Instituti
Mësimi 6: Përgatitja për Jetën si një Misionar


6

Përgatitja për Jetën si një Misionar

Hyrje

Të shërbesh në një mision kohëplotë është të pranosh një thirrje për të përfaqësuar Zotin Jezu Krisht. Misioni është një përvojë e gëzueshme, por përfshin edhe punë të vështirë. Për të qenë misionarë të efektshëm, të rinjtë dhe të rejat duhet të përgatiten për t’i mirëbesuar Zotit kur përballen me sfida. Ndërsa misionarët e ardhshëm krijojnë pritshmëri të shëndosha për jetën në mision, ato do të përgatiten më mirë për të shërbyer me gjithë “zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” e tyre (DeB 4:2).

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Duke u Bërë Misionar

Fillojeni mësimin duke i bërë klasës këto pyetje:

  • Në çfarë mënyrash prisni që stili juaj i jetesës të ndryshojë kur ta filloni shërbimin tuaj si një misionar?

  • Çfarë mund të filloni të bëni tani për t’u përgatitur për ato ndryshime të stilit të jetesës?

Paraqiteni dhe ftojeni një student ta lexojë thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose shfaqeni pjesën filmike për thënien. Shpjegoni se edhe pse Plaku Bednar po u drejtohej të rinjve në sesionin e priftërisë të konferencës së përgjithshme, parimet që ai jep mësim gjejnë zbatim edhe për të rejat.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Në mbledhjet me anëtarët e rinj të Kishës anekënd botës, unë shpesh i ftoj të pranishmit të bëjnë pyetje. Një nga pyetjet që më është bërë më shpesh nga të rinjtë është kjo: ‘Çfarë mund të bëj që të përgatitem në mënyrë më të efektshme për të shërbyer si një misionar kohëplotë?’ Një pyetje e tillë e sinqertë meriton një përgjigje serioze.

Vëllezërit e mi të rinj e të shtrenjtë, gjëja e vetme, më e rëndësishme që mund të bëni për t’u përgatitur për një thirrje për të shërbyer [një mision], është të bëheni një misionar shumë kohë përpara se të shkoni në një mision. Ju lutem, vini re se në përgjigjen time unë theksova të bërit më tepër se të shkuarit. Më lejoni t’ju shpjegoj se për çfarë e kam fjalën.

Në fjalorin tonë të zakonshëm të Kishës, shpesh ne flasim për të shkuarit në kishë, për të shkuarit në tempull dhe për të shkuarit në një mision. Më lejoni të jem kaq guximtar sa të sugjeroj se theksimit tonë disi të zakonshëm për të shkuarit, i mungon qëllimi.

Çështja nuk është tek të shkuarit në kishë; përkundrazi, çështja është të adhurojmë e të përtërijmë besëlidhjet kur marrim pjesë në kishë. Çështja nuk është të shkojmë në ose përmes tempullit; përkundrazi, çështja është të kemi në zemrat tona shpirtin, besëlidhjet dhe ordinancat e shtëpisë së Zotit. Çështja nuk është tek të shkuarit në një mision; përkundrazi, çështja është të bëhemi misionarë dhe të shërbejmë gjatë tërë jetës sonë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë. Është e mundur për një të ri të shkojë në një mision dhe të mos bëhet një misionar dhe kjo nuk është ajo që Zoti kërkon ose ajo për të cilën ka nevojë Kisha.

Shpresa ime më e zjarrtë për secilin prej jush, të rinjve, është që ju nuk do të shkoni thjesht në një mision – por që ju do të bëheni misionarë shumë kohë përpara se të dorëzoni letrat tuaja të misionit, shumë kohë përpara se ta merrni thirrjen për të shërbyer, shumë kohë përpara se të veçoheni nga presidenti juaj i kunjit dhe shumë kohë përpara se të hyni në QTM” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 45).

