“Drita Jonë në Vendin e Shkretë”, Liahona, janar 2024.
Drita Jonë në Vendin e Shkretë
Ata që e lexojnë me sinqeritet Librin e Mormonit, jetojnë sipas parimeve të tij dhe luten për vërtetësinë e tij, do ta ndiejnë Frymën e Shenjtë, dhe do ta rritin besimin e tyre te Shpëtimtari dhe dëshminë e tyre për Të.
Edhe kur isha djalosh, e kisha një dëshmi për Librin e Mormonit. Më tërhiqte në veçanti historia e vëllait të Jaredit dhe popullit të tij në rrugëtimin e tyre drejt “një tok[e] premtimi” (Ethëri 2:9).
Kur u përball me perspektivën e rrugëtimit në mauna pa dritë, vëllai i Jaredit kërkoi: “Vër re, O Zot, a do të lejosh që ne të kalojmë këtë ujë të madh në errësirë?” Në përgjigje, Zoti i tha: “Ç’do që të bëj që të keni dritë në barkat tuaja?” (Ethëri 2:22, 23).
Vëllai i Jaredit e dinte se Zoti ishte i gjithëfuqishëm. Ai e dinte se Zoti ishte burimi i gjithë dritës. Ai e dinte se Zoti e kishte urdhëruar popullin e tij t’i bënte thirrje Atij në kohë nevoje. Pra, duke ushtruar besim te Zoti, vëllai i Jaredit përgatiti 16 gurë të vegjël. Ju e mbani mend se më pas ai i kërkoi Zotit t’i prekte gurët me gishtin e Tij “që të ndriço[nin] në errësirë” (Ethëri 3:4).
Imazhi i Zotit duke prekur ata gurë është gdhendur në mendjen time qëkurse e lexova atë histori për herë të parë. Atë skenë mund ta shoh sikur po ndodh përpara syve të mi. Ndofta ngaqë imazhi i errësirës që davaritet nga drita është real për mua.
Kur nuk e ndiej Frymën e Shenjtë, kur nuk jam shumë në harmoni me Shpirtin e Zotit, unë ndiej errësirë. Por kur lexoj Librin e Mormonit, drita rikthehet. Libri i Mormonit ka qenë për mua si një gur ndriçues i prekur nga Zoti. Ai e ka ndriçuar rrugëtimin tim gjatë jetës.
Përgjithmonë një Dritë
Si ata njerëz që u sollën nga dora e Zotit në kontinentin e lashtë amerikan, të gjithë ne përballemi me stuhi dhe ditë të errëta gjatë rrugëtimit tonë drejt tokës së premtuar të ekzaltimit. Por Zoti do të bëjë për ne atë që Ai bëri për jareditët dhe nefitët. Ai do të na udhëheqë dhe do ta ndriçojë udhën tonë, nëse i bindemi Atij, ushtrojmë besim tek Ai dhe përgjërohemi për ndihmën e Tij.
Zoti i tha Nefit: “Unë do të jem gjithashtu drita juaj në vendin e shkretë; dhe unë do të përgatis udhën para jush, në qoftë se ju do t’i mbani urdhërimet e mia; prandaj përderisa ju do të mbani urdhërimet e mia, ju do të drejtoheni drejt tokës së premtuar; dhe ju do ta dini se jam unë ai që ju ka udhëhequr” (1 Nefi 17:13).
Zoti i tha vëllai të Nefit, Jakobit: “Unë do të jem përgjithmonë një dritë ndaj atyre që dëgjojnë fjalët e mia” (2 Nefi 10:14).
Për Shpëtimtarin, profeti Abinadi dëshmoi: “Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:9).
Për Veten, Shpëtimtari dëshmoi: “Unë jam drita dhe jeta e botës”. Ai shtoi: “Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju” (3 Nefi 9:18; 18:16).
Të Ndiesh Dritën
E dua profetin tonë, Presidentin Rasëll M. Nelson. Kam bekimin të shërbej përkrah tij. Kur ai hyn në një dhomë, ajo dhomë menjëherë duket më me dritë. Ai mbart me vete Dritën e Krishtit.
Drita e Krishtit është reale. “Është energjia, fuqia ose ndikimi hyjnor që rrjedh nga Perëndia nëpërmjet Krishtit dhe u jep jetë e dritë të gjitha gjërave.” Është një dhuratë shpirtërore e vyer që mund t’i udhëheqë fëmijët e Perëndisë te Fryma e Shenjtë dhe ungjilli i Jezu Krishtit.1 Leximi i Librit të Mormonit e forcon atë Dritë.
Nganjëherë duhet të vështrojmë pas në jetën tonë për të kujtuar se si jemi ndihmuar gjatë rrugëtimit tonë. Kur vështrojmë pas, ne mund ta ndiejmë sërish ndikimin e Shpëtimtarit. Kur shkrimet e shenjta thonë: “Mbani mend, mbani mend” (Helamani 5:12), mendoj se po na thonë: “Mos kujto vetëm ato që dije apo ndieje dikur, por përkundrazi, ndieje atë dritë përsëri”.
Për disa, të ndierit e dritës shpirtërore vjen lehtësisht. Për të tjerë, drita shpirtërore mund të jetë e vështirë të ndihet për shkak të vështirësive vetjake ose shpërqendrimeve të botës. Por nëse jemi besnikë, drita do të vijë, nganjëherë në mënyra që ne nuk i presim.
