Seksioni 112
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Thomas B. Marsh-it, në Kirtland, Ohio, më 23 korrik 1837 (History of the Church, 2:499–501). Kjo zbulesë përmban fjalët e Zotit për Thomas B. Marsh-in lidhur me Dymbëdhjetë Apostujt e Qengjit. Profeti shënon se kjo zbulesë u mor në ditën në të cilën ungjilli u predikua për herë të parë në Angli. Thomas B. Marsh ishte në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
1–10, Të Dymbëdhjetët duhet t’ua dërgojnë ungjillin dhe t’ua ngrenë zërin e paralajmërimit gjithë kombeve dhe popujve; 11–15, Ata duhet të marrin kryqin e tyre, të ndjekin Jezusin dhe të ushqejnë delet e tij; 16–20, Ata që pranojnë Presidencinë e Parë, pranojnë Zotin; 21–29, Errësira mbulon tokën dhe vetëm ata që besojnë dhe pagëzohen do të shpëtohen; 30–34, Presidencia e Parë dhe të Dymbëdhjetët mbajnë çelësat e periudhës së plotësisë së kohëve.
1 Në të vërtetë kështu të thotë Zoti ty, shërbëtori im Thomas: Unë i kam dëgjuar lutjet e tua; dhe mirësitë e tua kanë ardhur si një memorial përpara meje, në emër të atyre, vëllezërve të tu, që u zgjodhën për të dhënë dëshmi për emrin tim dhe për ta dërguar atë larg, mes gjithë kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve dhe që u shuguruan nëpërmjet instrumentalitetit të shërbëtorëve të mi.
2 Në të vërtetë unë të them, ka patur pak gjëra në zemrën tënde dhe me ty, me të cilat unë, Zoti, nuk isha shumë i kënaqur.
3 Megjithatë, për aq sa ti e ke përulur veten tënde, ti do të ekzaltohesh; si rrjedhim, gjithë mëkatet e tua të janë falur.
4 Zemra jote duhet të ngazëllehet përpara fytyrës sime; dhe ti duhet t’u japësh dëshmi për emrin tim, jo vetëm Johebrenjve, por gjithashtu Judenjve; dhe ti duhet ta dërgosh fjalën time deri në fundet e tokës.
5 Mbroje, si rrjedhim, mëngjes për mëngjes; dhe ditë pas dite duhet të përhapet zëri yt i paralajmërimit; dhe kur nata të vijë, mos i lejo banorët e tokës të pushojnë, për shkak të fjalimit tënd.
6 Banesa jote duhet të njihet në Sion dhe mos e ndërro shtëpinë; sepse unë, Zoti, kam një punë të madhe për ty për të bërë, në botimin e emrit tim mes fëmijëve të njerëzve.
7 Si rrjedhim, ngjishi ijët e tua për punën. Këmbët e tua duhet të jenë të veshura gjithashtu, sepse ti je zgjedhur dhe shtegu yt shtrihet mes malesh dhe mes shumë kombesh.
8 Dhe me anë të fjalës tënde shumë vende të larta do të sheshohen dhe me anë të fjalës tënde shumë vende të ulta do të lartësohen.
9 Fjala jote duhet të jetë një qortim për shkelësin; dhe në qortimin tënd gjuha e shtrëmbëruesit duhet ta pushojë çoroditjen e saj.
10 Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua.
11 Unë e njoh zemrën tënde dhe i kam dëgjuar lutjet e tua lidhur me vëllezërit e tu. Mos trego më shumë dashuri për ta sesa për shumë të tjerë; por dashuria jote duhet të jetë për ta si për veten tënde; dhe dashuria jote duhet të jetë e madhe për të gjithë njerëzit dhe për të gjithë ata që e duan emrin tim.
12 Dhe lutu për vëllezërit e tu të të Dymbëdhjetëve. Këshilloji ata fort për hir të emrit tim dhe ata duhet të qortohen për gjithë mëkatet e tyre dhe ti duhet të jesh besnik përpara meje për emrin tim.
13 Dhe pas tundimeve të tyre dhe shumë shqetësimi, vër re, unë, Zoti, do t’u afrohem atyre dhe nëse ata nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre dhe nuk i forcojnë kokat e tyre kundër meje, ata do të kthehen në besim dhe unë do t’i shëroj.
14 Tani, unë të them ty, dhe atë që ta them ty, ua them gjithë të Dymbëdhjetëve: Ngrihuni dhe ngjishini ijët tuaja, merrni mbi vete kryqin tuaj, më ndiqni mua dhe ushqeni delet e mia.
