Instituti
Mësimi 15: Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare


15

Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare

Hyrje

Misionarët e ardhshëm dhe ata kohëplotë mund ta çojnë më tej punën e shpëtimit duke mësuar rreth punës në tempull dhe për historinë familjare e më pas të ndihmës ndaj të tjerëve për të përjetuar ndjenjat e Shpirtit që e shoqërojnë këtë punë. Historia familjare mund të jetë një mjet i fuqishëm i gjetjes së njerëzve për t’iu dhënë mësim dhe për ta forcuar besimin e të sapokthyerve në besim dhe anëtarëve më pak aktivë. Pjesëmarrja në punën për historinë familjare i kthen zemrat e njerëzve te paraardhësit e tyre dhe te Zoti. Historia familjare është një mjet që misionarët mund ta përdorin për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Krishti dhe për të marrë ordinancat e shpëtimit.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Rëndësia e Dhurimit [Indaumentit] në Tempull

Paraqitni fotografinë e një tempulli të afërt dhe pastaj lexojeni citimin vijues nga Presidenti Hauard W. Hanter:

Presidenti Hauard W. Hanter

“Le ta përgatitim çdo misionar që të shkojë në tempull i denjë dhe ta bëjë atë përvojë një ngjarje edhe më domethënëse sesa marrja e thirrjes për mision” (“Follow the Son of God”, Ensign, nëntor 1994, f. 88).

Për theksim, mund ta lexoni përsëri citimin e më pas pyetini studentët:

  • Në çfarë mënyrash mund të jetë vajtja në tempull një “ngjarje edhe më domethënëse” sesa marrja e një thirrjeje për mision? (Përgjigje të mundshme mund të përfshijnë ato vijueset: sado që një mision është i përkohshëm, besëlidhjet që bëjmë në tempull janë të përjetshme; bekimet e tempullit u sjellin fuqi misionarëve të denjë.)

Bëjeni një student ta lexojë paragrafin e parë nën kreun “Tempujt dhe Historia Familjare” në faqen 87 te Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:

  • Cilat janë disa nga bekimet që mund të marrim në tempull?

  • Si mund ta ndihmojnë këto bekime një njeri që po mundohet të vijë te Krishti?

Për të parë se si bekohen misionarët nga frekuentimi i tempullit përpara shërbimit misionar, kërkojini klasës të shkojë te Doktrina e Besëlidhjet 109:22–23 dhe shpjegoni se këto vargje janë pjesë e lutjes përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë vargjet ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar bekimet e tempullit që marrin shërbëtorët e Zotit. Pastaj ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të dhënë mësim në këto vargje duke i pyetur për sa vijon:

  • Si ju ndihmojnë këto vargje për ta kuptuar pse është kaq e rëndësishme që misionarët t’i marrin bekimet e tempullit përpara se të nisen për një mision? (Përgjigjet e studentëve mund të përmblidhen nga ky parim: Marrja e bekimeve të tempullit u mundëson misionarëve të shkojnë përpara në botë me ndihmë e fuqi hyjnore. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Xhefri R. Holland

“Është kaq e rëndësishme që ju ta kuptoni se të shkuarit në tempull për dhurimin [indaumentin] tuaj vetjak … [është] një pjesë përbërëse e përgatitjes suaj për mision. … [Ju duhet] ta kuptoni domethënien e atyre besëlidhjeve të tempullit [dhe] hallkën e pazgjidhshme lidhëse midis dhurimit [indaumentit] tuaj atje dhe suksesit tuaj misionar. Njëmend, vetë fjala dhurim [indaument] e përçon thelbin e asaj hallke jetike lidhëse. Një dhurim [indaument] është një dhuratë. …

Ju e dini se nuk mund ta bëni të vetëm këtë punë. Neve na duhet ta kemi ndihmën e qiellit, na duhet t’i kemi dhuratat e Perëndisë. … Kjo punë është aq serioze dhe kundërvënia e kundërshtarit ndaj saj është aq e madhe sa na duhet çdo fuqi hyjnore për ta zgjeruar përpjekjen tonë dhe për ta lëvizur Kishën përpara në mënyrë të qëndrueshme” (“Keeping Covenants: A Message for Those Who Will Serve a Mission”, New Era, janar 2012, f. 3–4).

