8
Dhënia Mësim e Mesazhit të Rivendosjes (Pjesa 2)
Hyrje
Mesazhi i Rivendosjes është se ungjilli i Jezu Krishtit, i cili përfshin doktrinën e përjetshme, autoritetin e priftërisë dhe ordinancat e shpëtimit, është rivendosur në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Nëpërmjet ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit – i njëjti ungjill që është zbuluar në çdo periudhë ungjillore – të gjithë fëmijët e Perëndisë mund të marrin jetë të përjetshme. Misionarët e ardhshëm duhet t’i kuptojnë qartë konceptet e Braktisjes dhe të Rivendosjes e duhet të jenë të përgatitur t’i shpjegojnë ato thjesht e të dëshmojnë për to me fuqi.
Përgatitja Paraprake
-
Studiojeni Moronin 10:3–5 dhe Joseph Smith– Historinë 1:1–19.
-
Studioni te Predikoni Ungjillin Tim, faqet 36–39.
-
Studiojeni bisedën e Gordon B. Hinckley, “The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 78–81.
-
Përgatituni të shfaqni materialet filmike “‘Come, All Ye Sons of God,’ Part 1” [“‘Ejani Bij t’Perëndis’, Pjesa 1”] (01:17) dhe “‘Come, All Ye Sons of God,’ Part 2” [“‘Ejani Bij t’Perëndis’, Pjesa 2”](02:00; pjesë filmike nga biseda e Presidentit Tomas S. Monson, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 66–69), të mundësuara në lds.org/media-library.
-
Përgatiteni fletushkën e titulluar “Themeli i Mrekullueshëm i Besimit Tonë” që gjendet në fund të mësimit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Vegimi i Jozef Smithit me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin
Shfaqeni pjesën filmike të parë nga biseda e Presidentit Tomas S. Monson “Come, All Ye Sons of God” [“Ejani Bij t’Perëndis”], në të cilën Presidenti Monson tregon përvojën e kthimit në besim të Elmer Pollardit:
“Kur shërbeva si president misioni në Kanada mbi 50 vjet më parë, një misionar i ri që vinte nga një komunitet i vogël rural mahnitej nga madhësia e Torontos. Ai qe i vogël nga shtati, por me dëshmi të madhe. Jo shumë pas mbërritjes së tij, bashkë me shokun e vet misionar, ai vizitoi shtëpinë e Elmer Pollardit në Oshaua të Ontarios në Kanada. Nga keqardhja për të rinjtë që, gjatë një stuhie verbuese dëbore, po shkonin shtëpi më shtëpi, z. Pollard i ftoi misionarët brenda në shtëpinë e tij. Ata i paraqitën mesazhin e tyre. Ai nuk u frymëzua nga shpirti [i mesazhit]. Kur erdhi çasti, u kërkoi që të largoheshin e të mos vinin përsëri. Fjalët e tij të fundit drejtuar pleqve, ndërsa kalonin hyrjen e tij të përparme, u thanë me tallje: ‘Mos më thoni se e besoni me të vërtetë që Jozef Smithi qe profet i Perëndisë!’
Dera u mbyll” (“Ejani, Bij t’Perëndis”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 68).
Pasi ta shfaqni pjesën filmike, pyetni:
-
Në qoftë se do të ishit njëri prej këtyre misionarëve, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund të kishit teksa largoheshit nga shtëpia e z. Pollard?
-
Çfarë do të kishit bërë në këtë pikë?
Shfaqeni pjesën filmike të dytë, që përmban pjesën e mbetur të historisë së Presidentit Monson:
“Pleqtë ecën tatëpjetë rrugës. Djali ynë nga fshati i tha shokut të vet misionar: ‘Eldër, nuk iu përgjigjëm z. Pollard. Ai tha se ne nuk besonim se Jozef Smithi qe profet i vërtetë. Le të kthehemi dhe t’i shprehim dëshmitë tona.’ Në fillim, misionari më me përvojë ngurroi, por më në fund ra dakord ta shoqëronte shokun e tij. Frika mbërtheu zemrat e tyre ndërsa i afroheshin derës nga e cila sapo qenë dëbuar. Ata trokitën, u përballën me z. Pollard, kaluan një çast pikëllimi dhe pastaj me fuqi nga Shpirti, misionari ynë i papërvojë tha: ‘Z. Pollard, ju thatë se ne nuk e besonim vërtet se Jozef Smithi qe profet i Perëndisë. Unë ju dëshmoj se Jozefi ishte profet. Ai e përktheu vërtet Librin e Mormonit. Ai pa Perëndinë, Atin dhe Jezusin, Birin. Unë e di këtë.’
