Një Thirrje Veçanërisht Fisnike
Si gra besimi, ne mund të nxjerrim parime të vërteta nga përvojat e Profetit Jozef, të cilat na japin ide për të marrë vetë zbulesën tonë.
Unë jam mirënjohëse që ta përqendroj bisedën time sot te rolet e vazhdueshme të grave në Rivendosjen. Është e qartë që gjatë gjithë historisë gratë kanë zënë një vend të spikatur në planin e Atit tonë Qiellor. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Do të ishte e pamundur të matej ndikimi që kanë gra[të] … jo vetëm mbi familjet, por gjithashtu mbi Kishën e Zotit, si bashkëshorte, nëna dhe gjyshe; si motra dhe si teto; si mësuese dhe udhëheqëse; dhe veçanërisht si shembuj dhe si mbrojtëse të devotshme të besimit”1.
Në Shoqatën e hershme të Ndihmës në Navu 178 vjet më parë, Profeti Jozef Smith i këshilloi motrat që të “jetonin në përputhje me privilegjin [e tyre]”2. Shembulli i tyre na mëson ne sot. Në unitet, ato e ndoqën zërin e një profeti dhe jetuan me besim të qëndrueshëm te Jezu Krishti, ndërkohë që ndihmonin për të ngritur themelin mbi të cilin ne qëndrojmë sot. Motra, është radha jonë. Ne kemi një punë hyjnore nga Zoti dhe ndihmesat tona besnike dhe të pashoqe janë jetike.
Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi: “Të jesh një grua e drejtë gjatë skenave përmbyllëse në këtë tokë, përpara ardhjes së dytë të Shpëtimtarit tonë, është një thirrje veçanërisht fisnike. Forca dhe ndikimi i gruas së drejtë sot mund të jetë dhjetëfishi i çfarë mund të ishte në kohë më të qeta.”3
Presidenti Nelson po ashtu na është lutur: “Unë iu lutem motrave të mia të Kishës … të bëjnë një hap përpara! Zëreni vendin tuaj të ligjshëm dhe të nevojshëm në shtëpinë tuaj, në komunitetin tuaj dhe në mbretërinë e Perëndisë – më shumë sesa e keni zënë ndonjëherë më parë.”4
Kohët e fundit pata privilegjin, së bashku me një grup të fëmijëve të Fillores, të takoheshim me Presidentin Rasëll M. Nelson në modelin e shtëpisë së familjes Smith në Palmira të Nju‑Jorkut. Dëgjoni teksa profeti ynë i dashur u mëson fëmijëve se çfarë mund të bëjnë ata për të bërë një hap përpara.
Motra Xhons: “Jam kureshtare të di a mund të keni pyetje që do të donit t’ia bënit Presidentit Nelson. Jeni të ulur këtu me profetin. A ka ndonjë gjë për të cilën gjithmonë keni dashur ta pyesni profetin? Po, Përll.”
Përll: “A është e vështirë të jesh profet? A keni, pra, vërtet shumë punë?”
Presidenti Nelson: “Sigurisht, është e vështirë. Çdo gjë që lidhet me bërjen më shumë si Shpëtimtari, është e vështirë. Për shembull, kur Perëndia donte që t’i jepte Moisiut Dhjetë Urdhërimet, ku i tha Ai të shkonte Moisiut? Lart në majë të një mali, në majë të malit Sinai. Kështu që Moisiut iu desh të bënte të gjithë rrugën deri lart në majë të atij mali për të marrë Dhjetë Urdhërimet. Tani, Ati Qiellor mund të kishte thënë: ‘Moisi, filloje atje dhe unë do ta filloj këtu dhe do të të takoj në gjysmë të udhës’. Jo, Zotit i pëlqen shumë përpjekja, sepse përpjekja sjell shpërblime që nuk mund të vijnë pa të. Për shembull, a keni marrë ndonjëherë mësime pianoje?”
Fëmijët: “Po.”
