Seminari
2 Nefi 17–19: Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit


“2 Nefi 17–19: Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 17–19”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 17–19

Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit

Jezu Krishti

Pse Shpëtimtarit Jezu Krisht është dikush të cilit mund t’i mirëbesosh? Në këta kapituj, Zoti i inkurajon dy mbretër të cilët kërcënohen nga ushtri të forta, që t’i mirëbesojnë Atij. Isaia më pas profetizon për Shpëtimtarin Jezu Krisht, duke renditur disa nga titujt dhe cilësitë e Tij. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i mirëbesosh Jezu Krishtit nëpërmjet studimit dhe të kuptuarit të cilësive dhe titujve të Tij.

Reflektimi mbi titujt e Jezu Krishtit. Shkrimet e shenjta përmbajnë mbi njëqind emra dhe tituj të ndryshëm që e përcaktojnë dhe e përshkruajnë Jezu Krishtin. Ndërsa nxënësit përcaktojnë role dhe tituj të ndryshëm të Shpëtimtarit, ftojini ata të reflektojnë se si i ka përmbushur Ai ata tituj në jetën e tyre dhe në jetën e njerëzve që kanë përreth.

Përgatitja e nxënësve: Në studimin e tyre të përditshëm të shkrimeve të shenjta, ftojini nxënësit të përcaktojnë çdo titull të Shpëtimtarit, të përsiatin se çfarë kuptimi mund të kenë ata tituj dhe si mund t’i ndihmojnë ata që t’i mirëbesojnë e ta duan më shumë Shpëtimtarin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çfarë mund të mësojmë nga titujt?

Merreni parasysh t’i shkruani titujt vijues në tabelë dhe të bëni pyetjet më poshtë.

Imagjino sikur nuk i ke takuar kurrë katër njerëzit në vijim, por i di titujt e tyre:

  • Mjek

  • Polic

  • Peshkop

  • Presidente e Të Rejave

  • Te cili nga këta njerëz do të shkoje për ndihmë nëse dikush po përpiqej të të vidhte? Po të kishe një problem të vështirë shëndetësor? Për këshillë shpirtërore?

  • Në çfarë situatash të tjera mund të jenë këta njerëz të kualifikuar në mënyrë unike që të ndihmojnë?

  • Si të ndihmon njohja e titujve të tyre për të kuptuar se për çfarë janë të kualifikuar të ndihmojnë?

Shpenzo një çast për të përsiatur ndonjë situatë ose sfidë me të cilën mund të përballesh, për të cilën do të doje ndihmë.

Merreni parasysh ta ndani tabelën me një vijë në mes dhe t’i ftoni nxënësit të renditin në njërën anë situata të vështira me të cilat mund të përballet një adoleshent. Do të shkruani në gjysmën tjetër të tabelës më vonë gjatë mësimit.

Jezu Krishti ka shumë role dhe tituj. Secili prej tyre na mëson diçka të rëndësishme rreth Tij dhe aftësisë së Tij për të na ndihmuar. Ndërsa studion sot, kërko titujt dhe rolet e Tij dhe përsiat se si Ai mund të jetë i kualifikuar në mënyrë unike për të të ndihmuar.

Fjalët e Zotit drejtuar dy mbretërve të Judës

Ndërsa e shpjegoni informacionin vijues, merrni parasysh t’i ftoni disa nxënës të përfaqësojnë mbretin Ashaz të Judës; mbretin Retsin të Sirisë; mbretin Pekah të Izraelit, mbretin Ezekia të Judës dhe mbretin e Asirisë përpara klasës. Mund të doni të përgatitni etiketa emri për secilin. Ndoshta mund t’i ftoni nxënësit që përfaqësojnë mbretin Ashaz dhe mbretin Ezekia, t’i lexojnë vargjet e tyre përkatëse më poshtë.

Gjatë kohës së Isaias, mbreti Ashaz i Judës dhe më pas biri i tij, mbreti Ezekia, që të dy u përballën me situata skajshëm të vështira: kombe të fuqishme kërcënuan t’i sulmonin. Në të dyja rastet, Zoti i nxiti mbretërit dhe popullin e tyre që t’i mirëbesonin Atij në vend që të bënin aleanca me kombet e tjera. Lexoji vargjet vijuese, duke kërkuar fraza që vënë në dukje se Zoti po i fton ata t’i mirëbesojnë Atij.

  • 2 Nefi 17:3–7. Mbretin Ashaz e kërcënuan mbreti Retsin i Sirisë dhe mbreti Pekah i Izraelit, të cilët planifikonin të sulmonin dhe të vendosnin një mbret të ri në fron.

  • 2 Nefi 18:11–13, 17. Mbretin Ezekia po e pushtonin asirianët dhe e dinte se ushtria e tij nuk qe aq e fortë sa t’i ndalonte ata. (Fjala bashkim i referohet formimit të një aleance me vendet e tjera për t’u mbrojtur.)

  • Çfarë gjete?

  • Pse mund të jetë e vështirë për një mbret dhe për popullin e tij që t’i mirëbesojë Zotit në vend që të formojë një aleancë me një komb tjetër?

  • Çfarë do t’u duhej të dinin atyre rreth Zotit që të mirëbesonin tek Ai?

