“Mposhtja e Mospasjes së një Qëllimi Shpirtëror – Çfarë të Bëj Tani?”, Liahona, janar 2024.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Mposhtja e Mospasjes së një Qëllimi Shpirtëror – Çfarë të Bëj Tani?
Kur jemi duke shkuar drejt Jezu Krishtit, nuk jemi kurrë njerëz pa qëllime.
Kalimi në fazën e të riut në moshë madhore ishte shumë emocionues për mua. Isha i përgatitur të filloja të ndërtoja jetën që kisha dashur gjithmonë. Shërbeva në një mision në Brazil dhe më pas kur u ktheva në shtëpi, shkova në universitet. Përfundova shkollën, gjeta një punë të mirë dhe u përpoqa fort që të jetoja si një dishepull i Krishtit.
Dhe jam ende në këtë fazë të jetës. Thjesht po bëj më të mirën për ta ndjekur Atë.
Jam kaq mirënjohës për mundësitë dhe bekimet që kam pasur deri më tani. Prapë, teksa kthej kokën pas dhe shoh që i kam bërë të gjitha besëlidhjet që mundem deri në këtë pikë (përveç martesës) dhe kam arritur fazat e rëndësishme e të mëdha të jetës që i kisha planifikuar gjithnjë, nganjëherë ndihem paksa sikur kam ngecur – i pasigurt se si të bëj përpara, veçanërisht nga ana shpirtërore.
Kam parë të rinj në moshë madhore përreth meje që kanë vështirësi gjithashtu. Disa madje janë larguar nga Kisha ngaqë po ndihen si pa qëllim ose po përballen me pritshmëri të paplotësuara. Veprimet e tyre shpesh e kanë zgjatur listën time të pyetjeve për jetën.
Megjithatë, tani për tani, pyetjet më të mëdha që kam për Atin Qiellor janë këto: Si mund ta mposht këtë ndjenjën e mospasjes së një qëllimi shpirtëror? Çfarë të bëj tani?
Teksa jam përleshur me këto pyetje, kam mësuar disa të vërteta të rëndësishme që më kanë ndihmuar t’i jap drejtim kësaj periudhe pasigurie.
Mos Lejoni që Shpërqendrimet t’ju Devijojnë
Gjatë kësaj kohe që nuk e di se ku të drejtohem më tej ose çfarë të pres, kam vënë re se si shpërqendrimet e botës mund të fillojnë lehtësisht të mbizotërojnë ndaj gjërave shpirtërore. Motra Rebeka L. Krejvën, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, tha: “Bota është e mbushur me shpërqendrime që mund t’i mashtrojnë edhe të zgjedhurit, duke shkaktuar që ata të jenë rastësorë në të jetuarit e besëlidhjeve të tyre”1.
Kam parë të rinj të tjerë në moshë madhore të kenë vështirësi me dëshmitë e tyre pasi janë kthyer nga misionet e tyre. Kam parë gjithashtu se si disa njerëz që arrijnë faza të rëndësishme si diplomimi nga universiteti ose martesa, devijojnë nga gjërat që kanë më tepër rëndësi kur nuk lënë hapësirë për ungjillin e Jezu Krishtit në rutinën e tyre të re.
Edhe unë kam kaluar ulje-ngritje shpirtërore. Ka qenë e vështirë nganjëherë të kem motivim dhe të mos jem dembel kur vjen puna te zakonet shpirtërore, veçanërisht kur bekime të caktuara nuk po vijnë aq shpejt sa i kisha shpresuar. Kam dashur gjithmonë të përparoj e të përmirësohem; nuk dua që të jem i fjetur nga ana shpirtërore. Por nganjëherë ndihem sikur po eci me rrjedhën pa një qëllim.