Jo shumë kohë më vonë, z. Pollard, tani Vëllai Pollard, u ngrit në një mbledhje të priftërisë dhe tha: ‘Atë natë nuk munda të flija. Dëgjoja të kumbonin në veshët e mi fjalët: “Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë. Unë e di këtë. Unë e di këtë. Unë e di këtë.” Ditën tjetër u telefonova misionarëve dhe u kërkova që të ktheheshin. Mesazhi i tyre, i ndërthurur me dëshmitë e tyre, ndryshoi jetën time dhe jetën e familjes sime’” (“Ejani, Bij t’Perëndis”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 68).
Pyetni:
-
Si mendoni ju, përse dëshmia e misionarit për Profetin Jozef Smith pati një efekt kaq të thellë te z. Pollard?
Bëjini studentët të shkojnë te Joseph Smith – Historia në Perlën me Vlerë të Madhe. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë vargjet 5–6 dhe më pas bëjeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë vargjet7–9. Më pas, pyetini studentët:
-
Si mund t’i përmblidhnit këto vargje në vetëm një ose dy fjali?
Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:10. Ndërsa lexohet vargu, pyetini studentët ta marrin parasysh mënyrën se si kërkimi i Jozef Smithit për të vërtetën fetare është i ngjashëm me atë të shumë njerëzve që ata do të takojnë në misionet e tyre. Më pas, pyetni:
-
Cilat ishin pyetjet me të cilat po ndeshej i riu Jozef Smith?
-
Çfarë e bënte kaq të vështirë që Jozefi të vendoste me cilën kishë të bashkohej?
-
Si mund të jenë pyetjet e Jozef Smithit të ngjashme me pyetjet që njerëzit në botë kanë sot?
Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:11–13. Më pas, pyetni:
-
Çfarë parimi mësoi Jozef Smithi rreth mënyrës si ta gjente të vërtetën shpirtërore? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët me gjasë do të pohojnë parimin vijues: Ne mund ta mësojmë të vërtetën shpirtërore nga Perëndia nëse i lutemi Atij për përgjigje dhe jemi të gatshëm të veprojmë.)
-
Si mund ta përdorni shembullin e Jozef Smithit për t’i ndihmuar të tjerët që dëshirojnë ta gjejnë të vërtetën shpirtërore?
Bëjini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historia 1:14–19. Ndërsa e bëjnë këtë, bëjini ata të mendojnë rreth ndikimit të përhershëm që ka pasur Vegimi i Parë në botë dhe në jetën e tyre vetjake. Pasi të kenë pasur pak çaste të qeta për ta përfunduar leximin, bëni pyetje si ato që vijojnë:
-
Cilat mund të jenë disa arsye pse kundërshtari e sulmoi Jozef Smithin përpara se të shfaqeshin Ati Qiellor dhe Biri i Tij Jezu Krishti? (Kundërshtari donte ta ndalonte Jozefin që të mos e mësonte të vërtetën shpirtërore e në këtë mënyrë të ndalonte që të ndodhte Rivendosja përfundimtare.)
-
Në çfarë mënyrash filloi Vegimi i Parë t’i mposhte pasojat e Braktisjes së Madhe? (Theksojuani këtë të vërtetë studentëve: Nëpërmjet Vegimit të Parë, qiejt u hapën përsëri dhe filloi Rivendosja.)
-
Çfarë të vërtetash doktrinore mund të mësohen nga Vegimi i Parë? (Ati dhe Biri janë qenie të ndara, qiejt janë të hapur, ne mund të marrim zbulesë e kështu me radhë.)
-
Si mendoni ju, pse Predikoni Ungjillin Tim sugjeron se misionarët japin mësim rreth Vegimit të Parë gjatë, pikërisht komunikimit të tyre të parë me një kërkues?
-
Si mund t’i ndihmojë kërkuesit të mësuarit rreth shfaqjes së Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit në kërkimin e tyre për të vërtetën shpirtërore?
Për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për rëndësinë e Vegimit të Parë, jepini çdo studenti një kopje të fletushkës të titulluar “The Marvelous Foundation of Our Faith” [“Themeli i Mrekullueshëm i Besimit Tonë”], e cila përmban një pjesë të bisedës nga Presidenti Gordon B. Hinkli.
Bëjeni një student t’i lexojë me zë të lartë tre paragrafët e parë. Më pas, pyetni:
-
Përse “e gjithë forca” e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qëndron te vlefshmëria e Vegimit të Parë? (Studentët duhet ta kuptojnë se, nëse tregimi i Jozef Smithit për vegimin e tij është i vërtetë, atëherë është i vërtetë edhe pretendimi se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë në tokë me miratimin dhe autoritetin e plotë të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.)
