Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 43


Seksioni 43

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, në shkurt 1831 (History of the Church, 1:154–156). Në këtë kohë disa anëtarë të Kishës u shqetësuan nga njerëz që bënin shpallje si zbulues. Profeti i kërkoi Zotit dhe mori këtë komunikim drejtuar pleqve të Kishës. Pjesa e parë ka të bëjë me çështje të qeverisjes së Kishës; pjesa e mëpasshme përmban një paralajmërim që pleqtë duhet t’ua japin kombeve të tokës.

1–7, Zbulesa dhe urdhërime vijnë vetëm nëpërmjet të caktuarit; 8–14, Shenjtorët shenjtërohen duke vepruar plot hirësi përpara Zotit; 15–22, Pleqtë dërgohen të bëjnë thirrje për pendim dhe t’i përgatisin njerëzit për ditën e madhe të Zotit; 23–28, Zoti u bën thirrje njerëzve me anë të zërit të tij dhe nëpërmjet forcave të natyrës; 29–35, Mijëvjeçari dhe lidhja e Satanit do të ndodhin.

1 O Dëgjoni, ju pleq të kishës sime, dhe u vini veshin fjalëve që unë do t’ju flas.

2 Sepse vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se ju keni marrë një urdhërim si ligj për kishën time, nëpërmjet atij që jua kam caktuar për të marrë urdhërime dhe zbulesa nga dora ime.

3 Dhe këtë ju duhet ta dini sigurisht—që nuk ka asnjë tjetër të caktuar për ju, që të merrni urdhërime e zbulesa, derisa ai të merret, në qoftë se ai qëndron besnik në mua.

4 Por në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se askush tjetër nuk do të caktohet në këtë dhuratë, përveçse të jetë nëpërmjet tij; sepse, nëse merret prej tij, ai nuk do të ketë fuqi, përveçse të caktojë një tjetër në vend të tij.

5 Dhe ky duhet të jetë një ligj për ju, që ju të mos i pranoni mësimet e kujtdo që do të vijë përpara jush, si zbulesa ose urdhërime.

6 Dhe këtë unë jua jap që ju të mos mashtroheni, që ju të mund të dini se ato s’janë të miat.

7 Sepse, në të vërtetë unë ju them se ai që shugurohet prej meje, do të hyjë nga porta dhe do të shugurohet siç ju kam thënë më parë, për t’jua mësuar këto zbulesa që i keni marrë dhe do t’i merrni nëpërmjet atij të cilin unë e kam caktuar.

8 Dhe tani, vini re, unë ju jap një urdhërim që, kur të mblidheni së bashku, ju do të udhëzoni dhe lartësoni njëri-tjetrin, që të mund të dini se si të veproni dhe se si të drejtoni kishën time, si të veproni me pikat e ligjit tim dhe të urdhërimeve që unë kam dhënë.

9 Dhe kështu ju do të udhëzoheni në ligjin e kishës sime e do të shenjtëroheni prej asaj që keni marrë dhe ju duhet ta detyroni veten tuaj për të vepruar gjithë shenjtëri përpara meje.

10 Që sa herë që ju e bëni këtë, lavdi do t’i shtohet mbretërisë që keni marrë. Sa herë që nuk e bëni atë, do t’ju merret, madje edhe ajo që keni marrë.

11 Pastroni paudhësinë që është mes jush; shenjtëroni vetveten përpara meje;

12 Dhe nëse dëshironi lavditë e mbretërisë, caktoni shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun, dhe mbështeteni atë përpara meje nëpërmjet lutjes së besimit.

13 Dhe përsëri, unë ju them që, nëse dëshironi misteret e mbretërisë, sigurojini atij ushqim e veshje dhe çfarëdo gjë që i nevojitet për të plotësuar punën të cilën e kam urdhëruar të bëjë;

14 Dhe nëse nuk e bëni këtë, ai do të mbesë me ata që e kanë pranuar, që unë të mund të ruaj për veten time një popull të pastër përpara meje.

15 Përsëri unë them, vini vesh ju pleq të kishës sime, që unë ju kam caktuar: Ju nuk jeni dërguar që të mësoheni, por t’u mësoni fëmijëve të njerëzve gjërat që i kam vënë në duart tuaja me anë të fuqisë së Shpirtit tim;

16 Dhe ju duhet të mësoheni nga lart. Shenjtëroni vetveten dhe do t’ju dhurohet fuqi, që të mund të jepni madje siç kam thënë unë.

