Seksioni 45
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Kishës, në Kirtland, Ohio, më 7 mars 1831 (History of the Church, 1:158–163). Në parathënie të shënimit të tij për këtë zbulesë, Profeti thotë se “në këtë fazë të Kishës, … shumë thënie të rreme … dhe histori absurde u botuan … dhe qarkulluan … për t’i penguar njerëzit të hetonin veprën ose të përqafonin besimin … Por për gëzimin e Shenjtorëve … unë mora sa vijon” (History of the Church, 1:158).
1–5, Krishti është avokati ynë me Atin; 6–10, Ungjilli është një lajmëtar për të përgatitur udhën përpara Zotit; 11–15, Enoku dhe vëllezërit e tij u morën nga Zoti pranë tij; 16–23, Krishti zbuloi shenja të ardhjes së tij, siç u dhanë në malin e Ullinjve; 24–38, Ungjilli do të rivendoset, kohërat e Johebrenjve do të plotësohen dhe një sëmundje shkretuese do të mbulojë tokën; 39–47, Shenja, mrekulli dhe Ringjallja do të shoqërojnë Ardhjen e Dytë; 48–53, Krishti do të qëndrojë në malin e Ullinjve dhe Judenjtë do të shohin plagët në duart dhe këmbët e tij; 54–59, Zoti do të mbretërojë gjatë Mijëvjeçarit; 60–62, Profeti udhëzohet të fillojë përkthimin e Dhjatës së Re, nëpërmjet të cilit informacion i rëndësishëm do të bëhet i njohur; 63–75, Shenjtorët urdhërohen të mblidhen dhe të ndërtojnë Jeruzalemin e Ri, në të cilin njerëz nga të gjitha kombet do të vijnë.
1 Dëgjoni, O ju njerëz të kishës sime, ata të cilëve mbretëria u është dhënë; dëgjoni dhe vërjani veshin atij që vuri themelin e tokës, që bëri qiejt e gjithë ushtritë e tyre dhe nëpërmjet të cilit u bënë të gjitha gjërat që jetojnë e lëvizin dhe kanë një qenie.
2 Dhe përsëri unë ju them, vërini vesh zërit tim, që vdekja të mos ju vijë; në një orë kur nuk e mendoni, vera do të marrë fund dhe korrja do të mbarojë e shpirtrat tuaj nuk do të shpëtohen.
3 Dëgjoni atë që është avokati juaj me Atin, i cili po e mbron çështjen tuaj para tij—
4 Duke thënë: Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; vër re gjakun e Birit tënd që u derdh, gjakun e atij të cilin e dhe që ti vetë të mund të përlëvdoheshe;
5 Si rrjedhim, Atë, kurseji këta vëllezërit e mi që besojnë në emrin tim, që ata të mund të vijnë tek unë dhe të kenë jetë të përhershme.
6 Vini vesh, O ju njerëz të kishës sime dhe ju pleq, dëgjoni së bashku e mbani vesh zërin tim, ndërkohë që thirret sot, dhe mos i ngurtësoni zemrat tuaja;
7 Sepse në të vërtetë ju them se unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, drita dhe jeta e botës—një dritë që shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë.
8 Unë erdha tek të mitë dhe të mitë nuk më pranuan; por të gjithë atyre që më pranuan, u dhashë fuqi për të bërë shumë mrekulli dhe për t’u bërë bijtë e Perëndisë; dhe madje atyre që besuan në emrin tim, u dhashë fuqi të fitojnë jetë të përjetshme.
9 Dhe madje kështu ia kam dërguar besëlidhjen time të përjetshme botës, që t’i jetë një dritë botës dhe që të jetë një flamur për popullin tim e për Johebrenjtë, dhe që të jetë një lajmëtar përpara fytyrës sime për të përgatitur udhën para meje.
10 Si rrjedhim, ejani tek ajo dhe me atë që vjen, unë do të arsyetoj si me njerëzit në ditët e lashta dhe do t’jua tregoj arsyetimin tim të fuqishëm.
