Amigos [Miq] të Rinj
Autorja jeton në Jutë, SHBA.
Brixhita nuk dinte spanjisht. Si do të takonte ndonjë shoqe?
“Isha i huaj dhe më pritët” (Mateu 25:35).
Brixhita i nguli sytë jashtë dritares së makinës teksa familja e saj ngiste makinën nëpër rrugët e ngushta të Karakasit në Venezuelë. Kishte shtëpi të lyera me ngjyra të shndritshme dhe male të larta, të gjelbra. Ishte një vend i bukur. Mami dhe babi thanë se të jetuarit këtu do të ishte një aventurë e re.
Por Brixhita ende ndihej e shqetësuar. Sot ishte dita e tyre e parë që po shkonin në kishë në vendin e tyre të ri.
Mami iu kthye Brixhitës. “A je mirë, shpirti?” – pyeti ajo. “Nuk dukesh aq mirë.”
Brixhita lëvizi duart. “Kam frikë. Nuk mund të flas spanjisht. Si mund të zë shoqe?”
Mami zgjati dorën që të mbante dorën e Brixhitës. “E di se je e shqetësuar. Por do të shkojë mirë. Merr frymë thellë.”
Brixhita pa duart e saj. Ato ishin të ftohta, edhe pse jashtë ishte nxehtë. Zemra i rrihte shpejt dhe pati një ndjenjë të çuditshme në stomak teksa makina u fut në parkimin e kishës. Si do të ishte kisha? A do të kuptonte ndonjë gjë?
Kur hyri në shtëpinë e mbledhjeve, Brixhita u ndie si e huaj. Hodhi vështrimin përreth te familjet e tjera, që po flisnin të gjitha spanjisht. Pastaj pa dy vajza që dukeshin të moshës së saj.
Sapo vajzat e panë Brixhitën, ato vrapuan drejt saj. Ato folën shpejt e me gëzim në zërin e tyre e me një buzëqeshje të madhe.
Por ajo nuk kuptoi asgjë nga ajo që thanë. A do të largohen kur të mësojnë se nuk flas spanjisht? – pyeti veten ajo.
Brixhita mori frymë thellë. “No hablo español” – tha ajo, duke tundur kokën. “Nuk flas spanjisht.” Sytë iu mbushën me lot.
Vajzat thjesht mblodhën supet dhe buzëqeshën edhe më shumë. Njëra nga vajzat tregoi me gisht nga vetja dhe tha: “Dajana”. Më pas tregoi me gisht nga vajza tjetër dhe tha: “Andrea”.
Shqetësimet e Brixhitës filluan të largohen. Ajo u buzëqeshi vajzave dhe tregoi me gisht nga vetja. “Brixhita.”
Dajana dhe Andrea u ulën pranë Brixhitës. I mësuan se si të thoshte “shkrime të shenjta” në spanjisht dhe disa fjalë të tjera. Kur filloi mbledhja e sakramentit, zemra e Brixhitës ndjeu ngrohtësi dhe paqe.
Pas Fillores, Brixhita dhe shoqet e saj të reja u ulën në barin jashtë kishës ndërkohë që prindërit e tyre bisedonin. Dajana dhe Andrea i mësuan Brixhitës disa fjalë të tjera në spanjisht. Pastaj Dajana tregoi me gisht drejt një peme dhe pyeti: “¿Inglés?”
Brixhita buzëqeshi dhe tregoi me gisht gjithashtu. “Tree” [“Pemë”] – tha ajo. I shkëlqeu fytyra dhe tregoi me gisht gjëra të tjera, duke thënë fjalët në anglisht. Dajana dhe Andrea i përsëritnin fjalët në anglisht. Më pas ato i mësuan Brixhitës se si t’i thoshte fjalët në spanjisht. Brixhita mësoi lloje të ndryshme fjalësh të dobishme, si libro (libër), casa (shtëpi) dhe coche (makinë). Por më mirë nga të gjitha, ato i mësuan se si të thotë amigos (miq).
Shpejt erdhi koha për të shkuar në shtëpi. Brixhita i përshëndeti me dorë Dajanën dhe Andrean.
“Si shkoi dita jote e parë në kishë në Venezuelë?” – pyeti babi.
Brixhita buzëqeshi. “Ishte shkëlqyeshëm! Zura disa shoqe. Dhe po më mësojnë spanjishten.”
“E mrekullueshme! Jam kaq i gëzuar që pate një ditë të mirë.”
Brixhita mendoi rreth mënyrës se si Dajana dhe Andrea e kishin mirëpritur. Nuk ndihej më si e huaj. E dinte se Ati Qiellor po e ndihmonte që të zinte shoqe. Dhe mezi priste që të shihte se çfarë do të sillte pjesa tjetër e kohës së saj në Karakas!