9
Zhvillimi i Cilësive si të Krishtit
Hyrje
Misionarët duhet të orvaten të bëhen më shumë si Shpëtimtari ndërsa punojnë për t’i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai. Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer dhe na udhëzoi që të bëhemi sikurse është Ai (shih 3 Nefi 27:27), dhe Shlyerja e Tij na krijon mundësinë që të bëhemi më shumë si Ai dhe si Ati ynë Qiellor. Një pjesë e rëndësishme e të bërit si Jezu Krishti është të mësojmë rreth mënyrës se si Ai jetoi, u soll dhe dha mësim. Ndërsa i zhvillojmë vetë më plotësisht cilësitë si të Krishtit, ne do të jemi më të përgatitur për t’i shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve gjatë misioneve tona dhe gjatë gjithë jetës sonë.
Përgatitja Paraprake
Studiojeni Almën 17:22–37; 18:1–3, 8–10; Moronin 7:45–48 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 4:1–7.
Studioni te Predikoni Ungjillin Tim, faqet 119–127, 130.
Bëni kopje të fletës Aktiviteti i Cilësive në faqen 130 te Predikoni Ungjillin Tim për secilin student në klasën tuaj (sipas dëshirës).
Përgatituni që të shfaqni materialin filmik “Christlike Attributes” [“Cilësi si të Krishtit”] (02:54), të mundësuar në LDS.org.
Përgatituni që të shfaqni materialin filmik “Impressions of Missionaries” [“Mbresa Misionarësh”] (04:32), të mundësuar në youtube.com.
Sugjerime për Mësimdhënien
Rëndësia e Cilësive si të Krishtit
Ftojini studentët ta hapin në faqen 127 te Predikoni Ungjillin Tim dhe të shohin fotografinë e etiketës së emrit të misionarit. Pyetni:
Cilat janë dy pjesët më të spikatura të etiketës së emrit të misionarit? (Emri i misionarit dhe emri i Shpëtimtarit.)
Përse do të ishte e rëndësishme për ju dhe për të tjerët që ta lidhin emrin tuaj me atë të Shpëtimtarit?
Bëjini studentët të lexojnë me radhë me zë të lartë pesë paragrafët në faqen 119 te Predikoni Ungjillin Tim ndërkohë që klasa i ndjek, duke kërkuar mënyrën se si ne mund ta pranojmë ftesën për të ndjekur Jezu Krishtin. Pasi ta kenë mbaruar leximin, pyetni:
Si e pranojmë ne ftesën e Jezu Krishtit për ta ndjekur Atë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin: Ne e pranojmë ftesën e Jezu Krishtit për ta ndjekur Atë duke u bërë si Ai dhe duke i zhvilluar cilësitë e Tij.)
Si mundet që zhvillimi i cilësive si të Krishtit t’ju bëjë një shërbestar më të fuqishëm dhe të efektshëm të ungjillit të Jezu Krishtit?
Kërkojuni studentëve që secili të përzgjedhë një nga shkrimet e shenjta te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 120 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjini studentët ta lexojnë fragmentin e tyre të përzgjedhur nga shkrimet e shenjta dhe të kërkojnë se çfarë thotë ai rreth ndjekjes së shembullit të Jezu Krishtit. Ftojini studentët t’i tregojnë klasës atë që mësuan. Pasi të jenë përgjigjur disa studentë, pyetni:
Cilat janë disa cilësi të karakterit që i lidhni me Jezu Krishtin?
Shfaqni materialin filmik “Christlike Attributes” [“Cilësi si të Krishtit”] (02:54), që ilustrojnë disa nga cilësitë e Shpëtimtarit. Bëjini studentët që të shohin se si cilësitë hyjnore të Shpëtimtarit u bënë të dukshme nëpërmjet veprimeve të Tij – sidomos në mënyrën se si Ai ndërveproi me të tjerët.
