“Gjetja e Plotësisë nëpërmjet Jezu Krishtit”, Liahona, janar 2024.
Mplakja me Besnikëri
Gjetja e Plotësisë nëpërmjet Jezu Krishtit
Me lirinë e porsagjetur, mundësitë dhe aventurat që vijnë nga të qenit me një vatër familjare të boshatisur, përse nuk ndihesha e përmbushur? Çfarë më mungonte?
Lot më rrodhën teksa lutesha për paqe kur biri im më i vogël plotësoi kërkesën e tij për mision. Doja vërtet që ai të shkonte në mision. Vërtet doja. U përpoqa vazhdimisht ta bindja veten për këtë.
E dua Shpëtimtarin tim dhe isha sinqerisht e emocionuar për mundësinë që do të kishte im bir për ta ndarë gëzimin që mund ta gjejmë nëpërmjet Jezu Krishtit. Prapë, thellë-thellë isha e frikësuar nga largimi i tij. E dija se ai nuk do të vinte më kurrë realisht në shtëpi pas misionit të tij. Edhe po të jetonte në shtëpi, nuk do të ishte e njëjta gjë.
Miqtë e mi më thanë se faza e vatrës familjare të boshatisur ishte e mrekullueshme. Unë dhe bashkëshorti im ishim të emocionuar dhe mezi prisnim të kishim lirinë dhe mundësitë që nuk i kishim patuar ndërsa po rritnim fëmijët tanë.
Me këtë liri të porsagjetur, e zhyta veten në një mori veprimtarish. Shkova në udhëtime me bashkëshortin tim, mësova si t’i bija organos për thirrjen time, luajta me nipërit e mbesat e mia dhe bëra punë për tempullin dhe historinë familjare.
Gjeta emocion dhe aventurë. Gjeta vetëpërmirësim. Gjeta gjëra të mrekullueshme.
Mirëpo gjithmonë kishte diçka që mungonte. Diçka që nuk e kisha ende. Kur im bir u largua, ai mori me vete një pjesë të madhe të zemrës sime që nuk më dukej se mund ta mbushja dot.
Gati një vit pasi im bir u largua, kisha shpërthime tekash [emocionale] të krahasueshme me të gjitha ato që shfaqën fëmijët e mi kur ishin të vegjël. Bashkëshorti im më vështronte dhe thoshte: “Mishel, ke nevojë të shërbesh”. U regjistrova për një mundësi shërbimi.
Prapëseprapë isha zemërthyer. E kisha të vështirë t’i përkushtohesha shërbimit ose ndonjë projekti tjetër që më vinte. Me largimin e të gjithë fëmijëve të mi, ndihesha sikur jeta ime nuk do të ishte më kurrë krejtësisht e plotë.
Një natë kur u luta për ndihmë, Shpirti më tregoi se po përjetoja zbrazëtinë që vjen nga humbja – humbja e qëllimit. Mendova se isha përballur me atë lloj trishtimi të veçantë duke e mbushur jetën time me gjithë ato veprimtari të mrekullueshme.
Kërkimi i Përgjigjeve
Teksa kërkoja përgjigje, gjeta këtë thënie nga historia e Profetit Jozef Smith: “Kur humbasim [diçka ose dikë] tek i cili/e cila kemi vënë zemrën, duhet të jetë një paralajmërim për ne. … Dashuria jonë duhet të vendoset te Perëndia dhe vepra e Tij me më shumë forcë sesa te bashkëqeniet tona.”1
Një vetëtimë drite e depërtoi renë e zezë mbi zemrën time. Isha përpjekur ta mbushja zgavrën time të thellë të trishtimit me gjëra, veprimtari dhe përvoja – duke shërbyer, duke dhënë dashuri, duke rendur pas talenteve. Të gjitha gjëra të mira, por ato nuk e mbushën boshllëkun tim të skajshëm. Nuk më shëruan siç unë kisha nevojë për shërim.
E kuptova se ajo lloj paqeje dhe përmbushjeje mund të vijë vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Jezusi dha mësim: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Është vetëm nëpërmjet Tij që ne gjejmë gëzim dhe plotësi dhe paqe dhe kënaqësi shpirtërore. Te Psalmeve 16:11 thuhet: “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde”.
Si Ndryshova Unë
Jeta nuk ndryshoi në çast. Zemra ime nuk u shërua menjëherë. Por e dija se ku duhet të ishte përqendrimi im që kjo të ndodhte.
Lutjet e mia ndryshuan. Fillova t’i kërkoja Atit Qiellor të më ndihmonte që të ndërtoja një marrëdhënie më të fortë me Shpëtimtarin tim. Kur shkurajohesha, me vetëdije do t’i rikujtoja vetes se Jezu Krishti ishte aty pranë për mua dhe se nëpërmjet hirit të fuqisë së Tij shlyese, Ai do të më ndihmonte. Studimi im i shkrimeve të shenjta u përqendrua më shumë te ndërtimi i një marrëdhënieje me Të. U desh kohë, por këmbëngula që t’i drejtoja emocionet e mia, energjinë time dhe mendimet e mia te Jezu Krishti.
Kur e bëra këtë, errësira e madhe filloi të largohej. Gjeta gëzim më të madh te veprat e vogla të shërbimit dhe të dashurisë çdo ditë. Drita dhe shpresa ma ndriçuan shtegun dhe e mbushën zbrazëtinë në zemrën time. Vënia e Shpëtimtarit të parin i dha kuptim dhe gëzim më të thellë çdo fushe të jetës sime, që nga shërbimi deri te koha që kaloja me familjen, që nga udhëtimi deri te zhvillimi i talenteve të mia. Çdo gjë u bë më e larmishme me Krishtin në qendër.
Rrugëtimi i çdokujt gjatë periudhave të ndryshimit në jetë është unik. Megjithatë, zgjidhja për brengat tona është t’i përgjigjemi thirrjes së Krishtit kur Ai thotë: “[Ejani] tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’[ju] shëroj” (3 Nefi 18:32). Është vetëm nëpërmjet Tij që do të gjejmë shërim, paqe, dashuri dhe gëzim të vërtetë.
Autorja jeton në Jutë, SHBA.