Shtegu i Përsosur drejt Lumturisë
Dëshmoj për dhuratën e madhërishme që është plani i Atit tonë për ne. Është i vetmi shteg i përsosur drejt paqes dhe lumturisë.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, si këtu në Qendrën e Konferencave dhe kudo në botë, sa mirënjohës jam për mundësinë që kam të ndaj me ju mendimet e mia këtë mëngjes.
Pesëdhjetë e dy vite më parë, në korrik të vitit 1964, mora një detyrë në Nju-Jork-Siti gjatë kohës kur atje u organizua Panairi Botëror. Një mëngjes herët vizitova pavijonin mormon në panair. Arrita pak përpara se të shfaqej filmi i Kishës Man’s Search for Happiness [Kërkimi i Njeriut për Lumturi], një portretizim i planit të shpëtimit, i cili që nga ajo kohë është bërë një film klasik i Kishës. U ula pranë një të riu që ndoshta ishte 35 vjeç. Folëm shkurtimisht. Ai nuk ishte anëtar i Kishës sonë. Më pas dritat u ulën dhe filloi shfaqja.
E dëgjuam zërin e tregimtarit teksa ngriti pyetje kuptimplota dhe të përbotshme: Nga erdha unë? Përse jam këtu? Ku shkoj kur largohem nga kjo jetë? Të gjithë i mbajtën veshët hapur për të dëgjuar përgjigjet dhe çdokush u përqendrua te figurat e portretizuara. U dha një përshkrim i jetës sonë para lindjes, së bashku me një shpjegim të qëllimit tonë në tokë. Ne dëshmuan një rrëfim mallëngjyes të kalimit nga kjo jetë e një gjyshi të moshuar dhe të ribashkimit të tij të lavdishëm me të dashurit e tij, që kishin vdekur përpara tij dhe kishin shkuar në botën e shpirtrave.
Në përfundim të këtij portretizimi të bukur të planit të Atit tonë Qiellor për ne, turma doli nga dhoma qetësisht dhe shumë njerëz dukeshin qartë se ishin prekur nga mesazhi i filmit. Vizitori i ri pranë meje nuk u ngrit. E pyeta nëse i kishte pëlqyer shfaqja. Përgjigja e tij e prerë [ishte]: “Kjo është e vërteta!”
Plani i Atit tonë për lumturinë tonë dhe shpëtimin tonë tregohet nga misionarët tanë kudo në botë. Jo të gjithë që e dëgjojnë këtë mesazh hyjnor, e pranojnë dhe e përvetësojnë atë. Megjithatë, burra dhe gra kudo, ashtu sikurse miku im i ri në Panairin Botëror të Nju-Jorkut, e njohin të vërtetën e tij dhe i ngulin këmbët e tyre në shtegun që do t’i çojë të sigurt në shtëpi. Jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë.
Thelbësor për planin është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pa flijimin e Tij shlyes, të gjithë do të humbnin. Sidoqoftë, nuk është e mjaftueshme që thjesht të besojmë në Të dhe në misionin e Tij. Duhet të punojmë e të mësojmë, të kërkojmë e të lutemi, të pendohemi e të përmirësohemi. Kemi nevojë që t’i njohim ligjet e Perëndisë dhe të jetojmë sipas tyre. Kemi nevojë që t’i marrim ordinancat e Tij shpëtuese. Vetëm duke e bërë këtë ne do të marrim lumturinë e vërtetë, të përjetshme.
Ne jemi të bekuar që e kemi të vërtetën. Ne kemi një urdhër për ta përhapur të vërtetën. Le të jetojmë sipas së vërtetës, që të mund ta meritojmë gjithçka që ka Ati për ne. Ai nuk bën asgjë që nuk është për dobinë tonë. Ai na ka thënë: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.
Nga thellësia e shpirtit tim dhe me gjithë përulësi, unë dëshmoj për dhuratën e madhërishme që është plani i Atit tonë për ne. Është i vetmi shteg i përsosur drejt paqes dhe lumturisë, si këtu dhe në botën që do të vijë.
Vëllezërit dhe motrat e mia, ju lë dashurinë dhe bekimin tim ndërsa e mbyll, dhe e bëj këtë në emrin e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.