  • Cila tha Plaku Bednar se ishte gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për t’u përgatitur për thirrjen për të shërbyer në një mision? (Të bërit një misionar kohë përpara se ju të shkoni në një mision.)

Bëjeni një student të lexojë pjesën tjetër të citimit të Plakut Bednar ose shfaqni pjesën filmike të thënies:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Me sa duket, procesi të bërit një misionar nuk kërkon që një i ri të veshi një këmishë të bardhë dhe kollare për në shkollë çdo ditë ose të ndjekë udhëzimet për misionarët për të shkuar në shtrat dhe për t’u ngritur, edhe pse pjesa më e madhe e prindërve me siguri do ta mbështetnin atë ide. Por ju mund ta rritni dëshirën tuaj për t’i shërbyer Perëndisë [shih DeB 4:3] dhe mund të filloni të mendoni si mendojnë misionarët, të lexoni çfarë lexojnë misionarët, të luteni si luten misionarët dhe të ndieni çfarë ndiejnë misionarët. Ju mund t’iu shmangeni ndikimeve të botës që bëjnë që Fryma e Shenjtë të largohet, dhe mund të rriteni në besim te vetja që të dalloni dhe që t’iu përgjigjeni nxitjeve shpirtërore. Rresht pas rreshti dhe parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje, ju dalëngadalë mund të bëheni misionari që shpresoni të bëheni dhe misionari që Shpëtimtari pret [të bëheni]” (“Becoming a Missionary”, f. 45–46).

Më pas, pyetni:

  • Sipas Plakut Bednar, në ç’mënyra mund të bëheni një misionar përpara se të hyni në qendrën e trajnimit të misionarëve?

Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Unë mund të bëhem një misionar tani në mënyrën si mendoj, ndiej dhe veproj. Për ta ilustruar këtë parim, kërkojuni studentëve të kalojnë tek Alma 17:2–3, 9, 11 dhe shpjegojuni se këto vargje përshkruajnë bijtë e Mosias, të cilët po shërbenin në një mision te lamanitët. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet ndërsa klasa e ndjek, duke kërkuar atë që bën bijtë e Mosias për t’u përgatitur për të dhënë mësim me fuqi dhe autoritet. Më pas, pyetini studentët:

  • Çfarë bënë bijtë e Mosias me qëllim që të përgatiteshin për të dhënë mësim me fuqi dhe autoritet?

  • Si mund ta ndjekin misionarët e ardhshëm shembullin e bijve të Mosias ndërsa përgatiten për t’u bërë misionarë tani?

Bëjini studentët të kalojnë te faqja 141 te Predikoni Ungjillin Tim, dhe bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin e tretë. Më pas, bëni pyetje si të mëposhtmet:

  • Sipas letrës së thirrjes për mision, çfarë pritet që misionarët t’i kushtojnë Zotit dhe çfarë pritet që ata të lënë pas?

  • Cilët janë shembuj të “punë[ve] … personale” që u kërkohen misionarëve t’i lënë pas kur fillojnë shërbimin e tyre misionar?

  • Kur jeni bekuar ju nga bërja e sakrificave me qëllim që t’i shërbeni Perëndisë?

Pas kësaj, jepuni studentëve pak minuta kohë për të përsiatur dhe për t’i shkruar përgjigjet për pyetjet e mëposhtme në ditarët e tyre të studimit. Nxitini studentët të hedhin në letër veçanërisht atë që ndiejnë se po iu komunikon Fryma e Shenjtë atyre vetë. Më pas, pyetni:

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëni tani që të filloni të mendoni, ndieni dhe veproni si një misionar?

  • Si mund të përgatiteni për t’i lënë pas punët personale dhe për t’ia kushtuar të gjithë kohën dhe vëmendjen tuaj shërbimit ndaj Zotit?

  • Si mund t’ju ndihmojë bërja e këtyre gjërave që të përgatiteni për të dhënë mësim me fuqi dhe autoritet si bijtë e Mosias?

