Konferenca e Përgjithshme
Dashuria e Perëndisë: Më e Gëzueshmja për Shpirtin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


10:24

Dashuria e Perëndisë: Më e Gëzueshmja për Shpirtin

Dashuria e Perëndisë nuk gjendet te rrethanat e jetës sonë, por te prania e Tij në jetën tonë.

Vëllezër dhe motra, a e dini se sa plotësisht ju do Perëndia, Ati ynë Qiellor? A e keni ndier dashurinë e Tij të thellë në shpirtin tuaj?

Çasti kur e dini dhe e kuptoni se sa plotësisht ju duan si fëmijë i Perëndisë, ndryshon gjithçka. Ndryshon mënyrën se si ndiheni rreth vetes kur bëni gabime. Ndryshon mënyrën se si ndiheni kur ndodhin gjëra të vështira. Ndryshon këndvështrimin tuaj për urdhërimet e Perëndisë. Ndryshon këndvështrimin tuaj për të tjerët dhe për aftësinë tuaj për të sjellë një ndryshim.

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij.”1

Si mund ta dijë secili prej nesh thellë në shpirtin e vet atë të vërtetë të madhe të përjetësisë?

Profetit Nefi iu tregua në një vegim prova më e fuqishme e dashurisë së Perëndisë. Pasi pa pemën e jetës, Nefi kërkoi të dinte interpretimin e saj. Si përgjigje, një engjëll i tregoi Nefit një qytet, një nënë dhe një foshnjë. Kur Nefi vështroi qytetin e Nazaretit dhe nënën e drejtë, Marinë, teksa mbante në krahët e saj foshnjën Jezus, engjëlli deklaroi: “Shiko Qengjin e Perëndisë, po, madje Birin e Atit të Amshuar!”2

Në atë çast të shenjtë, Nefi kuptoi se me lindjen e Shpëtimtarit, Perëndia po tregonte dashurinë e Tij të pastër dhe të plotë. Nefi dëshmoi se dashuria e Perëndisë “derdhet në zemrat e fëmijëve të njerëzve”3.

pema e jetës

Ne mund ta përfytyrojmë dashurinë e Perëndisë si drita që buron nga pema e jetës, duke u derdhur mbi të gjithë tokën drejt e në zemrat e fëmijëve të njerëzve. Drita dhe dashuria e Perëndisë depërton tek të gjitha krijesat e Tij4.

Nganjëherë, ne mendojmë gabimisht se mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë vetëm pasi të kemi ndjekur shufrën e hekurit dhe ta kemi ngrënë frutën. Dashuria e Perëndisë, megjithatë, nuk merret vetëm nga ata që vijnë te pema, por është vetë fuqia që na shtyn ta kërkojmë atë pemë.

“Prandaj, ajo është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat”, dha mësim Nefi dhe engjëlli thirri: “Po, dhe më e gëzueshmja për shpirtin”5.

Njëzet vjet më parë, një pjesëtar i dashur i familjes u largua nga Kisha. Ai kishte shumë pyetje të mbetura pa përgjigje. Bashkëshortja e tij, një e kthyer në besim, qëndroi e vërtetë ndaj besimit të saj. Ata punuan fort për ta ruajtur martesën e tyre gjatë ndryshimeve që lindën.

Vitin e kaluar ai shkroi tri pyetje rreth Kishës, me të cilat e kishte të vështirë të pajtohej, dhe ua dërgoi ato dy çifteve, të cilët kishin qenë miqtë e tij për disa vjet. Ai i ftoi ata të reflektonin mbi ato pyetje dhe të vinin për darkë për të shprehur mendimet e tyre.

Pas kësaj vizite me miqtë, ai shkoi në dhomën e vet dhe filloi të punonte me një projekt. Biseda e mbrëmjes dhe dashuria që miqtë treguan ndaj tij, i erdhën ndërmend. Më vonë ai shkroi se ishte i detyruar ta ndalte punën. Ai tha: “Një dritë e shndritshme ma mbushi shpirtin. … E njihja këtë ndjenjë të thellë ndriçimi, por në këtë rast ajo vazhdoi të rritej më e fortë se kurrë më parë dhe zgjati për disa minuta. U ula qetësisht me atë ndjenjë, të cilën arrita ta kuptoja si një manifestim të dashurisë së Perëndisë për mua. … Ndjeva një mbresë shpirtërore që më tha se mund të kthehesha në Kishë dhe ta shprehja këtë dashuri për Perëndinë në ato gjëra që bëj atje.”

Ai më vonë mendoi rreth pyetjeve të tij. Ndjenja që mori, ishte se Perëndia i nderoi pyetjet e tij dhe se mospasja e përgjigjeve të qarta nuk duhet ta ndalonte atë për të shkuar përpara.6 Ai duhet t’ua tregonte dashurinë e Perëndisë të gjithëve ndërkohë që vazhdonte të meditonte. Ndërsa veproi sipas asaj mbrese, ai ndjeu një lidhje me Jozef Smithin, i cili pas Vegimit të tij të Parë shkroi: “Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh”7.

Për habi, pas disa muajsh, ky pjesëtar i familjes mori të njëjtën thirrje që kishte pasur para 20 vjetëve. Herën e parë që e mori thirrjen, ai i kreu përgjegjësitë e tij si një anëtar i bindur i Kishës. Tanimë pyetja e tij nuk ishte: “Si mund ta përmbush këtë thirrje?” por “Si mund ta tregoj dashurinë e Perëndisë nëpërmjet shërbimit tim?” Me këtë qasje të re ai ndjeu gëzim, kuptim dhe qëllim në të gjitha aspektet e thirrjes së tij.

