Mbështetjate Vetja
8: Mësoni


“Administrimi i Qarkullimit të Parave në Dorë të Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)

“Administrimi i Qarkullimit të Parave në Dorë të Biznesit Tim: Mësoni”

Mësoni

Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Ndryshimi midis Fitimit dhe Qarkullimit të Parave në Dorë

Lexoni:

Keni mësuar se suksesi i biznesit kërkon mbajtje të përditshme të dokumenteve. Çdo herë që biznesi juaj merr ose bën një pagesë, nevojitet ta regjistroni atë. Gjithashtu keni mësuar se si të krijoni një deklaratë të ardhurash, e cila tregon një përmbledhje të fitimit (ose humbjes) të arritur nga biznesi juaj për një periudhë të caktuar kohore. Fitimi përkufizohet si paratë e mbetura për biznesin tuaj pasi hiqni shpenzimet tuaja nga të ardhurat tuaja bruto.

Ndërkohë që fitimi është një njësi matëse e rëndësishme, ai nuk është i vetmi që kërkon vëmendjen tuaj si pronar biznesi. Qarkullimi i parave në dorë është një njësi matëse që përqendrohet te periudha e futjes së parave në biznesin tuaj dhe e nxjerrjes prej tij çdo ditë. Qarkullim i parave në dorë është gjaku jetëdhënës i biznesit tuaj. Kur biznesi juaj ka në dispozicion para në dorë, ju mund të ndiqni mundësi për rritje, mund të bëni investime dhe të kurseni para për situata të papritura ose raste të ngutshme.

Deklarata juaj e të ardhurave mund të tregojë se si biznesi juaj është fitimprurës, por do të falimentojë nëse nuk ka para të mjaftueshme në dorë për t’i paguar detyrimet e veta. Problemet e qarkullimit të parave në dorë janë një prej shkaqeve kryesore të falimentimit të bizneseve.

2. Të Kuptuarit e Qarkullimit të Parave në Dorë

Lexoni:

Ka dy lloje qarkullimi të parave në dorë:

Qarkullimi pozitiv i parave në dorë ndodh kur sasia totale e parave në dorë që po vijnë në biznesin tuaj gjatë një periudhe të caktuar kohe, është më e madhe se shuma totale e parave në dorë që largohet nga biznesi juaj gjatë po asaj kohe. Kjo është gjëja që dëshironi: një cikël pozitiv të qarkullimit të parave në dorë.

Qarkullimi negativ i parave në dorë ndodh kur sasia totale e parave në dorë që po largohen nga biznesi juaj gjatë një periudhe të caktuar kohe, është më e madhe se shuma e parave në dorë që po vijnë në biznesin tuaj gjatë po asaj kohe. Kjo është një gjendje e rrezikshme, e padëshiruar, të cilën duhet ta shqyrtoni menjëherë me veprime që prodhojnë para në dorë sa më shpejt që është e mundur dhe i ulin kostot.

Le të shqyrtojmë tre shembuj të ndryshëm për të kuptuar vështirësitë e qarkullimit të parave në dorë dhe mënyrën se si një pronar biznesi mund t’i zgjidhë ato. Përfytyroni që një biznes e fillon muajin me 300 dollarë në dorë. Biznesi zakonisht merr pagesa me para në dorë prej 200 dollarësh çdo të hënë dhe 200 dollarë çdo të mërkurë. Ai paguan 300 dollarë me para në dorë çdo të premte. Shembulli A më poshtë tregon ciklin e qarkullimit të parave në dorë për këtë biznes për një periudhë prej tri javësh. Paratë hyjnë në biznes dhe dalin prej biznesit në një model të parashikueshëm.

Shembulli A: Qarkullimi ideal i parave në dorë

Pamja
Qarkullim ideal i parave në dorë

Për fat të keq, çdo biznes përjeton të papritura dhe probleme. Shembulli B më poshtë tregon se çfarë ndodh kur një biznes nuk është i përgatitur për një qarkullim negativ të parave në dorë. Në këtë rast dy klientë nuk e paguajnë faturën e tyre, duke shkaktuar 400 dollarë të pambledhur nga paratë që priteshin (gjithashtu i quajtur borxh i keq). Pronari i biznesit po mbështetej te këto para për të paguar punonjësit. Biznesit gjithashtu i ndodh një shpenzim urgjent që duhet të paguhet menjëherë.

Shembulli B: Qarkullimi negativ i parave në dorë – i papërgatitur

Pamja
Qarkullimi negativ i parave në dorë: I papërgatitur

Shembulli C më poshtë tregon të njëjtat të papritura dhe probleme si shembulli B. Por në këtë rast, pronarja e biznesit është e përgatitur. Ajo mbështetet te linja e saj e kredisë për ta mbajtur biznesin e vet në funksionim. Ajo e ripaguan balancën e linjës së saj të kredisë sa më shpejt që mundet.

Shembulli C: Qarkullimi negativ i parave në dorë – i përgatitur

Pamja
Qarkullimi i Mundshëm Negativ i Parave në Dorë

Diskutoni:

Çfarë ju mësojnë këta shembuj rreth sfidave ose administrimit të qarkullimit të parave në dorë?

