“Mesazhi Im nga Zoti”, Liahona, janar 2024.
Portrete Besimi
Mesazhi Im nga Zoti
Mësova se mësimdhënia nga Libri i Mormonit ishte një mënyrë e mirë për të gjetur një dëshmi për të.
Në vitin 1993, tri ditë pasi lëviza në Polokuejn, në pjesën veriore të Afrikës së Jugut, dëgjova një trokitje në derë. Kur e hapa, aty qëndronin dy misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
U rrita si fetar i thekur dhe familja ime më kishte paralajmëruar gjithmonë që të qëndroja larg misionarëve. Por ata dukeshin të sjellshëm dhe më pëlqen të bisedoj rreth fesë, ndaj i ftova të hynin brenda.
Pas një vizite të mrekullueshme, ata më thanë: “A mund t’ju japim një Libër Mormoni?”
“Prisni, vetëm prisni një çast”, – iu përgjigja unë. “Mendoj se e kam një.”
Kur ua tregova kopjen time, ata u habitën. U shpjegova se në qytetin tim të lindjes në Kejptaun, disa vjet më parë, misionarët më kishin dhënë një Libër Mormoni në një ekspozitë. E kisha ruajtur atë dhe hera-herës e shfletoja.
Pas vizitës sonë, i ftova misionarët të ktheheshin prapë. Sidoqoftë, unë isha rritur në një kishë tjetër, ku njerku im ishte shërbestar. Mendimi se më duhej të pagëzohesha sërish u bë një nga pengesat e mia për kthimin tim në besim. Sidoqoftë, fillova të frekuentoja degën e vogël të Kishës. Pas gati një viti e gjysmë, presidenti i degës më thirri në zyrën e tij.
“Ne Duam që Ti të Marrësh një Dëshmi”
“Dejvid, dua të të jap një sfidë”, – tha presidenti i degës. “Ne duam vërtet që ti të marrësh një dëshmi për Librin e Mormonit. Mendoj se mund ta bësh këtë nëse të thërras të japësh mësim Doktrinën e Ungjillit. Ti jep mësim në një universitet tashmë dhe nuk ke frikë të qëndrosh përpara njerëzve.”
Sot, mësuesit duhet të jenë anëtarë të Kishës.1 Por atëherë, presidenti i degës u ndje i frymëzuar të më kërkonte që të jepja mësim. Jam mirënjohës për këtë.
“Në rregull”, – thashë unë.
Çdo të shtunë në mbrëmje do ta studioja mësimin me hollësi të madhe që të mund ta kuptoja, ta dija dhe të gjeja lidhje me historitë dhe personazhet në Librin e Mormonit. Për mua, mësimdhënia e librit ishte vërtet një mënyrë e mirë për të gjetur dëshminë time për të.
Një të diel, pasi kisha dhënë mësim për gati një vit, presidenti i misionit nga Pretoria erdhi për një konferencë dhe frekuentoi klasën time të Shkollës të së Dielës.
“Faleminderit, Vëllai Bakster”, – tha ai mbas mësimit. “Ishte një mësim i mirë. Nga jeni?”
Kur i thashë nga Kejptauni, ai më pyeti se çfarë lagje kisha frekuentuar.
“Nuk kam frekuentuar asnjë lagje.”
– “Çfarë do të thuash?” – pyeti ai.
– “Unë jam dikush që mund ta quash johebre?!” – thashë unë. “Nuk jam anëtar i Kishës.”
Ai u zverdh në fytyrë dhe nxitoi për te presidenti i degës.
“Ke vënë një joanëtar që të japë mësim shkrimet e shenjta?” – e pyeti atë presidenti i misionit.
– “Pse, e dha keq mësimin?”
– “Jo.”
– “A ishte frymëzues?”
– “Po.”
– “A dha mësim doktrinën e saktë?”
– “Po.”
Ata më lejuan të vazhdoja të jepja mësim. Disa muaj më vonë, shkova të vizitoja familjen time në Kejptaun për pushimet e Krishtlindjes. Ndërkohë që isha atje, nëna më tha se do ta linte kishën e saj pasi njerku im ndërroi jetë. Në atë çast, Zoti më ndihmoi të çlirohesha nga çdo ndjenjë faji që kisha për shkak të besnikërisë ndaj nënës sime dhe të kishës ku isha rritur.
Kur u ktheva në shtëpi, mora në telefon presidentin e degës.
“Do të doja të pagëzohesha nesër”, – i thashë atij.
– “Dejvid, a je i sigurt?”
– “Absolutisht po”, – i thashë unë. “Mora një mesazh nga Zoti.”
“Kam Diçka për të të Dhënë”
Kur i thashë babait tim biologjik se isha bërë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nuk mund ta kuptoja se përse ishte aq i qetë.
“Më lër të të tregoj pak nga historia ime”, – tha ai.
Im atë, i cili nuk më kishte folur kurrë për fenë, më tha se kur ishte i ri, ai kishte frekuentuar Lagjen Kumora të Kishës në Kejptaun. Kishte luajtur në skuadrën e basketbollit të lagjes. Kishte bërë shumë miq të ngushtë që ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Një nga miqtë e tij të ngushtë ishte një misionar, i cili, pas misionit të tij, ishte vrarë në Vietnam.
Im atë po të mos e kishte humbur atë mik, mendoj se do të ishte bashkuar me Kishën. Jeta e tij do të kishte qenë një histori krejt tjetër. Vite më vonë, ai ende kishte respekt të madh për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ai vetë nuk ushtronte asnjë besim fetar, por pa dyshim që e përkrahu vendimin tim për t’u bashkuar me Kishën.
Disa muaj pasi njerku im ndërroi jetë, i tregova nënës sime për pagëzimin. Nuk shkoi po aq mirë. Megjithatë, kur shkova në Holandë për të vizituar familjarë të mi holandezë nga ana e nënës sime, u tregova atyre për kthimin tim në besim. Atje mësova për një lidhje tjetër familjare me Kishën.
Gjatë vizitës sime, m’u afrua daja. “Kam diçka për të të dhënë”, – tha ai. Pastaj ai më dha një nga botimet e para të Librit të Mormonit në holandisht, të botuar në vitin 1890.
“I përkiste familjes sonë që para shumë kohësh”, – tha ai. “Dua që ta mbash ti.”
Këto dy lidhje familjare me Kishën ishin shumë ngushëlluese për mua. Sot, e ruaj si thesar Librin e Mormonit në holandisht. Ai më kujton ata misionarët e parë që më vizituan. Më kujton se sa e rëndësishme ishte mësimdhënia e Librit të Mormonit për kthimin tim në besim. Më kujton respektin e babait tim të ndjerë për Kishën dhe se disa nga paraardhësit e mi e kishin pranuar ungjillin e rivendosur.
Ai më kujton gjithashtu se Libri i Mormonit ka vërtet fuqinë t’i bindë të dyja palët “Judenj[të] dhe Johebrenj[të] se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”2.