Pasi ta shihni materialin filmik, bëni pyetje si të mëposhtmet, duke u siguruar që të lejoni kohë të mjaftueshme që studentët t’i përsiatin përgjigjet e tyre:
Si ishin të dukshme cilësitë hyjnore të Shpëtimtarit në veprimet e Tij, sidomos në mënyrën se si ai ndërveproi me të tjerët?
Çfarë ndikimi patën veprimet e Jezusit tek të tjerët?
Bëjini studentët që t’i tregojnë dikujt të ulur krah tyre një përvojë në të cilën ata u ndikuan nga sjellja si e Krishtit nga dikush. Më pas, jepuni atyre një çast për ta përsiatur pyetjen në vijim:
Cilat cilësi të Krishtit të treguara në materialin filmik do të donit të zhvillonit më plotësisht?
Zhvillimi i Cilësive si të Krishtit
Bëjini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 4:1–7.
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 4:5–6, cila është marrëdhënia midis cilësive si të Krishtit dhe kualifikimeve për t’u thirrur në punë? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë këtë parim: Individët të cilët i zotërojnë cilësitë si të Krishtit kualifikohen për të shërbyer në punën e Zotit.)
Ftojeni klasën të kalojë tek Aktiviteti i Cilësive në faqen 130 te Predikoni Ungjillin Tim. Pasi të shpjegoni udhëzimet që gjenden në krye të faqes, ftojini studentët ta plotësojnë aktivitetin. Mund të jetë e dobishme t’u thoni studentëve se sa kohë do të kenë për të harxhuar me aktivitetin. Merrni parasysh të siguroni fotokopje të aktivitetit për studentët. Nëse studentët zgjedhin që ta plotësojnë aktivitetin në vetë kopjet e tyre te Predikoni Ungjillin Tim, ju mund t’i nxitni ata të shkruajnë me laps. Lejojuni të gjithë studentëve kohë të mjaftueshme për ta mbaruar aktivitetin. Pastaj kërkojuni pjesëtarëve të klasës të tregojnë atë që mësuan dhe ndien kur punuan gjatë këtij vetëvlerësimi. Sipas nevojës, merrni parasysh të bëni pyetje si këto:
Cilat cilësi nga aktiviteti ju duken më të rëndësishme dhe përse?
Çfarë mësuat nga ky aktivitet?
Ndihmojini studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për cilësitë si të Krishtit duke i ftuar të përzgjedhin një cilësi për të cilin do të donin të mësonin më tepër dhe ta zhvillonin më plotësisht në vetë jetën e tyre. Kërkojuni studentëve që të gjejnë pjesën që përshkruan cilësinë e zgjedhur prej tyre në faqet 120–126 te Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, jepuni kohë për ta studiuar pjesën e tyre, së bashku me shkrimet e shenjta të lidhura me të. Mund të jetë e dobishme t’u bëni të ditur studentëve se sa kohë do të kenë për të studiuar. Shkruajini pyetjet e mëposhtme në tabelë që studentët t’i marrin parasysh ndërsa lexojnë:
Ecni nëpër klasë për të parë se si po vepron secili student dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë studentët. Pasi të lejoni kohë të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e shkruara në tabelë.
Paraqitni thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, dhe bëjini studentët të kërkojnë se çfarë thotë Presidenti Uhtdorf që duhet të bëjmë për të zhvilluar cilësi si të Krishtit:
“Shkrimet e shenjta përshkruajnë një mori cilësish si të Krishtit që ne duhet të zhvillojmë gjatë kursit të jetës sonë. … Cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia. Ato nuk mund të zhvillohen pa ndihmën e Tij. Ndihma e vetme që na nevojitet të gjithëve na jepet falas nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pasja e besimit te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij do të thotë të mbështetesh tërësisht tek Ai – të mirëbesosh te fuqia, inteligjenca dhe dashuria e Tij e pafundme. Cilësitë si të Krishtit vijnë në jetën tonë kur e përdorim me drejtësi lirinë tonë të zgjedhjes. … Gjatë përpjekjes për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari, ne duhet ta rivlerësojmë jetën tonë rregullisht dhe të mbështetemi, përgjatë shtegut të pendimit të vërtetë, te meritat e Jezu Krishtit dhe bekimet e Shlyerjes së Tij” (“Christlike Attributes—the Wind beneath Our Wings”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 102–103).