11 Si rrjedhim, vini vesh së bashku dhe më lini t’ju tregoj madje urtësinë time—urtësinë e atij që ju thoni është Perëndia i Enokut dhe i vëllezërve të tij,
12 Që u ndanë nga toka dhe u morën prej meje—një qytet i ruajtur derisa një ditë drejtësie të vijë—një ditë që u kërkua prej gjithë njerëzve të shenjtë dhe që ata nuk e gjetën për shkak të ligësisë dhe të fëlliqësive;
13 Dhe rrëfyen se ishin të huaj dhe shtegtarë mbi tokë;
14 Por morën një premtim se ata do ta gjenin dhe do ta shihnin atë në mish.
15 Si rrjedhim, vini vesh dhe unë do të arsyetoj me ju dhe do t’ju flas e profetizoj, sikurse njerëzve në ditët e lashta.
16 Dhe unë do t’jua tregoj atë qartësisht, sikurse ua tregova dishepujve të mi kur qëndrova përpara tyre në mish dhe u fola, duke thënë: Ngaqë më keni kërkuar lidhur me shenjat e ardhjes sime, në ditën kur do të vij në lavdinë time në retë e qiellit, për të përmbushur premtimet që u kam bërë etërve tuaj,
17 Sepse, ngaqë ju e keni parë mungesën e gjatë të shpirtrave tuaj në trupat tuaj të jetë një robëri, unë do t’ju tregoj se si dita e shëlbimit do të vijë dhe gjithashtu rivendosja e Izraelit të shpërndarë.
18 Dhe tani vini re këtë tempull që është në Jeruzalem, të cilin ju e quani shtëpia e Perëndisë, dhe armiqtë tuaj thonë se kjo shtëpi nuk do të bjerë kurrë.
19 Por, në të vërtetë, unë ju them se shkatërrimi do të vijë mbi këtë brez si një vjedhës natën dhe këta njerëz do të shkatërrohen e shpërndahen mes gjithë kombeve.
20 Dhe ky tempull që e shihni tani, do të rrëzohet përtokë, sa nuk do të lihet asnjë gur mbi gur.
21 Dhe do të ndodhë që ky brez i Judenjve nuk do të vdesë derisa çdo shkatërrim që ju kam thënë lidhur me ta, do të ndodhë.
22 Ju thoni se e dini që mbarimi i botës vjen; ju thoni gjithashtu se e dini që qiejt dhe toka do të kalojnë;
23 Dhe për këtë ju thoni të vërtetën, sepse kështu është; por këto gjëra që jua kam thënë, nuk do të kalojnë derisa gjithçka të përmbushet.
24 Dhe këtë jua kam thënë lidhur me Jeruzalemin; dhe kur ajo ditë të vijë, të mbeturit do të shpërndahen mes gjithë kombeve;
25 Por ata do të mblidhen përsëri; por ata do të mbeten derisa kohët e Johebrenjve të përmbushen.
26 Dhe në atë ditë do të dëgjohet për luftëra e ushtima luftërash dhe i gjithë dheu do të jetë në rrëmujë, dhe zemrat e njerëzve do të mpaken, dhe ata do të thonë se Krishti e vonon ardhjen e tij deri në mbarim të tokës.
27 Dhe dashuria e njerëzve do të ftohet e paudhësia do të shumohet.
28 Dhe kur kohërat e Johebrenjve të vijnë, një dritë do të agojë mes atyre që dergjen në errësirë dhe ajo do të jetë plotësia e ungjillit tim;
29 Por ata s’e pranojnë atë; sepse nuk e dallojnë dritën dhe i largojnë zemrat e tyre prej meje për shkak të mësimeve të njerëzve.
30 Dhe në atë brez do të përmbushen kohërat e Johebrenjve.
31 Dhe do të ketë njerëz duke qëndruar në atë brez, që s’do të kalojnë derisa të shohin një ndëshkim përmbytës; sepse një sëmundje shkatërruese do të mbulojë tokën.