Pyetni:

Shpjegoni se përpara marrjes së dhurimit [indaumentit] në tempull, anëtarët e denjë duhet të marrin një rekomandim tempulli nga udhëheqësit e tyre vendore të priftërisë. Pastaj paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një student t’ia lexojë atë klasës me zë të lartë:

“Një rekomandim tempulli do të thotë se ne jemi gjendur të denjë nëpërmjet një interviste me një anëtar të peshkopatës sonë ose me presidentin tonë të degës dhe gjithashtu një interviste me një anëtar të presidencës sonë të kunjit apo presidencës së misionit. Intervistat për rekomandim tempulli janë mundësi që ne ta shqyrtojmë hollësisht denjësinë tonë. Në çdonjërën prej intervistave, udhëheqësit tanë të priftërisë do të na pyesin rreth sjelljes dhe besimit tonë vetjak. Udhëheqësit tanë të priftërisë i mbajnë këto intervista private dhe konfidenciale. …

Në vijim janë disa nga temat për të cilat do t’ju pyesin udhëheqësit tuaj të priftërisë:

  1. Dëshminë tuaj për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë.

  2. Nëse e mbështetni Presidentin e Kishës.

  3. Nëse e jetoni ligjin e dëlirësisë, e paguani të dhjetën, jeni të ndershëm me të tjerët dhe nëse e mbani Fjalën e Urtësisë.

  4. Nëse përpiqeni të shkoni në kishë, t’i mbani besëlidhjet që keni bërë dhe nëse e mbani jetën tuaj në harmoni me urdhërimet e ungjillit” (“Being Worthy to Enter the Temple”, Ensign, gusht 2010, f. 8–9 ose Liahona, gusht 2010, f. 12–13).

  • Në çfarë mënyrash ju ndihmojnë kërkesat për denjësinë që ta kuptoni natyrën e shenjtë të tempullit dhe të thirrjes suaj si misionar?

  • Nëse nuk janë tepër të shenjta ose vetjake, çfarë përvojash mund të tregoni që ju kanë ndihmuar ta kuptoni dhe ndieni rëndësinë e tempullit dhe punës që bëhet atje?

Bëjini studentët të marrin parasysh atë që do t’iu duhet të bëjnë për ta marrë denjësisht dhurimin [indaumentin] e tyre në tempull.

Përpara se të shkoni më tej, mund t’ua vini në dukje studentëve tuaj se, si misionarë, ata duhet të bëjnë gjithçka munden për t’i nxitur të kthyerit e rinj në besim që të përgatiten për të shkuar në tempull. Të kthyerit e rinj në besim që shkojnë në tempull për të kryer pagëzime mëkëmbëse për paraardhësit e tyre ka më tepër gjasë të mbeten aktivë dhe më pas të shkojnë në tempull më vonë për të marrë dhurimin [indaumentin] e tyre dhe vulosjen në tempull. Mbylleni këtë pjesë të mësimit duke dhënë dëshminë tuaj për tempullin dhe forcën shpirtërore që keni marrë prej adhurimit atje.

Plani i Perëndisë Për t’i Shëlbuar të Vdekurit

Kujtojuni studentëve se pas vdekjes së Jezu Krishtit, Ai vizitoi botën e shpirtrave (shih 1 Pjetër 3:18–20; 4:6). Pastaj kërkojuni studentëve të shkojnë te Doktrina e Besëlidhjet 138:29–35. Shpjegoni se kjo pjesë përmban tregimin për vegimin e Presidentit Jozef F. Smith mbi botën e shpirtrave. Ftojini disa studentë t’i lexojnë me radhë vargjet me zë të lartë. Më pas, pyetni:

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për ta organizuar predikimin e ungjillit te të vdekurit në botën e shpirtrave?

  • Si na ndihmojnë vargjet 33–35 t’i kuptojmë mënyrat me anë të të cilave ata që e pranojnë ungjillin në botën e shpirtrave mund t’i marrin ordinancat e shpëtimit? (Ata që e pranojnë mesazhin e ungjillit mund t’i marrin ordinancat shpëtuese në emrin e tyre të kryera në mënyrë mëkëmbëse.)

Bëjini disa studentë t’i lexojnë me radhë dy paragrafët e fundit me zë të lartë në pjesën “Tempujt dhe Historia Familjare” në faqen 87 te Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:

  • Si siguron plani i Zotit mundësi për njerëzit që vdesin pa i marrë ordinancat thelbësore të ungjillit? (Të gjallët mund të kryejnë ordinanca shpëtuese në emër të atyre që kanë vdekur.)