Nxitini studentët të hedhin synime të posaçme në ditarët e tyre. Idetë mund të përfshijnë studimin çdo ditë të Librit të Mormonit, lutjen në mëngjes dhe mbrëmje, marrjen pjesë në të gjitha mbledhjet e kishës, vajtjen në shtrat përpara orës 22:30 dhe zgjimin nga ora 06:30, pakësimin e kohës me përdorimin prej tyre të pajisjeve elektronike, ose përpjekjen për të qenë më të bindur ndaj urdhërimeve.

Standardi i Denjësisë

Shkruajeni në tabelë fjalën “kusht paraprak” dhe kërkojuni studentëve të mendojnë për mjediset në të cilat janë të domosdoshme kushtet paraprake. Jepuni studentëve një çast për të hetuar Doktrinën e Besëlidhjet 88:74 për disa kushte paraprake për të shërbyer në një mision. Më pas, pyetni:

  • Çfarë i këshilloi Zoti punëtorët në mbretërinë e Tij që të bënin për t’u përgatitur për predikimin e ungjillit? (Të shenjtërojnë vetveten, të pastrojnë zemrat e tyre, të pastrojnë duart e tyre.)

  • Çfarë do të thotë të shenjtërohesh? (Të jesh i pastër, të jesh i denjë për Frymën e Shenjtë.)

  • Cili parim lidhur me misionarët jepet mësim te Doktrina e Besëlidhjet 88:74? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni sa vijon në tabelë: Zoti i urdhëron shërbëtorët e Tij që të jenë të pastër.)

Për të ndihmuar me shpjegimin se çfarë do të thotë për një misionar të jesh i pastër dhe i denjë për të shërbyer në një mision, paraqiteni fragmentin e mëposhtëm të një bisede të dhënë nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë ju bëj thirrje të filloni pikërisht tani – sonte – të jeni plotësisht dhe tërësisht të denjë. Vendosni dhe zotohuni ndaj vetes dhe ndaj Perëndisë që nga ky çast e tutje ju do të përpiqeni me zell t’i mbani zemrat, duart dhe mendjet tuaja të pastra dhe të panjolla nga çfarëdolloj shkeljeje morale. Vendosni që ta shmangni pornografinë sikur do të shmangnit sëmundjen më të rrezikshme, sepse ajo është pikërisht e tillë. Vendosni të përmbaheni tërësisht nga duhani, alkooli dhe drogat ilegale. Vendosni të jeni të ndershëm. Vendosni të jeni qytetarë të mirë dhe t’u bindeni ligjeve të vendit në të cilin jetoni. Vendosni që nga kjo natë e tutje ju nuk do ta ndotni kurrë trupin tuaj ose nuk do të përdorni kurrë gjuhë që është vulgare dhe e pahijshme për një mbajtës të priftërisë” (“The Greatest Generation of Missionaries”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 47).

Bëni pyetje si të mëposhtmet për t’i ndihmuar studentët ta analizojnë këshillën e Plakut Ballard:

  • Çfarë urdhërimesh përmendi veçanërisht Plaku Ballard të cilave duhet t’iu binden misionarët e ardhshëm?

  • Çfarë do të thotë t’i kesh zemrën, duart dhe mendjen tënde “të panjolla nga çfarëdolloj shkeljeje morale”? (Nëse nevojitet, mund t’i referoheni pjesës “Pastërtia Seksuale” te Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 35–37.)

  • Përse është e urtë ta shmangësh pornografinë sikur do të shmangnim një sëmundje të rrezikshme, dhe si ju ndihmon shmangia e pornografisë që të mendoni, ndieni dhe veproni si një misionar?