Presidenti Nelson, i cili na ka këshilluar ta “studio[jmë] me lutje Librin e Mormonit çdo ditë”2, ka treguar disa mënyra se si Libri i Mormonit mund të na sjellë më afër Shpëtimtarit dhe të na ndihmojë ta ndiejmë dritën e ungjillit, t’i rrokim të vërtetat e ungjillit dhe t’i jetojmë mësimet e ungjillit.
Teksa e lexojmë Librin e Mormonit, Presidenti Nelson tha se kuptueshmëria jonë dhe vlerësimi ynë për Shlyerjen e Jezu Krishtit do të rritet.
Ne do të ndiejmë një dëshirë të “lindi[m] rishtas” (Mosia 27:25) teksa libri na ndihmon të përjetojmë një ndryshim të zemrës (shih te Mosia 5:2).
Teksa i lexojmë dhe i studiojmë mësimet e Librit të Mormonit rreth mbledhjes së Izraelit, ne do të ndiejmë një dëshirë më të madhe për të bërë kërkime për familjarët tanë të vdekur dhe të kryejmë ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit për ta në tempull.
Ne do të ndiejmë dritë teksa marrim përgjigje për pyetjet tona, udhërrëfim në marrjen e vendimeve dhe forcë për t’u penduar e për t’i bërë ballë së ligës.
Teksa lexojmë të vërtetat që gjenden në Librin e Mormonit, ne do të ndiejmë shërim, ngushëllim, rivendosje, ndihmë, forcë, përkrahje dhe gëzim në shpirtin tonë.3
“O, atëherë, a nuk është e vërtetë kjo?”, pyeti Alma në lidhje me farën e së vërtetës, njohurisë dhe dëshmisë që fryhet dhe mugullon. “Unë ju them juve, Po, sepse është dritë; dhe çdo gjë që është dritë, është e mirë sepse është e dallueshme, prandaj ju duhet ta dini se është e mirë” (Alma 32:35).
Gjeje Shpëtimtarin në Errësirë
Kur mikesha ime Kamrina ishte 10 vjeçe, atë e kapi një sëmundje e rrallë e syve, e pashërueshme, që ia infektoi kornean e syrit të saj të djathtë.4 Nganjëherë, kur dhembja shoqëruese bëhej e vazhdueshme dhe e padurueshme, Kamrina nuk duronte dot asnjë lloj drite. Prindërit e saj, duke pasur frikë se mos verbohej, ia errësonin dritaret e dhomës së saj të gjumit duke u përpjekur që ajo të rrinte [sa më] rehat. Nëna e Kamrinës, Xhana, kujton:
“Gati katër muaj pas diagnozës së saj, hyra në dhomën e saj të errët. Teksa m’u ambientua shikimi, mund ta shihja Kamrinën të shtrirë kruspull mbi shtratin e saj. Kishte kaq shumë dhembje saqë nuk lëvizi dhe as qau kur më dëgjoi të hyja. Ajo thjesht rrinte shtrirë me të dyja sytë të ënjtura e të mbyllura.
U gjunjëzova pranë shtratit të saj, ia vura dorën mes dy duarve të mia dhe ia shtrëngova tri herë – [ky ishte] kodi ynë i fshehtë për fjalën ‘të dua’. Normalisht ajo ma kthente duke ma shtrënguar dorën katër herë për të më thënë: ‘Unë të dua më shumë’, por nuk m’u përgjigj. Kishte shumë dhembje. Me lotët që më rridhnin në faqe, e vështrova vajzën time 10‑vjeçare që dikur ishte shumë aktive, të mbledhur kruspull. M’u copëtua zemra.”
Xhana bëri një lutje të heshtur, me gjithë zemër.
“I thashë Atit Qiellor se e dija që Ai i dinte gjërat më mirë, por u luta: ‘Të lutem ndihmoje atë’. Ndërsa rrija aty duke u lutur, më pushtoi një valë e ngrohtë. U ndjeva e qetë teksa më erdhi një mendim rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht: ‘Ai është drita. Gjeje Atë në errësirë.’”
Xhana e ngriti kokën dhe pëshpëriti në veshin e Kamrinës: “Ti duhet ta gjesh Shpëtimtarin në errësirë.”
Pastaj, Kamrinën e zuri gjumi duke dëgjuar himnet dhe shkrimet e shenjta te programi elektronik i bibliotekës së Kishës.
Sëmundja e Kamrinës shumicën e kohës është në gjendje të fjetur, por kur ajo i rishfaqet, Xhana dhe bashkëshorti i saj, Derini, e ngushëllojnë atë dhe vendosin sërish batanije mbi dritaret e dhomës së saj të gjumit. Gjatë këtyre çasteve të vështira, thotë Kamrina: “Unë thjesht po gjej Shpëtimtarin në errësirë”5.
Kur jeta duket si “vend [i] shkretë, [i] errët dhe [i] zymtë” (1 Nefi 8:4), neve gjithashtu mund të na nevojitet ta gjejmë Shpëtimtarin në errësirë. Dëshmoj se Libri i Mormonit, me dëshminë e vet se “Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar”6, do të na udhëheqë tek Ai. E di se ata që e lexojnë me sinqeritet Librin e Mormonit, jetojnë sipas parimeve të tij dhe luten për vërtetësinë e tij, do ta ndiejnë Frymën e Shenjtë, dhe do ta rritin besimin e tyre te Shpëtimtari dhe dëshminë e tyre për Të.
Tregofshim mirënjohje për librin “më [të] sakt[ë]”7 duke e lexuar atë, duke e mbajtur si thesar, dhe duke e përdorur atë për ta forcuar besimin vetjak dhe besimin e të tjerëve te Drita e Botës.