Misioni i Elijas

Shpjegoni se Elija ishte një profet i Dhiatës së Vjetër i cili jetoi diku te 900 vjet Pr. K. Profeti Malakia profetizoi se Elija do të kthehej në tokë (shih Malakia 4:5–6) dhe kur Moroni iu shfaq Jozef Smithit në vitin 1823, ai e përsëriti që Elija do të kthehej. Bëjeni një studentë ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:38–39 ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar atë që Moroni dha mësim rreth Elijas. Pyetni:

  • Çfarë mësoi Jozef Smithi rreth Elijas? (Ndonëse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të kuptojnë se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, Elija do të kthehet në tokë dhe do t’i kthejë zemrat e fëmijëve te zemrat e etërve të tyre.)

  • Çfarë do të thotë që zemrat e fëmijëve do të ktheheshin te zemrat e etërve të tyre? (Individët do të bëheshin të interesuar dhe të shqetësuar për mirëqenien e përjetshme të familjeve të tyre të së shkuarës, të tashmes e të ardhmes. Ky interes është pjesë e asaj që u jep shtysë njerëzve për të kërkuar me kujdes dokumente të farefisit të tyre të vdekur dhe për të marrë pjesë në ordinanca mëkëmbëse në emrin e tyre.)

Shpjegojuni studentëve se një javë pasi u përkushtua Tempulli i Kirtlandit në vitin 1836, ndodhën ngjarje të veçante që u shënuan te Doktrina e Besëlidhjet 110. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 110:13–16, ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar atë Elija rivendosi në tokë. Pyetini studentët:

  • Çfarë çelësash i rivendosi Elija Jozef Smithit? (Sipas nevojës, ftojini studentët të vështrojnë te Doktrina e Besëlidhjet 110:16, poshtëshënimi a për t’i ndihmuar ta kuptojnë se Elija i rivendosi çelësat vulosës të priftërisë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se si i bekojnë familjet çelësat vulosës, kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë paragrafin e parë në pjesën e titulluar “Martesa e Përjetshme” te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 86. Më pas, pyetni:

  • Sipas këtij paragrafi, cili është qëllimi i çelësave vulosës që Elija i rivendosi në tokë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Nëpërmjet çelësave vulosës të priftërisë, mund të kryhen ordinanca të shenjta në tempuj që i lidhin familjet së bashku për përjetësinë.)

  • Si ju kanë bekuar juve, familjen tuaj, të afërmit apo miqtë tuaj këto çelësa?

Në tabelë, shkruani “Shpirti i Elijas”. Paraqitini citimet vijuese dhe ftojeni një dyshe studentësh që t’ia lexojë ato klasës me zë të lartë:

Plaku Rasëll M. Nelson

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përkufizoi shpirtin e Elijas si “një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes” (“A New Harvest Time”, Ensign, maj 1998, f. 34).

Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamje të tjera mbi mënyrën se si shpirti i Elijas ndikon tek individët: “Ky ndikim karakteristik i Frymës së Shenjtë i tërheq njerëzit për t’i gjetur, dokumentuar dhe për t’i dashur paraardhësit dhe pjesëtarët e familjes së tyre – edhe të kaluar, edhe të tanishëm.

Shpirti i Elijas ndikon njerëzit brenda dhe jashtë Kishës. Sidoqoftë, si anëtarë të Kishës së Rivendosur të Krishtit, ne kemi përgjegjësi besëlidhjeje për të gjetur paraardhësit tanë e t’u sigurojmë ordinancat shpëtuese të ungjillit. …

Për këto arsye bëjmë kërkime të historisë familjare, ndërtojmë tempuj dhe kryejmë ordinanca mëkëmbëse. Për këto arsye Elija u dërgua të rivendosë autoritetin vulosës që lidh në tokë dhe në qiell” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).

Ndihmojini studentët t’i përcaktojnë dhe kuptojnë më mirë doktrinat e dhëna mësim nga Plaku Nelson dhe Plaku Bednar duke i pyetur:

  • Çfarë nënkuptojmë kur e përmendim “[s]hpirti i Elijas”?

  • Në çfarë mënyre mund të ndikojë Fryma e Shenjtë te ndjenjat tona rreth familjes? (Shpirti i Elijas, i cili është një ndikim karakteristik i Frymës së Shenjtë, jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes dhe na ndihmon t’i duam fort pjesëtarët e familjes sonë, si në të shkuarën ashtu edhe në të tashmen. Ai gjithashtu rrënjos brenda nesh një dëshirë për t’i siguruar ordinancat shpëtuese për paraardhësit tanë.)