17 Vini vesh, sepse, vini re, dita e madhe e Zotit është fare pranë.

18 Sepse dita vjen që Zoti do të lëshojë zërin e tij nga qielli; qiejt do të tunden e toka do të dridhet dhe boria e Perëndisë do të dëgjohet gjatë e fort dhe do t’ju thotë kombeve që flenë: Ju shenjtorë, ngrihuni e jetoni; ju mëkatarë, qëndroni e flini derisa të thërras përsëri.

19 Prandaj ngjishini ijët tuaja, që të mos gjendeni midis të ligjve.

20 Ngrini zërat tuaj e mos u kurseni. U bëni thirrje kombeve të pendohen, si të vjetër dhe të rinj, si robër dhe të lirë, duke thënë: Përgatituni për ditën e madhe të Zotit;

21 Sepse, nëse unë, që jam një njeri, e ngre zërin tim e u bëj thirrje të pendoheni, dhe ju më urreni, çfarë do të thoni kur dita të vijë kur bubullimat do të nxjerrin ushtimat e tyre nga fundet e dheut, duke u folur veshëve të të gjithë atyre që jetojnë, duke u thënë: Pendohuni e përgatituni për ditën e madhe të Zotit?

22 Po, dhe përsëri, kur vetëtimat të dalin nga lindja drejt perëndimit dhe të nxjerrin ushtimat e tyre tek gjithë ata që jetojnë dhe t’i bëjnë veshët e të gjithëve që dëgjojnë, të shungullohen, duke thënë këto fjalë: Pendohuni ju, sepse dita e madhe e Zotit është pranë?

23 Dhe përsëri, Zoti do të lëshojë zërin e tij nga qielli, duke thënë: Vini vesh, O ju, kombe të dheut, dhe dëgjoni fjalët e atij Perëndie që ju bëri.

24 O ju, kombe të dheut, sa shpesh do t’ju kisha mbledhur si një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahët e vet, por ju nuk deshët!

25 Sa shpesh ju kam thirrur prej gojës së shërbëtorëve të mi dhe prej shërbesës së engjëjve, dhe prej vetë zërit tim, dhe prej zërit të bubullimave, dhe prej zërit të vetëtimave, dhe prej zërit të stuhive, dhe prej zërit të tërmeteve e stuhive të mëdha të breshërit, dhe prej zërit të zive të bukës e murtajave të çdo lloji, dhe prej tingullit të madhërishëm të një borie, dhe prej zërit të gjykimit e prej zërit të mëshirës gjatë gjithë ditës, dhe prej zërit të lavdisë e të nderit dhe të pasurive të jetës së përjetshme, dhe do t’ju kisha shpëtuar me një shpëtim të përhershëm, por ju nuk deshët!

26 Vini re, dita ka ardhur kur kupa e zemërimit të indinjatës sime është plot.

27 Vini re, në të vërtetë unë ju them se këto janë fjalët e Zotit, Perëndisë suaj.

28 Si rrjedhim, punoni ju, punoni ju në vreshtin tim për herë të fundit—për herë të fundit u bëni thirrje banorëve të tokës.

29 Sepse në kohën time do të vij unë mbi tokë për gjykim dhe populli im do të shëlbehet e do të mbretërojë me mua mbi tokë.

30 Sepse Mijëvjeçari i madh, për të cilin unë kam folur me anë të gojës së shërbëtorëve të mi, do të vijë.

31 Sepse Satani do të lidhet dhe kur të zgjidhet përsëri, ai do të mbretërojë vetëm për një stinë të vogël dhe atëherë vjen mbarimi i tokës.

32 Dhe kush jeton në drejtësi, do të shndërrohet sa hap e mbyll sytë dhe toka do të kalojë ashtu si prej zjarrit.

33 Dhe të ligjtë do të shkojnë në zjarr të pashuar dhe fundin e tyre s’e di askush mbi tokë, as që do ta dijë ndonjëherë, derisa ata të vijnë përpara meje në gjykim.

34 Vëruni ju vesh këtyre fjalëve. Vini re, unë jam Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës. I mblidhni thesar këto gjëra në zemrat tuaja dhe i lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnëmendjet tuaja.

35 Jini seriozë. I mbani të gjitha urdhërimet e mia. Madje kështu. Amen.