Kapitulli 5
(Qershor–tetor 1830)
Adami dhe Eva lindin fëmijë—Adami ofron flijim dhe i shërben Perëndisë—Kaini dhe Abeli lindin—Kaini ngre krye, e do Satanin më shumë se Perëndinë dhe bëhet Humbje—Vrasja dhe ligësia përhapen—Ungjilli predikohet që nga fillimi.
1 Dhe ndodhi që, pasi unë, Zoti Perëndi, i kisha nxjerrë ata jashtë, Adami filloi të lëronte tokën dhe të kishte sundim mbi të gjitha egërsirat e fushës, dhe të hante bukë me anë të djersës së ballit të tij, ashtu sikurse unë, Zoti, e kisha urdhëruar. Dhe Eva, gjithashtu, gruaja e tij, punoi me të.
2 Dhe Adami e njohu gruan e tij dhe ajo i dha atij bij e bija dhe ata filluan të shumëzohen e të mbushin tokën.
3 Dhe që nga ajo kohë e tutje, bijtë dhe bijat e Adamit filluan të ndahen dy nga dy në tokë dhe të lërojnë tokën e të rrisin tufa dhe ata gjithashtu patën bij e bija.
4 Dhe Adami dhe Eva, gruaja e tij, i bënë thirrje emrit të Zotit dhe e dëgjuan zërin e Zotit nga udha drejt kopshtit të Edenit, duke u folur atyre, dhe nuk e panë atë; sepse ata ishin larguar nga prania e tij.
5 Dhe ai u dha urdhërime, që ata duhej ta adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre, dhe t’i ofronin të parëlindurit e tufave të tyre si flijim për Zotin. Dhe Adami iu bind urdhërimeve të Zotit.
6 Dhe pas shumë ditësh një engjëll i Zotit iu shfaq Adamit, duke thënë: Përse ia ofron flijimet Zotit? Dhe Adami i tha atij: Nuk e di, përveçse që Zoti më urdhëroi.
7 Dhe atëherë engjëlli foli, duke thënë: Kjo gjë është në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit, i cili është plot hir dhe të vërtetë.
8 Si rrjedhim, ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë.
9 Dhe në atë ditë ra mbi Adamin Fryma e Shenjtë, e cila jep dëshmi për Atin dhe Birin, duke thënë: Unë jam i Vetëmlinduri i Atit që nga fillimi, tani e përjetë, që, ngaqë ke rënë, ti të mund të shëlbehesh dhe gjithë njerëzimi, madje të gjithë ata që do të dëshirojnë.
10 Dhe në atë ditë Adami e bekoi Perëndinë dhe u mbush me Frymën e Shenjtë dhe filloi të profetizonte lidhur me tërë familjet e tokës, duke thënë: Bekuar qoftë emri i Perëndisë, sepse për shkak të shkeljes sime sytë e mi u hapën dhe në këtë jetë unë do të kem gëzim e përsëri në mish do ta shoh Perëndinë.
11 Dhe Eva, gruaja e tij, i dëgjoi të gjitha këto gjëra dhe u gëzua, duke thënë: Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve.
12 Dhe Adami e Eva e bekuan emrin e Perëndisë dhe ua bënë të gjitha gjërat të njohura bijve dhe bijave të tyre.
13 Dhe Satani erdhi mes tyre, duke thënë: Unë jam gjithashtu një bir i Perëndisë; dhe ai i urdhëroi ata, duke thënë: Mos e besoni atë; dhe ata nuk e besuan dhe e donin Satanin më shumë sesa Perëndinë. Dhe njerëzit filluan që nga ajo kohë të jenë prej mishi, epshorë dhe të djallëzuar.
14 Dhe Zoti Perëndi u bëri thirrje njerëzve kudo me anë të Frymës së Shenjtë dhe i urdhëroi se duhej të pendoheshin;
15 Dhe të gjithë ata që besuan në Birin dhe u penduan për mëkatet e tyre, do të shpëtohen; dhe të gjithë ata që nuk besuan dhe nuk u penduan, do të mallkohen; dhe fjalët dolën nga goja e Perëndisë me një vendim të prerë; si rrjedhim, ato duhet të përmbushen.
16 Dhe Adami dhe Eva, gruaja e tij, nuk pushuan së thirruri Perëndisë. Dhe Adami e njohu Evën, gruan e tij, dhe ajo u ngjiz dhe lindi Kainin dhe tha: Unë kam patur një burrë nga Perëndia; si rrjedhim, ai të mos i hedhë poshtë fjalët e tij. Por, vini re, Kaini nuk ia vuri veshin, duke thënë: Kush është Zoti, që unë duhet ta njoh atë?