Megjithatë, kur bëj kohë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin çdo ditë, veçanërisht në mënyra të vogla e të thjeshta (shih tek Alma 37:6), ndiej ngushëllimin dhe qëndrueshmërinë që më sjell ungjilli, edhe kur bota është kaq e paqëndrueshme.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ju lutem që ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj. Jepini Atij një pjesë të mirë të kohës suaj. Ndërsa e bëni këtë, vërejeni se çfarë i ndodh hovit tuaj pozitiv shpirtëror.”2 Kur me vetëdije zgjedh të kem besim te Jezu Krishti çdo ditë dhe të bëj kohë për ato zakone shpirtërore që më lidhin me Të, më vijnë ndërmend çastet e mia përcaktuese shpirtërore dhe marr një ndjesi të përtërirë qëllimi, shprese për të ardhmen dhe besimi.
Kërkoni Ndikime të Mira
Një herë tjetër kur ndjeva se kisha një mungesë qëllimi, ishte gjatë vitit tim të fundit të universitetit. Jeta ishte e vështirë. Ishte gjatë pandemisë, kështu që isha i dëshpëruar ndërkohë që kisha ngecur në shtëpi duke mbaruar orët mësimore. Kishte kaq mungesë drejtimi dhe lidhjeje në jetën time.
Në këtë periudhë kisha vështirësi edhe me kishën. Shpesh më duhej ta detyroja veten të rrokullisesha [e çapitesha] nga shtrati i veshur me pizhamet e mia për të dëgjuar mbledhjen e sakramentit në internet ngaqë aq ishte e gjithë shtytja që mund të zotëroja në vetvete.
Gjatë kësaj periudhe të errët, iu drejtova familjes dhe miqve të mi dhe u shpjegova atyre se sa pa qëllim dhe i dëshpëruar ndihesha. Nuk ndieja asnjë fije shprese për të ardhmen dhe nuk dija se si do të zgjidheshin gjërat. Pikërisht atëherë më thanë që ata po luteshin për mua e po më përkrahnin edhe pse ishin larg meje.
Teksa iu drejtova njerëzve të mi të dashur që kanë besim të thellë dhe teksa iu luta Atit Qiellor me veç një shkëndijë shtytjeje shpirtërore, e ndjeva përkrahjen dhe dashurinë mbështetëse.
Kam vënë re se kur jam tejet i përqendruar te pritshmëritë e mia të papërmbushura, dyshimet e mia ose vështirësitë e mia, besimi im i dorëzohet pështjellimit. Më humbasin nga sytë bekimet në jetën time. Por duke e rrethuar veten vazhdimisht me mirësi, duke e lexuar bekimin tim patriarkal, duke dëgjuar mesazhet e konferencës së përgjithshme dhe duke shpenzuar kohë me njerëz të dashur që ndikojnë tek unë për mirë, përqendrohem sërish te ndryshimi i mrekullueshëm që sjell ungjilli i Jezu Krishtit në jetën time.
Edhe nëse nganjëherë nuk keni një shteg të qartë para jush ose nëse gjërat nuk po shkojnë siç i keni planifikuar, ka ende shumë mirësi në jetën tuaj dhe shumë mundësi në dispozicion që t’ju ndihmojnë të përparoni në shtegun e besëlidhjeve. Ka gjithnjë më shumë për të mësuar dhe më shumë vend për t’u rritur, veçanërisht shpirtërisht. Kërkojini Atit Qiellor për udhëzim. Ai do t’ju ndihmojë t’i kërkoni dhe gjeni ndikimet e mundësitë e mira për rritje dhe të mësuarit e mirë që gjenden përreth jush (shih te Nenet e Besimit 1:13).
Vazhdoni të Përpiqeni
Shpirtshmëria jonë vetjake nganjëherë mund të luhatet si dallgët – lart e poshtë. Nganjëherë ne mund të ndihemi të patundur në besimin dhe në gëzimin tonë për ungjillin. Por herë të tjera, ne mund ta kemi të vështirë të dimë se kujt t’i drejtohemi. Mund ta kemi të vështirë kur vijnë sfida, ngrihen pyetje ose kur vonohen bekime, veçanërisht kur po bëjmë më të mirën për ta jetuar ungjillin. Në këto kohë të vështira, shpesh shoh njerëz që marrin njërin prej dy shtigjeve; një shteg ku e kërkojnë ndihmën e Shpëtimtarit dhe një shteg tjetër ku nuk e bëjnë atë.