Çfarë do të thotë për ju që “cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia”? (Ato janë dhurata që nuk mund të zhvillohen plotësisht pa ndihmën e Perëndisë.)
Sipas Presidentit Uhtdorf, çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë të përdorshme ndihmën e Perëndisë gjatë zhvillimit të këtyre cilësive? (Ju mund t’i përmblidhni përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë sa vijon: Ne mund të zhvillojmë cilësi si të Krishtit kur pendohemi, kemi besim te Jezu Krishti dhe mbështetemi te Shlyerja.)
Si mund të na ndihmojë pendimi dhe pasja e besimit te Shlyerja që të zhvillojmë cilësi si të Krishtit? (Nëpërmjet besimit dhe pendimit, ne e ftojmë Zotin të na bekojë me cilësi si të Krishtit. Kur pendohemi, ne tregojmë dëshirën tonë për t’u bërë si Krishti, dhe ftojmë një masë më të madhe të Frymës së Shenjtë në jetën tonë.)
Paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student t’ia lexojë atë klasës me zë të lartë:
“Kur po u jepte mësim nefitëve, Shpëtimtari iu referua asaj që ata duhet të bëhen. Ai i sfidoi ata që të pendoheshin dhe të pagëzoheshin dhe të shenjtëroheshin nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, ‘që të mund të qëndroni[n] pa njollë para meje, në ditën e fundit’ (3 Nefi 27:20). Ai e mbylli: ‘Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë’ (3 Nefi 27:27).
Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan nëpërmjet të cilit ne mund të bëhemi ata fëmijë të Perëndisë që hamendësohet të bëhemi. Kjo gjendje e panjollë dhe e përkryer do të rrjedhë nga një seri e qëndrueshme e besëlidhjeve, ordinancave dhe veprimeve, një mbledhje e zgjedhjeve të drejta dhe nga pendimi i vazhdueshëm. ‘Kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë’ (Alma 34:32)” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 33).
Pyetni:
Sipas Plakut Ouks, çfarë duhet të bëjmë ne që të bëhemi më shumë si Jezu Krishti? (Ne duhet të bëjmë dhe mbajmë besëlidhjet e shenjta, t’i marrim me denjësi ordinancat, të bëjmë zgjedhje të drejta dhe të pendohemi.)
Ftojini studentët të kalojnë te Moroni 7:47–48. Shpjegoni se edhe pse këto vargje kanë të bëjnë veçanërisht me dashurinë hyjnore, ato na mësojnë një parim më të përgjithshëm për fitimin e cilësive si të Krishtit. Ftojeni një student të lexojë vargjet ndërsa klasa e ndjek, duke kërkuar atë që ne mund të bëjmë për ta ftuar ndihmën e Atit Qiellor gjatë bërjes si Biri i Tij (përgjigjet duhet të përqendrohen te rëndësia e të kërkuarit që Ati Qiellor të na ndihmojë dhe e bërjes “pasues të vërtetë” të Krishtit). Vini në dukje se duke qenë se cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia, ne duhet t’i kërkojmë Atij ndihmë për t’i zhvilluar ato.
Për t’i ndihmuar studentët që të marrin parasysh se si ata mund ta zbatojnë atë që kanë mësuar, mund t’u kërkoni studentëve të tregojnë shembuj të veprimeve që një misionar i ardhshëm mund të ndërmarrë kur kërkon të zhvillojë cilësinë për të cilën studiuan. Pastaj jepuni studentëve pak minuta që të shkruajnë një plan, duke përfshirë disa zgjedhje të drejta të vazhdueshme që ata mund të bëjnë, për t’i ndihmuar ta zhvillojnë më së miri atë cilësi. Nxitini që t’ia tregojnë planin e tyre prindërve ose një miku të besuar. Gjithashtu, nxitini studentët që të mos e vonojnë ndjekjen e planit të tyre. Përpjekjet që ata bëjnë tani mund të kenë një ndikim të madh në përvojat tyre në mision.