  • A e keni ndier ndonjëherë zemrën tuaj të kthehet te stërgjyshërit tuaj në ndonjë mënyrë? Nëse po, çfarë u nxitët të bënit? (Po të nevojitet, kujtojini studentët për mësimet e mëparshme në kurs rreth mënyrës se si Fryma e Shenjtë komunikon me ne.)

Pjesëmarrja në Punën për Historinë Familjare

Tregojuni studentëve një tabelë të plotësuar të trungut familjar me katër breza ose një tabelë si erashkë të shtypur nga FamilySearch.org. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se çfarë informacioni përmbajnë këto dokumente.

Shpërndajini çdo studenti një tabelë të paplotësuar të trungut familjar me katër breza. Jepuni studentëve një çast për ta shqyrtuar hollësisht tabelën e trungut familjar dhe për t’i plotësuar emrat e paraardhësve të tyre sa më mirë të munden.

fletushkë e tabelës së trungut familjar

Pyetini studentët:

  • Ku mund të keni mundësi ta gjeni informacionin e nevojshëm për ta plotësuar tabelën tuaj të trungut familjar ose tabelën si erashkë? (Kujtojuni studentëve se së pari duhet të kërkojnë ndihmë nga prindërit, gjyshërit ose pjesëtarë të tjerë të familjes. Këshilluesit e historisë familjare të lagjes ose degës mund të jenë gjithashtu një ndihmë e madhe në kërkimet për historinë familjare. Përveç tyre, studentët duhet të jenë në dijeni të faqes së internetit të Kishës për kërkimet për historinë familjare, FamilySearch.org.)

Pyetni nëse ndonjë prej studentëve do të donte të tregonte përvojat vetjake me përdorimin e FamilySearch-it për të mësuar rreth paraardhësve të vet. Nëse studentët nuk e kanë përdorur FamilySearch-in, jepuni atyre një vështrim të përgjithshëm të shpejt të asaj që mund të gjejnë atje. Mund edhe ta hapni faqen FamilySearch.org në një kompjuter dhe të bëni një kërkim duke përdorur emrin e një prej paraardhësve të vdekur të studentëve tuaj. Theksojeni që FamilySearch-i është një mjet që na ndihmon t’i identifikojmë paraardhësit tanë dhe ta përgatitim informacionin e tyre që të dorëzohet në tempull për ordinancat mëkëmbëse.

Shpjegojuni studentëve se një mënyrë tjetër për të përjetuar historinë familjare është të mbledhin ndodhi rreth paraardhësve të tyre dhe pjesëtarëve të familjes. Ndodhitë e historisë familjare mund të na ndihmojnë ta ndiejmë shpirtin e Elijas dhe ta shtojmë dashurinë dhe vlerësimin tonë për pjesëtarët e familjes që kanë ikur para nesh. Merreni parasysh të tregoni një ndodhi të shkurtër rreth njërit prej paraardhësve tuaj. Më pas, pyetni:

  • Si mund t’i ndikojnë ndodhitë e historisë familjare te ndjenjat tuaja për pjesëtarët e familjes suaj?

  • Si ju ndihmojnë ato ta kuptoni më mirë se kush jeni dhe çfarë mund të bëheni?

ikona e materialit filmikShfaqeni materialin filmik “The Time Is Now” [“Koha Është Tani”] (03:20). Teksa e shikoni diskutimin me Plakun Dejvid A. Bednar, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nxitini studentët t’i marrin parasysh arsyet pse e kanë filluar ose mund të duan të fillojnë të marrin pjesë në punën për historinë familjare.

  • Çfarë mësuat rreth punës për historinë familjare nga Plaku Bednar dhe të rinjtë në këtë material filmik?

  • Çfarë ndjenjash përjetuan këta të rinj kur morën pjesë në historinë familjare?

Thuajuni studentëve se Plaku Bednar u bëri një premtim të rinjve që marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare. Paraqiteni citimin vijues dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Kur i përgjigjeni me besim kësaj ftese [për të marrë pjesë në punën për historinë familjare dhe për të kryer pagëzime mëkëmbëse për paraardhësit tuaj], zemra juaj do të kthehet drejt etërve. Premtimet që iu bënë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, do të nguliten në zemrën tuaj. Bekimi juaj patriarkal, me shpalljen prej tij të linjës së prejardhjes, do t’ju lidhë te këta etër e do të jetë për ju më kuptimplotë. Dashuria dhe mirënjohja për paraardhësit tuaj do të shtohet. Dëshmia juaj për kthimin në besim tek Shpëtimtari, do të bëhet e thellë dhe e qëndrueshme. Dhe unë ju premtoj se do të jeni të mbrojtur ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit. Ndërsa merrni pjesë dhe e doni këtë punë të shenjtë, ju do të mbroheni në rini dhe gjatë gjithë jetës suaj” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 26–27).