Shfaqni materialin filmik “Stay within the Lines” [“Qëndroni Brenda Vijave”] (05:10) për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e të qenit i denjë për të shërbyer në një mision. Përpara se ta shfaqni materialin filmik, merrni parasysh të diskutoni arsyen përse vijat kufizuese janë të rëndësishme në sporte të caktuara. Diskutoni për ndryshimin midis “brenda fushe” dhe “jashtë fushe” dhe për mënyrën se si vijat kufizuese ndikojnë te veprimet e atletëve gjatë lojës. Tregojuni studentëve se Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka folur rreth asaj se çfarë do të thotë të qëndrosh brenda vijave shpirtërore përpara një misioni.

Pasi ta shihni materialin filmik, merrni parasysh t’u bëni studentëve pyetjet e mëposhtme:

  • Cila është marrëdhënia midis “të qëndruarit brenda vijave” dhe përgatitjes për të shërbyer në një mision?

  • Plaku Holland u lut për ata në ekipin e Zotit që të qëndrojnë në ekip dhe të mos dalin “jashtë fushe”. Çfarë do të thotë kjo për ju?

  • Përse mosarritja për t’u penduar për mëkatet e kaluara do ta pengonte një misionar t’i ndihmonte me efektshmëri të tjerët për të ardhur te Krishti?

Jepuni studentëve një çast për të përsiatur vetë nivelin e tyre të denjësisë për të shërbyer në një mision. Shpjegojuni studentëve se nëse ata kanë ndonjë shqetësim për denjësinë e tyre, ata duhet të kërkojnë udhërrëfim me lutje të sinqertë dhe të diskutojnë për këto shqetësime me peshkopin e tyre ose presidentin e degës.

Përgatitja Fizike dhe Emocionale

Paraqiteni deklaratën vijuese të lëshuar nga Presidenca e Parë në vitin 2002, dhe ftojini studentët ta lexojnë atë në heshtje. Ose bëjeni një student ta lexojë deklaratën me zë të lartë.

“Shërbimi misionar me kohë të plotë është një privilegj për ata që janë thirrur nëpërmjet frymëzimit nga Presidenti i Kishës. Peshkopët dhe presidentët e kunjeve kanë përgjegjësinë serioze për të identifikuar anëtarë të denjë dhe të kualifikuar që janë të përgatitur nga ana shpirtërore, fizike dhe emocionale për këtë shërbim të shenjtë dhe që mund të rekomandohen pa asnjë lloj ngurrimi” (Letër e Presidencës së Parë, 11 dhjetor 2002).

Më pas, pyetni:

  • Përveç përgatitjes shpirtërore, përse një person do të duhet të përgatitet fizikisht dhe emocionalisht për të shërbyer në një mision?

Paraqiteni citimin vijues dhe ftojeni një ose më shumë studentë ta lexojnë me zë të lartë:

Ushtrim i rregullt (i përditshëm). Një misionar duhet të jetë në gjendje të ecë mesatarisht 10 km në ditë dhe të ngasë biçikletën 19 km në ditë. Misionarët e ardhshëm të cilët nuk po ecin më shumë se nga makina për te klasa ose puna, me gjasë do të kenë këmbë të lënduara dhe me flluska kur të arrijnë në fushën e misionit. … Një misionar i cili nuk është në formë të mirë fizike do të lodhet nga puna misionare dhe një misionar i lodhur është më i prekur nga shkurajimi dhe problemet shëndetësore sesa një misionar i cili është i shëndetshëm fizikisht.