15 Mos e lartësoni veten tuaj; mos ngrini krye kundër shërbëtorit tim Joseph; sepse në të vërtetë unë ju them, unë jam me të dhe dora ime do të jetë mbi të; dhe çelësat që ia kam dhënë atij dhe gjithashtu juve, nuk do t’i merren derisa unë të vij.
16 Në të vërtetë unë të them ty, shërbëtorit tim Thomas, ti je burri që kam zgjedhur për të mbajtur çelësat e mbretërisë sime, lidhur me të Dymbëdhjetët, larg mes gjithë kombeve—
17 Që ti mund të jesh shërbëtori im për të çelur derën e mbretërisë në të gjitha vendet ku shërbëtori im Joseph dhe shërbëtori im Sidney, dhe shërbëtori im Hyrum nuk mund të shkojnë;
18 Sepse mbi ta e kam vënë barrën e të gjitha kishave për një stinë të vogël.
19 Prandaj kudo që ata do të të dërgojnë, shko dhe unë do të jem me ty; dhe në çfarëdo vendi që do ta shpallësh emrin tim, një derë e efektshme do të hapet për ty, që ata të mund ta pranojnë fjalën time.
20 Kushdo që e pranon fjalën time, më pranon mua dhe kushdo që më pranon mua, pranon ata, Presidencinë e Parë, që i kam dërguar, të cilët i kam bërë këshilltarë për hir të emrit tim për ju.
21 Dhe përsëri, unë ju them se këdo që do ta dërgoni në emrin tim, me anë të zërit të vëllezërve tuaj, të Dymbëdhjetëve, të rekomanduar dhe të autorizuar siç duhet nga ju, do të ketë fuqi për të hapur derën e mbretërisë sime për cilindo komb ku ju do t’i dërgoni ata—
22 Për aq sa ata do të përulen përpara meje dhe do t’i binden fjalës sime e do t’ia vënë veshin zërit të Shpirtit tim.
23 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, errësirë mbulon tokën dhe errësirë e thellë mendjet e njerëzve, dhe gjithë mishi është i korruptuar përpara fytyrës sime.
24 Vini re, hakmarrja vjen me të shpejtë mbi banorët e tokës, një ditë zemërimi, një ditë djegie, një ditë shkatërrimi, kuje, vajtimi dhe ankimi; dhe si një vorbull do të vijë mbi gjithë faqen e tokës, thotë Zoti.
25 Dhe mbi shtëpinë time do të fillojë ajo dhe nga shtëpia ime do të përhapet, thotë Zoti;
26 Së pari mes atyre mes jush, thotë Zoti, të cilët kanë shpallur se e njohin emrin tim dhe nuk më kanë njohur mua e kanë blasfemuar kundër meje në mes të shtëpisë sime, thotë Zoti.
27 Si rrjedhim, kujdesuni që të mos e shqetësoni veten tuaj lidhur me punët e kishës sime në këtë vend, thotë Zoti.
28 Por pastrojini zemrat tuaja përpara meje; dhe atëherë shkoni në të gjithë botën dhe ia predikoni ungjillin tim çdo krijese që nuk e ka marrë atë;
29 Dhe ai që beson dhe pagëzohet, do të shpëtohet, dhe ai që nuk beson e nuk pagëzohet, do të mallkohet.
30 Sepse juve, të Dymbëdhjetëve, dhe atyre, Presidencisë së Parë, që janë caktuar me ju të jenë këshilltarët tuaj dhe udhëheqësit tuaj, u është dhënë fuqia e kësaj priftërie, për ditët e fundit dhe për kohën e fundit, në të cilën është periudha e plotësisë së kohëve.
31 Fuqi të cilën ju e mbani, në lidhje me gjithë ata që kanë marrë një kujdestari në çdo periudhë, që nga fillimi i krijimit;
32 Sepse në të vërtetë unë ju them, çelësat e periudhës së kujdestarisë, të cilët ju i keni marrë, kanë zbritur nga etërit dhe, në fund të të gjithave, janë dërguar nga qielli për ju.
33 Në të vërtetë unë ju them, vini re sa e madhe është thirrja juaj. Pastrojini zemrat tuaja dhe rrobat tuaja, përndryshe gjaku i këtij brezi do të kërkohet nga duart tuaja.
34 Jini besnikë derisa unë të vij, sepse unë vij shpejt; dhe shpërblimin tim e kam me vete për ta shpërblyer çdo njeri siç do të jetë vepra e tij. Unë jam Alfa dhe Omega. Amen.