Liahona
Përse Nuk po ma Ndryshonte Jetën Perëndia?
Janar 2024


“Përse Nuk po ma Ndryshonte Jetën Perëndia?”, Liahona, janar 2024.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Përse Nuk po ma Ndryshonte Jetën Perëndia?

Kur martesa ime u kthye në një makth, mësova rreth fuqisë së lirisë së zgjedhjes.

dorë duke mbajtur një stilolaps e duke shkruar në një libër të hapur

Kur isha 23 vjeçe, u vulosa në tempull me burrin e ëndrrave të mia. Nuk mund të kujtoj ndonjë ditë tjetër më të lumtur në gjithë jetën time.

Por gjithçka që prisja ngaherë për jetën time filloi të shkatërrohej me një shpejtësi marramendëse. Bashkëshorti im u bë gjithnjë e më i dhunshëm nga ana fizike dhe emocionale kundrejt meje.

Ndjeva pështjellim dhe dhembje. Nuk e kuptoja se përse besnikëria ime nuk dukej se po bënte një ndryshim në martesën time. Kisha shërbyer një mision me kohë të plotë, i mbaja besëlidhjet e mia, i zbatoja urdhërimet dhe madje shërbeja si punonjëse tempulli. Por pavarësisht se sa përpiqesha të afrohesha më shumë me Jezu Krishtin, martesa ime vetëm u bë edhe më e vështirë.

Duke hedhur vështrimin prapa, kuptova se ndonëse e kisha marrë në konsideratë plot lutje nëse duhej të martohesha me bashkëshortin tim dhe kisha besim se mund t’i rregullonim problemet, i kisha shpërfillur shenjat e problemeve të mundshme që lindën më vonë në martesën tonë.

Gjetja e Përgjigjeve

Pas pesë vjetësh vetmie dhe keqtrajtimi, marrëdhënia ime me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po vuante. Pritshmëritë e mia për jetën time kishin devijuar dhe nuk ishin plotësuar.

Ndihesha e shkatërruar.

Kur u bë e qartë se bashkëshorti im nuk ishte i gatshëm të ndryshonte, fillova t’i kërkoja Perëndisë të më çlironte nga situata ime ose të më tregonte shtegun e duhur që duhej të merrja. Por kur përgjigjet që më nevojiteshin nuk po vinin, fillova të fajësoja Atin Qiellor si shkakun e dhembjes sime.

Vijova ta frekuentoja kishën dhe t’i mbaja besëlidhjet e mia, por zemra ime ishte e mbushur plot me mëri nga mungesa e udhëzimit.

Pastaj një ditë kuptova se e kisha njëmend përgjigjen për situatën time – duhej të përdorja lirinë time të zgjedhjes për të vepruar dhe ndryshuar rrethanat e mia. Dhe e dija se çfarë vendimi do të ishte më i miri për mua me qëllimin përfundimtar që kisha për t’u kthyer tek Ati Qiellor.

Më në fund vendosa të bëja një hap përpara: bisedova me bashkëshortin tim dhe mrekullisht, ne i dhamë fund marrëdhënies sonë në harmoni.

Fuqia për të Zgjedhur

Kjo përvojë e vështirë më ndihmoi të mësoja rreth fuqisë dhe rëndësisë jetike të dhuratës sonë së lirisë së zgjedhjes që na ka dhënë Perëndia.

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka dhënë mësim: “Duke e hedhur vështrimin pas, ne mund të shohim se çfarë ndryshimi të madh sollën në jetën tonë disa nga zgjedhjet tona. Ne bëjmë zgjedhje më të mira dhe marrim vendime më të mira nëse i shohim alternativat dhe përsiatim se ku do të na çojnë ato. Ndërsa i bëjmë këto, ne do të jemi duke ndjekur këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson që të fillojmë duke pasur përfundimin në mendje. Për ne fundi është gjithmonë në shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet tempullit për te jeta e përjetshme, dhurata më e madhe nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.”1

Kuptova se Ati Qiellor nuk do të ndërhyjë te liria e zgjedhjes së askujt – Ai më la të merrja vetë vendimin tim kur u martova me bashkëshortin tim. Ai gjithashtu nuk do ta detyronte bashkëshortin tim që të ndryshonte, edhe pse po mbahesha te besëlidhjet e mia, sepse një martesë e përjetshme kërkon përpjekje shpirtërore dhe materiale nga të dyja palët teksa e ndjekin Jezu Krishtin.

Kur përballemi me vështirësi, ne mund ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për t’i ndryshuar këndvështrimet tona, qëndrimet tona, madje dhe veten tonë. Ajo është dhurata hyjnore e lirisë së zgjedhjes. Ati Qiellor do që ne ta kërkojmë Atë dhe Shpirtin dhe më pas t’i mirëbesojmë vetes se do të marrim vendimet më të mira për jetën tonë.

Të Drejtohesh te Shpëtimtari

Në fillim prisja që të shërohesha e të bëja shpejt përpara nga martesa ime e dhunshme, por procesi ka qenë i ngadaltë dhe i vështirë. Nëpërmjet mjeteve terapeutike, duke dëgjuar mesazhet e profetëve, duke lexuar shkrimet e shenjta, duke u lutur dhe duke ndier dashurinë dhe përkrahjen nga miq e familjarë, ndiej shpresë për një të ardhme më të mirë. Teksa e përdor lirinë time të zgjedhjes për të gjetur shërim, mezi pres një jetë që përfshin falje dhe marrëdhënie të bukura me të tjerët, përfshirë Shpëtimtarin.

Me një kuptueshmëri më të madhe për mënyrën se si ta përdor lirinë e zgjedhjes në jetën time, hidhësia ime ndaj Perëndisë u kthye në kuptueshmëri, dhe marrëdhënia ime me Të qe në gjendje të shërohej.

Ky është i gjithë qëllimi i ungjillit – të bëjmë zgjedhjet tona vetjake për të ardhur te Krishti, të veprojmë sipas këshillës së profetëve të cilët na nxitin ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për t’i mirëbesuar Zotit dhe të krijojmë një jetë të bukur, të mbushur me besim.

Siç dha mësim Motra Kamilla N. Xhonson, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës: “Parimi madhështor i lirisë së zgjedhjes na lejon, sigurisht, t’i shkruajmë vetë historitë tona. … Por Jezu Krishti … rri gati për të na përdorur si mjete hyjnore … për të shkruar një kryevepër … nëse k[emi] besimin për ta lejuar Atë, nëse do ta lë[më] Atë të jetë autori i historisë s[onë].”2

T’i jepja fund martesës sime ishte një nga përvojat më të dhimbshme me të cilat isha përballur ndonjëherë. Por kam mësuar se kur përballemi me sprova të papritura në jetë, ne mund të kërkojmë udhërrëfim shpirtëror dhe të marrim vendime që na çojnë përpara në shtegun e besëlidhjeve. Duke ndjekur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ne gjithmonë mund të kemi shpresë te gjërat e mira që do të vijnë dhe te bekimet e Tyre të premtuara të paqes dhe gëzimit.

Autorja jeton në Kili.