Mbylleni këtë pjesë të mësimit duke i siguruar studentët se Zoti do t’i bekojë ndërsa ata ushtrojnë besim te Shlyerja dhe kërkojnë të bëhen si Ai.
Cilësitë si të Krishtit në Punën Misionare
Shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, i cili po ndante një citim që shpesh i atribuohet Shën Françeskut të Asisit. Kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë:
“Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët” (“Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 77).
Më pas, bëni pyetje si të mëposhtmet:
Si mund ta predikojmë ungjillin pa përdorur fjalë?
Si mund të na lejojë të fituarit e cilësive si të Krishtit që ta predikojmë më mirë ungjillin, si duke i përdorur fjalët edhe duke mos i përdorur ato?
Çfarë ndodh në zemrat e individëve kur ata trajtohen në një mënyrë si e Krishtit? (Zemrat e tyre zbuten dhe ata do të jenë më pranues për ta dëgjuar mesazhin e ungjillit).
Përse cilësitë si të Krishtit të një misionari janë kaq të rëndësishme për t’ia dalë mbanë në punën misionare? (Përgjigjet e studenteve mund të përfshinin këtë të vërtetë: Cilësitë si të Krishtit mund të jenë një ndikim i fuqishëm për t’i sjellë njerëzit te Shpëtimtari.)
Shfaqni materialin filmik “Impressions of Missionaries” [“Mbresa Misionarësh”] (04:32). Bëjini studentët të mbajnë shënime për cilësitë që kërkuesit vërejtën te misionarët dhe ndikimin që kishin ato cilësi tek ta.
Pas materialit filmik, pyetni:
Cilat ishin disa nga cilësitë pozitive të misionarëve që përcaktuan kërkuesit?
Si mendoni ju, përse këto cilësi lanë një mbresë kaq pozitive te kërkuesit?
Disa nga kërkuesit përmendën cilësi më pak pozitive. Si ndikuan këto cilësi te kërkuesit?
Si mund ta shmangnin misionarët lënien pas të këtyre mbresave më pak pozitive?
Për ta ilustruar më tej se si cilësitë dhe sjelljet si të Krishtit mund t’i ndihmojnë misionarët t’i përgatitin ata që u japin mësim për ta marrë ungjillin, kërkojini një studenti të përmbledhë historinë e përpjekjeve të Amonit për ta predikuar ungjillin midis lamanitëve. Ndajeni klasën në katër grupe dhe caktojini secilit grup një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta. Bëjini studentët të lexojnë në heshtje fragmentin që u është caktuar dhe të përcaktojnë cilësitë si të Krishtit që shfaqi Amoni.
Pasi studentët të kenë pasur kohë për të lexuar, diskutoni për të mëposhtmen me klasën:
Cilat cilësi si të Krishtit shfaqi Amoni në vargjet që lexuat?
Si ndikuan cilësitë e Amonit te njerëzit që ai po mësonte?
Cilat janë disa mënyra që misionarët bashkëkohorë mund ta ndjekin shembullin e Amonit?
Ftojini studentët të mendojnë për një person që e kanë vërejtur i cili tregoi nëpërmjet shembullit cilësi si të Krishtit. Pyetni:
Si ka ndikuar ky person tek ju nëpërmjet sjelljes si të Krishtit?
Shërbimi me një Shok ose Shoqe
Kujtojuni studentëve se misionarët/et përherë caktohen të shërbejnë me një shok ose shoqe. Ftojini studentët të sugjerojnë sfidat e mundshme që mund të ndodhin kur punojnë me një shok ose shoqe. Bëjuni studentëve pyetjet vijuese:
Si mendoni ju, përse misionarët shërbejnë në dyshe shoqëruese?
