2022
Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Mars 2022


Mesazh nga Udhëheqës të Zonës

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Disa muaj më parë, Presidenti im i Kuorumit të Pleqve më besoi me përgjegjësinë që të trajnoja një mësues 14-vjeçar të saposhuguruar në lagjen time mbi mënyrën se si të jepte shërbesë. Isha krenar që mund t’i mësoja atij gjithçka që kisha mësuar gjatë gjithë shërbesës sime shumëvjeçare, por në fakt ishte ai që më mësoi atë ditë!

Gjatë kësaj periudhe, isha pak i ngarkuar emocionalisht nga përgjegjësitë e mia dhe m’u deshën disa javë para se të filloja të shërbeja pranë tij. Më në fund, lashë një takim me familjen ku donim të jepnim shërbesë. Ndërsa bëmë rrugën për te shtëpia e familjes, shfrytëzova rastin për t’i treguar gjithçka që dija rreth përgjegjësive tona si mbajtës të priftërisë. Ndërsa po bisedonim me këtë familje, nëna iu drejtua shokut tim të ri për dhënien e shërbesës dhe i tha: “Faleminderit shumë që u kujdese për ne këto javët e fundit, na more në telefon tri herë për të mësuar se si po ia kalonim dhe sot na bëre tortë”. U shtanga! Shoku im nuk kishte pritur që t’i thoja apo t’i tregoja se çfarë të bënte, ai thjesht filloi të shërbente. Kishte vepruar i pavarur, nga dashuria për këtë familje dhe kishte ndjekur nxitjet e Shpirtit të Shenjtë. Ai më tregoi se mosha nuk është një pengesë për shërbimin.

Atë ditë ai më mësoi mua ashtu siç dha mësim Shpëtimtari, të vepronte me zemrën e tij dhe nga dashuria, pa u mburrur për asgjë; të bënte në vend që të thoshte.

Shpëtimtari tha: “Bëni gjërat që më keni parë të bëj”1. Fakti që Ai u pagëzua, megjithëse ishte i përsosur, na tregon se sa e rëndësishme është të japim mësim me anë të shembullit. Dora e Tij e shtrirë drejt gruas së sëmurë, na tregon se sa shumë kujdeset Ai për secilin prej nesh. Mënyra se si Ai e mbrojti gruan që u kap në tradhti bashkëshortore, është një simbol i asaj që flijimi i Tij shlyes mund të bëjë në jetën e secilit prej nesh. Fakti që Ai e preku lebrosin, na ndihmon të kuptojmë se kur ndihmojmë njerëzit në nevojë, ne e japim mësim dashurinë hyjnore nëpërmjet veprimeve tona.

Te manuali “Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit” thuhet: “Synimi i çdo mësuesi të ungjillit – çdo prindi, çdo mësuesi të thirrur formalisht, çdo mësuesi të shtëpisë, çdo mësueseje vizitore dhe çdo pasuesi të Krishtit – është që të japë mësim doktrinën e pastër të ungjillit, me anë të Shpirtit, me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë për ta ndërtuar besimin e tyre te Shpëtimtari dhe për t’u bërë më shumë si Ai”. “Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet. Doktrina e Krishtit na ndihmon ta gjejmë dhe të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. Qëndrimi në atë shteg të ngushtë, por të përcaktuar mirë, do të na kualifikojë më në fund për të marrë gjithçka që ka Perëndia. Asgjë nuk mund të vlejë më shumë sesa gjithçka që ka Ati ynë!”2

Mësimdhënia, siç dha mësim Shpëtimtari, kërkon ta vëmë Atë të parin në jetën tonë, të ndjekim mësimet e Tij dhe të përhapim dashuri përreth nesh. Të japim mësim si Ai nënkupton gjithashtu shfrytëzimin e çdo mundësie të dhënë për të dëshmuar për Të, për flijimin e Tij shlyes dhe për Dashurinë e Tij, sepse siç thotë Zoti: “Ky është ungjilli im; dhe ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju”3.

Dëshmoj për dashurinë që Ai ka për secilin prej nesh, Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi dhe Ai do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 2 Nefi 31:12.

  2. Presidenti Nelson, “E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, konferenca e përgjithshme, tetor 2021.

  3. 3 Nefi 27:21.