Misionarët e ardhshëm mund të përgatiten për masat e rrepta të jetës misionare duke krijuar një model të rregullt të ushtrimeve fizike – duke ecur, duke vrapuar ose duke ngarë biçikletën një orë çdo ditë. …

Gjumë i mjaftueshëm. Edhe pse nevojat për gjumë ndryshojnë, në përgjithësi të rinjtë në moshë madhore duhet të flenë shtatë deri në tetë orë në ditë. Idealja, ata duhet të shkojnë në shtrat midis orës 22:30 deri në mesnatë dhe të ngrihen nga shtrati midis orës 06:30 deri në 08:00. Qëndrimi zgjuar deri në 02:00 ose 03:00 të mëngjesit dhe të fjeturit deri në 10:00 e bën një person të ndihet i lodhur gjatë gjithë kohës dhe të dëshirojë të flejë deri në mesditë. … Misionarët jetojnë një jetë të planifikuar. Ata janë në shtrat nga ora 22:30 dhe ngrihen nga ora 06:30 çdo ditë. Ky orar do të jetë i vështirë përveç nëse misionarët e ardhshëm krijojnë një regjim të ngjashëm kohë përpara thirrjes për të shërbyer.

Zakonet e të ngrënit shëndetshëm. Në vend që të konsumojnë sheqer dhe yndyrë, të rinjtë duhet të mësojnë të shijojnë vakte që përbëhen nga proteina dhe fibra, të tilla si mish pa dhjamë, kos, perime dhe fruta. Gjithashtu, pirja e më shumë se 355 ml pijesh të gazuara në ditë është e tepërt” (Donald B. Doty, “Missionary Health Preparation”, Ensign, mars 2007, f. 64).

  • Nëse një misionar nuk është i shëndetshëm fizikisht, çfarë pasoje mund të ketë kjo në përparimin e punës, te shoku i misionit dhe te mirëqenia e vetë misionarit?

Kërkojuni studentëve t’i përsiatin në heshtje pyetjet vijuese:

  • Si do ta përshkruanit ju përgatitjen tuaj aktuale fizike për të shërbyer në një mision?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëni tani për t’u përgatitur që të përmbushni kërkesat fizike për një mision kohëplotë?

Nxitini studentët të bëjnë një plan për të filluar tani të flenë mjaftueshëm, të hanë ushqim të shëndetshëm dhe të bëjnë ushtrime në mënyrë që të kenë qëndresën fizike për të cilën kanë nevojë që t’ia dalin si misionarë. Nëse ua lejon koha, ftojini studentët të shkruajnë planet e tyre në ditarët vetjakë të studimit.

Bëjeni një student të shpjegojë se si trupi u përgjigjet veprimtarive mbingarkuese fizike të tilla si ngjitja dhe zbritja me vrap e një varg shkallësh (ritëm i rritur i zemrës, frymëmarrje e rënduar, djersitje, muskuj të lodhur e kështu me radhë). Shpjegoni se mbingarkesa fizike është vetëm një lloj sfide me të cilën përballen misionarët. Më pas, pyetni:

  • Si mund t’i përgjigjet trupi dhe mendja e një misionari mbingarkesës emocionale ose psikologjike që vjen nga sfidat e vështira ose problemet e papritura?

Shpjegojuni se të gjithë misionarët përjetojnë disa shkallë të mbingarkesës emocionale, ndjenja të mallit për shtëpinë dhe të papërshtatshmërisë, hidhërim ose emocione të tjera që mund t’i mundojnë ata dhe këto janë një pjesë e zakonshme e jetës misionare.

Shfaqni materialin filmik “Preparation of Gordon B. Hinckley: Forget Yourself and Go to Work” [“Përgatitja e Gordon B. Hinklit: Harrojeni Vetveten dhe Shkoni në Punë”] (02:04). Nxitini studentët të shohin arsyet përse Presidenti Gordon B. Hinkli u ndje i shkurajuar kur ishte misionar i ri në Angli.

Pyeteni klasën:

  • Cilat janë disa nga arsyet që Presidenti Hinkli u ndje i shkurajuar pas mbërritjes në fushën e misionit?

  • Çfarë bëri Presidenti Hinkli që e ndihmoi atë ta mposhte shkurajimin?