Lexoni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 42:6 dhe 2 Korintasve 13:1 për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se misionarët shërbejnë në dyshe shoqëruese sepse ai është një model i dhënë nga Zoti. Më pas, pyetni:
Përse është e rëndësishme që misionarët të shfaqin sjellje dhe veprime si të Krishtit kundrejt shokëve apo shoqeve të tyre? (Shih DeB 38:24–25, 27.)
Shfaqni thënien e mëposhtme nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dhe kërkojini një studenti t’ia lexojë atë klasës me zë të lartë:
“Mos e lejoni kurrë grindjen në dyshen tuaj shoqëruese. Disa nga shokët/shoqet tuaj/a të misionit do të jenë miqtë tuaj më të dashur në jetë. Jini ai lloj shoku ose shoqeje që do të donit të ishit. Mos jini egoistë në marrëdhënien tuaj me shokët/shoqet tuaj/a. Kur ka grindje, Shpirti i Zotit do të largohet, pavarësisht se kush e ka fajin. Çdonjëri prej nesh është një individ me pika të forta dhe talente të pashoqe, i ndryshëm nga çdo person tjetër në botë. Secili prej nesh ka dobësi. Në një dyshe shoqëruese të harmonishme, ka bashkëpunim – ku njëri është i dobët, tjetri është i fortë” (“What I Want My Son to Know before He Leaves on His Mission”, Ensign, maj 1996, f. 41).
Çfarë tha Presidenti Faust se do të ndodhë kur ka grindje midis dysheve të misionarëve? (Shih edhe 3 Nefi 11:29.)
Si mund t’i ndihmojnë dyshet shoqëruese cilësitë që kemi studiuar për ta shmangur grindjen dhe për të pasur një marrëdhënie më të harmonishme? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin se kur dyshet e misionarëve shfaqin qëndrime dhe sjellje si të Krishtit kundrejt njërit-tjetrit, ata bekohen me Shpirtin.)
Si mund ta bëjë një dyshe shoqëruese më të efektshme në predikimin e ungjillit pasja e një marrëdhënie të harmonishme?
Merrni parasysh të lexoni me zë të lartë pesë paragrafët e parë poshtë nënpjesës së titulluar “Your Companion” [“Shoku/Shoqja Juaj i/e Misionit”] (te pjesa “Relationships with Others” [“Marrëdhëniet me të Tjerët”]) te Manuali i Misionarëve (faqet 29–30). Më pas, pyetni:
Si e keni përdorur një parim që gjendet në këto fragmente për ta forcuar marrëdhënien tuaj me një pjesëtar të familjes ose një mik?
Mbylleni duke i ftuar studentët tuaj të japin dëshmitë e tyre për Krishtin dhe rëndësinë e të bërit si Ai.
Ftesa për të Vepruar
Ndihmojini studentët të pranojnë se procesi i zhvillimit të cilësive si të Krishtit kërkon ndihmën e Zotit dhe më shumë përpjekje vetjake. Nxitini studentët të plotësojnë një ose më shumë nga veprimtaritë sugjeruese në vijim si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari:
Zgjidhni një nga cilësitë si të Krishtit nga kapitulli 6 te Predikoni Ungjillin Tim dhe studiojeni atë më tej duke përdorur shkrimet e shenjta, përfshirë Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], treguesin dhe kështu me radhë. Krijoni një plan për ta zhvilluar më tej atë cilësi në jetën tuaj. Tregojuani planin tuaj prindërve ose një miku të besuar.
Mendoni rreth asaj që mund të bëni për të qenë më shumë si Krishti kundrejt familjes, miqve (si anëtarë edhe joanëtarë) dhe udhëheqësve tuaj të Kishës. Hidhni në letër ide të posaçme që keni dhe veproni sipas tyre këtë javë.
Vendosni disa synime mbi mënyrën se si mund të përgatiteni për ta shmangur grindjen me një shok/shoqe të ardhshëm/me misioni.
Gjeni mënyra për të shprehur dashurinë për pjesëtarët e familjes dhe miqtë dhe për t’u shërbyer atyre me durim dhe dashuri hyjnore.