“Oferta Jonë më e Mirë”, Liahona, janar 2024.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Oferta Jonë më e Mirë
Kur përkushtojmë një tempull, ne po i themi Zotit: “Ja tek është oferta jonë. E kemi bërë aq mirë sa mundëm.”
Gati dy javë para ripërkushtimit të Tempullit të Uashington D.K-së, në gusht 2022, unë dhe shefi im vumë re se një prej pemëve të shkozës të llojit europian që të shpinin drejt tempullit, dukej e sëmurë. Ajo ishte rralluar nga gjethet në mes dhe kishte disa degë të hapërdara.
Si kopshtar i tempullit, isha i shqetësuar që terrenet e bukura të jashtme të tempullit të ishin gati përveç asaj pjese të vogël. Pema ishte pranë burimit të ujit afër hyrjes së tempullit.
Ngjitur me të po rritej një pemë e shëndetshme rezervë dhe e diskutuam mundësinë e zëvendësimit të pemës së sëmurë me pemën e shëndetshme. Por së pari do të na duhej të ribënim trotuarin aty afër, si edhe barin, e më pas të zhvendosnim tubat e spërkatësve të ujit dhe linjat elektrike që kalonin te ajo zonë. Frika ime më e madhe ishte se do të shkulnim pemën e sëmurë, do të vendosnim pemën zëvendësuese dhe nuk do të kishim kohë të bënim që gjithë gjërat rrotull pemës të dukeshin mirë për ripërkushtimin.
Kur i tregova bashkëshortes sime, Karolinës, se mund të na duhej ta hiqnim pemën, ajo u përgjigj: “Thjesht pritja degët e hapërdara dhe unë do t’u them motrave të mia të shkrimeve të shenjta në mbarë vendin që të luten për të. Terrenet e tempullit janë të Zotit. Ai do ta bekojë pemën.”
Karolina ka një grup mikeshash që ajo i quan motrat e saj të shkrimeve të shenjta – anëtare të Kishës të cilat dikur jetonin në të njëjtën lagje. Ato studionin së bashku programin Eja, Më Ndiq derisa të gjitha u shpërngulën, por i ruajnë lidhjet. Kur nevojitet lutje, ato marrin në telefon njëra-tjetrën.
Pasi Karolina u tregoi atyre për pemën e sëmurë, ato ua thanë fëmijëve dhe familjarëve të tjerë të tyre. Karolina as që ia kishte idenë se sa shumë njerëz u lutën për pemën, por ajo kishte besim se Ati Qiellor do t’i dëgjonte lutjet e tyre.
Vetëm brenda pak ditësh, pema nxori gjethe të reja, duke e mbushur zonën e rralluar. “Sigurisht që duket më mirë”, – tha Karolina. Ajo u dërgoi fotografi të pemës motrave të saj të shkrimeve të shenjta, duke u thënë: “Shikoni se si na u përgjigj Zoti!”
E dija se njerëzit po luteshin për pemën, ndaj nuk më bëri habi. E dija gjithashtu se Presidenti Rasëll M. Nelson shpejt do ta bekonte tempullin dhe terrenet e tempullit gjatë lutjes së tij përkushtuese. Pema do të ishte në rregull.
Ne qemë mirënjohës që Zoti e kishte nderuar ofertën dhe besimin tonë.