Shpjegojini klasës se disa nga misionarët më të mëdhenj në shkrimet e shenjta përjetuan shkurajim dhe vështirësi të tjera në punët e tyre misionare. Shkruajini referencat vijuese nga shkrimet e shenjta në tabelë: Jeremia 1:4–9; Alma 17:5; 26:27 dhe Moisiu 6:31–32. Bëjini pjesëtarët e klasës të përzgjedhin dhe të lexojnë në heshtje një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta, duke kërkuar sfidat që përcaktuan ose hasën individët për të cilët lexuan. Teksa studentët përgjigjen, merrni parasysh t’i përmblidhni përgjigjet e tyre në tabelë, siç tregohet:

Jeremia 1:4–9. Jeremia ishte i frikësuar se njerëzit nuk do t’ia vinin veshin atij ngaqë ishte tepër i ri.

Alma 17:5; 26:27. Amoni dhe bashkëmisionarët e tij vuajtën në trup dhe mendje. Ata u ndien të dëshpëruar dhe qenë gati të hiqnin dorë.

Moisiu 6:31–32. Enoku u shqetësua se askush nuk do t’ia vinte veshin atij ngaqë ishte i ngathët në të folur dhe ende shumë i ri.

Më pas, pyetni:

  • Çfarë mësoni ju nga këto tre tregime rreth sfidave emocionale të predikimit të ungjillit? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë: Sfidat fizike dhe emocionale janë një pjesë e zakonshme e jetës misionare.

  • Çfarë mendimesh keni kur lexoni pohimin se sfidat fizike dhe emocionale janë një pjesë e zakonshme e jetës misionare?

  • Si mund të ndikojë në mënyrën e përgatitjes suaj për të shërbyer dijenia se të gjithë misionarët përballen me sfida?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se thuajse të gjithë misionarët përjetojnë sfida emocionale ose fizike. Si rrjedhojë, misionarët duhet të mësojnë se si ta përballojnë mbingarkesën në një mënyrë të shëndetshme dhe të përshtatshme në mision. Shpesh, mënyrat e shëndetshme për ta përballuar mbingarkesën që janë të efektshme jashtë fushës së misionit, të tilla si kalimi i kohës vetëm, dëgjimi i muzikës ose luajtja e sporteve, nuk janë të mundshme për misionarët çdo ditë. Misionarët duhet të mësojnë se si ta përballojnë mbingarkesën në mënyra që pajtohen me rregullat e misionit.

Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe shpërndajuni studentëve fletushkën “Kërkesat për Jetën Misionare”. Bëjeni secilin grup 1) ta lexojë me zë të lartë pjesën e parë, të titulluar “Kërkesat për Jetën Misionare” dhe 2) diskutoni se si të qenit në dijeni për kërkesat për jetën misionare mund t’i ndihmojë ata të përgatiten më mirë për sfidat e jetës në mision.

Pamja
fletushka Jeta Misionare

Pasi grupet të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i lexuar dhe për të diskutuar për pjesën, kërkojuni disa studentëve të tregojnë disa nga pikat kyçe që diskutuan grupet e tyre. Më pas, si një klasë, merrni pak minuta për të lexuar dhe për të diskutuar për pjesën tjetër të fletushkës, të titulluar “Përshtatja me Përvojat e Reja”, dhe flisni rreth asaj se si të kuptuarit e fazave tipike të përshtatjes mund t’i ndihmojë studentët kur hyjnë në QTM.

Shikoni drejt Zotit për Ndihmë me Sfidat

Për t’i nxitur studentët të fillojnë të mendojnë rreth mënyrës se si do t’i përballojnë sfidat kur t’i përjetojnë ato në fushën e misionit, shpjegojuni se Nefi u bëri ballë ndjenjave të thella të papërshtatshmërisë dhe shkurajimit dhe shkroi rreth asaj që ai bëri për t’i mposhtur ato ndjenja. Bëjeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 4:17–19. Më pas, pyetni:

  • Çfarë fjalësh ose frazash përdori Nefi për të përshkruar pasojat e dobësive të tij?

