Liahona
Thesaret e Mia më të Mëdha
Janar 2024


“Thesaret e Mia më të Mëdha”, Liahona, janar 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Thesaret e Mia më të Mëdha

Shtirja sikur isha një shenjtor i ditëve të mëvonshme më çoi drejt pagëzimit dhe një jete të re në ungjillin e Jezu Krishtit.

duar duke përgatitur ushqim, me Librin e Mormonit aty pranë

Ilustrimi nga Ben Simonsen

Puna si shef kuzhine ishte jeta ime. Kam udhëtuar botën duke gatuar nëpër hotele luksoze në anijet turistike. Iu bashkova një skuadre kuzhinierësh të shkëlqyer që fituan shumë konkurse ndërkombëtare gatimi.

Një herë, u largova nga shtëpia për tre vjet. Nëna ime shpesh më merrte në telefon e përlotur dhe më thoshte të kthehesha në shtëpi.

Një ditë në Milano, Itali, ku kisha një kontratë për të gatuar në një hotel, i takova misionarët me kohë të plotë në një stacion treni të nëndheshëm shumë të populluar. Ata më treguan rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ndanë disa parime të ungjillit. Më pëlqeu veçanërisht ajo që ata më mësuan rreth familjes.

Misionarët më dhanë një kopje të Librit të Mormonit dhe më kërkuan të lutesha rreth tij. Ata më dhanë gjithashtu një broshurë me udhëzime se si të lutesha.

U ktheva në hotelin tim i lumtur, shkova në dhomën time, u luta dhe fillova të lexoja. Sa më shumë e lexoja Librin e Mormonit, aq më shumë dëshiroja të lexoja. Fatkeqësisht, puna m’u bë pengesë për t’i takuar sërish misionarët. Kur më mbaroi kontrata në atë hotel, u ktheva në shtëpi në Bari, ku fillova të gatuaja për një hotel tjetër.

Një ditë në restorantin e hotelit, një kuzhinier tjetër, për arsye të papërshtatshme, u përpoq të siguronte dalje në takime me disa nga kamerieret atje. Ai ishte i inatosur sepse kamerieret, të cilat ishin shenjtore të ditëve të mëvonshme, nuk pranuan të dilnin në takime me të.

Duke m’u kujtuar misionarët që kisha takuar në Milano, i thashë kuzhinierit se kamerieret kishin të drejtën e tyre për ta refuzuar atë.

“Pra, edhe ti mormon je?” – pyeti ai.

Ngaqë i pëlqeja parimet që misionarët më kishin mësuar dhe për shkak se gjeta i justifikimin për mbrojtjen e kameriereve, i thashë: “Po”.

Herën tjetër që ai kuzhinier i pa kamerieret, u tha atyre se unë isha shenjtor i ditëve të mëvonshme. Ato u gëzuan. Kur u mblodhëm për të ngrënë drekë, ato filluan të më bënin pyetje rreth Kishës në Milano. U tregova rreth qytetit dhe se i kisha takuar atje misionarët. Kur na erdhi dreka, unë u zgjata të merrja një gotë verë mbi tryezë.

“Çfarë po bën, do të pish verë?” – pyeti njëra nga kamarieret.

“Pse ka ndonjë të keqe me këtë?” – thashë unë.

“A je tamam aktiv?” – pyeti një tjetër.

“Në çfarë kuptimi?” – thashë unë.

“Si u veshe në ditën që u pagëzove?” – pyetën ato.

“Nuk e mbaj mend”, – i thashë unë. “Isha vetëm një muajsh.”

Ato u zemëruan tmerrësisht shumë ngaqë menduan se po tallesha me to. I sigurova që nuk po tallesha. E pranova që nuk isha anëtar i Kishës, por u thashë se më pëlqente Libri i Mormonit dhe parimet e ungjillit që kisha mësuar. Më pas i pyeta se si mund të mësoja më shumë rreth kishës së tyre.

Kamerieret shpejt më njohën me misionarët. Ato zor se e besonin kur mbarova diskutimet [për ungjillin] dhe u pagëzova.

nëna e babai me dy djemtë

Fotografia familjare me mirësinë e autorit

Me pagëzimin tim, jeta ime ndryshoi. Mësova se nuk mund ta kesh një këmbë në botë dhe një këmbë në ungjill. Mësova se puna nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Mësova se Zoti dhe familja ime vinin të parat. Më në fund e kuptova trishtimin që nëna ime ndjeu gjatë mungesës sime dhe i kërkova ndjesë asaj.

Hoqa dorë nga udhëtimi nëpër botë, u martova në Tempullin e Bernës në Zvicër, krijova një familje dhe gjeta një punë si kuzhinier në një spital vendor, ku përdora talentet e mia për të ndihmuar të sëmurët që të shëroheshin. Tani jam përgjegjës i burimeve njerëzore në spital. Puna brenda vendit më jep kohë t’i përkushtohem familjes sime dhe thirrjeve në Kishë.

Që nga dita që shkova në tempull dhe mora dhurimin dy vjet pas pagëzimit tim, më ka pëlqyer tej mase shenjtëria e tempullit dhe puna atje. Kur im atë ndërroi jetë katër vjet më vonë, m’u copëtua zemra. Ai ishte heroi im. Falë ungjillit të Jezu Krishtit, e di se ai jeton ende.

Kur hyra në dhomën çelestiale pasi bëra punën mëkëmbëse për babanë tim, e ndjeva përqafimin e tij. Në atë çast, e dija se im atë e kishte pranuar ungjillin dhe dashurinë që Zoti ka për fëmijët e Tij.

Ne shenjtorët e ditëve të mëvonshme kemi bekimin ta njohim ungjillin e vërtetë. Jam mirënjohës për mënyrën se si ai ma ndryshoi jetën. Ungjilli është ai ku unë gjej lumturinë e vërtetë. Ungjilli dhe familja ime janë thesaret e mia më të mëdha.