Lexoni:

Është e zakonshme që pronarët e bizneseve të kenë sfida të qarkullimit të parave në dorë. Disa nga këto sfida përfshijnë:

  • Biznesi është shumë i ri, gjë që e bën të vështirë të marrë ose të paguajë me kredi.

  • Mundësitë për rritje, të cilat mund ta pakësojnë sasinë e parave në dorë që i kanë në dispozicion.

  • Pasja e inventarit, që kufizon paratë në dorë për përdorim.

  • Klientët që paguajnë me kredi, gjë që vonon sasinë e parave në dorë të cilat hyjnë në biznes.

  • Shitja bizneseve të tjera që paguajnë me kredi, gjë e cila e vonon sasinë e parave në dorë që hyjnë në biznes.

  • Shitje jo të njëtrajtshme për shkak të sezonalitetit ose faktorëve të tjerë, që mund të krijojnë nivele të larta dhe të ulëta në sasinë e parave në dorë që keni.

  • Shpenzime të papritura.

  • Mospagesa nga klientët (borxh i keq).

Diskutoni:

Çfarë sfidash të mundshme parashikoni në qarkullimin e parave në dorë të biznesit tuaj?

3. Strategjitë për Përmirësimin e Qarkullimit të Parave në Dorë

Lexoni:

Ka shumë gjëra që mund t’i bëni për të krijuar një cikël pozitiv të qarkullimit të parave në dorë për biznesin tuaj dhe për t’u përgatitur për të papriturat dhe problemet e mundshme. Për shembull, ju mund të hulumtoni kushtet e pagesës standarde në sektorin tuaj. Në disa sektorë, shitësit mund të presin deri në 90 ditë ose më gjatë përpara se t’u kërkohet të bëjnë një pagesë. Sektorë të tjerë shpesh kërkojnë pagesë brenda 30 ditësh. Kur i kuptoni kushtet e pagesës standarde për sektorin tuaj, atëherë ju mund të veproni që të zhvilloni bisedime për kushte më të favorshme për vetë biznesin tuaj.

Diskutoni:

Në përgjithësi pronarët e bizneseve dëshirojnë të marrin ose të mbledhin para në dorë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta vonojnë pagimin e parave në dorë derisa t’u kërkohet ta bëjnë këtë. Në pamje të jashtme, ky parim mund të duket se është në kundërshtim me mësimin e Shpëtimtarit që “gjithçka … që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre” (Mateu 7:12). Si do t’i pajtonit këto parime si pronar biznesi?

Lexoni:

Teksa punoni për të krijuar një cikël pozitiv të qarkullimit të parave në dorë për biznesin tuaj, është e rëndësishme që të veproni me integritet moral. Bëni përpjekjen për t’i kuptuar kushtet e pagesës për sektorin tuaj. Jini të mençur në caktimin e strategjisë suaj të pagimit. Punoni që të krijoni kushte të favorshme pagimi për biznesin tuaj. Pasi ta keni caktuar strategjinë tuaj të pagesës, i komunikoni qartë pritshmëritë tuaja dhe mbajini të gjitha zotimet tuaja.

4. Administrimi në Mënyrë Aktive i Qarkullimit të Parave të Mia në Dorë

Lexoni:

Nuk mjafton që herë pas here ta kontrolloni llogarinë bankare të biznesit tuaj dhe të shpresoni që numrat të përputhen. Ju nevojitet ta administroni në mënyrë aktive qarkullimin e parave në dorë të biznesit tuaj.

Si pronar i suksesshëm biznesi ju duhet ta dini se sa para në dorë ka në dispozicion biznesi juaj në çdo kohë. Mos u mbështetni te deklaratat bankare për të administruar qarkullimin e parave tuaja në dorë. Bilanci i llogarisë suaj shpesh nuk i pasqyron pagesat që janë në proces e sipër, të tilla si pagesat që shkojnë te furnizuesit ose pagesat që vijnë nga klientët.

Ju nevojitet të krijoni dhe vazhdimisht të përditësoni parashikimet tuaja të qarkullimit të parave në dorë. Siç u shpjegua më lart, qarkullimi i parave në dorë është koha dhe sasia e parave në dorë që qarkullon brenda dhe jashtë biznesit tuaj gjatë një periudhe të veçantë kohe. Parashikimi juaj duhet të tregojë qarkullimin tuaj të pritshëm të parave në dorë për disa muaj në vijim. Parashikimi juaj nuk mund të jetë 100 përqind i saktë, por është thelbësor që ju të krijoni vazhdimisht vlerësime të kujdesshme për të ardhurat bruto, shpenzimet e ndryshueshme dhe shpenzimet tuaja fikse mujore.

Qarkullimi pozitiv i parave në dorë nuk ndodh thjesht për një biznes. Ai arrihet me punë të madhe dhe planifikim të kujdesshëm. Nëse e dini gjendjen tuaj të tanishme të parave në dorë dhe parashikimin e qarkullimit të ardhshëm të parave në dorë, ju mund të merrni vendime që do ta ndihmojnë biznesin tuaj të ketë sukses dhe të rritet. Pronarët e suksesshëm të bizneseve mbajnë një rezervë parash në dorë për shpenzime të papritura dhe shpesh bëjnë një listë burimesh kredie bazuar te nevojat e tyre të parashikuara të qarkullimit të parave në dorë.

Shtyp në Letër