Pyetini studentët:

  • Çfarë bekimesh të përmendura nga Plaku Bednar do të donit të merrnit dhe pse? (Përgjigjet mund të përfshijnë parimin se pjesëmarrja në punën për historinë familjare e forcon kthimin tonë në besim te Shpëtimtari dhe sjell mbrojtje shpirtërore kundër ndikimit të kundërshtarit.)

Mund t’i ndihmoni studentët të tregojnë përvoja vetjake të lidhura me punën për historinë familjare duke u bërë pyetje si të mëposhtmet:

  • Si e keni përjetuar një ose më shumë prej këtyre bekimeve në jetën tuaj?

  • A ka gjetur ndonjëri prej jush ose ndonjë pjesëtar i familjes suaj emrin e një paraardhësi dhe ka shkuar pastaj në tempull për t’u pagëzuar si mëkëmbës për atë njeri? Ku ndryshonte ajo përvojë nga të qenit i pagëzuar për dikë që nuk ishte i afërm?

  • Nëse asnjë student nuk e ka pasur këtë përvojë, merreni parasysh të pyetni: Si i keni përjetuar bekimet e premtuara nga bërja e pagëzimeve për të vdekurit?

Nëse gjatë diskutimit tuaj me klasën viheni në dijeni për një ose më shumë studentë që kanë marrë pjesë në historinë familjare dhe kanë ndjenja të forta rreth saj, mund t’i pyetni ata se çfarë këshille do t’i jepnin dikujt të moshës së tyre që nuk ka filluar ende të bëjë punë për historinë familjare.

Përdorimi i Historisë Familjare për t’i Ftuar të Tjerët të Vijnë te Krishti

Thuajuni studentëve që kërkimi i informacionit për historinë familjare është bërë një veprimtari e përhapur në botë sot. Bëjeni një student të lexojë zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B Hinkli:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ka miliona njerëz nëpër botë që po punojnë me dokumentet e historisë familjare. Përse? Përse po e bëjnë këtë? Besoj se është ngaqë janë prekur nga shpirti i kësaj pune, një gjë që ne e quajmë shpirti i Elijas. Ai është një kthim i zemrave të fëmijëve te zemrat e etërve. Shumica e tyre nuk kuptojnë asnjë qëllim real te kjo, përveç ndoshta një kureshtjeje të fortë e shtysëdhënëse.

Duhet të ketë një qëllim në këtë shpenzim të pamasë kohe dhe parash. Ai qëllim, për të cilin ne japim dëshmi solemne, është të përcaktojë brezat e të vdekurve në mënyrë që ordinancat të mund të kryhen në emrin e tyre për bekimin dhe përparimin e tyre të përjetshëm e të përhershëm” (“A Century of Family History Service”, Ensign, mars 1995, f. 62).

Pyetni:

  • Si mund ta përdornin misionarët këtë interes botëror në rritje ndaj historisë familjare për t’ua prezantuar të tjerëve ungjillin?

Kërkojuni studentëve t’i lexojnë me zë të lartë tre paragrafët e parë dhe paragrafin e fundit të pjesës së titulluar “Historia Familjare” te Predikoni Ungjillin Tim, faqet 170–171. Bëjini ata të kërkojnë arsyen pse të folurit rreth punës për historinë familjare me joanëtarët është një mënyrë e natyrshme dhe jokërcënuese për misionarët që ta nisin një bisedë. Pas leximit të këtyre fragmenteve, pyetni:

  • Si mund të jetë të folurit me të tjerët rreth punës për historinë familjare një mjet i efektshëm për misionarët që të gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim? (Studentët duhet ta kuptojnë se historia familjare mund të jetë një burim i fuqishëm për t’u përdorur në gjetjen e atyre që Zoti po i përgatit për ta marrë ungjillin.)

ikona e materialit filmikPas përgjigjeve të studentëve shfaqeni materialin filmik “Family History and Missionary Work—Finding” [“Puna për Historinë Familjare dhe Puna Misionare – Gjetja”] (03:53). Teksa e shikojnë, bëjini studentët të marrin parasysh mënyrën se si do ta përdornin temën e historisë familjare për të nisur biseda me të tjerët.