Bëjini studentët ta studiojnë 2 Nefin 4:19–26, duke kërkuar gjërat që e ndihmuan Nefin t’i mposhtte ndjenjat e tij të shkurajimit. Më pas, pyetni:

  • Çfarë frazash përdori Nefi për të përshkruar mënyrën se si ai i mposhti ndjenjat e tij të thella negative? (Studentët duhet të përcaktojnë se Nefi i besoi Zotit [shih vargun 19], ai kujtoi se çfarë Zoti kishte bërë për të në të shkuarën [shih vargjet 20–23], ai ofroi lutje të fuqishme [shih vargun 24] dhe ai kujtoi mëshirën e Zotit [vargu 26].)

  • Si ju ka ndihmuar të kujtuarit e Zotit dhe të mirësisë së Tij gjatë kohëve të shkurajimit apo mbingarkesës?

  • Më herët në mësim, ne e pranuam se është e zakonshme për misionarët që të përjetojnë mbingarkesë emocionale, ndjenja të mallit për shtëpinë dhe të papërshtatshmërisë, hidhërim ose emocione të tjera që mund t’i rëndojnë ata. Duke e marrë parasysh atë që shkroi Nefi te 2 Nefi 4:19–26, çfarë këshille do t’i jepnit një misionari i cili përjeton këto lloj ndjenjash? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin në vijim dhe të marrin parasysh që ta shkruajnë atë në tabelë: Kur misionarët besojnë te Zoti, Zoti mund t’i ndihmojë ata t’i zotërojnë kërkesat fizike dhe emocionale për jetën misionare.)

Merrni parasysh t’u tregoni studentëve thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Nuk besoj se puna misionare ka qenë ndonjëherë e lehtë, as se është i lehtë kthimi në besim, as se është mbajtja në aktivizim, as se është besnikëria e vazhdueshme. Besoj se hamendësohet që duhet pak përpjekje, diçka nga thellësitë e shpirtit tonë.

Në qoftë se Ai mundi të dilte vullnetar, të ulej në gjunjë, të rrëzohej me fytyrë përdhe, t’i dilte gjak nga çdo por, dhe të thërriste: ‘Abba, Atë (Baba), nëse mund ta largosh prej meje këtë kupë, largoje’ [shih Marku 14:36], atëherë nuk është çudi që shpëtimi nuk është një lojë apo diçka e lehtë për ne. Nëse e vritni mendjen a ka një mënyrë më të lehtë, duhet të kujtoni se nuk jeni i pari që e bëni atë pyetje. Dikush shumë më i madh edhe shumë më fisnik pyeti shumë kohë më parë a kishte një mënyrë më të lehtë.

Shlyerja do t’u sjellë dobi misionarëve ndoshta edhe në mënyrë më të rëndësishme nga sa do t’u sjellë kërkuesve. Kur hasni vështirësi, kur nuk pranoheni, kur ju pështyjnë dhe dëbojnë e ju tallin, ju po trajtoheni njëlloj si personi më i mirë që ka qenë ndonjëherë në botë, personi më i pastër dhe i përkryer që ka jetuar ndonjëherë. Ju keni arsye të qëndroni drejt dhe të jeni mirënjohës që Biri i Gjallë i Perëndisë së Gjallë i njeh të gjitha hidhërimet dhe mundimet tuaja. Udha e vetme drejt shpëtimit është nëpër Gjetseman dhe për në Kalvari. Udha e vetme drejt përjetësisë është nëpërmjet Tij – Udhës, Të Vërtetës dhe Jetës” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 15).

Më pas, pyetni:

  • Sipas Plakut Holland, çfarë arsyeje kanë misionarët për të qëndruar drejt gjatë kohëve të vështirësisë?