Motra dhe vëllezër, si mund ta marrim ne fuqinë shndërruese të dashurisë së Perëndisë? Profeti Mormoni na fton që t’i “lut[emi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës s[onë], që të mbushe[m]i me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht”8. Mormoni nuk po na fton vetëm të lutemi që të mund të mbushemi me dashurinë e Tij për të tjerët, por të lutemi që të mund ta njohim dashurinë e pastër të Perëndisë për veten tonë.9

Teksa e marrim dashurinë e Tij, ne gjejmë gëzim më të madh gjatë përpjekjes për të dhënë dashuri dhe për të shërbyer si Ai, duke u bërë “pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht”10.

Dashuria e Perëndisë nuk gjendet te rrethanat e jetës sonë, por te prania e Tij në jetën tonë. Ne e njohim dashurinë e Tij kur marrim forcë përtej forcës sonë dhe kur Shpirti i Tij sjell paqe, ngushëllim dhe udhëzim. Nganjëherë mund të jetë e vështirë ta ndiesh dashurinë e Tij. Ne mund të lutemi që t’i kemi sytë hapur për të parë dorën e Tij në jetën tonë dhe për të parë dashurinë e Tij në bukurinë e krijimeve të Tij.

Teksa përsiatim për jetën e Shpëtimtarit dhe flijimin e Tij të pafundmë, ne fillojmë ta kuptojmë dashurinë e Tij për ne. Ne i këndojmë me nderim fjalët e Eliza R. Snout: “Të shtrenjtin gjak lirisht derdhi; jetën e dha për ne”11. Përulësia e Jezusit gjatë vuajtjeve për ne pikon mbi shpirtrat tanë, duke na i hapur zemrat për t’i kërkuar falje Atij dhe duke na mbushur me një dëshirë për të jetuar siç jetoi Ai.12

Presidenti Rasëll M. Nelson shkroi: “Sa më të zotuar bëhemi për t’i modeluar jetët tona sipas jetës së Tij, aq më e pastër dhe më hyjnore bëhet dashuria jonë”13.

Djali ynë tregoi: “Kur isha 11 vjeç, unë dhe shokët e mi vendosëm t’i fshiheshim mësuesit dhe të mungonim në gjysmën e parë të klasës sonë të Fillores. Kur më në fund arritëm, për habinë tonë, mësuesi na përshëndeti ngrohtësisht. Më pas, ai bëri një lutje të përzemërt gjatë së cilës shprehu mirënjohje të sinqertë ndaj Zotit që ne kishim vendosur të vinim në klasë atë ditë me vullnetin tonë të lirë. Nuk e mbaj mend se për çfarë fliste mësimi apo edhe emrin e mësuesit tonë, por tani, nja 30 vjet më pas, jam ende i prekur nga dashuria e pastër që ai më tregoi atë ditë.”

Pesë vjet më parë vëzhgova një shembull të dashurisë hyjnore ndërkohë që frekuentoja Filloren në Rusi. Pashë një motër besnike që u ul në gjunjë përballë dy fëmijëve dhe u dëshmoi atyre që edhe nëse ata do të ishin të vetmit që do të jetonin në tokë, Jezusi do të kishte vuajtur dhe vdekur vetëm për ta.

Unë dëshmoj se Zoti dhe Shpëtimtari ynë vdiq vërtet për secilin dhe çdonjërin prej nesh. Ajo ishte një shprehje e dashurisë së Tij të pafundme për ne dhe për Atin e Tij.

“E di, jeton Shëlbuesi im. Ç’qet’si jep e ëmbla fjali! … Jeton me dashuri t’[na] bekoj’.”14

I hapshim zemrat tona për të marrë dashurinë e kulluar që Perëndia ka për ne, dhe më pas e derdhshim dashurinë e Tij në gjithçka që bëjmë dhe jemi! Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 127.

  2. 1 Nefi 11:21.

  3. 1 Nefi 11:22; theksimi i shtuar.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:13.

  5. 1 Nefi 11:22, 23.

  6. Shih 1 Nefi 11:17.

  7. Joseph Smith, në Karen Lynn Davidson dhe të tjerë, red., The Joseph Smith Papers, Histories, Vëllimi 1: Joseph Smith Histories, 1832–1844 (2012), f. 13; pikësimi dhe përdorimi i germës së madhe u modernizuan.

  8. Moroni 7:48.

  9. Shih Nill F. Mariot, “Banimi në Perëndinë dhe Riparimi i të Çarës”, Liahona, nëntor 2017, f. 11: “Mbase, jeta jonë në një botë të dashur paratokësore është në themel të dëshirës sonë për dashuri të vërtetë, të përhershme këtu në tokë. Ne jemi krijuar në mënyrë hyjnore që të japim dashuri e të marrim dashuri dhe dashuria më e thellë vjen kur ne jemi një me Perëndinë.”

  10. Moroni 7:48.

  11. “O sa Urti dhe Dashuri”, Himne, nr. 110.

  12. Shih Linda S. Rivs, “Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara”, Liahona, nëntor 2015, f. 11: “Unë besoj se, nëse do të mund ta kujtonim dhe dallonim çdo ditë thellësinë e dashurisë që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për ne, ne do të ishim të gatshme të bënim gjithçka që Ata do të kërkonin që të ishim sërish në praninë e Tyre, të rrethuar përjetësisht nga dashuria e Tyre”.

  13. Russell M. Nelson, “Divine Love”, Liahona, shkurt 2003, f. 17.

  14. “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”, Himne, nr. 74.