-
Sipas Presidentit Hinkli, në çfarë mënyrë qe e ndryshme puna e Jozef Smithit nga puna e bërë prej udhëheqësve të mëparshëm fetarë të cilët i reformuan praktikat e adhurimit dhe mësimet doktrinore?
Jepuni studentëve pak minuta për ta lexuar në heshtje pjesën e mbetur të fletushkës. Teksa lexojnë, nxitini ata të shenjojnë fjalë, fraza ose pohime që u bëjnë përshtypje. Pasi studentët ta kenë mbaruar leximin, ftojini disa prej tyre të tregojnë se çfarë shenjuan e të shpjegojnë se pse ishte domethënëse për ta. Merreni parasysh të bëni pyetje si të mëposhtmet:
-
Përse mund të jetë e vështirë për disa njerëz që ta pranojnë vërtetësinë e vegimit të Jozef Smithit?
-
Duke i mbajtur parasysh parimet e studiuara në mësimin tonë të mëparshëm, si përshtatet Vegimi i Parë me modelin e periudhave ungjillore, braktisjes dhe rivendosjes? (Pas një periudhe braktisjeje, Vegimi i Parë nisi një rivendosje dhe një periudhë ungjillore të re. Ashtu si në periudhat e mëparshme ungjillore, një profet u thirr nga Perëndia që të rivendoste të vërtetat ungjillore dhe autoritetin e priftërisë. Jozef Smithi u thirr si profeti i “plotës[imit të] kohëra[ve]” [Efesianëve 1:10]. Kjo do të thotë se ungjilli nuk do të humbasë nëpërmjet braktisjes, por do të mbetet në tokë deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit.)
-
Si mundet ndihma ndaj një kërkuesi për ta kuptuar këtë model të shkrimit të shenjtë për braktisjen dhe rivendosjen ta ndihmojë atë ta pranojë realitetin e Vegimit të Parë dhe Rivendosjen bashkëkohore të ungjillit?
Ftojeni klasën të shkojë te faqja 37 te Predikoni Ungjillin Tim dhe t’i lexojnë në heshtje tre paragrafët e fundit në faqe, duke kërkuar gjërat që u rivendosën apo u rithemeluan nëpërmjet Rivendosjes. Më pas kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjetën. Mund të doni të siguroheni që klasa të përmendë 1) rivendosjen e autoritetit, çelësave dhe ordinancave të priftërisë, 2) rithemelimin e Kishës së Krishtit, 3) thirrjen e dymbëdhjetë Apostujve, 4) hapjen e një periudhe të re ungjillore dhe 5) thirrjen e një profeti të gjallë.
Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e Vegimit të Parë dhe të Rivendosjes, kërkojini klasës t’u përgjigjet pyetjeve si ato në vijim:
-
Si keni arritur të fitoni një dëshmi për realitetin dhe domethënien e Vegimit të Parë?
-
Si ka ndikuar dëshmia juaj për Vegimin e Parë te besimi juaj në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?
Pyetni nëse ndonjë prej studentëve do të donte t’i jepte klasës dëshminë e vet për Vegimin e Parë ose Rivendosjen.
Ndajeni klasën në dyshe. Organizojini studentët në grupe të vogla me nga katër (dy dyshe në çdo grup). Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme për të përgatitur mënyrën se si do të japin një mësim të shkurtër tre deri në katër minuta mbi Vegimin e Parë dhe Rivendosjen. Shpjegoni se mësimdhënia e tyre duhet të jetë e thjeshtë dhe e qartë. Bëjini studentët ta shqyrtojnë materialin te Predikoni Ungjillin Tim, faqet 36–37, ose te faqja 11 në broshurën e misionarëve të titulluar Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit. Nxitini studentët të përdorin vetë fjalët e tyre për ta shpjeguar përvojën e Jozef Smithit (përveçse kur citojnë ose lexojnë nga Joseph Smith – Historia 1:16–17). Kujtojuni atyre ta mbyllin me dëshmitë e tyre. Caktojeni një dyshe në çdo grup që t’i japë mësim dyshes tjetër.
Teksa studentët e mbyllin përvojën e tyre të mësimdhënies, bëjeni çdo grup të diskutojë brenda për brenda se çfarë shkoi mirë gjatë mësimdhënies dhe çfarë mund të kishin bërë më mirë mësuesit.