Thuajuni studentëve se kur përballen me rrethana drobitëse në fushën e misionit, ata duhet të kujtojnë se puna që po bëjnë po ndihmon për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti. Shkruajini referencat vijuese nga shkrimet e shenjta në tabelë: Alma 26:11–13; 29:10 dhe Doktrina e Besëlidhjet 18:15–16. Vërini disa studentë t’i lexojnë me radhë me zë të lartë këto fragmente ndërsa klasa i ndjek, duke kërkuar atë çka na mësojnë fragmentet për jetën misionare. Ftojini studentët të japin pikëpamje dhe më pas sigurojini ata se edhe pse shërbimi misionar kohëplotë është një punë e vështirë dhe ndonjëherë mund të jetë shkurajuese, kur punojmë për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti, Zoti na bekon me gëzim. Merrni parasysh t’u kërkoni studentëve të tregojnë përvojat kur e kanë përjetuar tashmë këtë parim.

Vërini në dukje studentëve se hera-herës ata mund të kenë një shok që përballet me probleme emocionale ose probleme të shëndetit mendor. Në të tilla raste, ata duhet ta dëgjojnë dhe të tregojnë dashuri për shokun e tyre, sepse qëndrimi përkrahës i një shoku mund të jetë vendimtar për t’i ndihmuar në kapërcimin e problemeve. Ata asnjëherë nuk duhet të sugjerojnë se po të kishte më shumë besim një misionar që ka vështirësi, sfidat e tij apo të saj do të largohen.

Shpjegojuni gjithashtu se disa sfida kërkojnë ndihmë shtesë nga udhëheqësit e priftërisë dhe profesionistë të shëndetit mendor, dhe se shumica e misioneve kanë në dispozicion profesionistë të duhur shëndeti për misionarët. Misionarët të cilët kanë vështirësi emocionale duhet të diskutojnë për situatat e tyre me presidentët e misioneve për të përcaktuar se çfarë ndihme mund të jetë e përshtatshme.

Për t’i ndihmuar studentët ta marrin më tej parasysh mënyrën se si mund të përballen me sfidat fizike dhe emocionale që mund të hasin si misionarë, jepuni atyre disa minuta për të shkruar rreth një kohe kur ata duhej të mposhtnin rrethana të vështira. Vazhdoni duke i pyetur studentët se çfarë mësuan rreth Zotit dhe rreth vetes së tyre nga përvoja dhe si ata mund ta përdorin përvojën për t’i forcuar në të ardhmen.

Në mbyllje, shprehni mirëbesimin tuaj te studentët dhe aftësinë e tyre për t’i përballuar sfidat që e shoqërojnë jetën misionare. Jepni dëshminë tuaj se Zoti i ndihmon individët që kthehen tek Ai t’i zotërojnë kërkesat fizike dhe emocionale të jetës së tyre.

Ftesa për të Vepruar

Ftojini pjesëtarët e klasës të përgatiten për jetën në mision duke plotësuar një nga shumë veprimtaritë në vijim:

  • Merrni parasysh se çfarë duhet të bëni për t’u bërë të pastër dhe të denjë për të shërbyer në një mision. Nëse është e nevojshme, shmangini mendimet dhe sjelljet e papërshtatshme që janë fyese për Shpirtin.

  • Vendosni synime vetjake për të ndjekur programin ditor të ushtrimeve fizike, për të ngrënë shëndetshëm ose për të zhvilluar zakone të gjumit që shoqërojnë rendin e ditës të misionarëve.

  • Shqyrtojini standardet e veshjes për misionarët kohëplotë që gjenden tek adresa LDS.org.

  • Kërkojini një misionari të kthyer të diskutojë rreth asaj që ai ose ajo bëri për ta administruar mbingarkesën dhe për të mposhtur sfidat e jetës misionare.

  • Diskutoni me prindërit ose udhëheqësit e priftërisë për mënyra për të gjetur gjuhën me një shok misionar me të cilin mund të mos keni shumë të përbashkëta ose me të cilin keni vështirësi ta gjeni.

Shtyp në Letër