Nganjëherë i krahasoj këto çaste me historinë e Moisiut dhe gjarprit prej bronzi (shih te Numrat 21:8–9). Kur izraelitët ishin të dëshpëruar për t’u shëruar pasi u pickuan nga gjarpërinjtë helmues, Moisiu u paraqiti atyre një mënyrë të lehtë për të shpëtuar: thjesht të shikonin te gjarpri prej bronzi që përfaqësonte Jehovën. Kjo ishte e gjitha që duhet të bënin. Vetëm një shikim dhe ata do të jetonin. Por shumë vetë zgjodhën të mos e bënin këtë dhe vdiqën. (Shih te 1 Nefi 17:41.)
Kjo histori më bën të mendoj rreth mënyrës se si herë pas here e mbartim peshën helmuese të zhgënjimit dhe zemërimit prej pritshmërive tona të paplotësuara, kur ilaçi është pikërisht para nesh!
Çelësi për të gjetur shpresë, paqe dhe besim për të ardhmen tonë është thjesht të shikojmë te Jezu Krishti (shih te Helamani 8:14–15; Gjoni 3:14–17).
Kam qenë gjithmonë një kritikues i ashpër i vetes sime kur bëj gabime. Por për shkak se jam përpjekur vërtet fort të mësoj rreth Atit Qiellor e Jezu Krishtit dhe të besoj tek Ata, e di se unë mund të mbështetem përherë tek Ata për falje, rritje [shpirtërore] dhe shërim në periudhat e vështira. E di se kur i kërkoj Ata nëpërmjet lutjes, studimit të programit Eja, Më Ndiq, shpenzimit të kohës në tempull dhe lartësimit të thirrjes sime, kam një ndjesi mirënjohjeje dhe përtëritjeje.
Kur i kërkoj Ata, e shoh ungjillin e Jezu Krishtit për atë që ai është – një strehë që na ofron ngushëllim, siguri dhe shërim nga gjarpërinjtë e botës.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi me dashuri: “‘Një ndriçim të përkryer të shpresës’, lindur nga dashuria për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit – kjo është ajo që duam për ju. … Shoqëruese e asaj shprese të ndritur do të jetë pëshpëritja e pamohueshme se Perëndia ju do, se Krishti është Avokati juaj, se ungjilli është i vërtetë. Ndriçimi i saj do t’ju kujtojë se në ungjill ka gjithmonë, çdo ditë, çdo orë, një mundësi të re, një jetë të re, një vit të ri. Çfarë mrekullie! Çfarë dhurate! Dhe për shkak të dhuratës së Krishtit, gjërat më të mira në jetë janë tonat nëse ne me vendosmëri vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të përpiqemi dhe vazhdojmë të shpresojmë.”3
Shkoni drejt Jezu Krishtit
Faza si i ri ose e re në moshë madhore sjell shumë ndryshime, shumë pasiguri dhe po, madje pritshmëri të paplotësuara nganjëherë. Por ungjilli i Jezu Krishtit është gjithnjë i sigurt dhe gjithnjë i qëndrueshëm. Premtimet e Tij dhe të Atit Qiellor janë të sigurta teksa ne vazhdojmë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. Bota nganjëherë mund të na e bëjë tepër të vështirë për ta mbajtur përqendrimin tek Ai. Por bërja e çdo hapi përpara që na sjell tek Ai është përparim. Kur shkojmë përpara drejt Krishtit, ne nuk jemi kurrë pa qëllim – ne po shkojmë drejt shpresës, paqes dhe gëzimit.
Autori jeton në Mançester, Angli.