17 Dhe ajo përsëri u ngjiz dhe lindi vëllanë e tij, Abelin. Dhe Abeli iu bind zërit të Zotit. Dhe Abeli ishte një bari delesh, por Kaini ishte një lërues i tokës.
18 Dhe Kaini e donte Satanin më shumë se Perëndinë. Dhe Satani e urdhëroi atë, duke i thënë: Bëji një ofertë Zotit.
19 Dhe me kalimin e kohës ndodhi që Kaini solli fruta të tokës si një ofertë për Zotin.
20 Dhe Abeli, ai gjithashtu solli nga të parëlindurit e tufës së tij dhe nga dhjami i tyre. Dhe Zoti pati respekt për Abelin dhe ofertën e tij;
21 Por për Kainin dhe ofertën e tij, ai nuk pati respekt. Tani Satani e dinte këtë dhe ajo e kënaqi. Dhe Kaini u zemërua shumë dhe fytyra iu pezmatua.
22 Dhe Zoti i tha Kainit: Përse je i zemëruar? Përse t’u pezmatua fytyra?
23 Në rast se bën mirë, ti do të pranohesh. Dhe nëse nuk bën mirë, mëkati shtrihet te pragu dhe Satani dëshiron të të ketë ty; dhe në qoftë se nuk u bindesh urdhërimeve të mia, unë do të të dorëzoj dhe do të bëhet për ty sipas dëshirës së tij. Dhe ti do të sundosh mbi të;
24 Sepse që nga kjo kohë e tutje ti do të jesh ati i gënjeshtrave të tij; ti do të quhesh Humbje; sepse ti ishe gjithashtu përpara botës.
25 Dhe do të thuhet në një kohë që vjen—Se këto fëlliqësira u paten prej Kainit; sepse ai e hodhi poshtë këshillën më të madhe që erdhi nga Perëndia; dhe ky është një mallkim që unë do ta vë mbi ty, në qoftë se nuk pendohesh.
26 Dhe Kaini u zemërua dhe nuk e dëgjoi më zërin e Zotit, as të Abelit, vëllait të tij, që ecte në shenjtëri përpara Zotit.
27 Dhe Adami dhe gruaja e tij vajtuan përpara Zotit, për shkak të Kainit dhe vëllezërve të tij.
28 Dhe ndodhi që Kaini mori një prej vajzave të vëllezërve të tij për grua dhe ata e donin Satanin më shumë sesa Perëndinë.
29 Dhe Satani i tha Kainit: M’u beto për fytin tënd dhe nëse e tregon atë, ti do të vdesësh; dhe të betohen vëllezërit e tu për kokat e tyre dhe për Perëndinë e gjallë se nuk do ta tregojnë; sepse, në qoftë se tregojnë, ata me siguri do të vdesin; dhe kjo, që ati yt të mos e dijë; dhe në këtë ditë unë do ta dorëzoj vëllanë tënd, Abelin, në duart e tua.
30 Dhe Satani iu betua Kainit se do të bënte sipas urdhërave të tij. Dhe të gjitha këto gjëra u bënë në fshehtësi.
31 Dhe Kaini tha: Me të vërtetë unë jam Mahani, mjeshtri i kësaj të fshehte të madhe, që unë të mund të vras dhe të arrij fitore. Prandaj Kaini u quajt Mjeshtri Mahan dhe u përlëvdua në ligësinë e tij.
32 Dhe Kaini shkoi në fushë dhe Kaini foli me Abelin, vëllanë e tij. Dhe ndodhi që, ndërsa ata ishin në fushë, Kaini u ngrit kundër Abelit, vëllait të tij, dhe e vrau.
33 Dhe Kaini u përlëvdua në atë që kishte bërë, duke thënë: Jam i lirë; sigurisht tufat e vëllait tim bien në duart e mia.
34 Dhe Zoti i tha Kainit: Ku është Abeli, vëllai yt? Dhe ai tha: Nuk e di. Mos jam unë rojtari i vëllait tim?
35 Dhe Zoti tha: Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.
36 Dhe tani ti do të mallkohesh, ngaqë toka e ka hapur gojën e saj për ta marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote.
37 Kur të lërosh tokën tani e tutje, ajo nuk do të prodhojë me tërë fuqinë e saj. Një ikanak dhe një endacak do të jesh në tokë.
38 Dhe Kaini i tha Zotit: Satani më tundoi për shkak të tufave të vëllait tim. Dhe unë isha i zemëruar gjithashtu; sepse ofertën e tij ti e pranove dhe jo timen; ndëshkimi im është më i madh nga ç’mund të duroj.
39 Vër re, ti më ke dëbuar në këtë ditë nga fytyra e Zotit dhe nga fytyra jote unë do të fshihem; dhe unë do të jem një ikanak dhe një endacak në tokë; dhe do të ndodhë që ai që më gjen, do të më vrasë për shkak të paudhësive të mia, sepse këto gjëra nuk fshihen nga Zoti.