32 Por dishepujt e mi do të qëndrojnë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvizen; por mes të ligjve, njerëz do të ngrenë zërat e tyre dhe do të mallkojnë Perëndinë e do të vdesin.
33 Dhe do të ketë gjithashtu tërmete në vende të ndryshme dhe shumë shkatërrime; përsëri njerëzit do t’i ngurtësojnë zemrat kundër meje dhe do të marrin shpatën, njëri kundër tjetrit, dhe do të vrasin njëri-tjetrin.
34 Dhe tani, kur unë, Zoti, ua thashë këto fjalë dishepujve të mi, ata u shqetësuan.
35 Dhe unë u thashë atyre: Mos u shqetësoni, sepse, kur gjithë këto gjëra të ndodhin, ju mund të dini se premtimet që ju janë bërë, do të përmbushen.
36 Dhe kur drita të fillojë të agojë, do të jetë për ta sikurse në një shëmbëlltyrë që unë do t’jua tregoj—
37 Ju hidhni vështrimin e vëreni pemët e fikut dhe i shikoni ato me sytë tuaj e thoni se, kur ato fillojnë të mugullojnë e gjethet e tyre janë të njoma, vera është tani fare pranë;
38 Po kështu do të jetë në atë ditë kur ata do t’i shohin gjithë këto gjëra; atëherë do të dinë se ora është pranë.
39 Dhe do të ndodhë që ai që ka frikë nga unë, do të vigjilojë që dita e madhe e Zotit të vijë, madje për shenjat e ardhjes së Birit të Njeriut.
40 Dhe do të shohin shenja e mrekulli, sepse ato do të shfaqen në qiell lart dhe në tokë poshtë.
41 Dhe do të vërejnë gjak e zjarr e avuj tymi.
42 Dhe përpara se dita e Zotit të vijë, dielli do të errësohet e hëna do të kthehet në gjak dhe yjet do të bien nga qielli.
43 Dhe të mbeturit do të mblidhen në këtë vend;
44 Dhe atëherë ata do të më kërkojnë dhe, vini re, unë do të vij; dhe ata do të më shohin në retë e qiellit, të mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe, me gjithë engjëjt e shenjtë; dhe ai që nuk vigjëlon për mua, do të flaket.
45 Por përpara se krahu i Zotit të bjerë, një engjëll do t’i bjerë borisë së tij dhe shenjtorët që kanë fjetur, do të vijnë të më takojnë në re.
46 Si rrjedhim, nëse keni fjetur në paqe, qofshi bekuar; sepse ashtu si ju tani më shihni dhe e dini se unë jam, po kështu do të vini tek unë e shpirtrat tuaj do të jetojnë dhe shëlbimi juaj do të jetë i përsosur; dhe shenjtorët do të vijnë nga të katër anët e dheut.
47 Atëherë krahu i Zotit do të bjerë mbi kombet.
48 Dhe atëherë Zoti do të vërë këmbë mbi këtë mal dhe ai do të çahet më dysh, dhe toka do të dridhet e lëkundet lart e poshtë, dhe qiejt gjithashtu do të tunden.
49 Dhe Zoti do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë; dhe kombet e dheut do të mbajnë zi dhe ata që kanë qeshur, do të shohin marrëzinë e tyre.
50 Dhe fatkeqësia do ta mbulojë përçmuesin e tallësi do të shkatërrohet; dhe ata që kanë kurdisur paudhësi, do të priten e do të hidhen në zjarr.
51 Dhe atëherë Judenjtë do ta hedhin vështrimin mbi mua dhe do të thonë: Ç’janë këto plagë në duart e tua dhe në shputat e këmbëve të tua?
52 Atëherë ata do ta dinë se unë jam Zoti; sepse unë do t’u them atyre: Këto plagë janë plagët me të cilat u plagosa në shtëpinë e miqve të mi. Unë jam ai që u ngrit lart. Unë jam Jezusi që u kryqëzua. Unë jam Biri i Perëndisë.
53 Dhe atëherë ata do të qajnë për shkak të paudhësive të tyre; atëherë do të vajtojnë ata, sepse përndoqën mbretin e tyre.