Pastaj, ndërrojini rolet dhe lejojeni dyshen tjetër të japë mësim. Sigurohuni që të ketë kohë për përshtypje. Pasi të gjitha dyshet të kenë dhënë mësim, ftojini anëtarët e klasës të japin pikëpamje nga përvoja e tyre për pjesën tjetër të klasës.
Mund të jetë e dobishme për studentët tuaj që ta dinë si t’u përgjigjen pyetjeve të vështira lidhur me tregime të ndryshme të Vegimit të Parë të shkruara nga Jozef Smithi. Shpjegoni se tregimi i Vegimit të Parë që gjendet te Joseph Smith – Historia u shkrua nga Profeti në vitin 1838 si pjesë e një historie zyrtare të Kishës që do të botohej nëpër botë. Ngaqë Jozef Smithi e shënoi përvojën e tij më shumë se një herë, ka tregime të tjera ekzistuese për Vegimin e Parë. Shpjegojuni studentëve se çdo tregim ndryshon disi në theksin dhe hollësitë e tij. Disa kritikë kanë dhënë si argument në mënyrë të gabuar se çdo ndryshim në ritregimin e historisë është provë e trillimit. Sidoqoftë, kur një individ e ritregon një përvojë në mjedise të shumta, për dëgjues të ndryshëm, përgjatë shumë viteve, secili tregim do të priret për të theksuar aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të pashoqe. Për shembull, ndryshime të ngjashme me ato në tregimet për Vegimin e Parë ekzistojnë në tregimet e Palit për vegimin e tij në rrugën për në Damask (shih Veprat e Apostujve 9:3–9; 22:6–11; 26:12–18).
Ftesa ndaj të Tjerëve për ta Lexuar Librin e Mormonit
Filloni ta jepni rëndësinë e kësaj pjese të mësimit duke e bërë një student të lexojë me zë të lartë së paku dy paragrafë në hyrjen e Librit të Mormonit. Ftojini studentët të kërkojnë premtimet që u jepen atyre që zgjedhin ta lexojnë Librin e Mormonit, ta përsiatin e ta pyetin Perëndinë a është i vërtetë. Ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën.
Bëjini studentët të shkojnë te faqja 38 te Predikoni Ungjillin Tim dhe bëjeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë në pjesën “Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. Bëjini studentët të përcaktojnë një parim të dhënë mësim në këtë paragraf duke pyetur:
-
Pse Libri i Mormonit është një mjet i vlefshëm e i fuqishëm për misionarët? (Ndihmojini studentët ta kuptojnë se Libri i Mormonit që përmban ungjillin e përjetshëm, është provë bindëse që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. (Shih DeB 20:8–11.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë doktrinë, bëni disa pyetje si ato të mëposhtmet:
-
Përse Libri i Mormonit është provë bindëse që Jozef Smithi është një profet? (Nëse dikush arrin në përfundimin se Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë ai duhet të arrijë edhe në përfundimin se Jozef Smithi po vepronte sipas drejtimit hyjnor për ta zbuluar e përkthyer atë dhe se është një profet i Perëndisë.)
-
Si bekohen kërkuesit kur e lexojnë Librin e Mormonit dhe fitojnë një dëshmi që ai është i vërtetë? (Ata do ta dinë se Jozef Smithi është një profet dhe do të jenë të përgatitur ta pranojnë Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe do të marrin ordinancat shpëtuese.)
Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë Moronin 10:3–5. Pyetni për sa vijon:
-
Çfarë hapash duhet të ndërmarrë një njeri në mënyrë që të fitojë një dëshmi se Libri i Mormonit është i vërtetë? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët me gjasë do ta pohojnë këtë parim: Ndërsa e lexojmë, përsiatemi dhe lutemi me qëllim të vërtetë rreth Librit të Mormonit, Perëndia do të na e zbulojë vërtetësinë e tij me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.)
-
Çfarë do të thotë të “kërkoni … me qëllim të vërtetë” (Moroni 10:4)? (Dëshirimi me sinqeritet për të marrë një përgjigje nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe të qenit i zotuar për të vepruar sipas përgjigjes.)
Për ta ilustruar pse është e rëndësishme që një kërkues ta lexojë Librin e Mormonit dhe të lutet me qëllim të vërtetë për vërtetësinë e tij, shfaqeni materialin filmik “Invitation to Read the Book of Mormon: Jynx” [“Ftesë për ta Lexuar Librin e Mormonit: Xhinksi”] (08:06).
Ndalojeni materialin filmik në 00:55 dhe kërkojini klasës të përsiatet për një çast se çfarë mendimesh dhe ndjenjash do të kishin pasur po të ishin një nga misionarët që po e mësonin Xhinksin. Thërritni emrin e disa studentëve që të tregojnë atë që do t’i thoshin asaj.