40 Dhe unë Zoti i thashë atij: Kushdo që të vret, haku do të merret mbi të shtatë herë. Dhe unë, Zoti, vura një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që do ta gjente, të mos e vriste atë.
41 Dhe Kaini u dëbua nga prania e Zotit dhe me gruan e tij dhe shumë prej vëllezërve të tij banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.
42 Dhe Kaini e njohu gruan e tij dhe ajo u ngjiz e lindi Enokun dhe ai gjithashtu pati shumë bij e bija. Dhe ai ndërtoi një qytet dhe e quajti emrin e qytetit sipas emrit të birit të tij, Enokut.
43 Dhe Enokut i lindi Iradi dhe bij e bija të tjera. Dhe Iradit i lindi Mehujaeli dhe bij e bija të tjera. Dhe Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe bij e bija të tjera. Dhe Methusaelit i lindi Lameku.
44 Dhe Lameku mori për vete dy gra; emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah.
45 Dhe Ada lindi Jabalin; ai ishte babai i atyre që banuan në çadra dhe ishin ruajtës bagëtish; dhe emri i vëllait të tij ishte Jubal, që ishte babai i atyre që përdorin qesten dhe flautin.
46 Dhe Cilahu, ajo gjithashtu lindi Tubal-kainin, një krijues veglash prej bronzi e hekuri. Dhe motra e Tubal-kainit quhej Naama.
47 Dhe Lameku u tha grave të tij, Adas dhe Cilahut: Dëgjojeni zërin tim, ju gratë e Lamekut, ia vini veshin fjalës sime; sepse unë kam vrarë një njeri për plagën time dhe një të ri për lëndimin tim.
48 Në qoftë se Kainit do t’i merret haku shtatë herë, me të vërtetë Lamekut do t’i merret haku shtatëdhjetë e shtatë herë;
49 Sepse Lameku, duke hyrë në një besëlidhje me Satanin, sipas mënyrës së Kainit, në të cilën ai u bë Mjeshtri Mahan, mjeshtri i asaj të fshehte të madhe që iu administrua Kainit nga Satani; dhe Iradi, biri i Enokut, duke e ditur të fshehtën e tyre, filloi t’ua zbulojë atë bijve të Adamit;
50 Si rrjedhim, Lameku, duke qenë i egërsuar, e vrau atë, jo si Kaini vëllanë e tij, Abelin, për hir të fitimit, por e vrau për hir të betimit.
51 Sepse, që nga ditët e Kainit, pati një lidhje të fshehtë dhe veprat e tyre ishin në errësirë dhe ata e njihnin çdonjëri vëllanë e vet.
52 Prandaj Zoti e mallkoi Lamekun dhe shtëpinë e tij dhe të gjithë ata që kishin lidhur besë me Satanin; sepse ata nuk i zbatuan urdhërimet e Perëndisë dhe ajo e mërziti Perëndinë, dhe ai nuk u shërbeu atyre, dhe veprat e tyre ishin fëlliqësira dhe filluan të përhapen mes gjithë bijve të njerëzve. Dhe ajo ishte mes bijve të njerëzve.
53 Dhe mes bijave të njerëzve këto gjëra nuk u thanë, sepse ai Lamek ua kishte thënë të fshehtën grave të tij e ato ngritën krye kundër tij dhe i shpallën këto gjëra gjerësisht e nuk patën dhembshuri;
54 Prandaj Lameku u përbuz dhe u dëbua e nuk erdhi mes bijve të njerëzve, nga frika se do të vdiste.
55 Dhe kështu veprat e errësirës filluan të përhapen mes gjithë bijve të njerëzve.
56 Dhe Perëndia e mallkoi tokën me një mallkim të hidhur dhe ishte i zemëruar me të ligjtë, me të gjithë bijtë e njerëzve që ai kishte bërë;
57 Sepse ata nuk do t’i bindeshin zërit të tij as nuk do të besonin në Birin e tij të Vetëmlindur, madje atë që ai shpalli se do të vinte në meridianin e kohës, i cili u përgatit që përpara krijimit të botës.
58 Dhe kështu Ungjilli filloi të predikohej, që nga fillimi, duke u shpallur nga engjëjt e shenjtë, të dërguar nga prania e Perëndisë, dhe prej zërit të tij e nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë.
59 Dhe kështu të gjitha gjërat iu vërtetuan Adamit, me anë të një ordinance të shenjtë, dhe Ungjilli u predikua, dhe një vendim u shpall se ai do të ishte në botë, deri në mbarim të saj; dhe kështu ishte. Amen.