Përll: “Unë marr mësime violine.”
Presidenti Nelson: “Dhe a ushtroheni?”
Fëmijët: “Po.”
Presidenti Nelson: “Çfarë ndodh nëse nuk ushtroheni?”
Përll: “Harron.”
Presidenti Nelson: “Po, nuk përparon, apo jo?” Prandaj përgjigjja është: ‘Po, Përll’. Kërkon përpjekje, shumë punë të palodhur, shumë studim dhe nuk ka asnjëherë mbarim. Kjo është e mirë! Është e mirë, sepse përparojmë gjithmonë. Edhe në botën që vjen ne përparojmë.”
Përgjigjja e Presidentit Nelson ndaj këtyre fëmijëve të çmuar gjen zbatim për secilin prej nesh. Zoti e pëlqen shumë përpjekjen dhe përpjekja sjell shpërblime. Ne vazhdojmë të ushtrohemi. Ne gjithmonë përparojmë për aq kohë sa përpiqemi fort ta ndjekim Zotin.5 Ai nuk pret përsosje sot. Ne vazhdojmë t’i ngjitemi malit tonë vetjak të Sinait. Si në kohët e shkuara, udhëtimi ynë vërtet kërkon përpjekje, punë të shumtë dhe studim, por zotimi ynë për të përparuar sjell shpërblime të përjetshme.6
Çfarë mësojmë më shumë nga Profeti Jozef Smith dhe Vegimi i Parë rreth përpjekjes, punës së palodhur dhe studimit? Vegimi i Parë na jep drejtim në rolet tona të pashoqe, të vazhdueshme. Si gra besimi, ne mund të nxjerrim parime të vërteta nga përvojat e Profetit Jozef, të cilat na japin ide për të marrë vetë zbulesën tonë. Për shembull:
-
Ne punojmë në kushte të vështira.
-
Ne iu kthehemi shkrimeve të shenjta që të marrim urtësi për të vepruar.
-
Ne shfaqim besimin dhe mirëbesimin tonë te Perëndia.
-
Ne e ushtrojmë fuqinë tonë që t’i përgjërohemi Perëndisë për të na ndihmuar që ta pengojmë ndikimin e kundërshtarit.
-
Ne ia japim Perëndisë dëshirat e zemrave tona.
-
Ne përqendrohemi te drita e Tij që i udhërrëfen zgjedhjet e jetës sonë dhe qëndron mbi ne kur i drejtohemi Atij.
-
Ne e kuptojmë se Ai e njeh secilën prej nesh me emër dhe ka role individuale që ne t’i plotësojmë.7
Përveç kësaj, Jozef Smithi e rivendosi diturinë që ne kemi potencial hyjnor dhe vlerë të përjetshme. Për shkak të asaj marrëdhënieje me Atin tonë Qiellor, unë besoj se Ai pret nga ne që të marrim zbulesë prej Tij.
Zoti e udhëzoi Ema Smithin që ta “[merrte] Frymën e Shenjtë”, të mësonte shumë, të “[linte] mënjanë gjërat e kësaj bote[,] … të kërko[nte] gjërat e një më të mire” dhe të “kap[ej] pas besëlidhjeve [të saj]” me Perëndinë.8 Të mësuarit është pjesë përbërëse e përparimit, veçanërisht kur shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë na mëson atë që është e nevojshme që secili prej nesh ta lërë mënjanë – domethënë atë që mund të na e tërheqë vëmendjen ose ta vonojë përparimin tonë.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë”9. Fjalët e profetit tonë janë vazhdimisht me mua teksa mendoj thellë për aftësinë e grave për të bërë një hap përpara. Ai na lutet, gjë që tregon përparësi. Ai po na mëson se si të mbijetojmë shpirtërisht në një botë të sëmurë nga mëkati nëpërmjet marrjes dhe veprimit sipas zbulesës.10 Kur e bëjmë këtë, duke i nderuar e jetuar urdhërimet e Zotit, neve na premtohet, sikurse iu premtua Ema Smithit, “një kurorë drejtësie”11. Profeti Jozef dha mësim për rëndësinë e dijes se shtegu që po ndjekim në këtë jetë, miratohet prej Perëndisë. Pa atë dije, ne “do të lodhemi në mendjen [tonë] dhe do të ligështohemi”12.