Pas materialit filmik, pyetni:

  • Çfarë bënë misionarët në video për të nisur biseda me të tjerët rreth punës për historinë familjare?

  • Çfarë efekti patën bisedat rreth punës për historinë familjare te kërkuesit e ardhshëm?

Thuajuni studentëve se ata tani do të ushtrohen për të përdorur një tabelë të trungut familjar për ta ftuar dikë të mësojë më shumë rreth Kishës. (Përndryshe, mund t’i bëni studentët të marrin parasysh mënyrën se si mund ta përdorin një ndodhi të një prej paraardhësve të tyre për të nisur një bisedë rreth ungjillit.) Për t’i ndihmuar studentët të jenë të suksesshëm në këtë detyrë, kërkojuni studentëve idetë e tyre mbi mënyrën si përdoret një tabelë e trungut familjar (ose një ndodhi rreth një paraardhësi) për të nisur një bisedë rreth punës për historinë familjare dhe mënyrës se si ajo mund të çojë në një mesazh rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini idetë e tyre në tabelë.

Përdorini disa nga idetë e tyre dhe tregojini në praktikë klasës si ta përdorë një tabelë të trungut familjar për të nisur një bisedë me dikë rreth ungjillit. Pastaj, bashkojini studentët në dyshe me një anëtar tjetër të klasës dhe bëjini ata të ushtrohen për të bërë të njëjtën gjë. Pasi çdo student të ketë pasur mundësinë për t’i dhënë mësim një anëtari tjetër të klasës, bëni disa pyetje ndjekëse si:

  • Si mendoni, çfarë shkoi mirë në këtë ushtrim për mësimdhënien?

  • Çfarë do të dëshironit ta bënit më mirë?

ikona e materialit filmikPo ta lejojë koha, shpjegojuni studentëve se në shumë zona ku do të shërbejnë, misionarëve u kërkohet të japin ndihmë për forcimin e besimit dhe zotimit të anëtarëve më pak aktivë të Kishës. Historia familjare mund të jetë një mjet me vlerë për t’i ndihmuar këta individë ta ndiejnë Frymën e Shenjtë dhe të vijnë te Krishti. Pastaj shfaqeni materialin filmik “Family History and Missionary Work—Activation” [“Puna për Historinë Familjare dhe Puna Misionare –Aktivizimi”] (03:05), dhe bëjini studentët të kërkojnë mënyra në të cilat puna për historinë familjare mund të përdoret për t’i ndihmuar anëtarët më pak aktivë të aktivizohen:

Pas materialit filmik, pyetni:

  • Si mund të ndihmojë për forcimin e besimit të anëtarëve më pak aktivë të folurit rreth punës për historinë familjare dhe doktrinën e familjeve të përjetshme?

Jepuni studentëve një çast për të marrë parasysh se çfarë mund të bëjnë tani dhe çfarë mund të bëjnë si misionarë për ta përdorur punën për historinë familjare si mjet për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Krishti. (Si të nxiteni nga Shpirti, mund të thërritni disa studentë për t’ia treguar klasës përgjigjet e tyre.) Jepeni dëshminë tuaj për parimet e dhëna në këtë mësim.

Ftesa për të Vepruar:

Ftojini studentët të marrin pjesë tani në punën e shpëtimit duke bërë një ose më tepër nga veprimtaritë vijuese:

  • Krijoni një Llogari SHDM në mënyrë që të keni të drejtë hyrjeje te FamilySearch.org. Po të jetë e mundur, krijojeni dhe shtypeni një tabelë të trungut familjar me katër breza ose një tabelë si erashkë me informacionin e familjes suaj.

  • Tregojani tabelën tuaj të trungut familjar me katër breza një miku apo fqinji dhe ftojeni atë të mësojë më shumë rreth historisë familjare. Lini një datë për ta çuar mikun tuaj te një këshillues për historinë familjare ose për të vizituar një bibliotekë për historinë familjare.

  • Përdorimi i faqes FamilySearch.org, përcaktoi një ose më shumë nga paraardhësit tuaj që kanë nevojë që të kryhen ordinanca tempulli në emrin e tyre. Nëse është e mundur, përgatiteni informacionin për punën e tyre në tempull që do të kryhet për ta dhe plotësojini ordinancat e pagëzimit dhe konfirmimit në emrin e tyre.

Fletushkë

fletushkë e tabelës së trungut familjar