Ndërkohë që e shfaqni pjesën e mbetur të materialit filmik, merreni parasysh ta bëni gjysmën e klasës të shikojë arsyen pse kërkuesit duhet ta lexojnë e të luten rreth Librit të Mormonit në mënyrë që të fitojnë një dëshmi për vërtetësinë e tij. Bëjeni gjysmën tjetër të klasës të shikojë atë që thanë misionarët që e ndihmoi Xhinksin të ndiente shtysë për ta lexuar Librin e Mormonit. Pas materialit filmik, diskutoni për sa vijon me studentët:
-
Çfarë i thanë dhe çfarë bënë misionarët për t’i dhënë shtysë Xhinksit që ta lexonte e të lutej për Librin e Mormonit?
-
Çfarë i thanë dhe çfarë bënë misionarët që e ftoi Frymën e Shenjtë të jepte dëshmi për fjalët e tyre?
-
Përse është thelbësore për një kërkues që ta lexojë e të lutet rreth vërtetësisë së Librit të Mormonit? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se nuk është e mjaftueshme që misionarët thjesht të shpërndajnë kopje të Librit të Mormonit. Roli i një misionari është t’i ndihmojë të tjerët ta ndiejnë rëndësinë e leximit dhe lutjes rreth Librit të Mormonit që të mund të zbulojnë se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe se ungjilli i Jezu Krishtit u rivendos.)
Shpjegojani klasës se ata tani do të kenë mundësi ta interpretojnë me role bërjen e ftesës ndaj dikujt që ta lexojë Librin e Mormonit. Tregojeni në praktikë prezantimin e Librit të Mormonit dhe parashtrimin e një ftese për ta lexuar e për t’u lutur që të dihet se mesazhi i tij është i vërtetë. Pastaj ndajeni klasën në dyshe, ose merreni parasysh të përdorni një nga trajtat e sugjeruara të mësimdhënies që gjenden te pjesa “Veprimtari me Mësimdhënie” në hyrje të këtij manuali.
Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme që të përgatiten për ta ftuar një kërkues ta lexojë Librin e Mormonit dhe të lutet për të ditur a është i vërtetë. Ftojini studentët ta lexojnë kutinë e titulluar “Përdoreni Librin e Mormonit për të Konfirmuar të Vërtetën e Rivendosjes”, që ndodhet në mes të faqes 39 të Predikoni Ungjillin Tim. Studentët mund të përdorin edhe faqen 15 të broshurës së misionarëve të titulluar Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit. Ata duhet ta mbyllin veprimtarinë ushtruese duke dhënë dëshminë e tyre për Librin e Mormonit dhe duke parashtruar një ftesë për ta lexuar e për t’u lutur rreth vërtetësisë së tij.
Pasi të gjithë studentët të kenë pasur mundësi ta ushtrojnë dhënien e dëshmisë së tyre për Librin e Mormonit dhe parashtrimin e ftesës për ta lexuar e për t’u lutur, kërkojuni anëtarëve të klasës të japin pikëpamje nga përvojat e tyre për pjesën tjetër të klasës.
Teksa e mbyllni mësimin, kujtojini studentët për bekimet e leximit dhe forcimit të dëshmive të tyre vetjake për Librin e Mormonit përpara se të fillojnë shërbimin kohëplotë misionar. Pyetni nëse ndonjëri prej tyre do të donte ta jepte dëshminë e vet për Librin e Mormonit. Jepeni dëshminë tuaj për Librin e Mormonit dhe sigurojini studentët se ata do të gjejnë gëzim teksa i ftojnë të tjerët ta lexojnë këtë dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin.
Ftesa për të Vepruar
Nxitini studentët ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar në këtë mësim gjatë javës së ardhshme. Ata mund të marrin parasysh të bëjnë sa vijon:
-
Lutuni për një dëshmi më të fortë për Vegimin e Parë dhe vërtetësinë e Librit të Mormonit.
-
Lexojeni artikullin “First Vision Accounts” [“Tregimet për Vegimin e Parë”] në pjesën Gospel Topic [Temat e Ungjillit] në lds.org/topics.
-
Mësojeni përmendsh tregimin për Vegimin e Parë të shënuar te Joseph Smith – Historia 1:16–17. Tregojani atë një miku ose një pjesëtari të familjes dhe jepni dëshminë tuaj për rëndësinë e ngjarjes.
-
Lutuni për ndihmë që të përcaktoni dikë të cilit mund t’i jepni një kopje të Librit të Mormonit. Veproni sipas nxitjeve shpirtërore që merrni.