Në këtë konferencë, ne do të dëgjojmë të vërteta që na frymëzojnë ta ndryshojmë, përmirësojmë e pastrojmë jetën tonë. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ne mund ta parandalojmë atë që disa njerëz e quajnë “trullosja nga konferenca e përgjithshme” – kur ne largohemi kaq të vendosur për ta bërë gjithçka tani. Gratë kanë shumë lloje përgjegjësish, por është e pamundur dhe e panevojshme që ato të kryen të gjitha njëherësh. Shpirti na ndihmon që të përcaktojmë se te cila punë të përqendrohemi sot.13
Ndikimi plot dashuri i Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë na ndihmon të dimë përparësinë e Tij për përparimin tonë. Vënia e veshit ndaj zbulesës vetjake çon drejt përparimit vetjak.14 Ne dëgjojmë e veprojmë.15 Zoti tha: “I kërkoni Atit në emrin tim me besim, duke besuar se do të merrni dhe ju do të keni Frymën e Shenjtë, që i manifeston gjithë gjërat të cilat janë të domosdoshme”16. Roli ynë i vazhdueshëm është që të marrim zbulesë të vazhdueshme.
Kur fitojmë një shkallë më të lartë mjeshtërie në bërjen e kësaj gjëje, ne mund të marrim më shumë fuqi në rolet tona individuale për të dhënë shërbesë dhe për të plotësuar punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit – që vërtet t’i “lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[jmë] gjërat e një më të mire”17. Atëherë ne mund ta frymëzojmë në mënyrë më të efektshme brezin tonë të ri që të bëjë të njëjtën gjë.
Vëllezër e motra, ne të gjithë kërkojmë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë.18 Ka një unitet të këndshëm midis grave dhe burrave në plotësimin e punës së Perëndisë sot. Ne kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë së priftërisë nëpërmjet besëlidhjeve, të bëra së pari në ujërat e pagëzimit dhe më pas brenda mureve të tempujve të shenjtë.19 Presidenti Nelson na mësoi: “Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë”20.
Pohimi im vetjak sot është që si grua, më herët në jetën time, unë nuk e kuptova se unë, nëpërmjet besëlidhjeve të mia, kisha të drejtën e përdorimit të fuqisë së priftërisë.21 Motra, unë lutem që ne do ta dallojmë fuqinë e priftërisë dhe do të gëzohemi me të kur “kap[emi] pas besëlidhjeve [tona]”22, përqafojmë të vërtetat e shkrimeve të shenjta dhe ua vëmë veshin fjalëve të profetëve tanë të gjallë.
Le ta shpallim me guxim përkushtimin tonë ndaj Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë, “me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”23. Le ta vazhdojmë plot gëzim këtë udhëtim drejt potencialit tonë më të lartë shpirtëror dhe le t’i ndihmojmë njerëzit përreth nesh që të bëjmë të njëjtën gjë me anë të dashurisë, shërbimit, udhëheqjes e dhembshurisë.
Plaku Xhejms E. Talmixh me dhembshuri na kujtoi: “Mbrojtësi më i madh botëror i grave dhe i të qenit grua është Jezusi, Krishti”24. Në analizën përfundimtare të rolit të vazhdueshëm të grave në Rivendosjen dhe për ne të gjitha, cili rol është më i lartë? Unë dëshmoj se është ta dëgjojmë Atë25, ta ndjekim Atë26, të kemi mirëbesim tek Ai27 dhe ta shtrijmë dashurinë së Tij te të tjerët28. E di se Ai jeton.29 Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.