Miku Mikut
Një Ndjenjë Paqeje
Nga një intervistë me Lusi Stivenson Iuellin.
Një mëngjes kur isha 11 vjeç, u zgjova dhe dëgjova zëra në dhomën e ndenjjes. Askush nuk kishte ardhur të më zgjonte për shkollë, siç e bënin zakonisht. Kur dola për të parë se çfarë po ndodhte, zbulova që babi im kishte vdekur.
Ndërkohë që familja fliste në dhomën e ndenjjes, unë shkova në kopshtin tonë. Kopshti ynë ishte i madh dhe kisha punuar me babin që ta ndihmoja të kujdesej për të. U ula në stolin poshtë pemëve dhe qava. Ndihesha vërtet i trishtuar dhe i pështjelluar.
Pas disa minutash, pashë mësuesin tim të Fillores që po hapte portën. Ai erdhi dhe u ul pranë meje te stoli dhe tha: “Soni, a të kujtohet mësimi që patëm të dielën e shkuar rreth planit të shpëtimit?” Mësuesi më shpjegoi përsëri se qeniet tona përbëhen nga një shpirt dhe një trup. Ai tha se shpirti i babit tim ishte në një vend të mirë dhe një ditë ai do të ringjallej. Një ditë unë do ta shihja përsëri.
Ndonëse isha ende i trishtuar, unë ndjeva paqe. E kujtoj atë paqe sa herë që mendoj rreth asaj përvoje. Mësuesi im i Fillores më dha shërbesë dhe Fryma e Shenjtë më ngushëlloi. Kjo më ndihmoi të ndërtoja dëshminë time për dashurinë e Atit Qiellor dhe planin e shpëtimit.
Pavarësisht se çfarë po kalon, Perëndia kujdeset për ty. Nuk duhet të jesh një i rritur që ta ndiesh Shpirtin të të dëshmojë se gjithçka do të jetë në rregull. Ti mund të ndërtosh një dëshmi për planin e Atit Qiellor. Ti mund të ndiesh paqe.