmjet medias shoqërore) dhe ftojeni atë të lexojë e të lutet rreth tij.