54 Dhe atëherë kombet pagane do të shëlbehen dhe ata që nuk njohën asnjë ligj, do të kenë pjesë në ringjalljen e parë; dhe do të jetë e pranueshme për ta.
55 Dhe Satani do të lidhet që ai të mos ketë vend në zemrat e fëmijëve të njerëzve.
56 Dhe në atë ditë, kur unë të vij në lavdinë time, do të përmbushet shëmbëlltyra që thashë lidhur me dhjetë virgjëreshat.
57 Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar—në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës.
58 Dhe toka do t’u jepet atyre për trashëgim; dhe ata do të shumëzohen e do të bëhen të fuqishëm dhe fëmijët e tyre do të rriten pa mëkat deri në shpëtim.
59 Sepse Zoti do të jetë mes tyre e lavdia e tij do të jetë mbi ta dhe ai do të jetë mbreti e ligjdhënësi i tyre.
60 Dhe tani, vini re, unë ju them, nuk do t’ju jepet të dini më shumë lidhur me këtë kapitull, derisa Dhjata e Re të përkthehet dhe në të, gjithë këto gjëra do të bëhen të njohura;
61 Prandaj unë të lejoj që të mund ta përkthesh tani, që të mund të përgatitesh për gjërat që do të vijnë.
62 Sepse në të vërtetë unë të them se gjëra të mëdha të presin;
63 Ju dëgjoni për luftëra në toka të huaja; por, vini re, unë ju them se ato janë pranë, madje te dera, dhe jo shumë vite më pas ju do të dëgjoni për luftëra në vetë tokat tuaja.
64 Si rrjedhim, unë, Zoti, kam thënë, mblidhuni ju nga tokat e lindjes, grumbullohuni ju së bashku, ju pleq të kishës sime; shkoni ju në shtetet perëndimore, u bëni thirrje banorëve të pendohen dhe sa më shumë të pendohen vërtet, më ndërtoni kisha mua.
65 Dhe me një zemër e me një mendje, mblidhni pasuritë tuaja, që ju të mund të blini një trashëgim që më pas do t’ju caktohet juve.
66 Dhe ai do të quhet Jeruzalemi i Ri, një tokë paqeje, një qytet strehimi, një vend sigurie për shenjtorët e Perëndisë Më të Lartë;
67 Dhe lavdia e Zotit do të jetë atje dhe tmerri i Zotit gjithashtu do të jetë atje, kaq shumë sa të ligjtë nuk do të hyjnë në të dhe ai do të quhet Sion.
68 Dhe do të ndodhë mes të ligjve që, kushdo që nuk do të marrë shpatën kundër të afërmit të tij, duhet patjetër të shkojë në Sion për siguri.
69 Dhe aty do të mblidhen nga çdo komb nën qiell; dhe ai do të jetë i vetmi popull që nuk do të jetë në luftë me një tjetër.
70 Dhe do të thuhet mes të ligjve: Le të mos ngrihemi në luftë kundër Sionit, sepse banorët e Sionit janë të tmerrshëm; si rrjedhim, ne nuk u bëjmë dot ballë.
71 Dhe do të ndodhë që të drejtët do të mblidhen prej gjithë kombeve dhe do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm.
72 Dhe tani unë ju them, i ruani këto gjëra që të mos i shpërndahen botës, derisa të jetë e arsyeshme për mua, që ju ta kryeni këtë vepër përpara syve të njerëzve dhe përpara syve të armiqve tuaj, që ata të mos i dinë veprat tuaja derisa të keni plotësuar atë që ju kam urdhëruar;
73 Që kur ta dinë atë, të mund t’i marrin parasysh këto gjëra.
74 Sepse kur Zoti të shfaqet, ai do të jetë i tmerrshëm mbi ta, që frika t’i pushtojë, dhe ata do të qëndrojnë larg e do të dridhen.
75 Dhe gjithë kombet do të frikësohen për shkak të tmerrit të Zotit dhe të fuqisë së tij të madhe. Madje kështu. Amen.