Ndërsa vazhdon të studiosh, përsiat atë që do të thotë t’i mirëbesosh Zotit në sfidat specifike me të cilat përballesh.

Titujt e Shpëtimtarit

Në një varg që studiove, Isaia përdori një titull specifik për Jezu Krishtin që, po të kuptohej, mund t’i ndihmonte këta mbretër dhe popullin e tyre të mirëbesonin tek Ai. Shqyrtoje vargun 2 Nefi 18:13 dhe merr parasysh ta shenjosh këtë titull.

Merreni parasysh të shkruani Jezu Krishti është … në anën bosh të tabelës dhe t’u kërkoni nxënësve ta përfundojnë fjalinë me titullin që gjetën.

Përcaktimi dhe të kuptuarit e titujve të Shpëtimtarit mund të na ndihmojë ta njohim, ta duam dhe t’i mirëbesojmë më shumë Atij në jetën tonë. Për të të ndihmuar ta kuptosh titullin “Zoti i Ushtrive”, kërko se çfarë do të thotë ai tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

  • Çfarë mësove për Jezu Krishtin?

  • Si do ta kualifikonte ky rol në mënyrë unike Shpëtimtarin për t’i ndihmuar këta mbretër dhe popullin e tyre kur u kërcënuan nga ushtri të tjera?

Profecitë e Isaias

Isaia u profetizoi gjithashtu këtyre mbretërve dhe popullit të tyre për lindjen dhe mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit. Lexo te 2 Nefi 17:14–15; 19:2, 6–7, duke kërkuar atë që dha mësim Isaia rreth Jezu Krishtit, veçanërisht titujt e Tij.

Nëse do të doje të përcaktoje tituj të tjerë për Shpëtimtarin të shënuar në Librin e Mormonit deri tani, merre parasysh të lexosh disa nga vargjet vijuese: 1 Nefi 10:4–6; 12:18; 13:41; 15:14–15; 17:30; 19:12; 2 Nefi 1:10; 2:6, 10; 9:5, 46; 10:3, 14; 15:16. Ka tituj dhe referenca të shkrimeve të shenjta edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, nën zërin “Jezu Krisht”.

Ftojini nxënësit të vijnë në tabelë dhe të shtojnë listën me tituj të Shpëtimtarit.

Përzgjidh një titull të Shpëtimtarit për të cilin do të doje të dije më shumë. Më pas bëj sa vijon:

  • Shpjego se çfarë kuptimi ka ky titull për ty. (Merre parasysh ta kërkosh titullin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Nëse titulli nuk është renditur, merre parasysh të studiosh një zë të përgjithshëm për Jezu Krishtin dhe të përsiatësh se si titulli që zgjodhe, mund të lidhet me karakterin dhe misionin e Tij të përgjithshëm. Mund të jetë e dobishme edhe ta kërkosh titullin në një fjalor të zakonshëm.)

  • Mendo për një histori ose gjej një figurë që e tregon Shpëtimtarin duke luajtur rolin që zgjodhe.

  • Shpjego se çfarë të mëson ky titull rreth faktit se kush është Shpëtimtari, për shtysat e Tij, dashurinë e Tij dhe fuqinë e Tij.

  • Shpjego se si ky rol e kualifikon në mënyrë unike Shpëtimtarin për të të ndihmuar në jetën tënde, ose pse mund të mirëbesosh tek Ai. (Kjo mund të përfshijë mënyrën se si Shpëtimtari të ka ndihmuar tashmë në jetën tënde.)

Ftojini disa nxënës të tregojnë atë që përgatitën për njërin nga titujt. Një mënyrë mund të jetë t’u kërkoni nxënësve të vijnë në tabelë, ta rrethojnë titullin që zgjodhën, dhe të japin mendimet e tyre përpara klasës. Merreni parasysh të shprehni mendimet tuaja gjithashtu.

Pas kësaj, ftojini nxënësit t’i vështrojnë të dyja anët e tabelës dhe të bëjnë çfarëdo lidhjeje specifike mes problemeve me të cilat përballen, dhe një titulli të Shpëtimtarit që tregon aftësinë e Tij për të ndihmuar.

Mirëbesimi te Zoti

Fatkeqësisht, mbreti Ashaz dhe shumë nga njerëzit e Judës zgjodhën të mos i besonin Isaias dhe nuk mirëbesuan te Zoti për mbrojtje. Njerëzit e tij u sulmuan dhe shumë u kapën rob dhe u morën skllevër. (Shih te 2 Mbretërve 16; 2 Kronikave 28.) Mbreti Ezekia, ndryshe nga i ati, zgjodhi të mirëbesonte te Zoti dhe ndoqi këshillën e Isaias. Si rezultat, Zoti i mbrojti njerëzit në Jerusalem duke dërguar një engjëll për të shkatërruar ushtrinë sulmuese. (Shih te 2 Mbretërve 19:15–20, 32–35.)

Përsiat atë që ke mësuar dhe ndier rreth Jezu Krishtit në këtë mësim. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si mund ta rritësh mirëbesimin tënd tek Ai. Mund të renditësh një titull ose rol specifik që ka Ai, dhe si do të doje t’i mirëbesoje më shumë Atij në atë rol.